Kryesore

Sherri për një kapele, 23-vjeçari shkodran humbi jetën 24 orë pas atentatit. 17-vjeçari: Hermesi më rrahu, mora automatikun dhe…

10:14 - 06.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Senad NIKSHIQI

Ka nisur si lojë për një kapele, por më pas ka përfunduar me vdekjen e një 23-vjeçari. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Shkodër, kur në lagjen “Guerrile” në vendin e njohur si ish-Zooteknika mbeti i plagosur rëndë shtetasi Hermes Beqiri, 23 vjeç. Beqiri gjeti vdekjen në orët e vona të ditës së djeshme, pasi qëndroi në gjendje të rëndë për jetën për disa orë, në spitalin e traumës në Tiranë. Menjëherë pas ngjarjes, policia e Shkodrës pas një aksioni të mirorganizuar arrestoi autorin e dyshuar të plagosjes, shtetasin Elvis Hoxha, 17 vjeç. Bashkë me të, blutë arrestuan edhe shokun e tij, shtetasin Ditmir Harifi, 17 vjeç i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Nga ana tjetër, Bekim Turishta është arrestuar duke u akuzuar për “Moskallëzim krimi”. Të rinjtë kanë qenë duke qëndruar në një lokal në Ish-Zooteknikën, kur mes tyre ka nisur debati për një kapele që ia kanë vënë njëri-tjetrit në kokë. Kaq është dashur që të rinjtë të konfliktohen. Pak çaste përpara plagosjes, mësohet se shtetasi Hermes Boriqi e ka rrahur 17-vjeçarin e dyshuar si autor. Ky i fundit ka shkuar dhe ka marrë një automatik kallashnikov. Është afruar tek dera e lokalit dhe nga aty e ka qëlluar.

23-vjeçari Hermes Beqiri ka mbetur i plagosur rëndë në vendin e ngjarjes. Menjëherë autori bashkë me shokun e tij janë larguar nga vendngjarja me motor. Forcat e policisë kanë marrë informacion se 17-vjeçari fshihej në fshatin Frudë. Dhjetëra efektivë të drejtuar nga zëvendësshefi Saimir Rrustemi kanë shkuar në vendin ku fshihej. Pas pak minuta kërkimesh është arritur që të arrestohet, Elvis Hoxha, i cili mbante në dorë automatikun dhe fare pranë kishte edhe motorin me të cilin ishte larguar nga vendngjarja, që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Pas arrestimit, 17-vjeçari Hoxha dhe shoku i tij, Ditmir Harifi janë dërguar në policinë vendore të Shkodrës për t’u marrë në pyetje mbi ngjarjen e ndodhur.

Hetimi

Pas arrestimit, autori i dyshuar është marrë në pyetje mbi ngjarjen e ndodhur në Ish-Zooteknikë. 17-vjeçari, i hutuar nga ana psikologjike nuk ka folur shumë, por vetëm ka treguar se sherri mes tyre ka ardhur për një kapele dhe se 23-vjeçari Hermes Beqiri e ka rrahur.

“Gazeta Shqiptare” ka zbardhur se çfarë deklaroi në polici 17-vjeçari. “Ne jemi ngatërruar për një kapele. Nisi pak si lojë, por më pas situata u bë serioze. Aty ngritëm zërin dhe ai më rrahu. Më pas kam marrë automatikun dhe e kam qëlluar. Nuk kam dashur ta vras”, mësohet të ketë thënë 17-vjeçari. Hermes Beqiri pas plagosjes është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës. 23-vjeçari ka marrë një plumb në bark, por trajektorja e plumbit i ka prekur disa organe duke bërë që të humbë një sasi të konsiderueshme gjaku, çka çoi në humbjen e jetës. Me dhjetëra persona kanë shkuar për të dhuruar gjak për të për ta shpëtuar. Për rreth 8 orë 23-vjeçari ka qëndruar në sallën e operacionit nën kujdesin e veçantë të mjekëve. Më pas është transportuar me autoambulancë drejt spitalin të traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar. Mësohet se Hermes Beqiri kishte dëmtuar legenin nga plumbi në trup. Të dy personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë janë me precedentë penalë të mëparshëm. Hermes Beqiri ka qenë i dënuar për vjedhje në plazhin e Velipojës, ndërsa edhe Elvis Hoxha për vjedhje.

GSH.al

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.