DOSSIER

Ekskluzive/ Publikohet raporti i Agollit: Për gabime ideologjike u dënuan 80% e kuadrove të gazetës “Drita”

10:39 - 17.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

 

Nga DASHNOR KALOÇI

 

Pas fjalës së Enver Hoxhës mbajtur në Presidiumin Kuvendit Popullor më 15 mars të vitit 1973 dhe më pas me aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së e Plenumin e V, që si objekt kryesor kishte: “Lufta ndaj shfaqjeve të huaja dhe liberalizmit në art e kulturë e ndikimi e tyre në të gjitha fushat e jetës…”, gjë e cila shënoi dhe prologun e furtunës së madhe ndaj njerëzve të artit, kulturës dhe letrave shqipe me largime nga puna, ulje e shkarkime nga detyra, dëbime, internime apo dënime me burg, disa nga institucionet kulturore dhe artistike të kryeqytetit, apo organet kryesore të shtypit u përballën me mungesë kuadrosh, kryesisht atyre krijuese. Kjo hemorragji preku edhe organet e Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve, si p.sh. gazetën “Drita”, ku rreth 80% e stafit të saj krijues, me gazetarë dhe redaktorë ishin larguar që andej “për gabime ideologjike të karakterit liberal”. Gjë e cila bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë në këtë pjesë të librit, ku kryetari i sapoemëruar i Lidhje së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli, (pas shkarkimit të Dhimitër Shuteriqit për liberalizëm) i kërkon sektorit përkatës të Komitetit Qendror të PPSH-së plotësimit të kuadrit të nevojshëm të gazetës “Drita” pasi, “kjo gjë e ka bërë shumë të vështirë punën e gazetës, sidomos, veprimtarinë e saj për të vënë në jetë vendimet e detyrat rëndësishme dhe urgjente që Partia ka shtruar përpara letërsisë dhe arteve, përpara vetë gazetës ‘Drita’”. Dhe në kërkesën e tij, Agolli ka bërë edhe sugjerimet përkatëse me emra konkretë për redaktorë dhe drejtues sektorësh si në gazetën në fjalë, ashtu edhe në Lidhje. Personat që u afruan aty më pas me propozimin e Agollit, zëvendësonin kolegët e tyre, që i kishin përzënë që andej me dënime të ndryshme, ku “një dorë” për largimin e tyre, apo më saktë “flamurin e sulmit” e kishte mbajtur vetë Dritëroi, para se të emërohej si kreu i Lidhjes! Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një prej mbledhjeve të gjata të zhvilluara në pranverën e vitit 1973, (gjë të cilën e kemi prekur në një kapitull të veçantë edhe te libri “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”), prej së cilës kemi shkëputur disa radhë, që po i publikojmë më poshtë në këtë shkrim.

LIDHJA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE
TË SHQIPËRISË TIRANË, 3.10.1973
NR. 3 PROT.

KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SEKTORIT TË KUADRIT
Tiranë

Prej më se 4 muaj, për shkak të gabimeve ideologjike të karakterit liberal, u larguan pjesa më e madhe e kuadrove të saj, rreth 80%. Deri më sot kanë ardhur në redaksi vetëm 3 kuadro dhe një stazhiere. Me gjithë përpjekjet e njëpasnjëshme të Lidhjes së Shkrimtarëve për të plotësuar të paktën 50% të organikës së vendeve vakante në gazetën “Drita”, me gjithë propozimet konkrete nga ana jonë për të sjellë në redaksi kuadro të shëndosha dhe të aftë për të kryer detyrën e redaktorëve, me gjithë bashkëpunimin si me Komitetin e Partisë së rrethit dhe, bile me vetë aparatin e Komitetit Qendror të Partisë, deri më sot këto vende ende nuk janë plotësuar. Kjo gjë e ka bërë shumë të vështirë punën e gazetës, sidomos veprimtarinë e saj për të vënë në jetë vendimet e detyrat rëndësishme dhe urgjente që Partia ka shtruar përpara letërsisë dhe arteve, përpara vetë gazetës “Drita”. Në fakt, nga 10 vetë që përmban organika e redaksisë, sot punojnë vetëm 5 dhe një stazhiere.
Me qëllim që të mos zvarriten më tej këto çështje dhe që redaksia e gazetës “Drita” të plotësohet me redaktorët e domosdoshëm, lutemi të ndërhyhet nga ai sektor për të sjellë në këtë gazetë:

1. NDUE ZEF TOMA, punonjës në Institutin e Gjuhësisë.

2. ÇAPAJEV GJOKUTAJ, pedagog në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë.

