EKONOMI

Pronat, Gjonaj: Si do të ndahen 30 milionë dollarë. Ish-pronarët, skema për pagesa të përshpjetuara

10:00 - 24.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela MANJANI




 

Ish-pronarët do të kenë në dispozicion një fond prej 30 milionë dollarësh për vitin e ardhshëm. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë ka folur për kompensimin e pronarëve, ku sipas saj janë përdorur mbi 30 milionë dollarë, ndërkohë që ATP ka kompensuar gjatë 2017-ës, 754 subjekte, ku 175 janë kompensuar nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga të ardhurat e ALUIZNI-t. Sipas ministres Gjonaj, për vitin 2018 janë në dispozicion 2.5 miliardë lekë, duke i shtuar shifrës edhe të ardhurat nga ALUZNI, ku sipas saj janë rreth 700 milionë lekë më tepër për kompensimin e pronarëve. “ATP ka kompensuar gjatë 2017-ës, 754 subjektet, ku 175 janë kompensuar nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga të ardhurat e ALUIZNI-t. Për vitin 2018 janë 2.5 mld lekë, plus të ardhurave që shtohen nga ALUIZNI, pra kemi 700 mln lekë me tepër se viti i kaluar për kompensimin e pronave”, tha Gjonaj. Pagesat e kompensimit për ish-pronarët do vijojnë me dosjet e vitit 1995 dhe ndërkohë pritet vlerësimi financiar për vitin 1996 dhe 1997. Për të përfituar pagesë jashtë radhe në ligjin për pronën parashikohet një skemë, sipas të cilës kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Ndërsa kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 3 vjetësh, atëherë ai përfiton 30% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Për rastet kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 5 vjetësh, atëherë ai përfiton 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Sipas ligjit, prioritet do të kenë aplikimet që kërkojnë të kompensohen financiarisht brenda 1 viti nga kërkesat për kompensim brenda 3 apo 5 vjetësh.
Komisioni
Ministrja Etilda Gjonaj, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë ka bërë të ditur edhe fondet për vetingun. “Paketa financiare mbështet krijimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Pavarur të Drejtësisë, duke i konsideruar si zëra në buxhet jo vetëm inspektorët, por edhe infrastrukturën që do t’u nevojitet gjatë vitit 2018, kur do të fillojnë punën. Gjithashtu, garanton Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, strukturat e specializuara antikorrupsion, SPAK, përfshirë prokurorinë dhe gjykatat e posaçme të dyja niveleve. Mbështet platformën IT, vendosjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore”, tha Gjonaj. Gjithashtu, Gjonaj kërkoi që fondi prej 150 mln lekësh, që ishte parashikuar gjatë 2017-ës për ambientet e akomodimit të Kolegjit të Apelimit, meqenëse nuk u përdor gjatë këtij viti, t’i kalojë Ministrisë së Drejtësisë për vitin ardhshëm. Gjatë raportimit të Gjonajt, deputetët e mazhorancës dhe opozitës kanë replikuar ashpër. Debati është zhvilluar mes kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe dhe deputetit të PD-së, Agron Shehaj në mbledhjen e sotme, ku diskutohej projektbuxheti 2018. Pas pyetjes së ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deputeti Shehaj ka kërkuar të flasë më gjatë, por është ndërprerë nga kryetari i komisionit, Erion Braçe, i cili me sa duket e ka cilësuar koment të deputetit, jo pyetje. Në mbledhje po diskutohej mbi buxhetin e organeve të vetingut, kur deputeti Shehaj ka ndërhyrë duke thënë se këto organe nuk do të jenë të pavarura. Pas ndërprerjes së fjalës, nisi edhe debati i ashpër që gati shkoi me përplasje fizike mes dy deputetëve.

Zbardhet debati Braçe-Shehaj

Agron Shehaj: Zoti kryetar, unë personalisht nuk kam shumë eksperiencë në politikë dhe në komisione, por këtë sjellje që shoh nga ana juaj në këtë komision…
Erjon Braçe: Faleminderit shumë, mua nuk më vlerësoni dot sjelljen. Faleminderit, nuk ka fjalë për… Nuk jemi mbledhur këtu për mua. Më vjen keq.
Jorida Tabaku: Ka të drejtën e fjalës.
Erjon Braçe: Thoni ça të doni se s’më intereson fare.
Jorida Tabaku: E kam për procedurë.
Erjon Braçe: Zonja Tabaku, edukatë morale nuk duroj dot unë.
Jorida Tabaku: E kam për procedurë.
Erjon Braçe: Më vjen keq! Të vijë ministri tjetër.
Jorida Tabaku: Në qoftë se do ta vazhdosh mbledhjen vetëm… vazhdoje.
Erjon Braçe: Si ta keni, pa asnjë problem fare.
Jorida Tabaku: Zoti kryetar, kur kërkojnë fjalën anëtarët e komisionit, mund të kenë pyetje edhe më të gjata.
Erjon Braçe: Jo, pyetje jo. Pyetjet e gjata nuk janë komente.
Jorida Tabaku: Ashtu siç i kanë pyetjet, nëse s’marrin përgjigje…
Erjon Braçe: Zotëria e tha vetë “Ky ishte opinioni im për çfarë tha ministrja”. Më vjen keq. Pse do ta bësh opinionin pyetje?! S’ka pikë kuptimi. Ndryshe s’i bie radha asnjërit në këtë komision.
Shehaj (pa mikrofon, në këmbë): Zoti kryetar jeni të pangopur. Nuk të mjaftuan 27 vjet?!
Erjon Braçe: Më duhen 38 mln dollarë.
Agron Shehaj: Të duhen 38 mln dollarë ë… I pangopur.
(Shehaj në këmbë dhe i afrohet Braçes”
Erjon Braçe: Hajde, hajde (me shenjë që të largohet).
Pas pak hyn gardisti, largon Shehajn. Vijojnë replikat në distancë. Shehaj afrohet sërish dhe pas 2 sekondash, Braçe çohet më këmbë dhe i afrohet deputetit të PD-së, duke i thënë disa herë të ikë. Madje, dëgjohet edhe një fjalor banal.
Erjon Braçe: Ik tani, ik tani! Ik se s’më ha k***. Ik se e mora vesh.
Jorida Tabaku: Zoti Braçe…
(Shehajn e tërheq gardisti. Braçen e tërheq deputeti i PS-së, Anastas Angjeli).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.