EKONOMI

Raporti i KLSH: Ministria e Arsimit ka shkelur ligjin. Jani Marka: Nuk është zbatuar meritë-preferenca

10:30 - 10.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Voltiza Duro

Sipas raportit të publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ministria e Arsimit ka shkelur Ligjin për Arsimin e Lartë gjatë pranimeve në universitete të maturës shtetërore 2016. Pas verifikimeve të kryera, KLSH-ja ka arritur në përfundimin se procesi i regjistrimeve është realizuar duke shpërdoruar në mënyrë flagrante kohën dhe burimet njerëzore, si dhe duke shpenzuar në mënyrë të panevojshme fondet. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Jani Marka, pedagog i Universitetit të Tiranës e njëkohësisht aktivist i lëvizjes “Për Universitetin” tregon se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, edhe pse e ka marrë zyrtarisht raportin, nuk i ka pranuar konstatimet e KLSH-së dhe nuk është përpjekur të ndryshojë thelbin e skemës së regjistrimit. Gjithashtu, Marka thotë se problemet e evidentuara kanë rezultuar me deformimin e meritë-preferencës për një numër të konsiderueshëm maturantësh e kjo ka ndodhur edhe me maturën shtetërore të 2017-ës. Ndërkaq, në raportin e KLSH-së citohet se: “Modeli i pranimit që u aplikua në vitin 2016 dhe po përpiqet të implementohet sërish, nuk është ai i duhuri, si në konceptim, ashtu edhe në aplikim. Ky model nuk është në përputhje me frymën e Ligjit 80/2015 dhe as me praktikat e mira të vendeve perëndimore prej nga ky ligj është përshtatur”. Në lidhje me këtë, pedagogu i UT-së thotë se për këto shkelje e padrejtësi nga ana e MASR duhet të merren masa, por ai shprehet skeptik nëse dikush do të vihet para ligjit për të dhënë llogari brenda një periudhe afatshkurtër.
Si e vlerësoni ju raportin e publikuar nga KLSH-ja mbi maturën shtetërore 2016?
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka theksuar, me argumentim profesional, të njëjtat problematika të evidentuara e kundërshtuar edhe nga vetë maturantët dhe jo vetëm në vjeshtën e shkuar. Në këtë kuptim, në njërën anë, ne e vlerësojmë pozitivisht raportin, por në anën tjetër, keqardhja është se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, edhe pse e ka marrë zyrtarisht raportin, nuk i ka pranuar konstatimet e KLSH-së dhe për pasojë nuk është përpjekur të ndryshojë thelbin e skemës së regjistrimit.
Cili ishte problemi kryesor që u konstatua nga ana juaj mbi pranimet në universitete për 2016-ën?
Lëvizja “Për Universitetin” ka realizuar një studim, mbështetur në njërën anë në shqyrtimin kritik të udhëzimeve të shumta të nxjerra nga MASR dhe në anën tjetër, me të dhëna direkte të marra nga një pyetësor  me rreth 400 ish-maturantë. Shkurtimisht, theksojmë se procesi kishte problematika shumë serioze, nga mënyra e vendosjes së kritereve nga universitetet, të cilat u shpallën me vonesë, pra vetëm disa muaj përpara përfundimit të maturës. Probleme janë evidentuar edhe në konceptimin teknik të procesit, përmes disa udhëzimeve nga ana e MAS.
Çfarë reflektuan këto probleme te maturantët?
Të gjitha këto kanë rezultuar me deformimin e meritë-preferencës për një numër të konsiderueshëm maturantësh. Theksoj këtu faktin se studentë me rezultate të larta kanë humbur mundësinë e regjistrimit në degë të preferuara, të cilat prej vetë skemës dhe kaosit, janë përfituar nga studentë me rezultate më të ulëta. Vetë universitetet publike për shkak të skemës së aplikuar nuk realizuan kuotat e parashikuara. Vlen të përmend se në degën e kërkuar të Farmacisë mbeten rreth 15 vende bosh.


