Kulturë

Besim Zekthi/ Në shtëpinë me orendi komuniste të “Nderit të Kombit”

25.11.17 gsh.al

Fatmira NIKOLLI

 

Fëmijë, ai kërcente nëpër dasma. Tiranasit hapnin dyert dhe në oborr ahengu vazhdonte gjatë në gëzime familjare. I vogël ka qenë natyrë e hedhur. I gjatë, i dobët, i shkathët, gjithnjë në humor, në fëmijëri ai nuk zinte vend dhe vallet i kishte pasion. Lala dhe Ija gëzonin kur e shihnin të birin, por asnjëri nuk dinte t’i merrte vallet. “Ija ishte më qejflie, ndërsa lala ishte më i sertë. U pëlqente kur më shihnin, por vetë nuk i dinin vallet”, thotë ikona e valles popullore Besim Zekthi, sot “Nder i Kombit” në një bisedë për “Gazetën Shqiptare”.


Sot, në moshën 81-vjeçare, Besim Zekthi jeton në një pallat të vjetër në rrugën “Mihal Grameno” në Tiranë.
Kam folur dy a tri herë në telefon me Zekthin, kam pyetur nëpër lagje derisa mbërrij në shtëpinë e tij.
Shkallët me pllaka në ngjyrë gri të çojnë në kat të dytë, ku derën e hap Sadija, bashkëshortja e tij dhe dikur, spikere e Ansamblit Popullor.
Kanë të njëjtën shtëpi që kanë ndërtuar me punë vullnetare në rini, të dy burrë e grua. Dy dhoma e një kuzhinë, me hapësirë modeste dhe një arredim po aq modest. Në korridor, një portmonto minimaliste. Dyert janë të drunjta e të bardha, me një pjesë xhami në mes. Ju duhet t’i mbani mend ato dyer. Janë kaq të vjetra, sa i gjeni kryesisht në filmat shqiptarë bardhezi. Mobiliet po të kohës së rinisë së tyre, të vogla, të thjeshta, prej druri. Bufeja, po si atëherë. Është e ulët dhe në të janë vënë me rregull gota të ndryshme. Është paradite, por dielli nuk bie në dhomë. Në shtëpi, syri të zë një kalorifer për ngrohje, ndërsa nga dhoma matanë, veshi të kap zërin e një televizori.


Kjo është shtëpia e “Nderit të Kombit” – krejt e zakontë, krejt e thjeshtë, si ajo e pensionistëve normalë, që me kontributet e tërë jetës, e shkojnë pleqërinë duke ndarë ato pak të holla që marrin mes ushqimit e ilaçeve. Nuk prisja ta gjeja Besim Zekthin të jetonte mes luksit, ai ka jetuar në Shqipëri, dhe ata që e njohin e përshkruajnë si një burrë të ndershëm. Ai nuk është marrë me politikë, as me biznes. Por, nuk prisja gjithsesi ta gjeja në këtë shtëpi, kaq modeste. Perceptimi i parë që të vjen në mendje kur do të shkosh në shtëpinë e një artisti në zë, është ai imazh që i jep qoftë titulli “Mjeshtër i Madh”, qoftë “Nderi i Kombit”. Në mënyrë krejt të pajustifikueshme, nënvetëdija duket se të shtyn të mendosh se një njeri i madh, me emër të madh, që ka bërë punë të mëdha, që ka fituar aq shumë çmime, që ka ngritur në këmbë stadiume spektatorësh me vallet e tij, duhet të ketë, një shtëpi njëfarësoj të madhe, të bardhë, me drita që llamburijnë. Por jo. Jam gabim. Jam në shtëpinë modeste të një burri të madh, që ka pasur siç thotë “një jetë shumë të lodhshme, por shumë të bukur”. Gjithë ç’ka fituar është pasuri morale e shpirtërore. Hiçgjë materiale. Janë ende të freskëta imazhet e shtëpisë së Robert Ndrenikës, që u bënë virale për thjeshtësinë në të cilën jetonte. Duket se ai brez, që bëri art me emër, nuk mundi kurrë të bëjë edhe para, para aq sa u takon emrave që mbajnë.


