KULTURË

LAMTUMIRË ALEKSANDËR LALO! Rrëfimi i një mbrëmjeje vallëzimi në Tamarë

09:49 - 21.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

 

E mbaj mend Aleksandrin kur ishim maturantë e kishim shkuar në Tamarë të hapnim rrugën e Malësisë së Madhe, në vitin 1967″. Eleni Laperi, studiuese e artit pamor, e kujton Aleksandër Lalon adoleshent e me fizarmonikë, tani, kur në moshën 68-vjeçare, na ka lënë krejt papritur. Si Laperi, si Lalo, atëkohë, qenë maturantë. Një grup prej tri gjimnazeve të Tiranës qenë bashkuar në Tamarë. “Flinim në vathët e ndërtuar buzë lumit Cem”, – kujton Eleni. “Ne ishim 14 vajza maturante të gjimnazit ‘Qemal Stafa’, që flinim në një çadër të vogël ushtrie, të montuar anës një sheshi të vogël”.
Kujton se në mbrëmje Aleksandri ulej në një karrige buzë atij sheshi, me fizarmonikën mbi gjunjë dhe niste të luante melodi të ndryshme. Vajza e djem mblidheshin përreth e niste mbrëmja e vallëzimit. “Ashtu e mbaj mend unë Aleksandër Lalon, që na zbukuronte mbrëmjet mes maleve, buzë lumit Cem”, – thotë Eleni Laperi.


