KULTURË

Botimi / “Kalendari Kombiar” Ridel në dritë një nga kryeveprat e Rilindjes. Rexhep Qosja: Pse pat vlerë

10:30 - 24.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kuadër të 105-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u prezantua dje në Tiranë, ribotimi i një prej veprave më madhore të Rilindjes sonë Kombëtare, “Kalendari Kombiar”. Ai ka qenë realizuar ndër vite nga një grup intelektualësh të shquar të kësaj periudhe si Kristo Luarasi, Kosta Jani Trebicka, Shahin Kolonja, Mit’hat Frashëri, si redaktor kryesor dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë të jashtëm.
Ka qenë fondacioni arsimor – kulturor – humanitar Alternativa për të Ardhmen (ALSAR), që e ka ndërmarrë nismën. Ribotimi i ‘Kalendarit Kombiar’ është një lajm i mirë për historinë dhe kulturën shqiptare, tha më tej zoti Mehdi Gurra, sepse risjell edhe një herë atmosferën e viteve të lavdishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përpjekjet e patriotëve shqiptarë, që luftën për liri dhe pavarësi e shihnin, krahas të tjerash, te ndriçimi i mendjes së shqiptarëve, që çdo dije dhe zbulim botëror të ishte i artikuluar në gjuhën shqipe, të kishte veshje dhe identitet kombëtar.
“Ribotimi i ri i ‘Kalendarit Kombiar’ me një tirazh prej 500 kopjesh është bërë në origjinal, pa i ndryshuar asgjë, me alfabetet e dikurshëm, me frontespicet, pikturat dhe grafikat e dikurshme. Të vetmet ndryshime, janë se nga 22 vëllime të përvitshme, është përmbledhur në 4 vëllime me letër dhe lidhje speciale për të zvogëluar vëllimin dhe ‘ndryshimi’ i dytë është se çdo vëllim hapet me nga një parathënie të re, duke futur si parathënie edhe shkrimin e Mit’hat Frashërit, botuar në revistën ‘Minerva’, nr. 23-24, 1934, tri ditë pas vdekjes së Kristo Luarasit”, – përfundoi prezantimin e veprës, kreu i Alsar Mehdi Gurra, pa harruar në fund të fjalës së tij të falënderojë edhe njerëz të tjerë që kanë një kontribut të çmuar në ridaljen në dritë të kësaj vepre, siç është nipi i Kristo Luarasit, prof. dr. Genci Luarasi, për një punë skrupuloze në grumbullimin, ruajtjen, sistemimin dhe përgatitjen grafike të materialit; si dhe donatorët nga Turqia që mundësuan botimin e tij. Rreth veprës me punimet e tyre kumtuan më pas, prof. dr. Ferit Duka, prof. dr. Hysen Matoshi, prof. dr. Seit Mancaku, prof. dr. Zeqir Kadriu, prof. dr. Luan Maltezi, prof. dr. Genci Luarasi etj.





KALENDARI KOMBIAR (1897-1916, 1926,1928)
“Kalendari Kombiar” (1897-1916, 1926,1928), ishte botim i përvitshëm enciklopedik kulturor, letrar e politik i shoqërisë “Dëshira” të Sofjes. Numri i parë doli më 1897 me titullin “Ditërrëfenjësi” (kalendari) “Kombiar” dhe nga viti 1901 e deri në fund u titullua “Kalendari Kombiar”. Gjatë viteve 1897-1900 u drejtua nga Kristo P. Luarasi me Kosta Trebickën dhe më pas edhe me Nikolla Naçon. Pas vitit 1900 botues i vetëm ishte Kristo Luarasi deri në numrin e fundit.
Në vitin 1909-1910 u botua në Selanik; më 1911-1916 përsëri në Sofje.
Më 1926 rinisi botimi në Tiranë nën drejtimin e Mit’hat Frashërit (Lumo Skëndos), i cili mundi të nxjerrë një numër të fundit në vitin 1928. E gjithë seria përbëhet prej 22 vëllimesh. Në këto botime kanë shkruar artikujt e tyre shumë pena të Rilindjes shqiptare, arbëreshë, etj., sipas tematikave të cilat zgjidheshin nga botuesi. Për rritjen e nivelit kulturor intelektual të lexuesve, krahas autorëve shqiptarë, botuesit kanë përzgjedhur materiale të autoreve të huaj, gjithnjë me një sens për të rritur ndjenjën kulturore dhe kombëtare shqiptare. Vihen re edhe materiale të përkthyera nga historia, gjeografia, shkencat e natyrës, teknike etj., ku një peshë të madhe ka pasur Mit’hat Frashëri në sajë të arsimit dhe kulturës së tij gjerë.
Me vlerë janë përmbledhjet e bëra të ngjarjeve të vitit të mëparshëm, reklamat e lajmërimet dhe një risi ishte botimi i listës së ndihmëtarëve financiarë anë e kënd botës, që shërbente si një lidhje mes shqiptarëve që nga Rusia në Argjentinë dhe Australia në Amerikën e Veriut. “Kalendari Kombiar” është shkruar me tri alfabete që përdoreshin në atë kohë. Pas vitit 1908 është shkruar me alfabetin e Kongresit të Manastirit, që përdoret edhe sot.


