OPINION

Krimi dhe politika, çfarë duhet të komunikojë PS dhe PD

06:51 - 24.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Julian Zyla

 

Ja si e niste Kryeministri opinionin e tij në gazetën britanike “Financial Times”: “Jam shumë i vetëdijshëm që disa njerëz, nëse përmend Shqipërinë, mendojnë për krimin dhe drogat.” Kush nuk e kishte një ide për Shqipërinë, pas kësaj fjalie, e krijoi. Diçka nuk ka shkuar si duhet në këtë fillim artikulli. Ose shkruesi/t e fjalimeve kanë pasur këtë ide dhe Kryeministri Rama nuk ka menduar ta zëvendësojë me një fillim pozitiv, ose Kryeministri është autori dhe stafi nuk ka insistuar mjaftueshëm deri në ndryshimin e tij.

Natyrisht, në artikull, më pas cilësohet se ky imazh është i padrejtë ndaj vendit tonë, kryesisht ligjzbatues. Por, edhe në këtë fjali theksi çuditërisht është zgjedhur të vihet te fakti që për të hequr këtë imazh do të duhet kohë (dhe veprim). Sa duhet të komunikojë qeveria në çështjen e krimit? Çfarë duhet të komunikojë? A i shërben ideja e shpërndarjes së përgjegjësisë? A duhet t’i përgjigjet akuzave? Çdo akt komunikimi nga ana e qeverisë, brenda çështjes së krimit dhe politikës, ofron material për vazhdimin e çështjes. Atëherë cila do të ishte një strategji për këtë çështje për PS? Po Partia Demokratike si mund ta menaxhojë në maksimum këtë situatë?

Lëvizja e fundit e Partisë Socialiste ishte eksportimi i përgjegjësisë nga dimensioni kohor, pra, qeveria e mëparshme, në dimensionin hapësinor, pra, vendet e Bashkimit Europian. Gjithashtu, qeveria po përpiqet të theksojë aksionet e suksesshme të policisë. Këta dy elementë, në letrat drejtuar udhëheqësve europianë dhe në shkrimin nga Kryeministri në “Financial Times”, u shfaqën të ndërthurur. A është kjo strategjia fituese: Ne nuk jemi të vetmit fajtorë dhe po arrijmë rezultate?

Debatet dhe zhvillimet e fundit edhe pse mund të mos kenë provuar lidhjet e krimit me politikën, minimalisht, kanë konfirmuar tashmë çështjen e krimit. Por, njerëzit e kanë të vështirë të mendojnë përgjegjës të tjerë për situatën përveçse një kryeministër në mandatin e dytë. Gjithashtu, suksesi i policisë, në rastin më të mirë për qeverinë, mund të shihet si korrigjim i situatës së krijuar po vetë. Pra, ato që njerëzit mendojnë nuk mund të ndryshohen nga kjo strategji komunikimi. Çfarë i mbetet qeverisë për të thënë?

Në këto kushte, qeveria duhet të qëndrojë sa më pak në këtë terren. Kjo temë nuk i bën mirë brenda apo jashtë kufijve. A do të thotë kjo që nuk mund të reagojë ndaj akuzave? Reagimi duhet të jetë një përgjigje-objektiv. Pra, e vetmja gjë që qeveria mund të thotë pa u vetëdëmtuar është: Lufta ndaj krimit është për ne një nga objektivat kryesorë. Çdo tentativë tjetër komunikimi do të ishte ftesë për të qëndruar më gjatë në këtë temë, ku sa më shumë të lëvizë aq më shumë do të mbytet. Përgjegjësinë nuk mund ta ndajë. Policia po korrigjon. Gjithçka që mund të ofrojnë është angazhimi maksimal.

A po e shfrytëzon si duhet Partia Demokratike këtë temë? Deri tani deklaratat e opozitës për këtë çështje janë pajisur me rëndësinë e vetë kryetarit të partisë Lulzim Basha. Ai denoncon krimin në vend. Ai denoncon lidhjet e krimit me politikën, sipas tij. Ai kërkon largimin e Edi Ramës. A duhet të thotë Basha dhe PD më shumë apo më pak? Ja dy konstatime dhe një teori që do të mund ta luanin.

  1. Basha është shprehur se krimi është tashmë në fazën e pastrimit të parave. Ai, gjithashtu, thotë se qeveria po kërkon të manipulojë publikun. A mjafton të thuhen gjërat? Në një emision televiziv, ish-ministri Manjani tha se “Disa njerëz kanë dhoma të mbushura me para”. Këto para duhet të gjejnë një mënyrë për t’u përdorur tashmë, tha ai. Mjafton të krahasojmë këtë imazh me deklaratat konstatuese të z. Basha për të kuptuar që, shpesh, gjërat duhen qartësuar, jo thjesht thënë. Gjithashtu, duhet lënë me aq: Largimi i Edi Ramës duhet të jetë pasojë, jo synim.

Së dyti, deklaratat e kryera nga kryetari i opozitës Basha i japin peshë denoncimeve në sytë e publikut. Por, ndërkohë që kjo shkon në të mirën e secilit denoncim, shkon kundër imazhit të z. Basha, i cili konsumon figurën e tij në terren negativ. PD-së i duhet të impenjojë figura të reja për deklaratat e saj. Besueshmëria e akademikëve mund të ishte një zgjidhje.

Së fundmi, teoria që PD do të mund të luante, sa i përket krimit, duke përmbledhur idetë e saj: Kjo qeveri nuk do të hedhë poshtë bandat, sepse do të dobësohej si financiarisht dhe politikisht. Çmimi i mirënjohjes nga opinioni publik nuk do të mjaftonte për të balancuar humbjen. Kështu, e vetmja qeveri që do të zgjidhte çështjen e krimit do të jetë qeveria e ardhshme. PS duhet të kishte vendosur që në fillim të hynte në pushtet pa krimin. Tashmë nuk mund të ekzistojnë dot politikisht pa të. Vetëm një qeveri e pastër që në fillim do të mund të zgjidhte këtë çështje.

Në artikullin për “Financial Times” Kryeministri Rama shkruan: “Prej vitesh të quajtur kryeqyteti i kanabisit të Europës, Shqipërisë i erdhi në majë të hundës dhe reagoi”. Shpresojmë që në një mënyrë apo një tjetër të kemi përparim të vërtetë për këtë çështje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.