OPINION

E humbur në Stasiland

07:30 - 19.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Monika Shoshori STAFA

 

Është gati mbrëmje kur mbërrij në Berlin. Pas një tramvaji të shpejtë, i gjithë grupi i shqiptarëve i përzgjedhur nga fondacionet gjermane që merren me të kaluarën në vendet ish-komuniste, si Fondacioni Federal për studimin e regjimit diktatorial në Gjermaninë Lindore dhe Fondacioni Konrad Adenhauer, vendoset sipas programit të parashikuar, i gatshëm fort për të nisur festimin e mirëseardhjes me miqtë gjermanë. Sa herë qëndroj në këtë qytet kam ndjesinë se këtu përkohshmëria është kristalizuar në një përjetësi të kërthët, deri diku në ngërdheshjen e një tiku nervor të vazhdueshëm. Që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore kanë kaluar 72 vjet e që nga rënia e Murit, që ndau jo vetëm një komb e një vend, por dhe një kontinent të tërë, nuk kanë shkuar më shumë se 28 vjet. Këtu ku ne jemi ndalur, pikërisht në rrugën Leipziger Strasse 50 të metropolit gjerman, atëkohë të murit, avionët e shoqërisë ajrore gjermano- perëndimore nuk mund të uleshin assesi; ushtarët amerikanë, anglezë, francezë e rusë, të lindur njëzet vjet më vonë se përfundimi i luftës, bënin roje sikur të kishin ardhur dje mbi rrënojat e Rajhut të Tretë. Kish ndryshuar gjeografia politike e kontinenteve, kishin rënë perëndi shekullore, kishin ndryshuar zakone e vlera, ishin përvijuar ndryshime antropologjike rrënjësore, laboratorë dhe praktikantë shtriganë kishin premtuar me kërcënim të krijonin lloje të reja qeniesh të gjalla. Kultura gjermane u tregua megjithatë e madhe për forcën e kthjellët me të cilën pat denoncuar ndarjen e individit dhe të shoqërisë, atë proces të zvetënuar që e rrafshon njeriun duke i dhënë një rol njëdimensional, duke e detyruar të jetë vetëm një pjesë e makinës sociale, duke e penguar që të zhvillojë plotësisht personalitetin e tij dhe duke e shndërruar kështu shoqërinë, në një bashkësi qeniesh të cunguara.