Besim Zekthi është një burrë krenar. Nuk ia ka ënda të më flasë për shpërblimet e munguara në para, kur është kthyer nga jashtë me çmime e medalje të arta. Edhe titulli “Nderi i Kombit” nuk ka shpërblim monetar. Gjithë titujt që ka marrë kanë bërë që pensioni i tij të jetë diç më shumë se të tjerët. Shkon në jo më shumë se 40 mijë lekë të rinj. Ç’komb dhe ç’vlerësim për nderin e vet.


FËMIJËRIA
“Kam mësuar të kërcej nëpër dasma në Tiranë” thotë Zekthi, duke shtuar se më pas shkoi në ansambël, ku punoi tërë jetën, 50 vjet.
Kujton se në dasma kërcente valle tiranase, valle të tjera popullore shqiptare, devollitçe, dropullite, mirditore, kuksiane, dibrane…

Në dasma shkoja me ijen e me lalën, por edhe me shokë. “Lala kishte shumë kënaqësi kur më shihte të kërceja. Ky do bëhet artist thoshte. Isha shumë impulsiv si temperament, më rrëmbente muzika”. Ishte njeri i mbyllur, po vetë nuk i ka mësuar gjë. “Ija ishte qejflie, por nuk dinte të kërcente. Kënaqësia e jetës së tyre ishte të më shihnin mua kur kërceja”. Po si bëhej muzikë atëherë e pyes. “Me gramafon, ose merrnin instrumente popullore. Sipas krahinës”. Shtëpitë e qerpiçta e kanë parë disa herë Zekthin të djegë shaminë e beqarit nëpër valle. Në fillim shkoi në Filarmoni. Mësoi nga profesorë të ndryshëm deri te rusi Georgi Perkumi. Nga Filarmonia më 1957, shkoi në Ansamblin e Shtetit. Ishte rritur e kishte bërë emër. Ishte tanimë solist dhe binte në sy. “E kisha dhunti të bija në sy. Isha shumë i gjallë”.


Si një ndër yjet e Festivalit të Dizhonit nga ku ansambli mori “Gjerdanin e artë”, Zekthi ka shumë kujtime. Kërceu te “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria”. I yni, ishte një nga ansamblet më të dalluara të botës, kujton, por shqiptari shkëlqeu, duke u quajtur “stuhia shqiptare”. Megjithatë, shteti shqiptar nuk u dha shpërblim atëherë, i çoi vetëm dy javë në Durrës në plazh. Në Francë qëndruan dy javë. Një burrë i gjatë, simpatik, brun, me shpatulla të gjera, ai binte në sy edhe nga pamja. Admirueset ishin disa. Fotografitë e tij të rinisë tregojnë të printuar në letër një burrë tërheqës, që ravijëzon tiparet e një aktori perëndimor, nga ata të posterave.


MARTESA
Sadija dhe Besim Zekthi janë njohur në teatër. Atëkohë, ajo sapo kish mbaruar Liceun Artistik për art dramatik. Kishte shkuar te Teatri për të bërë prova që të shkonte në Akademinë e Arteve. Në një prej herëve që shkoi në teatër njohu edhe Besim Zekthin. Çifti nuk jep shumë detaje se si u bënë të afërt. “Ishte i bukuri i dheut”, thotë e shoqja duke qeshur, “por edhe unë isha pak e mirë. Ja u njohëm, u fejuam dhe ikëm 3 muaj në turne në Kinë dhe në Kore”, thotë Sadija.
Kur e pyes Zekthin se çfarë i bëri përshtypje tek e shoqja, më sheh dhe mendon një hop. “Paraqitja e saj më bëri përshtypje. Pastaj Sadija më dukej shumë e afërt. Më dukej sikur e kisha njohur prej kohësh”. Kujton se bisedonin me kënaqësi me njëri-tjetrin dhe me besim. “Po. E desha menjëherë”. I kujtoj se ka qenë një djalë i gjatë, i bukur, solist që binte në sy në një teatër plot me vajza dhe më pas e pyes se si mundi një vajzë si Sadija ta bënte papritur për vete, kur si 18-vejçar shkonte vetëm të bënte prova në teatër. “Vajza kishte plot aty, por ishte natyra e saj që më bëri për vete. Por edhe simpatike ishte, edhe e qeshur ishte”. Kur e pyes nëse valltaret a balerinat e ngacmonin, Besim Zekthi, bëhet kaq sportiv. Qesh dhe i kujtohet se si kur u fejua, një shoqe nga Ansambli i tha: Po ç’e ke atë, ç’deshe që u fejove me Sadijen, ajo është racë tjetër. Zekthi atë kohë i kishte thënë: Ku di unë ç’është ajo.
Dasma e tyre ka qenë shumë e bukur. “Kishte ardhur e gjithë Tirana për të parë dasmën. Ne kishim hapur dyert dhe dasma u bë tek oborri i shtëpisë së nënës sime. Kam kërcyer gjithë kohën. Të gjitha vallet bashkë me Sadijen”, kujton me nostalgji Besim Zekthi.


