KULTURË

Kryeministri Edi Rama kërkon rithemelim: Akademia e Shkencave, si shtëpi varrimi

10:26 - 23.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI




 

Kryeministri Edi Rama ka pritur dje në Kryeministri një përfaqësi të Akademisë së Shkencave pas kërkesës së kësaj të fundit për një bisedë me shefin e qeverisë. Marrëdhëniet Akademi-qeveri prej muajit shtator janë të ngrira, çka ka çuar në dorëheqje të kryetarit dhe nënkryetarit të zgjedhur në 4 shtator, Gudar Beqiraj dhe Muzafer Korkuti. Ndërsa kryeministri pat kërcënuar me prerje të buxhetit vjetor të Akademisë, para se Parlamenti të miratojë buxhetin për vitin 2018, Rama para akademikëve doli sërish me ultimatum.
Duke e quajtur Akademinë një kufomë, që hap dyert për të përcjellë arkivole, ai tha se përkrah profesorëve si Luan Omari, në Akademi ka edhe “mashtrues, marifteçi e zullumqarë”. Në vazhdë të kësaj ideje, ai kërkoi rithemelim të Akademisë, duke lënë afat për kryerjen e reformës deri në mars. Bëri me dije se do të ketë një shkurtim drastik të fondeve. Rama tha se qeveria do ndihmojë kërkimin shkencor dhe për këtë qëllim do të investohet në krijimin e bibliotekës dixhitale pranë Universitetit të Tiranës.
AKADEMIA SIPAS RAMËS
Kryeministri Rama tha dje se e vërteta është “që pavarësisht ftesës dhe përpjekjes sonë, nuk patëm asnjë reagim që të na nxiste në këtë proces e të na përfshinte ku humbëm, humbët më shumë se një vit në një inerci, që është inercia e kalbëzimit të vazhdueshëm të një institucioni, që u krijua si xhevahiri më rrezatues së kurorës së dijes shqiptare dhe sot është butim pezmatimi permanent, për të mos thënë brengë, për të gjithë ata që e zhvilluan Akademinë e Shkencave dhe i dhanë asaj shkëlqimin e autoritetit të tyre”. Sipas tij, kjo situatë i ka shtyrë që të shkojnë deri tek ideja refuzimit për ta financuar më tutje këtë institucion me paratë e taksapaguesve shqiptarë.


“E vërteta është se sot Akademia e Shkencave është kufoma e vetvetes dhe nuk reflekton as vizionin e etërve themelues. Më vjen mirë që kam përballë një nga ata zanafillorët e Akademisë, Luan Omarit, që është edhe një nga dëshmitarët e rrugëtimit të Akademisë, ndërtimit dhe rrënimit të tij. Akademia nuk ka arritur që të reflektojë në asgjë, as në ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur, as në transformimin epokal të gjithë botës së dijes shqiptare në një botë të mbyllur e të centralizuar në një botë, që është shumë më e madhe se sa kufijtë e Shqipërisë sot”. Rama shtoi se është e vërtetë se ligji i njeh Akademisë pavarësinë, por i ka garantuar në të njëjtën kohë edhe vegjetimin. Sipas tij, falë mjeteve të reja të komunikimit mund të përfshijë të gjithë trurin shqiptar në një rrjet kontributorësh, që pa asnjë diskutim do kishin gatishmërinë që të ndihmonin.
“Të jemi realistë, kjo Akademi kështu siç është, nuk motivon as ata që janë brenda saj, jo më të motivojë të tjerët që e shohin atë në distancë. Sfida nuk është një reformim i brendshëm strukturor, por është një rithemelim i këtij institucioni nga e para, duke marrë në konsideratë terrenin në të cilin do veprojë, burimet që do shfrytëzojë dhe impaktin që do ketë”, tha Rama. Ai shtoi se po të kthehemi në vitin e themelimit të Akademisë, ishte një kohë tjetër me qëllime të tjera, me burime të tjera dhe me një impakt të shkencës në jetën e institucioneve krejt tjetër. Ai tha se na duhet një Akademi e Shkencave e riparë, na duhet një Akademi shqiptare që të ketë synimin e ambicien që të mund të përmbajë brenda vetes së vet të gjithë trurin e shkencës dhe të dijes së kombit dhe jo thjesht të shtetit. “Besoj se që këtu duhet të nisë rrugëtimi për ta rithemeluar këtë institucion. Flasim për shkencë, por nëse ne sot kemi një sistem akademik të botës ku s’ka një bibliotekë shkencore që të mund ta mbajë këtë emër, për çfarë diskutojmë”?