1878, KUR “KALENDARI”
QUHEJ “DITËRRËFENJËS”
Parathënia e vëllimit të parë: Të dashur mëmëdhetarë,
Moti i ri 1897, i cili na dhuroj rrojtje të re, dhe fat të mirë, na gëzoj edhe me këtë Ditërrëfenjës (Kalendar), të cilin do ta këndojmë me zjarr të madh të gjithë neve shqiptarët, që flasim gjuhën shqip. Ky Ditërrëfenjës vë gurnë e parë të themelisë për mbrothësinë e kombit tonë dhe bje dashuri të madhe për çdo punë bese, ashtu pra, bekim e vëllazëri që të kuptojnë kombet e huaj se nuk jemi të egër dhe neve shqiptarët, sikundër po na quajnë ata.
Megjithëse jemi të varfër nga gjithë të tjerët, po dashuria për mëmëdhenë dhe dëshira që kemi për të hapurit e gjuhës sonë, dalëngadalë, me emrin e të Madhit Zot së pari, do hapim qëllimet tona dhe do të vinjë kohë që do të hapen dhe kishë mbë gjuhën Shqip si kundër kanë hapur dhe Kombet e tjerë. Të kemi dashuri me njëri tjetrin, të jemi të bashkuar të gjithë tok: të Krishterë e Myslimanë; të ndihmojmë sa të mundet për çdo farë pune të shenjtëruar, të mos qajmë e përçmojmë gjuhën e mëmës sonë, por sa të mundim ta lavdërojmë së gjithash etj., etj. Këto janë detyrat e një mëmëdhetari që ngashëron mbrothësinë e gjuhës së vetë. Këtë Ditërrëfenjës që na i dhuroj e ndiçmja Shoqëri e Sofjes “Dëshirë” e bëmë format më të madh pakë, meqenëse kemi nevojë të madhe fjale më shumë, si ndonjë vjershë, këngë, a përrallë të Kombit. Me nder (K. I. T.)

Rexhep Qosja: Pse pat vlerë
“Kalendari Kombiar”

Është një revistë të përvitshme, një revistë me emër në historinë tonë të çmuar kulturore, që kishte filluar të dilte në vitet e fundit të Rilindjes sonë të madhe Kombëtare, në vitin 1897, kohë kur ishin përforcuar e përshtrirë shumë përpjekjet për krijimin e shtetit kombëtar – Shqipërisë. “Kalendari Kombiar” me përmbajtjen, me idetë, me mendimet, me vlerësimet e ndjenjat e shprehura në të ishte dhe mbeti dëshmi dhe frymëzim i këtyre përpjekjeve. Ju keni botuar dhe po përuroni të përmbledhur në katër vëllime një revistë, që do të vazhdojë të botohet, me disa ndërprerje rrjedhojë e vështirësive jo vetëm financiare, deri në vitin 1928, kur po bëheshin përpjekje të mëdha për krijimin e institucioneve dhe për qëndrueshmërinë e shtetit shqiptar, të shqetësuar prej mospajtimeve me pavarësinë e tij të fqinjëve dhe prej ballafaqimeve shpesh shpërbërëse të pjesëtarëve të parisë vendore!
Ju keni botuar dhe po përuroni një vepër të madhe me karakter enciklopedik, në të cilën do të sillen të dhëna nga shumë fusha të jetës së përtashme dhe historike të popullit shqiptar, në të cilën do të sillen të dhëna nga fusha të ndryshme të historisë, kulturës, dijeve, arteve dhe të shumë popujve të tjerë. Dhe, duke e botuar “Kalendarin Kombiar” në katër vëllime, ju keni botuar dhe po përuroni një vepër të madhe që i ka rritur, i ka shtuar, i ka pasuruar: vetëdijen kombëtare, dijet, artet, letërsinë, kulturën, qytetërimin shqiptar dhe lidhjet e tij para së gjithash kulturore me shumë popuj të tjerë. Dhe, kështu, ju keni botuar e po përuroni një vepër të madhe, që kujtesës sonë të pakujdesshme sidomos gjatë dy dhjetëvjetëshave të fundit, po ia rikthen emrin shumë të merituar të botuesit të saj të parë, Kristo Luarasit, botuesit të saj të dytë, Mithat Frashërit dhe të një vargu veprimtarësh të tjerë politikë, shoqërorë, letrarë, kombëtarë, që gjithë jetën e tyre, shpesh duke harruar veten, ia kushtuan kombit të vet dhe shtetit të tij, natyrisht në kufijtë etnikë. Ju uroj me shumë përkushtim për këtë vepër të madhe dhe ju dëshiroj që me botime të tilla aq të rëndësishme si “Kalendari Kombiar” e si gjithë ato që më dhuruat të vazhdoni veprimtarinë tuaj të rëndësishme arsimore, kulturore e humanitare. Dhe, gjithëkombëtare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.