E pyes nëse më pas iu bë përkrahje. “Ah, po sigurisht. Shumë e aftë. Jashtëzakonisht e aftë. Kemi kaluar jashtëzakonisht njëri-tjetrin. Jemi dashur shumë dhe e kemi respektuar pa masë njëri-tjetrin”. Kthehem dhe shoh Sadijen nëse bashkëshorti po thotë të vërtetën dhe ajo qesh e pohon. E pyes, nëse Zekthi ka qenë natyrë e vështirë në marrëdhënien mes tyre. “Ka qenë pak natyrë e vështirë, sepse ishte impulsiv. Por, unë isha natyrë tjetër dhe toleroja. I jepte edhe fama pak bezdi, ishte në piedestal. Por unë isha 15 vjet spikere e ansamblit. U martuam, u bëmë me fëmijë. Kemi tri vajza. Atij i kanë ngjarë. Po asnjëra nuk është valltare. Nuk donim, sepse është profesion i vështirë për vajza, sidomos kur bëhen nëna”, thotë Sadija. Zekthi pohon se është sakrificë për një grua të jetë valltare.
E pyes nëse i ka bërë dhurata të shoqes. Pohon dhe thotë se shkonin bashkë nëpër udhëtime jashtë.
“Udhëtimet nuk më bënin përshtypje. Banketet ishin të mira. Por lodheshim shumë. Nuk iknim dot me autobus se kishte radhë për autografe”, thotë Zekthi.
Ka qenë një turne në Francë. Kujton se njëherë para një shfaqjeje në Paris, u thanë se është vënë bombë. Dolën të gjithë jashtë nga teatri dhe u prit derisa u kontrollua i gjithë ambienti. Më pas publiku u kthye në sallë e artistët në skenë. Sukseset ishin të mëdha. Shpesh shfaqjet bëheshin edhe në stadiume. I gjithë stadiumi ngrihej në këmbë. Në Kosovë madje digjnin rrobat dhe i tundin. A ka qenë jetë e bukur e pyes? “Po, e lodhshme, por shumë e bukur, kam marrë shumë kënaqësi”, thotë Zekthi. Nuk ka pasur probleme me regjimin. Sigurisht që në çdo grup që shkonte jashtë, kishte edhe nga ata të Sigurimit, por asnjë problem a pengesë. Ka kërcyer ‘Osman Takën’, shihte valltarë të vjetër e të rinj, vizitonte fshatrat për të marrë frymëzim. Ansambli sot? Sipas tij ka nevojë për vëmendje dhe për punë, por ai nuk do që të ndalet gjatë. Si natyrë krenare, nuk i pëlqen të flasë për çka nuk shkon, madje ndërron temë.

