POLITIKË

Meta pritet nga shqiptarët në Manastir, vizitë në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

15:27 - 21.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoni, Presidenti i Republikës, ishte në Manastir me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe. I mikpritur nga Kryetarja e Komunës Natasha Petrovska, me të cilën zhvilloi fillimisht edhe një takim si dhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, Hazbi Lika, Presidenti Meta vizitoi Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, pastaj mori pjesë në simpoziumin e zhvilluar me rastin e 109-vjetorit të kësaj ngjarje të shënuar historike për kombin shqiptar.




“Njëqind e nëntë vjet më parë, në qytetin e vjetër të Manastirit, përfaqësuesit më të spikatur e të mencur të Rilindjes sonë Kombëtare dhe veprimtarë të shquar, të deleguar nga shoqata të ndryshme kulturore dhe atdhetare, të mbledhur në Kongresin e Manastirit, i dhanë zgjidhje një problemi madhor të kulturës kombëtare, alfabetit të gjuhës shqipe. 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është padyshim një nga datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare, momenti kyç e përbashkues që e orientoi kombin tonë drejt kombeve të përparuara të botës perëndimore.Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që shënoi pikën më kulmore të organizimit politik dhe ushtarak për mbrojtjen e interesave kombëtare, Kongresi i Manastirit shënohet si  ngjarja më e madhe historike e kombit tonë që do t’i paraprinte shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912. Kongresi i Manastirit, vlerësohet me të drejtë për rëndësinë e tij politike e kulturore, por dy janë arritjet më kryesore të tij, akti historik i institucionalizimit të alfabetit të gjuhës shqipe dhe përqafimi i modelit të alfabetit perëndimor, alfabetit latin.

Ndaj edhe sot, pas njëqind e nëntë vjetësh, ne shqiptarët duhet të jemi krenarë për vendimet e Kongresit të Manastirit, kryeqytetit të alfabetit shqip, i cili e renditi gjuhën e lashtë shqipe në radhët e gjuhëve moderne. Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. 36 shkronjat e alfabetit tonë përjetësuan shkrimin shqip dhe historinë e shqiptarëve në trojet ku ata historikisht kanë jetuar dhe do të jetojnë. Me alfabetin e Kongresit të Manastirit u shkrua dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912. Me këtë alfabet u nënshkrua edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Me këtë alfabet u shkrua në shqip edhe Marrëveshja e Ohrit e 13 gushtit 2001. Me këtë alfabet shkruhet edhe liria dhe mbrojtja e respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Me këtë alfabet u hartua edhe Kushtetuta e Shqipërisë dhe neni për mbrojtjen e shqiptarëve kudo ata ndodhen, por edhe traktatet e miqësisë mes vendet fqinje”, u shpreh Meta në fjalën e tij.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.