Kryesore

Zhdukja e 4 efektivëve të FA, Prokuroria nis urdhër-ndalimet drejt Britanisë. Babai i komandos që dezertoi në Angli: Djali ka probleme ekonomike

09:42 - 18.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

INA ALLKANJARI




 

 

Pas dezertimit të katër komandove shqiptarë, të cilët po kryenin trajnim ushtarak në një bazë në Angli, ka reaguar babai i njërit prej tyre. Lulëzim Shkulaku, i ati i Aleksandrit, të riut nga Pogradeci, i ka bërë thirrje të birit të kthehet në atdhe. Katër ushtarët Reni Ajazi, Ylber Tokrri, Aleksandër Shkulaku dhe Klevis Lamkaj pasi kanë kryer detyrën e tyre jashtë vendit, nuk janë kthyer në Shqipëri duke vendosur të emigrojnë në Britaninë e Madhe. Ata akuzohen për “Mosparaqitje në repart” ose dezertim. Menjëherë Ministria e Mbrojtjes ka bërë denoncim në prokurori për dezertimin e komandove. Mësohet se hetimet kanë nisur nga seksioni ushtarak në prokurorinë e kryeqytetit, e cila u ka dërguar homologëve në Britani urdhërndalimi për komandot. Nga hetimet paraprake mendohet se katër ushtarakët kanë shkuar tek një i afërm që ka biznes në Londër për t’u punësuar aty, i cili dyshohet të jetë edhe personi që i ka shoqëruar për t’u larguar nga baza ku qëndronin. Sipas prokurorisë, nga fillimi i tetorit deri në mesin e nëntorit 2017 janë depozituar nga Policia Ushtarake 16 kallëzime penale për efektivë të ushtrisë që kanë vendosur të thyejnë betimin dhe të mos paraqiten në repart. Në lidhje me këtë ngjarje kanë reaguar edhe mediat e huaja, “Daily Mail” dhe “Associated Pres”, të cilat shkruajnë se Ministria shqiptare e Mbrojtjes ka ngritur akuza për katër oficerët, të cilët nuk janë rikthyer më në Shqipëri pas përfundimit të detyrës së tyre jashtë vendit.

Reagimi i babait

Në lidhje me rastin e katër komandove që dezertuan shërbimin ushtarak në Britaninë e Madhe, ka reaguar edhe babi i njërit prej tyre. I shqetësuar për rastin në fjalë, babi i Aleksandrit, Lulëzim Shkulaku bën me dije se djali ka bërë një veprim të nxituar dhe të palogjikshëm, çka sipas tij lidhet me gjendjen e vështirë ekonomike. Lulëzimi thekson se nuk ka qenë në dijeni të këtij veprimi që do të bënte i biri, madje edhe lajmin e ka mësuar nga të njohurit e tij, që jetojnë në Angli. “Lajmin e morëm vesh nga të njohurit tanë. S’kam komunikuar me të që në momentin që u nis me misionin trajnues. E konsideroj veprimin e djalit si të nxituar. I bëj thirrje të kthehet në Shqipëri. Arsyeja që ai nuk kthehet është gjendja ekonomike. Shteti nuk e ka vlerësuar për kontributin e tij. Djali ka kryer edhe misione të tjera jashtë shtetit, ku është vlerësuar me certifikata. I bëj thirrje djalit të kthehet sa më shpejt dhe të japë kontributin në vendin e tij, për veten e tij dhe familjen e tij”, tha Lulëzim Shkulaku. Këto deklarata Lulëzim Shkulaku, babai i komandos 22-vjeçar i ka bërë nga banesa e tij në të cilën jetonte së bashku me të birin, në një fshat në rrethin e Pogradecit.

Dënimi që rrezikojnë

Katër komandot shqiptarë rrezikojnë deri në 5 vite burg, bazuar në Kodin Penal Ushtarak. Në nenin 33 të Kodit, theksohet se shmangia nga shërbimi ushtarak ose dezertimi dënohet deri 5 vite burg. Kodi Penal Ushtarak, shmangia nga shërbimi ushtarak, neni 33 thotë: “Dezertimi, largimi nga reparti ose vendi i shërbimit i ushtarëve dhe nënoficerëve, me qëllim shmangie përgjithmonë nga shërbimi ushtarak, si dhe mosparaqitja e tyre me të njëjtin qëllim në repartin ose vendin e shërbimit me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni, nga spitali ose nga leja, dënohet me burgim deri në pesë vjet. Po kjo vepër e kryer në kohë lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet”.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.