AKADEMIA QË DUAM
Pyetja sipas Ramës, është shumë e thjeshtë çfarë duam ne nga kjo Akademi? Dhe çfarë i shërben sot vendit, të ketë si rezultat i rithemelimit të këtij institucioni? “Akademia vetë nuk e bën shkencën, por është kuvendi i atyre që e bëjnë shkencën në sektorët përkatës dhe që garantojnë një lloj llogarie të gjithë jetës akademike dhe shkencore të vendit ku ndikimi mbi autoritetet dhe mbi opinionin, vjen si rezultat i cilësisë së përfaqësimit në këtë kuvend të shkencës”. Sipas tij, sot, nëse shohim, kemi një shërbim social për njerëzit e shkencës, me pensione e honorare për një grup njerëzish që kanë meritat e tyre në fushat përkatëse, ku është përzier i njomi me të thatin dhe në krahun e një profesori të nderuar është një pothuaj analfabet dhe ka të njëjtën peshë me titullin doktor, që nuk dihet si e ka marrë. “Ky është një shërbim social dhe nuk mund të vazhdojmë ta mbajmë në këmbë këtë shërbim social. Duke respektuar gjithsecilin dhe pikërisht për të mos djegur të njomin me të thatin mendojmë që nga një anë, pjesën e fondeve që shkon dëm do ta spostojmë për të krijuar Bibliotekën Shkencore të Universitetit. Është një shumë e konsiderueshme, të cilën mund të marrim menjëherë ta vëmë në dispozicion të universiteteve. Një bibliotekë digjitale të vitit 2017 në të gjitha fushat e në të gjitha materialet e orës së fundit”.
FINANCIMI
Rama tha se do të bëjmë një shkurtim drastik të fondeve, por do të ruajmë pjesën e financimit që ka të bëjë me ata që sipas statusit marrin një honorar apo një shpërblim, me një kusht që kjo të përkthehet brenda marsit me një platformë rithemelimi të Akademisë.
Sa i takon financimit, Rama tha se, “sa i përket pjesës së pagave dhe shpërblimeve që janë në fuqi për një grup njerëzish të nderuar, qoftë për pjesën tjetër, do të vëmë një afat. Ky afat do të jetë muaji mars, do të jetë afati i materializimit të këtyre që po diskutojmë. Diçka që mban të rrjetëzuar njerëzit që duan ta ndryshojnë këtë situatë. Por, që ne të vazhdojmë dialogun me një institucion që i ka forumet një pikëpyetje më vete, çdo me thënë kjo? Ne të vazhdojmë dialogun me një institucion, ku krahas Luan Omarit gjen personazhe që nuk dihet si kanë hyrë dhe pse janë aty dhe të gjithë flasin sikur përfaqësojnë një Akademi të lartë të Shkencave. Kjo është një tallje e madhe me themeluesit”. Sipas ti, nuk ka nevojë të bëjmë asnjë debat, mjaft të përfytyrojmë vetëm një gjë: sikur të ngjallej sot Eqrem Çabej dhe të hynte në derën e asaj godine, si do të ndjehej? “Do të ndjehej krenar për atë që themeloi dhe për mënyrën si u zhvillua? Apo do thoshte po iki më mirë në botën tjetër, se sa të rri mes jush. Shyqyr që Eqrem Çabej e ca të tjerë janë në botën tjetër, përballë kësaj marrëzie që kemi para nesh, me emrin Akademia e Shkencave. Nëse do të shohim përgjegjësitë, sigurisht janë të gjithanshme, secili ka të vetat”. Ai kujtoi se herën e parë kur u takuan ishte gjallë akoma Alfred Uçi. Sot nuk është më. “Unë uroj që të gjithë të jemi gjallë kur të takohemi përsëri, po këtu njerëzit po ndahen nga kjo botë dhe Akademia po mbetet si vendi ku po organizohen funeralet. Është bërë si shtëpi varrimi. Hap derën për të nxjerrë arkivolet jashtë. Nuk mund të vazhdojë më kështu dhe ju të gjithë jeni të vetëdijshëm për këtë. Ne të gjithë jemi. Besoj se mundësitë për të bërë diçka dinjitoze, modeste, në përmasën e vendit dhe kombit shqiptar, se ne nuk mund të bëjmë një akademi franceze, as një akademi sovjetike të rangut të lartë”, tha kryeministri. Sipas tij, “ne mund të bëjmë një kuvend të shkencës dhe dijes që t’u japë mundësi atyre që kanë dëshirë, pasion dhe ndjenë detyrimin për të dhënë për shkencën e dijen në këtë vend që të jenë të përfaqësuar dhe të jenë në shoqërinë e tyre dhe jo në një shoqëri që nuk merret vesh ku mbaron profesori i nderuar dhe ku fillon një mashtrues, një marifteçi, një zullumqar që bën lëmsh gjithë sistemin”. “Të paktën këtë ndarje ne duhet ta garantojmë, ndaj them rithemelim, jo rregullim. Se s’ka çfarë rregullohet. E vetmja gjë që ka bazë për rithemelimin është kapaciteti njerëzor. Nuk e bën dot qeveria me urdhra, as me një ligj”, tha Rama. Teksa kritikoi botimet e Akademisë që sipas tij janë sa dramatike dhe komike, pa asnjë recencë e pa asnjë oponencë, tha se duam të fuqizojmë qoftë Qendrën e Studimeve Albanologjike se është një pikë themelore dhe referencë themelore e asaj, që mund të quajmë sot kërkimi shkencor në Shqipëri, për çka u takon domosdoshmërive që kanë të bëjnë me trashëgiminë, me identitetin dhe me gjuhën tonë.

