MILOSAO

Për poemën “Baballarët” të Dritëroit dhe mesazhet e saj

11:59 - 13.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Shpëtim Çuçka

22.
Poema “Baballarët” (1969) është ndër veprat më të mira në mënyrë absolute jo vetëm të Dritëro Agollit, por edhe të letërsisë sonë në tërësi. Të shumta janë cilësitë e një krijimi të tillë. Së pari, tema. Ne sot në këtë shoqëri faqe me nder demokratike jemi njohur me fakte të dendura të vrasjes së prindërve nga fëmijët. Po edhe përtej këtyre fakteve jemi përditë në dijeni të marrëdhënieve aspak dashamirëse, të ngrohta e nderimplota, ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Dhe kudo problemet përmblidhen te paratë dhe te liria e pakufizuar, liria pa detyrime, që kërkon të ketë ky apo ai pjesëtar i familjes ndaj pjesëtarëve të tjerë.
Jo se brezi i baballarëve të kohës së D. Agollit ishte pa të meta. Jo se në familjet e atyre brezave gjithçka ishte si në vaj. Çështja kryesore e një familjeje, si qelizë bazë e shoqërisë, është që përvoja – e ëmbël dhe e hidhur – e brezit të rritur t’i përcillet në mënyrë të përmbledhur e të pastruar brezit të ri. Këtu, ndër të tjera dhe në një masë shumë të madhe, qëndron shkaku se përse shoqëria njerëzore ecën përpara me shumë vështirësi e me ripërsëritje të vazhdueshme, madje edhe rikthime pas: stafeta e shprehive të punës e të sjelljes shoqërore dhe thesari, sado i vogël, i njohurive të fituara nga njëri brez nuk i përcillen si dhe sa duhet brezit tjetër, qoftë për paaftësi të brezit të rritur, qoftë për mungesë dëshire të brezit të ri.
Temë e gjerë, praktikisht e pashterueshme.
Po le të shohim trajtimin që i bën asaj D. Agolli:

Në shpate ngjiti e nga shpatet zbrisni
Të hollë si kosore e jataganë;
………………………………
Ju shpien udhët në ara e qytete
Dhe s’prehi kurrë
e s’rrini kurrë,
Po gjithnjë kërkoni nëpër jetë,
Godisni me çekanë e mbillni grurë;…

Të dish të zbërthesh thelbin e jetës së një brezi, thelbin e jetës në tërësi, është detyra më e madhe, pasi së këtejmi buron edhe detyra tjetër shumë e madhe: të përcaktosh rrugën që duhet ndjekur. Egoizmi dhe shpirti i vogël nuk e lejojnë njeriun as të hedhë hapin e parë, as të gjejë rrugën për hapin tjetër.
Në këtë drejtim Dritëro Agolli ka goditur menjëherë në shenjë. Ai ka gjetur tiparin kryesor të baballarëve të brezit të tij: njerëz të thjeshtë e thatimë, që janë në lëvizje të vazhdueshme, në veprimtari të vazhdueshme.
Ky përcaktim i saktë, kjo e goditur në shenjë, flasin jo vetëm për tiparin e brezit të vjetër. Ato zbulojnë edhe tiparin kryesor të Dritëro Agollit si njeri e si poet: nderimin e tij për baballarët dhe për punën e tyre, si simbole të së cilës janë gjetur çekani dhe gruri.
Lexojmë më tej portretin poetik të baballarëve:

Dhe hapni libra e gazeta hapni
Dhe ulni mbi shkronja kokën;
Mendimin e shekujve mundohi ta kapni,
Mendimin e shekujve e mendimin e kohës.

Të tillë i sheh poeti baballarët: njerëz që me anë të punës e mbajnë të gjallë jetën duke ia ndryshuar faqen botës dhe që përmes leximit të librit e gazetës mundohen të rrokin mendimin e shekujve dhe mendimin e kohës. Njerëz të punës dhe njerëz të mendjes…
Lexojmë vargjet e poemës dhe  e kemi të vështirë të besojmë sa kanë ndryshuar brezat. Sot njerëzit u mësuan pa punë. Dhe vetë puna sot ka një kuptim fare të ndryshëm nga dikur dhe fare pa përmbajtje serioze. Sot njerëzit u mësuan të ndjekin vetëm televizionin, e shumta, internetin, të cilët përhapin jo pak gjëra të pasakta e të pavërteta. Sot leximi i librit është kthyer në diçka të rrallë, në diçka të dalë mode. Edhe për shkak të vetë librave që sot botohen.
Shkruan poeti më tej:

Dhe shihni si lag djersa jonë digën,
Dhe shihni si bie djersa nëpër valët,
Që fusnin në kasolle tmerr e frikë,
Kur shfrynin si rrebesh me nëntë ballë.

