POLITIKË

Biseda me Finon për Tahirin, Rama: Gjetja e patentës diku nuk implikon njeri  

11:47 - 22.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri  i Shqipërisë, Edi Rama thirri dje në një takim të posaçëm në Kryeministri deputetët socialistë të Komisionit parlamentar të Ligjeve. Pjesë e këtij komisioni në fakt është edhe Saimir Tahiri, por ai nuk ka qenë i pranishëm, për faktin se tashmë është i pezulluar nga të gjitha funksionet në PS dhe në grupin parlamentar deri në përfundim të hetimeve. Burimet nga takimi bënë me dije se në një bisedë të lirë ka qenë deputeti Bashkim Fino, ai që i ka shprehur kryeministrit Rama shqetësimin për situatën në të cilën ndodhet ish-ministri Saimir Tahiri. Madje, Fino mësohet se i ka thënë kryeministrit se Tahiri ishte mjaft i shqetësuar, veçanërisht pas gjetjes së patentave në makinën e biznesmenit O.S. Kryeministri Edi Rama i ka pohuar Finos se Tahiri nuk ka pse shqetësohet, sa i përket çështjes se patentave që u gjetën në makinë e Orest Sotës.




Rama mësohet se i është përgjigjur se çdokush mund t’i harrojë patentat në makinën e një tjetër personi. Dy patentat të ish-ministrit Saimir Tahiri u gjetën në makinën e biznesmenit Orest Sota, ku u sekuestruan edhe 863 mijë euro. Ndërkohë, ky hetim është duke vijuar dhe po pyetet edhe shoferi i ish-ministrit, për të cilin është thënë se ka qenë ai, personi që i ka harruar patentat në makinë. Gjithsesi, takimi mes Ramës e deputetëve ka vijuar me çështjet e tjera, për të cilat deputetët janë thirrur dje zyrtarisht. Kështu, temë e bisedës mësohet se ka qenë çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri të republikës. Më 4 dhjetor përfundon edhe mandati i kryeprokurorit Llalla dhe sipas Kushtetutës dhe interpretimit të bërë, ai do të largohet. Sipas reformës në drejtësi, të drejtën për hapjen e procedurës dhe dërgimit në Kuvend të një liste me kandidatët për prokurorë të përgjithshëm e ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili ende nuk është the-meluar. Mësohet se mazho-ranca është në kërkim të emrave për të zëvendësuar Llallën deri në zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndërkohë, një çështje tjetër, të cilën PS do ta “zgjidhë” javën që vjen është edhe shkarkimi i kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri, të cilit veç mandatit të kryetarit, do t’i heqin edhe atë të anëtarit të KQZ-së.

Kërkesa për shkarkimin e Zgurit u firmos nga deputetët socialistë javën që shkoi dhe u depozitua në Kuvend. Tashmë pritet që në seancën e datës 30 nëntor, ajo të diskutohet fillimisht në Konferencën e Kryetarëve dhe më pas në fillim të seancës, ku në fakt do të duhet të kalojë nen për nen buxheti i shtetit për vitin 2018. Më pas, Kuvendi do të hapë procedurat për vendin vakant. Nuk dihet ende se cili do të jetë emri i ri që do të mbështetet nga Partia Socialiste për të zëvendësuar Zgurin. Me këtë lëvizje, PS siguron shumicën në Komisionin Zgjedhor të Zgjedhjeve, duke i dhënë fund marrëveshjes së nënshkruar me PD-në më 18 maj.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.