Artan Fuga: Ka inatçinj që më kanë fyer, por bien dakord me mua

Deri tani është konceptuar dhe aprovuar unanimisht propozimi për pozicionimin e ri të saj, jo më si institut kërkimi shkencor, as si drejtori dikasteri, por si forum shkencëtarësh akademikë, që kontribuojnë në strategjinë e kërkimit shkencor në partneritet me qeverinë, si komunitet përfaqësues i kërkuesve shkencorë shqiptarë përtej ndarjeve të tyre disiplinore, institucionale, metodologjike. Në kuptimin hegelian se ndarja konceptuale nuk mund të ekzistojë pa konceptin tërësor, që bëhet garant për çdo koncept të veçantë. Unë me kolegë të tjerë kam punuar me këtë ide, jam shprehur dakord për të, e cila pas vitesh rezistence u pranua edhe nga ata që deri dje më kanë fyer ku kanë mundur, në gazeta, intervista, televizione, para dhe pas shpine, në zyrat dhe korridoret e Akademisë dhe më tej. Më fyenin kur ua propozoja si të vetmen alternativë. Disa inatçinj vazhdojnë të më fyejnë, kurse presionet e përditshme nuk pushojnë as sot, natën dhe ditën. Por, nuk ka rëndësi deformimi, rëndësi ka reformimi! Por ka mbetur në mes të udhës reforma në këto plane:
1. Reforma e analizës së deritanishme të punës së Akademisë dhe e rezultateve të kërkimit shkencor të çdo akademiku dhe e agjencisë në përgjithësi. Ende nuk ka një vështrim kritik të punës nga ana e kryesisë së mbetur apo e këshillit ekzekutiv për ecurinë e punës në këto vite, si edhe për pranimet pa kriter të akademikëve apo edhe për organizimin e zgjedhjeve të fundit-farsë? Pa u bërë ky katarsis, besoj Akademia nuk do të vendoset dot në shina.
2. Reforma lidhet me auditimin e përdorimit të fondeve deri tani, sepse nuk mund të kërkosh fonde të tjera, pa parë me hollësi si janë përdorur të vjetrat, çfarë rezultatesh kanë dhënë ato? Auditim jo thjesht si inventar, por i performancës të fondeve të marra. U bënë vite që e kërkoj, ia kam kërkuar edhe zonjës ministre publikisht para tri vitesh, por asnjë përgjigje nuk kam marrë. Cili është rentabiliteti i përdorimit të fondeve, kur asnjë agjenci nuk i mat ato, kur botimet janë pa oponenca, pa komitet botimi, pa përkthime në gjuhë të huaj, pa redaksi?
3. Reforma e personelit. Cili është potenciali real në funksion të moshës, të statusit profesional, të vendbanimit, të akademikut? A mundet që personeli i Akademisë të mos ketë as gradën doktor? A duhet akademiku të jetë edhe një burokrat, pra një punonjës administrate? A nuk i duhen nëpër seksione Akademisë së Shkencave doktorë të rinj, plot vullnet dhe pasion në shërbim të akademikëve që punojnë sipas një strategjie të caktuar?
