LIFE STYLE

Mjekja gastrohepatologe, Albana Duni: Mëlçia e dhjamosur, obeziteti shkaku kryesor

11:00 - 06.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Voltiza Duro

Steatohepatiti joalkolik, i njohur si NASH, apo mëlçia e dhjamosur ka filluar të haset shpesh në dyert e spitaleve në vendin tonë. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja gastrohepatologe, Albana Duni tregon se faktori kryesor i kësaj sëmundjeje është obeziteti. Sipas saj, kategoria më e prekur nga dhjamosja e mëlçisë janë femrat obeze me rritje të sasisë së kolesterolit në gjak, por edhe meshkujt e dobët. Mjekja thekson faktin që pacientët nuk paraqesin shqetësime të dukshme, por thjesht diskonfort abdominal. Ajo paralajmëron pacientët që të kenë kujdes, pasi nëse sëmundja nuk trajtohet, mund të progresojë deri në cirrozë brenda 5-10 vitesh.

Çfarë është Steatohepatitis joalkolik?
Steatohepatiti joetilik ose joalkolik, i njohur si NASH, apo si dhjamosja e mëlçisë në gjuhën popullore është një sëmundje jo plotësisht e njohur në Evropë, por që haset shpesh në kushtet e shërbimit shëndetësor ambulator. Kjo sëmundje konsiston në grumbullimin e yndyrnave në qelizat e mëlçisë. Pacientët, megjithëse e mohojnë, akuzohen për përdorim të tepërt të alkoolit. Nga ana tjetër, dhjamosja e thjeshtë e mëlçisë shpesh injorohet nga mjekët si “defekt kozmetik”, gjë që nuk është tërësisht e saktë.
Sa i prekur është vendi ynë nga kjo sëmundje?
Mund të themi që ky entitet sëmundjeje haset relativisht shpesh në kushtet e shërbimit ambulator. Rastet e dyshuara që mund të ishin të prekur nga kjo sëmundje ishin persona obezë, me rritje të nivelit të transaminazave dhe të kolesterolit në gjak, gjetje këto të rastësishme.
Cilët janë faktorët që ndikojnë në dhjamosjen e mëlçisë?
Faktorët më të rëndësishëm riskantë për dhjamosjen e thjeshtë të mëlçisë përfshijnë obezitetin, konsumimin e alkoolit dhe rezistencën insulinike. Ndërsa, prevalenca e dhjamosjes së mëlçisë në grupet e kontrollit është 16-20%, ajo arrin 46% në alkoolistët, 76% në personat mbi peshë, 95% në obezët alkoolistë. Këto gjetje sugjerojnë se dhjamosja e mëlçisë është më fort e shoqëruar me obezitetin sesa me përdorimin e alkoolit. Gjithashtu, rreth 80% e personave të prekur nga diabeti mellitus I tipit 2 apo ata që përdorin barna të caktuara janë të predispozuar për t’u prekur nga dhjamosja e mëlçisë.
Cilat janë disa prej barnave që ndihmojnë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje?
Medikamente të lidhura me zhvillimin e NASH përfshijnë amidarone, diltiazem, nifedipina, tamoksifen, estrogenet, glukokortikoidet. Vetëm agjentet antiaritmikë si amidarone janë një kërcënim sinjifikant që çon në NASH në 25% të pacientëve. Koncentrimet serike të medikamentit ngelen të larta për një kohë relativisht të gjatë. Akumulimi në hepar favorizon dëmtimin e tij.


Cila janë kategoritë më të prekura?
Femrat obeze përbëjnë 75% të pacientëve me NASH edhe në rastet që diagnostikohen në vendin tonë. Në qoftë se diagnoza e NASH është bazuar në kërkesat strikte për degjenerim yndyror, infiltrate inflamatore, ballonizim të hepatociteve, prezencën e trupave mallory dhe zhvillimin e fibrozës, grupi më i madh i pacientëve përbëhet nga meshkuj të dobët jodiabetikë. Për t’u shënuar është fakti që cirroza është thuajse e pranishme në 10-25% të pacientëve me NASH që nga vendosja e diagnozës.
Cilat janë disa nga shqetësimet që paraqesin pacientët?
Ajo që na bën përshtypje është fakti që pacientët nuk paraqisnin ankesa, por në të shumtën e rasteve ankesat kanë të bënin me një diskomfort abdominal dhe simptoma meteoristike. Pacientet e kartelizuar në shërbimin tonë paraqiten në stade të hershme të NASH dhe nuk shënohet asnjë rast në stade të vonshme, pra në stadin e cirrozës.
Cilat janë stadet e zhvillimit të kësaj sëmundjeje?
Histologjikisht janë identifikuar tri stade të NASH. I pari është stadi inaktiv ose forma joprogresive, që ka vetëm shenja minore të inflamacionit. Stadi i dytë është stadi subakut, ose subfulminant i NASH, i cili është i rrallë e zakonisht shihet pas procedurave kirurgjikale për reduktimin e peshës. Theksoj që ky stad është potencialisht fatal. Ndërsa stadi i tretë është ai kronik, që është forma me progresion të ngadalte dhe më e shpeshtë, që i korrespondon më mirë pamjes klinike te NASH. Brenda këtyre tri stadeve ashpërsia e sëmundjes mund të kualifikohet në një shkallë gradash nga 1 deri në 4.
Çfarë ndodh nëse steatohepatiti joalkoolik nuk trajtohet?
Në qoftë se NASH lihet i patrajtuar, do të progresojë në fibrozë, ose shpesh në cirrozë për 5-10 vjet në 10% të pacientëve. Disa studime e vendosin këtë shifër në një shkallë më të lartë se 40%. Rreth 12% e pacientëve, sidomos diabetikët, mund të vdesin brenda 10 viteve nga komplikacionet e sëmundjes hepatike. Megjithatë, në një proporcion të madh të pacientëve, NASH ngelet beninj dhe nuk progreson në stadet e fundit.
Si kurohet NASH?
Ndryshe nga hepatiti C, deri më tani nuk gjendet terapi efektive për NASH. Kështu që qëllimi final i të gjitha masave terapeutike është ndalimi i progresionit të sëmundjes dhe në qoftë se është i mundur parandalimi i zhvillimit të cirrozës. Përderisa patogeneza e NASH është e panjohur, terapia mbetet empirike dhe kufizohet në trajtimin e gjendjeve të shoqëruara me NASH si diabeti mellitus, obeziteti dhe hiperlipidemia si dhe shmangien e agjenteve farmakologjike hepatoksike. Për kurimin e NASH, masa më e rëndësishme konsiston në reduktimin e peshës trupore. Pra, reduktimi i peshës trupore në rreth 10% të peshës fillestare të pacientëve është jashtëzakonisht i dobishëm në përmirësimin e parametrave laboratorikë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.