OPINION

Edi Gjeologu, po me puset ç’pati?!

07:20 - 14.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Bardh Spahia

 

 

Po me puset çfarë pati? Edi Gjeologu popullor sqaroi se hapja e një pusi varfëron tokën, se dalin shtresat e kripëzuara.

Kurse vaditja me kanal, e ushqen tokën,-tha Edi shkencëtari popullor.

Dhe vendosi t’i flasë popullit dhe t’i shtojë një faturë të re popullit.

Tani do të paguhet dhe për ujin e puseve.

Ndaj fusni dorën edhe më thellë në xhepin e fukarait, sepse ata janë shumica dërmuese në këtë vend.

Një lek tek njëri dhe një lek tek tjetri, bëjnë shumë lekë.

Me to paguajmë klientët tanë të koncesioneve.

Të tenderëve.

Të bakshisheve.

Të çunave që janë pak të mërzitur dhe duhen ndihmuar se na kanë ndihmuar në zgjedhje.

Të votave që blemë dhe të votave që duhet të blejmë, sepse ndryshe, na heqin dorën nga xhepi i fukarenjve dhe nuk kemi me çfarë të paguajmë sërish nesër klientët tanë.

Kështu foli Edi Rama. Dhe e duartrokiti gjithë shpura që e shoqëron kanalit të tij ERTV.

E gjithë kjo skenë ngjan si e stisur. Por është reale. Po ndodh në vitin 2017. Duke pasur në shënjestër një fashë shumë të gjerë shtetasish shqiptarë që jetojnë kryesisht në fshat: familjen e varfër të fermerit shqiptar, që jeton në një ekonomi pothuaj natyrore.

Mbjell tokën sa për të siguruar perime për veten dhe ushqim për lopën. Qumështin e shet për të blerë bukën dhe kripën për dimër.

Djali i madh në emigracion sjell lekë për librat e vëllait dhe motrës së vogël, të cilët mezi presin të rriten që të marrin pasaportën dhe të ikin nga sytë  këmbët nga ky vend, qeveria e të cilit i fut dorën në xhep për t’u marrë edhe qindarkën e fundit.

Për të paguar ujin e pusit, atë ujë të rëndë, pa klor, të pakontrolluar, shpesh me shije dheu dhe i ndotur. Ujin e pusit të hapur me mjete si të mesjetës, që nuk arrin të shuajë etjen, por që tani e tutje duhet të llogaritet, të matet, të shndërrohet në faturë që duhet paguar sipas asaj që tregon matësi elektronik i vendosur pranë tij. Për ujin nga pusi i hapur në oborrin e fermerit të varfër, që shpesh edhe energjinë e ka aq sa për të mbajtur të ndezur një llambë të vetme.

Dhe ku shpresa, energjia e fundit njerëzore, ngjan e vrarë përfundimisht e vrarë nga një qeveri që erdhi në pushtet në emër të rilindjes dhe po shtyn ditët drejt dekompozimit total, moral dhe politik.

Ta shikosh Shqipërinë nga xhamat e makinës dhe nga ekrani me ngjyra fluturash të ERTV-së, duket se ky vend është një mrekulli. Eshtë një teatër gjigant me shumë spektatorë që shohin e shijojnë nga mëngjesi në darkë rolin e aktorit, skenografit, regjisorit dhe skenaristit të shfaqjes “Unë jam mbi të gjithë”, Edi Rama.

Shto këtu dhe që nuk kupton asgjë dhe i duhet të flasë për të gjitha. Gafat e tij janë të pafundme. Kjo e ujit është një nga to.

Pse ankohen fshatarët që nuk kanë bukë? Le të hanë biskota, -thoshte dikur në Francën e monarkisë Mari Antuaneta.

Timonieri ynë nuk mund të jetë më pak origjinal se ajo.

Nuk kemi investime të huaja. T’i kërkojmë lekët në burimet tona të brendshme. Në fillim taksojmë ujin e pusit. Pastaj dhe ajrin.

Shikoni metamorfozën e këtij njeriu të lodhur. Shiheni vetëm në një kronologji të shpejtë përballë disa betejave të opozitës që nga koha kur ai erdhi në pushtet.