4. Reforma e statusit të akademikut dhe e pranimeve të reja. A është akademiku vetëm përfaqësues i punës së tij, apo duhet të konsiderohet si përfaqësues i fushës të shkencëtarëve brenda së cilës punon dhe të rekrutohet me mbështetjen e tyre? Pse nuk ka pranime mbi bazën e oponencave dhe paraqitjeve të arritjes të fushës? Pse ka pasur frikë Akademia të bëjë thirrje të hapur për anëtarësim? Përse nuk ka marrë gjykimin dhe aprovimin institucional të agjencive kërkimore dhe universitare nga vijnë anëtarët e rinj?
Si është e mundur që nuk ka më asnjë dallim midis akademikëve dhe akademikëve të asociuar, si rezultat i presionin për honorarët?
A do të dalin akademikët në pension në moshën e të gjithë profesorëve të tjerë? Po të rinjtë, a nuk duhet të jenë detyrimisht nën moshën 60 vjeç kur hyjnë në Akademi? Se përndryshe Akademia do të bëhet vend oazi para pensionit!
5. Reforma e matjes së punës shkencore dhe e rezultateve të saj. A mund të matet puna shkencore vetëm me botimet, edhe ato pa performancën e duhur dhe pa recencën e duhur? Ku i ka Akademia e Shkencave kriteret e performancës të punës shkencore? Apo në botime pa komitet shkencor, pa oponenca nga jashtë vendit dhe Akademisë?
6. Reforma e shpërndarjes të fushave, e hapjeve të fushave të reja, si edhe a vlen që Akademia e Shkencave të ndahet në seksione, sipas fushave, logjikë që na vjen që nga pozitivizmi klasik i shekullit të 19, apo duhet organizuar sipas funksionaliteteve ndërdisiplinore?
7. Reforma e marrëdhënieve të Akademisë të Shkencave me shoqërinë. A duhet edhe të përfshijë inovacionin? Si të mos bashkëpunojë edhe kërkimin shkencor universitar? Pse Akademia fondet e veta për botim librash nuk i propozon për kontribute bibliografike të të gjithë komunitetit? Sa libra u shitën në panair? Perse projektet i ka mbajtur për veten e vet, pa i shpallur me konkurs të hapur publik?
8. Reforma e legjitimitetit. Kush e përfaqëson tani Akademinë? Komisioni i reformës, këshilli ekzekutiv, seksionet?
9. Reforma e punës shkencore të akademikëve. Përtej funksionit të shërbimeve për statusin e akademikut, për funksionimin e saj institucional, ku fondet e dhëna dalin dhe teprojnë nëse me to nuk abuzohet, që nuk besoj se duhet të vihen në dyshim, nëse Akademia tregon se është reformuar sinqerisht dhe për këtë besoj se duhet ngritur një grup besim – reformimi me tagrin edhe të qeverisë, fondet e tjera të kërkimit shkencor Akademia duhet t’i gjejë vetë mes projektesh. Ky duhet të jetë besoj edhe modaliteti i çdo institucioni shkencor, fonde ekzistence dhe liri për kërkim fondesh, si edhe për konkurrim në një fondacion shkence me fonde publike.
Akademia e Shkencave si çdo institucion shkencor, madje si çdo agjenci publike e industrisë së media, shkencës, arsimit, pra në industrinë e krijimit duhet të pretendojë fonde publike me dy kushte e kritere performance. Së pari, të dëshmojë se e matet edhe me kontributin e saj në GDP, si edhe duke treguar se sa është parametri i ‘Return on the investment’ për fondet e marra.
Me të gjitha këto, Akademia duhet të ecë sipas parimit ‘Reformim nëpërmjet rithemelimit’. Të bëhet statusi i ri, të bëhen pranimet e reja, të riorganizohet dhe pastaj të bëhen zgjedhjet e reja me një platformë të re pune. Jo zgjedhje, pastaj reformim. Në fillim reformim, prurje të reja, pastaj zgjedhje!

Me këto propozoj përpara jush zoti kryeministër:
1. Akademisë së Shkencës t’i alokohen fondet që planifikohen edhe në dokumentin e Ministrisë së Financave, por kundrejt angazhimit të saj solemn, për reformim brenda vitit 2018, në mënyrë që duke marrë fondet e funksionimit, sipas parashikimit të ligjit në fuqi, të ketë mundësinë e reformimit.
