Kryesore

Intervista/ Austria “flet” shqip: Me këtë drejtësi, nuk ka BE. Arrestimi i Tahirit? Askush të mos fshihet pas autoritetit

20:12 - 16.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Erl MURATI




Për herë të parë në programin e një qeverie shqiptare, Austria është renditur si partner strategjik. Krahas Italisë, Greqisë dhe Turqisë, në programin e “Rama 2”, marrëdhëniet me Vienën kanë marrë rëndësi prioritare.

“Na gëzon fakti që Austria tashmë është bërë pjesë e katërkëndëshit strategjik të Shqipërisë, pasi tregon mirënjohje”, thotë Dr. Michael Linhart në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”.

Zv/ministri dhe sekretari i përgjithshëm i MPJ-së austriake ndodhet sot në Tiranë për një vizitë zyrtare.

I pyetur nga “GSH” për reformën në drejtësi, Linhart përgjigjet “shqip”: Me këtë sistem drejtësie nuk mund të hyni në BE.

Zyrtari austriak është optimist që Shqipëria mund të hapë negociatat për anëtarësim në BE, brenda gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm.

Lidhur me vendimin e Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Linhart thotë: “Askush nuk duhet të kërkojë dhe të gjejë mbrojtjen e ndonjë autoriteti. Kjo vlen për të gjitha vendet që dëshirojnë t´i bashkohen kësaj ideje”.

Linhart, Shqipëria është vend kandidat për anëtar i Bashkimit Europian dhe synon që brenda vitit të ardhshëm të hapë negociatat me BE-në. A mendoni se kjo aspiratë është e mundshme të ndodhë në një periudhë të afërt?

Së pari dëshiroj të theksoj se kontributi më i mirë për stabilitetin dhe prosperitetin në këtë rajon është integrimi hap pas hapi në Bashkimin Europian. Eshtë mjaft inspiruese të shikosh dëshirën e popullit shqiptar për të qenë pjesë e projektit europian. Në fakt, viti që vjen do të jetë mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë dhe do të ofrojë mundësi të mëdha për të. Kjo kohë është një mundësi e mirë për Shqipërinë për të bërë detyrat e shtëpisë dhe për të përmbushur kushtet, në mënyrë që vendi të marrë mbështetjen e nevojshme për të hedhur hapin tjetër drejt integrimit. Ne do të jemi- ashtu siç kemi qenë edhe në të shkuarën- mbështës të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Prandaj ajo që unë do të kërkoja nga qeveria shqiptare do të ishte: Na ndihmoni, që t´ju ndihmojmë!

Shqipëria përgatitet të nisë zbatimin e “reformës në drejtësi”, proces i cili përfshin ndryshime në të gjithë strukturën e prokurorisë dhe gjyqësorit në vend. Sa të rëndësishme janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit për integrimin në BE të Shqipërisë?

Reforma në drejtësi do të jetë fushëbeteja e Shqipërisë në vitet në vijim. Besoj se nuk ka më kthim prapa, edhe pse po bëhen përpjekje për këtë. Mendoj se ju duhet të filloni të pastroni sektorin e drejtësisë, sepse çdo shoqëri ka nevojë për arbitër final dhe ky arbitër është drejtësia. Por mos më keqkuptoni: ka mjaft “mollë të kalbura” në sektorin e drejtësisë, por unë kam takuar edhe gjyqtarë e prokurorë të shkëlqyer. Nuk është bardhë e zi. Por me këtë sistem që keni tani nuk mund të hyni në BE. Pastrimi politik do të vijë gradualisht me krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, si prokuroria speciale për korrupsionin, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet e tjera të rajonit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është çelësi i progresit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Muajin e kaluar, parlamenti shqiptar pengoi prokurorinë të arrestojë ish-ministrin e Brendshëm, i cili akuzohet për pjesëmarrje në grup kriminal dhe favorizim të trafikut të drogës. A përbën ky një sinjal negativ që politika i jep dhënies së drejtësisë në vend?

Unë jam i bindjes se qytetarët e një shteti duhet të jenë të barabartë para ligjit. Askush nuk duhet të kërkojë dhe të gjejë mbrojtjen e ndonjë autoriteti. Kjo vlen për të gjitha vendet që i janë bashkuar idesë europiane dhe sigurisht edhe për vendet që dëshirojnë t´i bashkohen kësaj ideje. Një tjetër parim i rëndësishëm ligjor është edhe prezumimi i pafajësisë. Prandaj unë do të këshilloja, t´i lëmë gjykatat të punojnë.

Numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE dhe trafiku i hashashit kanë qenë 2 nga problemet kryesore që partnerët tanë kanë ngritur si shqetësim ndaj Shqipërisë. Cili është vlerësimi juaj për këto 2 çështje?