3. PETRO DHIMITRI, redaktor në gazetën “Bashkimi”.

4. SPIRO KALEMI, pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.

Përveç këtyre, për të plotësuar sektorin e edukimit në Lidhje propozojmë të vijnë:
1. FOTAQ MALO, punonjës i Radio Gjirokastrës.
Meqenëse në Lidhje nuk është caktuar ende sekretari për muzikën, ne i parashtrojmë atij sektori mendimin tonë:
1. XHEMIL SIMIXHIU – pranë Institutit të Lartë të Arteve.
Po kështu, lidhur me studimin tonë paraqitur aparatit të Komitetit Qendror të Partisë për të krijuar sektorin e skenës dhe ekranit pranë Lidhjes, duke e shkëputur këtë nga sektori i letërsisë, për vetë specifikën e veçantë të dramaturgjisë, skenës së teatrit dhe kinematografisë sonë, i parashtrojmë atij sektori për sekretar një nga shokët e poshtëshënuar:

1. ESAT OKTROVA, pranë Institutit të Lartë të Arteve.

2. MISTO ZOTO, pranë Institutit të Lartë të Arteve.
Për sa sipër, mbetemi në pritje.

Kryetari
Dritëro Agolli

Shënim
Ju dha porosi Xhemal Dinit
që të studiojë kandidaturat
dhe të lidhen edhe me rrethet
e të vijnë propozimet e plota.


Diskutimi i Dritëro Agollit në Lidhjen e Shkrimtarëve në vitin 1973
Kritikat dhe akuzat e Agollit ndaj Paçramit, Uruçit, Shuteriqit, Kadaresë etj.
Ne sot jemi mbledhur të diskutojmë për fjalimin e fundit të shokut Enver “Si duhet kuptuar dhe si duhet luftuar rrethimi imperialist revizionist i vendit tonë dhe efekti i presionit të tij mbi ne”.
Përgjegjësi të madhe veçanërisht mbajnë shoku Dhimitër Shuteriqi, si kryetar; shoku Vilson Kilica, si sekretar i përgjithshëm; shoku Ibrahim Uruçi, si kryeredaktor i “Dritës” dhe shoqja Hamide Stringa, si sekretare për muzikën. Nuk dua t’i fyej, unë kam respekt për ta, por ata kanë pasur një bekim dhe një adhurim të madh për Fadil Paçramin. Konceptet e tij të padrejta avangardiste dhe nihiliste, antishkencore në kuptimin e traditës, në kuptimin e konservatorizmit dhe të liberalizmit, në kuptimin e konfondimit të traditës.
Me konservatorizmin dhe të novatorizmit me liberalizimin kanë gjetur përkrahjen e tyre. Fadil Paçrami çdo ditë rrinte kokë më kokë me të, vinte në klub, ngjitej lart në zyrë, dilte nga zyrat në rrugë, nisej nga rruga në vende turistike. Në këto takime rriheshin mendimet, përpunohej një ide, e cila pastaj përhapej me gojë dhe depërtonte edhe në shtyp. Ishte formuar një farë klani, që binte në sy nga të gjithë shkrimtarët dhe artistët. Kudo ku ishte shoku Fadil, patjetër do të ishte Ibrahim Uruçi. Kur mungonte Ibrahim Uruçi, patjetër do të ishte Vilson Kilica. Gazeta “Drita” ishte bërë e tija, ai do ta drejtonte. Hidhej një mendim me gojë, ai do të gjente reflektim. Natyrisht, shkalla e bashkëpunimit të këtyre shokëve me Fadil Paçramin nuk ishte njëlloj.
Shoku Ibrahim Uruçi ishte më afër nga të gjithë, pastaj vinin shoku Vilson dhe shoku Dhimitër. Shikojeni se si përputhen mendimet, u shkrua një artikull për plenumin e kritikës, e shkruam unë dhe Agim Shehu, pa emra. Shoku Fadil thotë se pse e kishin nënvlerësuar konservatorizmin dhe kishin theksuar më shumë liberalizmin. Të njëjtën gjë e përsëritën Ibrahim Uruçi e Dhimitër Shuteriqi. E quan Fadil Paçrami “Zërin e Popullit” konservatore. E rrëmbeu Ibrahim Uruçi dhe ia përsërit nga vetja shokut Ramiz. Ngul këmbë shoku Fadil që “Dritës” t’i lejohet polemika në “Zërin e Popullit”, hidhet Ibrahim Uruçi në sektorin e shtypit në KQ dhe kërkon polemikë në “Zërin e Popullit”.


