KULTURË

Eno Peçi: Ika mes krismave nga Shqipëria, nuk kishte për të ngrënë…

10:00 - 24.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI




 

“Nuk është plotësisht autobiografia ime, por aty e kam nisur. Më kujtohen trazirat e 1997-ës, krismat, momentet që nuk kishte për të ngrënë, sepse çdo gjë ishte e ngrysur dhe asgjë nuk funksiononte. Më pas ikja ime nga Shqipëria edhe telefonatat nga prindërit”.
Balerini shqiptar Eno Peçi, është rikthyer në Tiranë me një shfaqje premierë. Vite më pas nga ikja kujton se çfarë la pas atë kohë. Me gjasë, ato që la pas, qenë ato që e shtynë të ikte, pa e kthyer kokën. Dikur, ai pasi kishte mbaruar shkollën e baletit, nuk arriti dot të hynte në teatër. “Nuk i kisha mundësitë. Do kisha shumë dëshirë që atëherë nëse do të mbaroja shkollën e Baletit edhe futesha në TKOB. Por mundësia nuk ishte për shkak të trazirave”. Për këtë arsye, ky rikthim do të thotë shumë për të. Solisti i parë i Operës së Vjenës, vjen për herë të parë në Shqipëri me një krijim të tijin si koreograf.
“Exil- Déjà vu”, që vihet në datat 25 dhe 26 nëntor në skenën e Akademisë së Arteve është një shfaqje që pritet të thyejë limitet e imagjinatës me një lojë fizike, që gërsheton lëvizjet koreografike, me interpretimin e fortë artistik. Koreografi Eno Peçi nuk mund të qëndronte larg skenës shqiptare, ndaj do të jetë në krye të trupës së balerinëve të TKOB dhe si protagonist, balerin.
Premiera “Exil- Déjà vu” nga Eno Peçi, ndërthur dëshirën për të ikur dhe kujtesën e mbamendjen se çastin, që po jeton, e ke jetuar edhe më herët.
“Si bazë kam marrë kohën e viteve 1987-1988. Si bazë kanë qenë ato trazirat dhe ajo më frymëzoi, sepse edhe vetë i kam kaluar këtu, si të tjerë kolegë të tjerë të mitë apo familje të tjera. Thashë dua të bëj diçka me këto gjëra, sepse ato momente i kam kaluar edhe vetë”,-ka rrëfyer ai.


SHFAQJA
Kur sqaron narracionin e pjesës së parë të shfaqjes, “Exil”, thotë se nuk ishte i vetmi që iku. “Ka pasur edhe shumë moshatarë të mi. E kam marrë këtë si temë, sepse fëmijët dërgohen në Exil që të kenë një jetë më të mirë. Kam marrë dy familje të ndryshme që kanë problemet e tyre që i detyrojnë të çojnë fëmijët e tyre në EXIL”, thotë koreografi.
“EXILI”, ngrihet mbi varfërinë, skamjen, vuajtjen dhe pasigurinë. Dy familje ku babai dhe nëna vuajnë për të ardhmen e pasigurt të fëmijës së tyre dhe detyrohen t’i dërgojnë jashtë vendit për një të ardhme më të mirë. Përveç peripecive, që duhet të kalojnë për këtë vendim të vështirë, nëna dhe babai përballen me paragjykimet e pjesës tjetër të familjes, komunitetit ku jetojnë dhe shoqërisë. A do të ketë shpëtim? A do të mundet “të dalë dielli” dhe jeta e tyre të jetë e paqtë dhe vuajtjet të marrin fund, është tranzicioni i familjes, i cili për disa është më i rreptë dhe për të tjerë më i butë. Ditët e bardha duken të largëta, është një shishe alkool, që u mpin kokën, si shpëtimtari i vetëm i momentit, por… gjithçka e zezë rikthehet përsëri, kur afshet e dala prej trupit rikthejnë në realitet njeriun e vuajtjes.
Ndërsa “Deja Vu” ndërtohet mbi ndjesinë se po ripërjetojmë një çast që e kemi jetuar edhe më herët.
Peçi, thotë se ndjen kënaqësi duke punuar me balerinët shqiptarë. “Ka qenë një punë e dyanshme, si koreograf e balerin. Mendoj se po shkojmë në drejtimin e duhur. Pjesën e parë e kam zgjedhur, sepse është një vepër që më ka frymëzuar edhe kur kam qenë fëmijë, kanë kaluar 20 vite, por sërish mendimet janë atje. Ndërsa pjesa e dytë është si lojë, sepse secili prej nesh ka pasur dy apo tre sekonda që ka menduar se i ka përjetuar më herët”.
Thotë se për të, çelësi kryesor ishin balerinët. “Ata janë të gjithë artistë edhe është kënaqësi e madhe të punosh me ta. Nuk më pëlqen shumë të jem në studio, por dua të nxjerr maksimumin e balerinëve edhe këtë nuk e mendoj vetëm unë. Të krijosh diçka nuk mund ta bësh vetëm, por janë edhe balerinët, që krijojnë edhe kanë një koncept për të bërë diçka të bukur”.
Shton po ashtu se balerini vetëm kur shkon në skenë çlirohet pas duartrokitjeve. “Krijimi është gjithë kohës me ty, sepse kërkon që t’i japësh një zhvillim artistik, që të nxit shumë. Koreografi, nuk është të bësh vetëm lëvizje, janë shumë elemente, që në fund përmblidhen bashkë edhe bëjnë magjinë e vet. Megjithatë frika është gjithmonë aty, sepse publiku nuk është i njëjtë edhe njerëzit i shohin gjithnjë gjërat ndryshe. Duhet të kesh besim te vetja, që të marrësh riskun edhe ta bësh atë që ke në kokë”.
I pyetur për jetën e tij familjare ai tha se bashkëshortja e ka lënë baletin, sepse nuk ka më të njëjtën ambicie. “Është shumë e kënaqur dhe shijon kohën e saj me fëmijët. Është balanca që kemi të dy, ajo kujdeset për familjen, unë për punën, pavarësisht se jam gjithmonë aty për fëmijët. Është një balancë që funksionon”.
KONCERTI VJENEZ
Eno Peçi prej 15 vitesh punon në Operën e Vjenës. Ai është zgjedhur të interpretojë edhe në koncertin e shumëpritur në të gjithë botën me rastin e Vitit të Ri.
“Është diçka e lehtë, një traditë vjeneze, por që unë nuk mund të përfaqësohem ashtu, pavarësisht se jam në Vjenë edhe kërcej valset e Vjenës, është një traditë që ndodh çdo vit. Arti nuk ka kufi. Procesi që regjistrojmë këtë mbrëmje është i veçantë, janë detaje, që i njohim. Është një kënaqësi që e kam dashur përherë. Vjena është një nga pikëqendrat më të mëdha kulturore në art dhe është arritje e madhe për çdo shqiptar që vjen aty”,-tha ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.