MILOSAO

Mallkimi i librit

11:22 - 22.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni




Çdo panair i përvitshëm përballet me sfida, veçse fatkeqësisht në atë shqiptar, fjala është me sa duket për mbijetesën e librit. Me atë çfarë shikohet, në të ardhmen, problemi nuk do të jenë më masat sesi duhet ta ndihmojmë librin, por sjelljen e lexuesit tek libri. Shifra e tirazhit, që ka thënë në një prononcim për median, z. Ymeri, kryetari i shoqatës së botuesve ishte e frikshme. Sipas tij kjo shifër ka shkuar në 200 kopje, çka do të thotë që njerëzit janë fare ose aspak të interesuar për librin. Në fakt ky trend që është pothuaj ndërkombëtar nuk mund ta lerë pa prekur vendin tonë, porse në botë ka gjithnjë e më shumë zëra që mëtojnë se Lexuesi do t’i kthehet librit.
“Nëse ka një rënie të lexueshmërisë, unë do t’ia vishja këtë një trendi më të përgjithshëm, pothuajse global. E megjithatë, siç e kam thënë shpesh, në të ardhmen, jam e bindur që njerëzimi (e kështu edhe shqiptarët) do t’i kthehen kënaqësisë së leximit dhe do të rizbulojnë një nga ato veset e magjishme që nuk të bën dëm. A do të jemi ne gjallë për ta parë këtë? Kjo është tjetër çështje”, shprehej për “Milosao”, botuesja e “PEGI”-t, Loreta Berhami.
Se nga vjen kjo krizë, këtë askush nuk mund ta thotë, porse një gjë është e qartë: të gjithë janë fajtorë, kurse hierarkia e fajit nuk ka më asnjë rëndësi. Më e dhimbshme është edhe partneriteti për organizimin e këtij panairi, ku veç Ministrisë së Kulturës që ka ndihur me 1 milion lekë, askush tjetër nuk ka marrë pjesë.
Për fat të keq, ky është edicionin i njëzetë i këtij panairi, që në të gjithë pritshmëritë e tij u besua se këtë vit duhet të kishte një kulmim cilësor. Veçse krejt ndryshe, ai jo vetëm nuk kulmoi por është në nivele kritike.
Në kërkesën e vazhdueshme që është bërë nga kryetari i Shtëpisë Botuese është përsëritur se Tatimi mbi vlerën e shtuar për një libër në Shqipëri është më e larti se gati në shumë nga vendet e Evropës. “Ne kemi bërë letra, kemi bërë kërkesa, por nuk mundet të bëjmë më shumë se kaq. TVSH-ja e librit është 20 % në Shqipëri, por kjo TVSH, të cilën Evropa e ka 6 % më të lartën; Italia 4 %, Greqia dhe Franca 6 % është një TVSH absurde, se ne e kemi 20 % në blerje dhe zero në shitje. Nuk është një taksë e rimbursueshme, pavarësisht se duhet të na kthehet”.
Në të gjithë këtë hulli, gjëja më e qartë që mund të kuptosh është se të gjithë kanë fajin e tyre, por është e lodhshme sepse nuk po gjendet një mundësi për ta lehtësuar barrën e librit. Shoqatat e Librit me sa duket nuk do ta zgjidhin dot, ashtu si edhe shteti duket se edhe në të ardhmen nuk do jetë kaq miqësor me librin. Atëherë, a ka rrugë të tjera? Përvojat e Lindjes, Perëndimin e përjashtojmë sepse mbetemi shumë larg, kanë afruar alternativa, por edhe kanë ofruar njerëz vizionar. A ka ardhur koha që mallkimin e librit në Shqipëri ta heqë një i tillë? Struktura e tanishme, që merret me librin, duket se nuk e përballon këtë sfidë, për shkak se vetë ajo përballet me sfidën e ekzistencës. Nëse edhe në të ardhmen do të vazhdojë kjo gjendje, atëherë mallkimin e librit nuk do mund ta kalojë dot askush.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.