Nuhatet se Fadil Paçrami nuk i ka qejf forcat e moshuara letrare dhe artistike. Kjo kërkesë, patjetër gjen zbatim. Vilson Kilica thërret Dalan Shapllon dhe i bën presion që ai të heqë nga referati i tij në shumë “aspekte të letërsisë dhe arteve nëpër dokumentet e partisë dhe veprës së shokut Enver”, emrat e Andrea Varfit dhe Nexhmedin Zajmit, duke e motivuar se nuk shkojnë këta shembuj. Doemos Dalani i heq. I thonë Fadil Paçramit në Durrës të heqë një copëz që nuk shkonte nga drama “Çështja e inxhinier Saimirit”, ai i heq. Pikërisht këtë copë që heq në Durrës, ia boton Ibrahim Uruçi në “Drita”. E di Ibrahim Uruçi se shoku Fadil Paçrami i quan konservatorë ca kritikë të institucionit të Gjuhësisë, si Jorgo Bulo e ndonjë tjetër. Shkruan Jorgo artikull, e merr Ibrahim Uruçi me dorëshkrim dhe ia jep Dalanit: ‘na e bjeri!’ Pa e botuar, Dalani refuzon. Ky refuzim vihet vath në vesh. E boton artikullin Dalani, i ndërsen nja 5-6. I. Uruçi kundër Dalanit.
E shihni pra se si përputhen shumë koncepte të Fadil Paçramit me një pjesë të drejtuesve të Lidhjes. Këto koncepte përputheshin edhe me cenimin e drejtimit unik të Lidhjes nga KQ. Në fakt, drejtimi unik është thyer disa herë. Lidhja ka cenuar herë-herë haptazi, në kundërshtim me orientimet e K.Q. Ajo ka dëgjuar më shumë Fadil Paçramin se K.Q. Këtë e vërtetojnë mjaft qëndrime të Ibrahim Uruçit, e ndonjëherë tjetër edhe të shokut Dhimitër. P.sh., shoku Dhimitër dhe Ibrahim Uruçi e kundërshtuan haptazi komisionin e K.Q. për të parë debatin në shtypin e Lidhjes në qershor e korrik të vitit të kaluar. Kur u tha atje se “Drita” flitet se është bërë organ i Fadil Paçramit, pasi i mbivlerësuan veprat e tij, shoku Dhimitër e hodhi poshtë këtë vërejtje duke thënë se Fadil Paçrami ka merita të mëdha.


Ky ishte edhe mendimi i shokut Fadil. “Rreziku i liberalizmit është vetëm në potencë”, – thoshte shoku Dhimitër. I njëjti mendim në zyrat e “Dritës”; ditën e dytë të Festivalit të 11-të të Radio Televizionit, ra fjala për debatin. “Të mos kemi fyerje. Duhet kujdes me debatin, se e patë se ç’na ndodhi në korrik, se çfarë na punuan”, thotë shoku Dhimitër. “Ata që na e kurdisin atë, po heqin shpirt”, – ia pret shoku Fadil. Pra, unë jam plotësisht i bindur se mjaft gjëra kanë qenë në kundërshtim, të hapët me orientimet e K.Q. dhe është cenuar drejtimi unik i Lidhjes, gjë që ka dëmtuar gjithë mekanizmat e organizatës, duke ngjallur dhe konfuzion në mendime nëpërmjet botimeve në “Drita”, veçanërisht, pastaj edhe në “Nëndori”.
Në “Drita” nuk zbatoheshin fare këshillimet e K.Q. Kryeredaktori i saj nuk i shpinte orientimet te redaktorët; edhe kur i shpinte, i shpinte në formë ankese dhe redaktorët bërtisnin “t’ia përplasje në fytyrë, ne s’kemi fyer njeri”. Kujt t’ia përplasje në fytyrë, K.Q?! Është fjala për artikullin e Pandeli Koçit, lidhur me polemikën e Razi Brahimit. Ky konfuzion prej avangardizmi u nxit edhe prej kuadrit të paformuar të shtypit, kuadër që s’ka mendime të vetat, po bën ç’t’i thotë Ibrahim Uruçi apo ndonjë tjetër. Parimi i zgjedhjes së kuadrit në shtyp, veçanërisht në “Drita”, u bë krejt në parime subjektiviste. Në dy drejtime kishte subjektivizëm; të sjellim njerëz që t’i nënshtrojmë, të jenë të bindur, qoftë dhe në origjinë, të sjellim ata që na kanë lavdëruar Fadil Paçramin dhe veprën e Ismail Kadaresë.
Kështu, Moikom Zeqo u mor se kish botuar një apo dy artikuj të Ismail Kadaresë. Donika Feshti u mor se kishte bërë një diplomë për dramat e Fadil Paçramit, nga “Drita” u hoqën të dy komunistët, Andon Kuqali e Thoma Frashëri. Përbërjes ideopolitike të kuadrit as i vënë rëndësi. Janë marrë disa njerëz që u ka dalë emri në procese gjyqësore, si Roland Gjoza, ose që kanë përbërje të keqe, si Vasil Melo, Gjergj Zheji etj. Gjergj Zheji thotë në plenumin e kritikës se, “duhet të kthejmë kokën nga kritika perëndimore”. Vasil Melo thotë se “fyejmë për KQ”. Kështu, njerëzit që vijnë, as shtrohen në organizatën bazë të partisë, pra është një liberalizëm i theksuar edhe në këto punët e kuadrit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.