Njerëz të punës baballarët, njerëz të punës bijtë. Kjo është mënyra më e mirë e trashëgimit të vlerave në një shoqëri. Jeta ka dëshmuar dhe dëshmon se njeriu i punës e çmon dhe e ndjek kurdoherë me interes punën, edhe të tjetrit qoftë, aq më tepër të bijve të tij. Lind pyetja: Po sot? Çfarë mund të soditin njerëzit e dikurshëm të punës, kur rrinë kafeneve? Ndjekin me sy se si rri shitësi në dyqanin ngjitur duke pritur blerësit? Punë është kjo? Punë i thonë kësaj?
Poeti na sjell para syve edhe të tjera pika takimi mes dy brezave të kohës së tij. Për shembull, çështjen e zakoneve të vjetra:

Ju vetë ligjin e përgjakur prishët
Që kur ne malit dolëm partizanë;
Ju vetë ligjin e hakmarrjes grisët,
Kur bashkë ndiqnim laron dhe dushmanë…
Ashtu si heshti krisma e hakmarrjes,
Po heshtin edhe pashkë e ramazanë,
Se rrugën tonë drita e ka larë,
Se baballarë e bij një zemër kanë…

Vargjet e mëposhtme të poemës sikur e prekin drejtpërdrejt kohën tonë:

Dhe pranë radios mendjen rrini vrisni:
“Si shkojnë baballarë e bij në botë?”
……………………………………
Bërtasin narkomanët:
“Etërit janë mykur,
Me ta në paqe ne,
modernët,
s’rrojmë,
Në pleqërinë e tyre janë zhytur
Dhe mes anakronizmave notojnë!”

Si e shihte D. Agolli marrëdhënien etër-bij, baballarë-fëmijë, në poemën e tij?

Ju,
baballarë,
keni djem të mirë,
Se ëndrrat i bashkuam në një ëndërr,
Se grurin tok e kemi shirë,
Ndaj njëri-tjetrin nuk e shohim vëngër
Dhe kur dikush,
këlysh mikroborgjezi,
Me petkun progresiv na vjen vërdallë
Dhe sherrin etër-bij kërkon të ndezë,
Ia shkulim dhëmbë
e dhëmballë…

Ç’mund të themi ne sot, në lexofshim të tilla vargje, ndërkohë që të tjera lajme na vijnë nga televizioni dhe nga shtypi? Njerëzit kanë të drejtë të mbledhin supet me mosbesim. Nuk ka sot asnjë normë morali familjar që nuk është shkelur. Në këtë mes edhe normat që rregullojnë marrëdhëniet etër-bij.
Pa ndalur te shkaqet e kësaj shpërbërjeje të marrëdhënieve mes dy brezave, nuk mund të mos sjellim ndër mend dy dukuri: e para, përçmimin që përhapi shtypi pas vitit 1991 për punën dhe jetën e baballarëve; e dyta, faktin që nuk u gjet asnjë shkrimtar a poet të shkruante një vepër kushtuar nderimit të brezit të baballarëve.
Ndërkaq poema “Baballarët” mbyllet me vargjet:

Dhe shkojnë motet,
bën të sajën koha,
Ju plaki edhe kërrusi si kosorë,
Po para nesh ju ngrihi si epoka,
Fisnikë,
madhështorë!…