2. Akademia e Shkencave dhe qeveria të nënshkruajë një marrëveshje të vullnetit të përbashkët, të mirëkuptimit, të bazuar në një projekt strategjik reforme, të aprovuar nga të dyja palët, qysh në fillim të procesit.
3. Të ngrihet një komision qeveritar besimi reformimi në bashkëpunim me Akademinë, që në fund të procesit të vlerësojë performancën e reformimit, sipas strategjisë së rënë që në fillim dakord.
4. Pas procesit të reformimit mbi bazën e një statuti të ri, të reformohet Asambleja e Akademisë së Shkencave sipas prurjeve të reja, në vendet vakante, që do të krijohet sipas pritshmërive të reja, sepse unë nuk e kuptoj që një akademik të vazhdojë që të jetë akademik, nëse nuk është aktiv në një grup pune kërkimi apo universitar, që kontribuon në Shqipëri apo jashtë saj. pas prurjeve të reja të bëhen zgjedhjet. Me këtë akt, Akademia e Shkencave konsiderohet e reformuar.

Akademikët, Ramës: Akademinë e dëmtoi politika, është simbol i kombit

Para kryeministrit Edi Rama, dje akademikët shqiptarë kanë parashtruar disa probleme. Secili prej tyre ka paraqitur vizionin e vet për Akademinë e Shkencave, reformën, të ardhmen e saj dhe vëmendjen që i duhet kushtuar. Sipas akademikëve, ndër vite Akademia është lënë pas dore ajo nuk është godina, as gjendja e sotme, Akademia është historia.
Më poshtë fjalët e akademikëve.
Vasil Tole
Mes reformimit të detyruar dhe vetëreformimit, ne zgjodhëm këtë të dytën, si shenjë e qartë reflektimi institucional. Qëndrimi ynë sot është i dakordësuar, pas një procesi të gjatë edhe të vështirë për të sjellë në një kohezion të vetëm mendimet tona, sepse reformat kanë gjithmonë dy palë. Mbetemi të ndërgjegjshëm, se ky proces është një proces i vetëm edhe ai që do ta shërojë gjendjen edhe si një përgjigje ndaj trendeve të kohës për të ndërtuar ura të duhura komunikimi mes shkencës dhe politikës dhe anasjelltas. Theksoj faktin se ne besojmë se Akademia nuk janë thjesht akademikët e një me kohe të caktuar, as ne të sotmit, Akademia është trashëgimia që ata lënë për vendin. Edhe për këtë arsye fjalën ua jap dy kolegëve, që janë përfaqësues të reformës, që kanë një dokument draft për reformën.
Skënder Gjinushi
Duhet të t’i ndajmë gjërat, pasi janë dy probleme: 1) Reformimi i brendshëm i Akademisë, dhe 2) Çfarë vendi do të zërë Akademia në kuadrin e kërkimit shkencor në Shqipëri? Duhet që të kuptohet se situata ku ndodhet nuk është përgjegjësi e Akademisë në tërësinë e vet. Kërkimi shkencor në Shqipëri ka bërë mbrapa për dy arsye, 1) U godit dhe ra statusi i instituteve, një numër institutesh edhe u shkrinë. 2) Vetë kërkimi shkencor në shkollat e larta nuk është në atë nivel që duhet, se kemi mijëra doktoratura, që nëse flasim për cilësinë e tyre, lë shumë për të dëshiruar. Por një problem kryesor që ka Shqipëria është edhe eksporti apo emigracioni i trurit, që do të thotë se më të zotët apo më të aftët nuk rrinë më këtu. Kështu që për të dyja këto arsye, edhe për një politizim shumë të madh të reformës së fundit, bëri që ASH të kthehet në një organ honorifik. Një organ honorifik nuk është ai që prodhon shkencën, sepse shkenca prodhohet në katedra, atje ku investohet edhe njerëzit janë aktivë.
A do të kemi një ASH honorifike apo një ASH, e cila të ketë edhe funksione në institute? Problemi është që në të gjithë piramidën e kërkimit shkencor, cili do të jetë roli i ASH, i një qendre të koordinimit të kërkimit shkencor, por ka rëndësi edhe reformimi i brendshëm. Në bazë të funksionit, të shihet edhe përbërja apo kriteret e Akademisë. Në kohën e lavdishme, Akademia e kishte gjithë trurin e Shqipërisë këtu. Atëherë Akademia ka pasur cilësi më të lartë për shkak të kësaj, por edhe sepse kërkimet e instituteve kanë qenë në kuadër të ASH-së. Sot problemi është i qeverisë, ministrisë, instituteve, se si do luftojmë për ta rimarrë apo ringritur? Nëse do të anatemojmë ASH, anatemohet ajo që vetë kërkimi shkencor në Shqipëri është i hallakatur, ka rënë niveli edhe ata që kanë pasur më shumë sukses janë larguar.