81 vite jetë, çfarë shënon karriera e tij

Besim Zekthi – Mjeshtri i madh ka festuar 81-vjetorin e lindjes. Kërcimtari, ikonë e valles popullore shqiptare, solisti i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, që shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura si: “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” është ndër protagonistët kryesorë, që i dha “Gjerdanin e Artë” vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë, në vitin 1970.
Fillimet e tij artistike janë të vendosura në fëmijërinë e tij, në lëvizjet e atëhershme, në aktivitetet e shtëpive të pionierit. Më 1952 prezantohet në Filarmoninë e Shtetit, në një konkurs ku fitoi me pikët maksimale dhe filloi karrierën si valltar dhe mori pjesë në baletin “Esmeralda” në vitin 1953 dhe “Vallja e shpatave” në viti 1954. Në vitin 1955 kreu shërbimin ushtarak. Me ndarjen e institucioneve, në vitin 1957, krijohet dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, të cilin e drejtonte “Artisti i Popullit”, Çesk Zadeja. Vallja popullore në ecurinë e saj, si traditë dhe vlerë kombëtare shqiptare nuk mund të kuptohet pa përfaqësuesin e saj më të spikatur, Besim Zekthi. Artikulimet për Zekthin janë të shumta, veç morisë së çmimeve, titujve dhe nderimeve, që e kanë ndjekur për katër dekada.
Tek ai, arti në tërësi dhe vallja në veçanti kanë skalitur tiparet e një personazhi që rrezaton. Nga viti 1957 deri në vitin 1990, ai numëron mbi 200 valle të interpretuara si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë shikuesve në mbarë brezat shqiptarë. Shkathtësia, mprehtësia, impulsi dhe dinamika e mjeshtrit të madh kanë mahnitur mijëra e mijëra spektatorë. I cilësuar si kërcimtar plot temperament, energjik, i lehtë, me një mimikë shumë të pasur dhe ekspresive. Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën koreografike të Ansamblit Popullor. Këtë e kanë vërtetuar një seri vallesh të vëna në skenë me sukses të plotë nga artisti i madh. “Dasma e Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, “Valle me motive të Drenicës” etj., janë disa nga veprat e vëna në skenë me koreografi të mjeshtrit. Edhe jashtë kufijve të vendit, Besim Zekthi ka debutuar me shumë sukses në vende të ndryshme të Ballkanit, Europës, Azisë dhe Afrikës,
Për talentin, punën dhe virtuozitetin në interpretimin e valleve popullore, është vlerësuar me dhjetëra çmime dhe trofe të ndryshëm, deri tek ai i fundit, duke mbajtur sot titullin “Mjeshtër i Madh”.

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

  1. Fjaleve,qe thuhen me siper,per kete artist te lindur, ndofta nuk mjaftojne,por une nuk marr dot guximin te bej komente per to.Ndjehem krejtesisht i pafuqishem,te flas ,per kete kollos te artit shquiptar.Vetem kujtoj,si banor ne te njenjten lagje,e rruge me te,se sa here kalonim perpara ballkonit ,qe ishte ne katin e pare,e pershendesnim,bile ne disa raste,kur kishte shume kalimtare,prisnim,te na vinte rralla,se nuk desheronim te kalonim,pa marre edhe buzeqeshjen e tij.Por kujtoj,se vec Besimit,ishte edhe nje tjeter Zekth (nuk jam i sigurte ne se ishte i vellai), qe punonte ne pasurine e shtetit (ndermarje komunale),por jasht pune merrte pjese ne grupin e valleve te Pallatit te kultures “Ali Kelmendi”.Edhe ai ishte valltar e mbrekullueshem,por ndofta eklipsimi nga Besimi,nuk e impenjoi ne balet.Ne kemi edhe disa artiste te tjere te medhenj,ne fusha te ndryshme te artit,por Besim Zekthi,me trupin e tij gjigand,me levizjet e tija te persosura artistikisht,dhe me vallet qe kerceu,disa prej te cilave,shume te vecanta,e karakteristike qe lidheshin edhe me emerin e Shqiperise,i dha atyre nje kuptim SIMBOLIK,prandaj do te desheroja shume qe vec titujve te larte qe i ka merituar,ta konsideroja SIMBOLIN E KOMBIT,se vertete i tille ka qene.Duke e uruar per 81 vjetorin e tij,respekte dhe konsideraten me te larte.

    Përgjigju ↓