Poezia mund të lindë nga shtysa të shumta e të shumëllojshme. Dhe mund të thuhet pa lëkundje se shtysa e një poezie, e një krijimi artistik, në fund të fundit shtysa për çdo veprimtari dobiprurëse – prodhuese, shkencore a artistike – ka ndikim përcaktues në rezultatin e veprimtarisë. Një shtysë e vockël do të japë detyrimisht një rezultat të vockël. Një shtysë e madhe, e përjetuar thellë, do të japë patjetër një vlerë të madhe e afatgjatë.
Poema “Baballarët” është një vepër e madhe, për arsyen se në zanafillë të saj ka qenë një shtysë e madhe, një shtysë e përjetuar gjatë dhe thellë: ndjenja fisnikëruese e nderimit të birit për babanë si njeri të punës, nderimi i brezit të bijve për brezin e baballarëve punëdashës e punëmëdhenj.
Dhe, meqë flasim për nderimin e brezit pasardhës për brezin parardhës, këtu ka edhe një moment tjetër në dukje të hollë, por mjaft kuptimplotë: Ç’kuptojnë njerëzit me fjalën “nderim”? Te shpjegimi i dhënë për fjalën “nderoj” në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980) lexojmë: “Sillem mirë e me respekt të veçantë kundrejt dikujt; shpreh vlerësimin e lartë dhe respektin për dikë”. Të ngjashme janë shpjegimet edhe në fjalorë gjuhësh të tjera.
Në vargjet e D. Agollit për baballarët ndihet një nderim, i cili përmban diçka më shumë se shpjegimi i dhënë në fjalor. Është diçka, që nuk është thjesht vlerësim, respekt, nuk është thjesht mirësjellje. Dhe nuk është as thjesht dashuri. Në rastin e vlerësimit dhe respektit për dikë duket sikur nisemi nga diçka konkrete (nga një veprim a veprimtari e caktuar e dikujt), nga diçka pothuajse e matshme ose e peshueshme. Në rastin e dashurisë mbizotërojnë emocionet, përjetimet, ndjenjat.
Te qëndrimi i D. Agollit për baballarët ndihet një ndjenjë nderimi të thellë, që kapërcen çdo ndjenjë tjetër të mirë njerëzore (pa rënë kurrsesi në fetishizim), ndihet një ndjenjë që nuk niset nga gjëra të matshme a të peshueshme me ndonjë mënyrë, një ndjenjë që nuk merr shkas nga një veprim a një veprimtari e caktuar, një ndjenjë që tejkalon ditët, javët e vitet, që tejkalon kohën dhe që është shkrirë dhe bërë njësh me botën tonë shpirtërore, me jetën tonë. Është ndjenja e thellë e një dashurie të thjeshtë e njëkohësisht të shenjtë, një ndjenjë mirësie, dhembshurie e dashurie të pabujshme, e cila me thjeshtësinë dhe shenjtërinë e saj arrin të ngrihet në shkallën më të lartë të ndijimit dhe përjetimit, ngaqë vetë objekti i një ndjenje të tillë qëndron në shkallën më të lartë. Është fjala, pra, për një ndjenjë fisnike dhe fisnikëruese në shkallën më të epërme. Dhe pikërisht ky nderim, ku shkrihen mirësia, dhembshuria dhe dashuria e pabujshme, qëndron në thelbin e nderimit dhe dashurisë së njeriut për vendlindjen. Pikërisht ky nderim i thellë për brezin e baballarëve dhe nënave është në zanafillë të fjalëve “atdhe” dhe “mëmëdhe”.
Nga gjithë kjo rrjedh në mënyrë të arsyeshme dhe pothuaj të vetvetishme se hartimi i fjalorëve shpjegues, që janë themeli i një gjuhe të gjallë, duke qenë një veprimtari e mirëfilltë shkencore, do të duhej të ushqehej e frymëzohej  më mirë nga nuancat e ndjenjave, që ngjallin veprat e mëdha të artit.
Koha jonë ka aq nevojë për këtë vështrim mbi brezin e baballarëve tanë, ka aq nevojë për vargje të tilla. Por, sikurse ka ndodhur aq dendur në historinë e njerëzimit, ajo që është e nevojshme për shoqërinë, ajo që është e domosdoshme për përparimin, kundërshtohet dhe luftohet me të gjitha mënyrat, edhe ato më të papërfytyrueshmet dhe më të pabesueshmet.
Dhe vjen në kujtesë një pjesëz domethënëse nga filmi “Skënderbeu”. Teksa i dërguari i Skënderbeut, Tanush Topia, i drejtohet dozhës dhe senatit të Venedikut për të kërkuar ndihmë në luftën kundër turqve, vjen dhe e mbështet fjalën e tij edhe një poet venedikas. Dhe si ia kthen dozha poetit? “Ndjenjat e poetit nuk vlejnë në çështjet e shtetit”. Kështu kanë vepruar dozhët e të gjitha kohërave. Kështu veprohet edhe në ditët tona. Ndaj edhe marrëdhëniet baballarë-bij janë në atë gjendje ku janë.
Në rast se lexojmë poemën “Baballarët” të Dritëro Agollit, nuk mund të mos e vëmë re këtë prirje të ndryshme në dy epoka të ndryshme. Dhe nuk mund të mos nxjerrim një përfundim rreth çështjes se cila epokë qëndron përpara: ajo e punës apo ajo e papunësisë; ajo e njerëzve të punës apo ajo e njerëzve të papunë; ajo e nderimit të thellë të bijve për baballarët apo ajo e armiqësisë së papajtueshme etër-bij.
Poema “Baballarët” është monument poetik, monument kulture, i ngritur në nderim të punës, të njerëzve të punës, të baballarëve, nga brezi i ri i njerëzve të punës, nga bijtë punëtorë.
Ky fakt e bën poemën e Dritëro Agollit një tjetër thesar shumëvlerësh e me vlerë të pavenitshme, që poeti ia ka dhuruar vendit të tij, popullit të tij.
Vijon


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.