Këtu në këtë pjesë të Berlinit Lindor përjetoj fundin e hirtë të spektrit: ndërtesa gri, tokë gri, zogj gri po aq dhe pemë gri. Jashtë, qyteti dhe pastaj fshatrat rrotull përgjatë udhëtimeve të ditëve në vazhdim, më shfaqen në një sfond bardhë e zi. Nata që shkoi më la mbresën e një mjegullimi të tymtë. Ndërsa eci drejt muzeut të Stas-it më vjen ndër mend kjo situatë paradoksale e qytetit që pat qenë një dhe disa vite pas luftës më shumë se një. Dikush aty që na shoqëron e përshkruan RDGJ-në, si një romancë tmerri ku shtëpitë prej syve shfaqeshin të rrënuara dhe njerëzit plotësisht të hutuar. Kjo ndjesi ka nevojë për një fjalë të përngjitur…është një ndjesi heshtur e që askush prej të pranishmëve nuk do ta zgjojë. Romanca vjen nga ëndrra për një botë më të mirë, që komunistët gjermanë donin ta ndërtonin nga hiri i së kaluarës së tyre naziste: secili sipas aftësive, secili sipas nevojave. Tmerri vjen nga ajo çka ata bënë në emër të asaj ëndrre. Në institucionin që parlamenti gjerman e ka ngarkuar me detyrën e hapjes së dosjeve të krimeve të komunizmit – dosjeve të përndjekjes politike, që do të thotë të policisë së fshehtë, Stas, “Staatssicherheit”, fjalë për fjalë Sigurimi i Shtetit, njësoj si në Shqipëri, duket qartë se rishikimi i së kaluarës është institucionalizuar. Ky institucion ka ofruar vullnetarisht ndihmën, konsulencën, përvojën e tij për Shqipërinë që prej fillimit të mijëvjeçarit të ri. Vullnetarisht dhe me këmbëngulje. Ndoshta sepse Gjermania dhe Shqipëria kanë pasur një histori paralele: të ndarë në dy shtete, policia politike e tyre i ka përdorur gjermanët kundër gjermanëve dhe shqiptarët kundër shqiptarëve, Lindjen kundër Perëndimit dhe anasjelltas. Prej fotove në muze dallojmë se Gjermania Lindore ngjan si një kopsht i fshehtë i rrethuar me mur, një vend i humbur në kohë. Më kujtohen gjëra që nuk i kam kujtuar më parë, gjëra të cilat nuk kishin dalë kurrë nga rezerva e sistemuar e kujtesës. Janë ato që më sjellin në mendje të kaluarën. Sinapset e shkatërruara rindërtohen vetë nganjëherë duke humbur udhët e tyre të vjetra dhe duke bërë lidhje të reja të çuditshme. Kujtoj sytë e butë jeshil të nënës sime në rrezen e diellit, kujtoj ndjesinë e ngutshme të atit tim për të më rritur shpejt, kujtoj erën e disa rrobave të harruara të tij diku në një paradhomë të shtëpisë. Dhe sakaq ti mendon se të kaluarën tënde e ke arkivuar me nëntituj të subjektit por jo, e vërteta është krejt ndryshe. Ajo gjithmonë pret diku për t’u rishfaqur. Isha rritur me ‘kutizën e njëmijë pyetjeve’ në kokë, siç do ta cilësonte im atë kërshërinë time jo vetëm subjektive para botës. Në librin e saj mbi Stasin dhe jetët njerëzore të përshkruara aty, Ana Funder shkruante se dikur asokohe, njerëzit që e njihnin qytetin mund të merrnin shtigje të fshehta që prisnin shkurt midis ndërtesave ose të ecnin përgjatë rrugicave të pashënuara ndërmjet secilit bllok, duke lëvizur mbi tokë dhe nëntokë për t’u arratisur. E ja që liria fitohej, por në shumtën ë rasteve jo gjithmonë. Sakaq veten e gjeta të humbur. E shkëputur nga grupi mes përplasjes së ngjarjeve, unë kisha humbur krejt. Po kërkoja muzeun e Stas-it, ose ndërtesën me bojën e përhimët ku më parë kishin qenë zyrat qendrore të tij. Doja të shihja me sytë e mi një pjesë të aparatit të stërmadh që kishte qenë Ministria gjermano-lindore e Sigurimit të Shtetit. Po çfarë kisha lexuar për Stas-in sigurisht nuk qe një kërkim i plotë. Si vizitore e hershme e tij, kisha mësuar se Stasi ishte ushtria e fshehtë me të cilën qeveria ushtronte kontrollin. Puna e tij ishte të dinte çdo gjë për çdo njërin, duke përdorur çdo mjet që e zgjidhte vetë. Ai e dinte se kush të kishte ardhur për vizitë, dinte kujt i kishe telefonuar, madje dinte edhe nëse gruaja jote të tradhtonte. Ishte një aparat burokratik që i kishte shtrirë metastazat në të gjithë shoqërinë gjermano-lindore, i dukshëm ose i maskuar. Gjendej gjithmonë dikush që i raportonte Stas-it për miqtë dhe shokët e tu në çdo shkollë, në çdo fabrikë, në çdo bllok apartamentesh, në çdo pijetore. Megjithatë, maniak pas hollësive, Stasi dështoi tërësisht për të parashikuar fundin e komunizmit dhe bashkë me të, edhe fundin e një Gjermanie të ndarë. Ndërmjet viteve 1989 dhe 1990 gjithçka u përmbys; nga njësi e spiunëve stalinistë një ditë, në një muze madhështor në ditën tjetër. Në dyzet vitet e saj, Stasi prodhoi ekuivalentin e të gjitha dokumenteve në historinë gjermane që nga kohët e Mesjetës. Të vendosura vertikalisht dhe puqur me njëra -tjetrën, dosjet e Stas-it, të ruajtura të kriptuara për bashkëvendësit e vet, do të formonin një varg të gjatë kilometrash që do t’i kalonin të dyqindat, të paktën vetëm për një qytet, më pat thënë atëherë një ekspert i dosjeve. I bluaja këto informacione në kokë ndërsa pyesja me padurim çdo kënd që takoja se ku gjendej rruga që çonte drejt godinës së spiunëve, Ruschestraße 103, Haus 1. Bënte ftohtë, por padurimi për të vrapuar rrugëve berlineze, nuk e fsheh, se më gëzonte pamasë. Ah, ja tek është! Më në fund, sa e madhe duket! Një palë shkallë të çonin drejt dyerve të mëdha dykanatëshe të blinduara me sumbulla metalike mbi to. Vendasit kujtojnë se më parë, në hyrje të saj, varej një pllakë ku shkruhej “Ministria e Sigurimit të Shtetit” ose diçka e tillë. Ishte hequr me një lloj gazmimi të frikshëm gjatë revolucionit dhe nuk ishte parë më, që atëherë. U enda pak nëpër ndërtesë. Të gjitha tryezat në pavionët e saj, ishin po ashtu siç ishin lënë natën kur demonstruesit e pushtuan godinën – krejt të zhveshura. Mbi secilën prej tyre kishte çifte telefonash me disqe. Aparatura copë –copë qenë hedhur përmbys në disa dhoma pas shembjes, në përpjekjen e fundit të dëshpëruar të Stasit për të shkatërruar dosjet më të mallkuara. Dikush, më tha se mbi njërën nga tryezat ato ditë të fundit të ikjes së tyre, gjendej dhe një kalendar i vitit 1989 me fotografinë e një gruaje të zhveshur nga mesi e lart, por në mure kishte kryesisht simbole komuniste. Ah, mendova, në nënvetëdije të shkretët spiunë me sa duket i besonin Niçes dhe Vagnerit, pa çka se në jetën reale ruanin jetët e të tjerëve. Me gjithë orvatjet më të mira për ta mirëmbajtur, godina dukej e lagësht dhe burokratike. Në anën e majtë të pavijonit të ekspozesë së fotove të saj, nuk më shqitej nga sytë një fotografi e stërmadhe. Ajo tregonte një det me njerëz që mbanin qirinj në duar, me qafat e zgjatura drejt ndërtesës së Stas-it duke vështruar kontrollorët e tyre në fytyrë. Ata e dinin se pikërisht këtu jetët e tyre vëzhgoheshin, manipuloheshin dhe nganjëherë rrënoheshin. Përbri ishin ekspozuar edhe kopje të telefakseve që dërgoheshin me një tërbim të shtuar nga këtu, zyrat qendrore të Stas-it, zyrave të tjera në qytetet e Gjermanisë Lindore.