Për mendimi tim sundimi i ligjit dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike, që do të sillte si pasojë edhe rritjen e cilësisë së jetesës, janë çështjet kyçe për të cilat po punohet në Shqipëri. Pjesa më e madhe e problemeve të tjera derivojnë nga këto probleme kryesore. Disa nga partnerët tanë të Bashkimit Europian janë përballur me problemet e azilit dhe drogës. Të gjithë këta partnerë kanë nga një votë në Këshillin e BE-së, kur bëhet fjalë për hapjen e dritës jeshile për negociatat me Bashkimin Europian. Prandaj për të mirën e saj, Shqipëria duhet t´i marrë seriozisht këto shqetësime. Ajo që është pozitive është fakti që kjo gjë po ndodh tashmë dhe Shqipëria ka marrë një sërë masash konkrete në lidhje me problemet e sipërpërmendura. Përveç këtyre masava afatshkurtra, gjithashtu mjaft e rëndësishme është edhe studimi i një strategjie afatgjatë, se si mund të krijohen perspektiva për të rinjtë, për të ndërtuar këtu të ardhmen e tyre. Nuk mendoj se dikush lë vendin e tij, nëse është i sigurt se ky vend po ecën përpara.

Vitin e kaluar, qeveria shqiptare e ka renditur për herë të parë Austrinë si partnere strategjike, së bashku me Italinë, Turqinë dhe Greqinë.

Cili është vlerësimi juaj për partneritetin mes dy vendeve?

Austria ka qenë ndër shekuj një mike dhe aleate e Shqipërisë. Por për ta mbajtur të gjallë një marrëdhënie duhet të investosh në të dhe kjo është pikërisht ajo që Austria ka bërë në këto dy dhjetëvjeçarët e fundit, që nga çlirimi i Shqipërisë nga regjimi totalitar. Na gëzon fakti që Austria tashmë është bërë pjesë e katërkëndëshit startegjitk të Shqipërisë, pasi tregon mirënjohje për atë që kemi bëri deri tani. Por kjo është gjithashtu edhe një përgjegjësi për të intensifikuar bashkëpunimin. Dhe pikërisht në funksion të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, Austria, përveç Konsullatës së saj të Nderit në Shkodër, do të hapë së shpejti edhe një tjetër Konsullatë Nderi në Vlorë.

Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike firmat austriake janë vendosur dhe pozicionuar mjaft mirë në sektorin e financave, sigurimeve dhe hidrocentraleve. Por edhe kultura, që shërben si urë lidhëse mes vendeve, është veçanërisht e rendësishme për ne: Viti kulturor austriako-shqiptar nën moton “Të (ri)zbulojmë të përbashkëtat”, i cili do të jetë vitin që vjen, do t´i afrojë akoma më shumë vendet tona. Në këtë kuadër, për publikun shqiptar do të organizohen aktivitete të larmishme, që përfshijnë nga opera, koncerte me muzikë klasike dhe jazz, ekspozita e deri tek konferencat dhe kumtesat shkencore. Për më tepër, për vënien në jetë të këtyre aktiviteteve një vëmendje e veçantë do t´i kushtohet edhe pjesëmarrjes së artistëve të njohur shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Austri, si Eno Peci (Pjesëtar i Trupës së Baletit të Operas Shtetërore të Vjenës), Edison Pashko, (Pjesëtar i Filarmonisë së Vjenës), etj.

Në fillim të këtij viti Austria mori presidencën e OSBE-së për vitin 2017. Cili është kontributi i saj për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht për Shqipërinë në këtë kuadër?

Me marrjen e presidencës së OSBE-së 2017 Austria është angazhuar mjaft për të kontribuuar në rivendosjen e stabilitetit dhe rikthimin e besimit në hapësirën e OSBE-së dhe veçanërisht në këtë rajon.

Në nivel organizimi të përgjithshëm në një takim ministerial në korrik u arrit që të zgjidheshin çështjet e rëndësishme për sa i përket personelit, në mënyrë që kjo organizatë të jetë sa më efektive.

Ndërkohë këtë vit nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri janë organizuar aktivitete dhe konferenca të ndryshme me tema mbi radikalizimin e luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, si dhe janë ndërmarrë iniciativa mbi antikorrupsionin. Gjithashtu janë vënë në jetë projekte të ndryshme për të rinjtë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ndër të tjera Austria është angazhuar edhe në lidhje me kryerjen e reformës zgjedhore.

Në gjysmën e dytë të vitit 2018 Austria do të marrë presidencën e BE-së Çfarë duhet të presim konkretisht nga presidenca austriake e BE-së?

Austria është mjaft e angazhuar për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Gjatë presidencës sonë, në çdo këshill të BE-së ne do të japim votën tonë qartë në favor të perspektivës europiane të rajonit. Shpresoj dhe jam besimplotë, që gjatë presidencës austriake të arrijmë të hapim negociatat me Shqipërinë.

Tema të tjera të rëndësishme gjatë presidencës sonë do të jenë mbyllja e bisedimeve për Brexit, si dhe bisedimet për kuadrin shumëvjeçar financiar të ardhshëm.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.