Si vijoi procesi i maturës shtetërore për 2017?
Lëvizja “Për Universitetin”, për të nxjerrë në pah problematikat, aktualisht është duke kryer një studim duke pyetur studentët e viteve të para. Megjithatë, edhe pse studimi është ende në proces, mund të pohojmë se, nisur nga fakti që thelbi i skemës së regjistrimit është i njëjtë me vitin e shkuar, edhe këtë vit është cenuar meritë-preferenca.
A ka pasur përmirësime krahasuar me një vit më parë?
MASR me udhëzimin e këtij viti ka bërë disa ndryshime teknike duke e shtrirë regjistrimin në 14 faza, pasi vitin e kaluar fillimisht ishin vetëm katër të tilla dhe gjatë rrugës arritën në tetë faza. Ne mendojmë se dëmet që janë shkaktuar prej kaosit vitin e kaluar, e frikës të të mbeturit pa të drejtë studimi; këtë vit janë zbutur. Dilema që na shqetëson tashmë, pas eliminimit të kaosit, është se në çfarë mase është dëmtuar meritë-preferenca e në cilën masë mund të tolerohen padrejtësitë. Idealisht do duhej që meritë-preferenca të mos i cenohej as edhe një studenti të vetëm.
A u penalizuan studentët gjatë procesit të regjistrimit në universitete?
Patjetër që janë “penalizuar”. Të gjithë ata studentë, në raundin e dytë, të cilët nuk e kanë fituar preferencën e tyre të parë, por një preferencë tjetër, kanë qenë përballë një dileme, frike të vazhdueshme: të regjistrohen (duke humbur më tej të drejtën e garës), apo të vazhdojnë garën me rrezikun se mund të mbeten edhe pa shkollë në rastin më të keq të mundshëm. Kjo nuk është e pamundur të kuptohet nëse shqyrtohen me kujdes rezultatet (merita) e ish-maturantëve, renditjen e preferencave të tyre, të drejtën e studimit që kanë fituar dhe në fund ballafaqimin e këtyre të dhënave. Natyrisht, MASR e ka shumë të kollajtë ta kryejë një studim të tillë, meqenëse ka kompetencën t’i zotërojë tërësisht këto të dhëna. E megjithatë, besojmë se edhe studimi që ne po kryejmë, do të hedhë mjaftueshëm dritë.
Çfarë sistemi regjistrimesh duhet të aplikohet në universitete?
Për shumë arsye, sidomos për shkak të zhvillimit të pabarabartë të sistemit shkollor parauniversitar në Shqipëri dhe të kuotave të kufizuara në degë të preferuara në universitetet publike, kjo mbetet një pyetje shumë e vështirë. Në këtë kuptim, një studim serioz e gjithëpërfshirës, sidomos përfshirja e vetë maturantëve, por edhe ekspertë të së drejtës, do mund të jepte një përgjigje të drejtë për këtë çështje.
A mendoni se do të merren masa mbi shkeljet që janë bërë nga MASR gjatë maturës shtetërore?
Për sa kohë ka shkelje e padrejtësi në dëm të interesit publik, kudo që të ndodhin ato, patjetër që duhet të merren masa. E megjithatë, në një kohë afatshkurtër nuk kam shpresë se dikush do të përgjigjet përpara ligjit për këtë çështje.
A është rritur “artificialisht” emergjenca mbi procesin e regjistrimit, çka i detyroi maturantët të regjistroheshin në degë jo fort të pëlqyera?
Emergjenca, apo kaosi ishte një faktor kyç në procesin e vitit të shkuar, ndërkohë që këtë vit kjo u rregullua edhe prej presionit të maturantëve. Ndërsa këtë vit u shfaq e spekulua mjaft, çështja e akreditimit të universiteteve publike.
Sipas raportit të KLSH-së ka pasur shpenzime të panevojshme financiare gjatë procesit të pranimit në IAL të maturantëve për vitin akademik 2016-2017. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë?
Jo vetëm për këtë raport, por për çdo raport ku ngrihen dyshime për dëm ekonomik në kurriz të financave publike, apo në dëm të interesit publik (në raportin e KLSH evidentohej dëm edhe në kurriz të familjeve të varfra), supozohet që organet e drejtësisë të vihen automatikisht në lëvizje. Më tej, janë organet gjyqësore që duhet të thonë fjalën e fundit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.