Parlamenti kontrollohet nga banditët, u akuzua në fillim. Nuk ka,-përgjigjej,- Janë njerëz të mirë, sipërmarrës të suksesshëm, politikanë të lidhur me qytetarin. Pastaj i la njëri mbas tjetrit rrugës dhe tani harron se, kush  është peng njëherë, peng mbetet tërë jetën dhe vazhdon  të jetë peng i tyre.

Vendin e ka pushtuar droga. Dhe ai në fillim nuk e shihte. Pastaj e pa, por ishte më pak sesa kishte pasur në kohën e Saliut. Pastaj e kishte fajin po Saliu që gënjente me qytetarin dixhital. Pastaj që opozita ishte antireformë, antiintegrim dhe sajonte, shtonte dhe ekzagjeronte historitë me drogë, pastaj drogë ka, por edhe po e luftojmë.

Dhe në fund, ne do të fitojmë luftën kundër drogës me Fatmirin që është më i mirë sesa Saimiri.

Saimiri?  Në fillim u tha: Eshtë simbol i qeverisjes sonë. Pastaj është kampion i ekipit të rilindjes. Akoma më pas, është një aset i pazëvendësueshëm dhe na duhet në parti. Pastaj, kur u kap me drogë në duar nga prokuroria italiane, mund të jetë një dru i shtrembër, por gjithë stiva është e shëndetshme.

Dhe kur Saimiri tregoi se dinte shumë nga prapaskenat e qeverisjes së tij, atëherë ai dha kushtrimin: ta mbrojmë Saimirin se nuk është çun i keq. Ta mbrojmë nga prokuroria se na mori me vete.

Dhe për të harruar ish-ministrin e tij të paharrueshëm, ju kthehet gazetarëve. Sepse ata e kanë fajin. Ata janë kazani. Ata janë përgjegjësit se pse vendi po shkon poshtë e më poshtë. Ata janë pasqyra që duhet thyer, sepse portreti i kësaj qeverisjeje po bëhet gjithmonë e më i lig, më i delegjitimuar.

Kryeministri ynë është në panik. Mjafton ta shohësh vetëm një çast në sy për të kuptuar se ai nuk di ku t’i çojë sytë.

Ai di më mirë se më parë se vendi po rrezikon një kolaps ekonomik.

Sepse që prej më shumë se katër vjetësh asnjë investitor i rëndësishëm nuk ka ardhur në vend. Sepse rritja ekonomike bazohet vetëm në atë çfarë ka sjellë investimet e TAP-it dhe HEC-it të Devollit. Se paratë e zeza të drogës, pavarësisht se japin idenë e bollëkut dhe luksit, shkatërrojnë dhe vetë ADN-në e ekonomisë.

Sepse fermeri skllav i trafikantëve që kultivonte Cannabis, linte tokën e tij djerrë.

Kryeministri ynë është në panik.

Tani në prag të miratimit të buxhetit, atij nuk i dalin as llogaritë që i bëjnë optimistët që e gënjejnë dhe as gënjeshtarët që i injektojnë optimizëm fals.

Ndaj ai kërkon të marrë qindarka nga kushdo. Edhe nga pusi i ujit që fermeri nuk e hap thjesht, se ashtu ju tek, por se nuk ka asnjë mundësi tjetër.

Ka dhe një detaj tjetër. Dhe detajet bëjnë diferencën.

Do të doja ta pyesja kryeministrin se cili biznesmen e ka fituar tenderin e aparateve matës të ujit?

Do të thotë se ky tender nuk është bërë akoma. Se në të vërtetë nuk e ka fjalën për puset e oborreve, por se aty do të shkohet më pas. Se në Gjermani e Itali bëjnë kështu dhe ashtu. Dhe se gjithë ne të tjerët e kemi keqkuptuar vizionarin dhe misionarin.

Nesër do të jetë pikërisht kështu. Nga emri i kompanisë që do të sjellë aparatet matës të ujit, do të kuptojmë humorin groteskt të kryeministrit të sotëm.

Vetëm me një kusht…, nëse gjithë të eturit e këtij vendi nuk e kanë rrëzuar më parë këtë kryeministër të paditur.

Këtë ekzibicionist me çitjane. Që sot është më lakuriq se dikur në plazh.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.