Apollon Baçe
Ne jemi koshientë për nevojën, edhe ndoshta për modelin. Kemi bërë disa mbledhje dhe kemi arritur në një emërues të përbashkët me modelet. I qëndroj mendimit që ka thënë Dritëro Agolli, se Akademia është një simbol, që duhet të forcohet edhe jo të dobësohet. Një simbol i kombit, siç mund të jetë flamuri, apo edhe Kuvendi – vullnet i kombit dhe Akademia duhet që të jetë simbol i intelektit të kombit. Unë nuk e quaj veten ndonjë vaj të kualitetit të parë, sepse para meje mund të ishin shumë mirë Neritan Ceka dhe Pëllumb Xhufi, por puna qëndron këtu: Ne jemi një vaj, që një ditë do të digjet edhe aq dritë sa mund të bëjmë, kurse kandili, që është simboli, mendoj se nuk duhet hedhur. Por duke pasur parasysh fjalën e Agollit, mendoj se Akademia nuk duhet që të dobësohet, por të forcohet. Edhe në Procesin e Berlinit kërkohet dialogu midis shkencës e politikës dhe njëkohësisht kërkohet që politika të bisedojë intensivisht me shkencën, por të mos e drejtojë ajo. Në pikën e pestë të Procesit të Berlinit kërkohet kjo gjë, që Akademia apo mendimi dhe kërkimi shkencor duhet të fillojë të nivelohet në drejtim me vendet e BE-së, në mënyrë që të mos jetë vetëm ekonomia e niveluar, por edhe mendimi e kërkimi shkencor.
Po ndaloj tek një fjali juaja, që m’u duk interesante: “Karakteri i njeriut është fati i tij”. Një fjali e Heraklitit, që për mua është filozofi më i dashur. Por, shpresoj që të shihni edhe shprehjet e tij të tjera, siç është edhe: “Ndihi ata që tentojnë progresin, qoftë edhe vonë. Edhe kuptimi i problemit është gjysma e përgjigjes”. Modeli që ne kemi përzgjedhur nuk ka qenë modeli i Akademisë me institucione, por duke qenë se jam përfaqësues i Akademisë për Reformimin e Kërkimit Shkencor, jemi munduar që të përshtatemi me atë model.
Aurela Anastasi
Pavarësisht nga pritshmëritë që keni pasur nga ky dialog, mendoj se dialogu midis shkencëtarëve dhe qeverisë është thelbësor, jo vetëm duke mbajtur parasysh interesat tona kombëtare, por edhe platformat ndërkombëtare edhe ato evropiane, diktojnë qartë nevojën për afrimin e kërkuesve shkencor edhe qeverisë, që studimet e studiuesve të përthithen më mirë nga Akademia. Dua që të mëshoj në faktin se Asambleja e Akademisë së Shkencave ka shqyrtuar një koncept-ide për reformimin. Ne duam që të ruajmë një Akademi, si organ të pavarur me autonominë e saj, që i ka njohur ligji, por natyrisht që e konsiderojmë të domosdoshme, t’i qasemi më mirë, në të gjithë reformën e sistemit të kërkimit shkencor në Shqipëri edhe e quajmë të domosdoshme, që të vendosim ura lidhëse midis komunitetit mbarëkombëtar shkencor edhe institucioneve të tjera kërkimore shkencore në vend edhe Akademisë së Shkencave. Duam që të jemi përfaqësues të denjë të kombit tonë në botë dhe të shkencës. Këtu i mëshoj idesë për një forcim të bashkëpunimit midis dy akademive, të Shqipërisë edhe Kosovës. Duam që të mos mbetemi thjesht koordinues të instituteve, por të jemi edhe më shumë dhe pse mund të jemi vetëm. Kërkojmë që të jemi pararendës dhe të marrim pjesë së bashku me qeverinë për hartimin e kërkimeve shkencore dhe të hapim fusha të reja studimi. Shumë i rëndësishëm është edhe aspekti që Akademia të ketë një rol vlerësues, monitorues, që të koordinojë studimin shkencor mbarëkombëtar ose të marrë pjesë, në mënyrë që këto vlera shkencore të jenë më të aksesueshme nga Akademia dhe qeveria në vend.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.