Mistere të mëdha të vogla u raportuan pasi u hapën dosjet. Jo më pak të mistershme ishin, ndoshta, gjestet e njeriut të zakonshëm në rrugë. Ndërsa shihja me vëmendje gjithë hullinë e dokumenteve të ekspozuara apo jo në muzeun e ish-Ministrisë së Sigurimit të Shtetit përfytyroja baletin e shurdhmemecëve në rrugë: agjentë që i dërgojnë sinjale njëri –tjetrit nga qoshja në qoshe që prekin hundët, barqet, shpinat dhe flokët, që lidhin dhe zgjidhin lidhëset e këpucëve, që ua ngrenë kapelën të huajve dhe që shfletojnë letrat në çanta, një koreografi për informatorë tejet të ligj, malinj e po aq të pushtetshëm, edhe përtej Zotit vetë. Në njërin prej ekspozeve, syri më zuri një letër të shkruar me dorë. Po e këqyrja atë kaq e përqendruar teksa një grua sakaq më qe afruar. Ngjante si një variant femëror i Luterit. Përveç që ishte e bukur, me mollëza të dala dhe një vështrim të drejtpërdrejtë ajo dukej se nuk i kishte kaluar të pesëdhjetat. Dukej miqësore, e gjithashtu, me sa duket e kishte kuptuar që unë po tallesha në mendjen time me një regjim që u kërkonte shtetasve të vet të nënshkruanin garanci besnikërie që ngjanin si certifikata martesore; që konfiskonte kartolinat e ditëlindjeve që fëmijët ua dërgonin gjyshërve; dhe që shkruanin protokolle të pakuptimta në tryeza poshtë kalendarëve me gra gjoksmëdha. Kjo ishte frau Troster, që kujdesej për muzeun. Frau Troster më shpjegoi se ajo letër ku isha përqendruar ta deshifroja ishte pikërisht një letër garancie për besnikërinë që qytetari X i nënshkruante Stas-it. Pak më vonë ajo më tregoi dhe një histori gruaje, bashkëshorti i së cilës kishte vdekur teksa mbahej i arrestuar në një qeli të Stas-it, aty pranë. Atëherë rrëfente ajo, u hap fjalë se Stasi e kishte orkestruar vetë funeralin deri në atë pikë sa e zëvendësoi arkivolin e zbrazët me një të plotë dhe e dogji kufomën për të shkatërruar çdo dëshmi të shkakut të vdekjes. Pas kësaj përpiqesha ta merrja me mend se çfarë do të thotë të mos dish nëse bashkëshorti yt vari veten apo nëse dikush me të cilin, ti shkëmbehesh në rrugë e vrau atë.

Epilogu

Mitin e kujtesës në Gjermani nuk e sheh vetëm në zyra të ndorimit të burimeve të shkruara, në institucione, por edhe në trotuare. Kudo ka shenja për njerëz e ngjarje të kohës së luftës e të pasluftës, të periudhës së ndryshimeve politike. Vetë muri i Berlinit është kthyer në kujtesë materiale, gati-gati në bizhuteri. Vendësit na thonë se gjithë muri i Berlinit tanimë është shitur, ndoshta është shitur dhe për herë të dytë a të tretë. Megjithatë, te portat e Brandenburgut vazhdimisht ka turistë që blejnë gurin historik, megjithëse e dinë se ai i Berlinit ka mbaruar. Në Berlin nuk mund të thuash se e ke parë sadopak të shkuarën pa vizituar murin, ku mund të njihesh me tmerre të përbindshme: gra shtatzëna që janë hedhur nga kati i tretë për të kaluar në “Gjermaninë tjetër”; të rinj e pleq që kanë humbur gjysmën e familjes për të kapërcyer kufirin, dënime makabre për tentuesit e arratisjes. “Lufta e ftohtë” me sa duket këtu ia ka kaluar kloneve shqiptare. Por, ndryshe prej Shqipërisë, ku sot është vështirë të gjesh jo një copë nga telat e elektrizuar të klonit, por dhe shenjat e piramidave vetë, në Gjermani tmerret e murit që ndau një popull në dy shtete e dy kampe njëherësh, mund t’i shohësh të certifikuara në foto, shkresa të panumërta, gazeta, deri dhe në imazhe të filmuara që ndoshta janë produkt i kamerave të sigurisë, që shteti i blinte për të mbikëqyrur murin.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.