Ndarja nga jeta në mënyrë të parakohshme e kompozitorit të shquar Aleksandër Lalo, ka tronditur mbarë opinion publik. Personalitete të shumta të botës së artit e politikës kanë shprehur hidhërim për shuarjen e Maestro Lalos, i cili ndërroi jetë të dielën në moshën 68 – vjeçare nga një atak në zemër. Në homazhet e mbajtura të hënën në RTSH, të shumtë qenë ata që ngushëlluan familjen.
Miku i tij më i mirë, Petrit Ruka, që ishte me të në spital deri në çastin e fundit, ndihej ende shumë i dobët. “LALO I SHTRENJTË, nuk fle dot, sepse: ‘Kam një lëmsh në zemër’ dhe nuk e them dot kurrë më mirë se ç’e ke thënë ti me tinguj te ky krijim i mrekullueshëm, që vetë ta pata sugjeruar, kur të solla këtë tekst të përpunuar popullor dhe ti krijove këtë kryevepër që nuk do të vdesë kurrë… Krijim i pavdekshëm si një homazh nderimi për një nga shpirtrat më të bukur që kam njohur në këtë botë dhe për të cilin do të jem krenar e do të më marrë malli deri në frymën e fundit të jetës sime….”
RRËFIMI PËR NJË
NATË PARA NJË GOTE
Elton Deda kujton se zakonisht e takonte me humor të mirë. “Shpesh më merrte në telefon dhe më thoshte: ‘Mos e lër krijimtarinë pas dore’. Një natë u ulem dhe morëm nga një fërnet. Folëm gjatë me miq për hallet e panumërta që kanë artistët këtu”,-thotë ai. Shënon se sot, kur ai nuk është më ka ndërmend t’i buzëqeshë jetës dhe jo t’i mbajë mëri se u dorëhoq prej tij. “Ashtu është ajo, ka qejf të bëjë kapriço ndonjëherë e kur i do qejfi, si ato femrat xanxare. Ti ishe miku i babait tim, ishe miku im, ishe miku i gjithë muzikantëve të ndershëm. Ti ishe miku i muzikës, ti ishe unikali me shpirt të brishtë dhe i përkëdheluri i Perëndisë”,-thotë Deda dhe mandej, i jep disa porosi të fundit: “Mos harro të punosh me korin e engjëjve atje ku u nise mbrëmë. Dhe je i lutur që mos t’i marrësh as Zotit leje nëse do të shkosh të bësh drekën. Lamtumirë, o i madhi Sandër Lalo!”.
Dje, Robert Radoja e cilësoi si kompozitorin e tingujve të gëzueshëm, ndërsa Ardit Gjebrea, në një reagim në rrjetet sociale shkroi: “Eh çfarë kompozitori humbëm sot… dhe sa shpejt… Paqe për ty i dashur Aleksandër Lalo dhe mirënjohje për muzikën që na dhurove!”.
I shokuar nga ky lajm u shpreh edhe Shpëtim Saraçi, i cili po në rrjetet sociale shkroi: “Sandër të njohën pak. Të faleminderit për gjithçka na trashëgove. Do kemi mall për gjithçka tënden. E kishim lënë që do bënim 1 koncert të madh LIVE së bashku… Na e bëre me hile… Jeta kjo qenka i dashur Sandër. Pushofsh në paqe mik i dashur!”.
POLITIKA
“Ndarja nga jeta e kompozitorit tonë të shquar Aleksandër Lalo përbën një humbje për botën e muzikës dhe kulturës. Por veprat e tij frymëzuese do mbeten përgjithmonë”, – ishte mesazhi që Presidenti i Republikës, Ilir Meta përcolli për ndarjen nga jeta të Lalos.
“Aleksandër Lalo, poeti i tastierës u nda nga jeta duke lënë pas një pemë të bukur mbushur plot me cicërima. U prehtë në paqe!”, shkroi Kryeministri Edi Rama, në mesazhin e tij të ngushëllimit.
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Lalos.
“Një lamtumirë e parakohshme për Mjeshtrin e tingujve, Aleksandër Lalo. Arti humbi kompozitorin që krijoi çdo tingull me dëshirë dhe pasion. Artistët humbën avokatin kurajoz të të drejtave të tyre. Ne humbëm mjeshtrin virtuoz me muzikën e të cilit u rritën dhe u dashuruan brezat për disa dekada. Lamtumirë Maestro! “Tingujt e harresës” nuk do të luhen kurrë për ty!”, shkroi Basha.
Artisti i pa kompromis qe ndër të paktët që qe përplasur edhe me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro. Megjithatë, Kumbaro dje shkroi se “Muzika shqiptare hedh vellon e zisë në prag të dimrit të fundit të kompozitorit më energjik. Lamtumirë Aleksandër Lalo!”
ÇFARË LA PAS
Aleksandër Lalo është një ndër emrat më të shquar të muzikës shqiptare që ka lënë pas një fond të artë muzike si në muzikën e filmave edhe në atë të këngëve në festivale.
“Pas ’90 kam bërë muzikën vetëm të një filmi ‘Tingujt e harresës’ dhe muzikën e një dokumentari për Ismail Kadare. Bëhen pak filma, sigurisht që dhe nuk na kanë afruar. Vërej një gjë, që faktorit muzikë nuk i është kushtuar rëndësi në filma”- shprehej Lalo, pak kohë më parë. Ai thoshte se, për shkak të anës financiare, muzika është lënë pas dore, kur dihet që muzika ka funksion të rëndësishëm në film. “Shqipëria në muzikën e filmit ka marrë shumë vlerësime dhe nga të huajt. Ka autorë akoma gjallë që kanë shkruar muzikë filmash si Limoz Dizdari, Haig Zacharian, Aleksandër Peçi, etj., që nuk i shoh të afruar në filma. Regjisorët duhet të jenë pak më të vëmendshëm ndaj profesionistëve”, – vërente ai. Shtonte se “Bie në sy se në të gjitha aktivitetet ka vulgaritet në tekstet e këngëve”.
Projekti i tij i fundit, ishte pjesëmarrja në panelin e jurisë së spektaklit “C’est la vie” në Tv Klan, ku krahas kritikave profesionale, shquhej për batutat dhe humorin që e karakterizonte Aleksandër Lalo.
Si autor i muzikës së shumë filmave të kinematografisë shqiptare, që kanë mbetur ndër vite në memorien e publikut, kujtojmë muzikën për filmat: “Dimri i fundit”, “Dy herë mat”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Shi në plazh”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Tingujt e harresës”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Emblema e dikurshme”, “Një gjeneral kapet rob” etj. Gjithashtu, ai ka qenë kompozitor i disa këngëve që kanë marrë çmime në festivalet e RTSH. Ai lindi më 27 prill të vitit 1949, në Tiranë, por vinte nga një familje me origjinë nga Leskoviku. Gjatë konkurrimit me kompozimet e tij në festivale kryesisht arriti vende të dyta megjithëse meloditë e tij janë konsideruar të mrekullueshme.

Disa nga kompozimet e Aleksandër Lalos:
“Tingujt e harresës” (1996) (TV)
“Historiani dhe kameleoni” (1989)
“Treni niset më shtatë pa pesë” (1988)
“Dy herë mat” (1986)
“Fjalë pa fund” (1986)
“Asgjë nuk harrohet” (1985)
“Fushë e blertë fushë e kuqe” (1984)
“Era e ngrohtë e thellësive” (1982) (TV)
“Një vonesë e vogël” (1982)
“Shi në plazh” (1982)
“Shtëpia jonë e përbashkët” (1981)
“Thesari” (1981)
“Gëzhoja e vjetër” (1980)
“Nusja” (1980)
“Vajzat me kordele të kuqe” (1978)
“Tomka dhe shokët e tij” (1977)
“Dimri i fundit” (1976)
“Emblema e dikurshme” (1976) (TV)
“Duke kërkuar 5-orëshin” (1974)
“Odiseja e tifozëve” (1972)
“Të shoh në sy”(1986)
“Një gjeneral kapet rob” (1980)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.