KULTURË

Ekspozita/ Endri Dani Artizanët, nga animal laborans te homo faber

09:10 - 02.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

 

Statusi i ri i ‘homo faber’ dhe tejkalimi i gjendjes së ‘animal laborans’ – që për të huazuar termin e famshëm të Hannah Arendt (2001) – kryhet nëpërmjet një procesi që shënon rënie të prodhimit në dobi të realizimit të një dimensioni të ri human, atë të rizbulimit të njeriu “artizan” (R. Sennett, 2008) i aftë për të mësuar nga gabimet dhe tensionet e vazhdueshme drejt përsosjes së gjesteve krijues”. Koncepti kuratorial i ekspozitës “Copper” (Bakri) të artistit shqiptar Endri Dani (çelur në Milano) nis nga jeta e përditshme për të rrokur më pas koncepte filozofike, që i shkojnë për shtat një udhëtimi të vështirë të njeriut (të ri) në Shqipëri. Bëhet fjalë për dy kohë që shënjojnë në mënyrë të pashlyeshme jetët njerëzore në vendin ku humanët u “normalizuan me të pamendueshmen” në vështirësinë e papërballueshme të qenies. Endri Dani e nis nga një histori familjare kërkimin e tij artistik.
Ai evokon në një farë mënyrë jetën personale dhe familjare. Shkas janë bërë vitet e fëmijërisë. Mbante mend ecejaket e nënës së tij dhe të shumë punëtorëve si ajo, artizanë, gra e burra të lirë (?!) që qenë përfshirë disi në prodhimet artizanale të punishteve shtetërore të kohës, që prodhonin për llogari të Republikës Popullore. Nis aty kërkimi artistik që mbërrin në ditët tona, format e kahershme dhe gjurmët e sotme, punishtet e shkatërruara që u “rindërtuan” në forma të tjera, duke ruajtur disi traditën, por tanimë në një formë të re, e me njerëz të lirë, të lirë në liri.


EKSPOZITA
Artisti shqiptar Endri Dani ka çelur në Milano ekspozitën e tij personale “Copper”. Kuruar nga Roberto Lacarbonara, ajo është inauguruar të martën, më 28 nëntor dhe mund të vizitohet deri më 20 janar. Bakri është lënda e parë e përdorur gjatë mijëvjeçarëve për të prodhuar sasi të mëdha zejtarish për përdorim shtëpiak a dekorativ.
Minerali i çmuar është përdorur për një sërë aktivitetesh në zonën e Ballkanit (gjurmët e para datojnë në epokën ilire, shekujt VI-V. Para Krishtit). Zhvillimi i shpejtë i industrisë shqiptare, në fillim të shekullit të njëzetë, kishte imponuar një përshpejtim të proceseve të prodhimit, me rritjen e komercializimit dhe eksportit të produkteve të bakrit, duke përfshirë “filigranët” tradicionalë, objektet zbukuruese a bizhuteritë e dala nga gërshetimi mes pjesëve të salduara dhe filave të holla metalike. Shpërndarja e gjerë e gotave prej bakri a sendeve me filigran, kryesisht për tregun perëndimor evropian dhe aziatik, iu nënshtrua humbjeve drastike në fillim të viteve ’90, me rënien e diktaturës komuniste dhe shkatërrimin e fabrikave shtetërore. Në konceptin kuratorial shënohet se kjo nënkupton braktisjen e papritur të aktiviteteve prodhuese dhe papunësinë masive të punëtorëve. Brenda pak vitesh, megjithatë, forma të reja të artizanëve, më parë të përfshirë në industrinë e përpunimit të bakrit kanë filluar të organizohen në mënyrë të pavarur, duke blerë sasi të vogla të lëndëve të para nga fabrikat franceze dhe gjermane. Dalëngadalë, veprimtaria prodhuese vazhdon kursin e saj në një formë krejtësisht të re: sasi të mëdha telash elektrikë digjen në furra. Fijet e marra shtypen dhe pastaj lakohen sipas përdorimeve dhe modeleve tradicionale.


“Copper” (Bakri), ekspozita e parë personale në Itali e Endri Danit tregon historinë e kësaj metamorfoze të pazakontë të proceseve prodhuese të modernitetit. Një rrëfim nga modeli industrial në atë artizanal; rilindja e ngadaltë dhe e nevojshme e një pune që vazhdimisht mund të rilindë dijen dhe identitetin. Mbyllja e papritur e fabrikave solli një farë zgjuarsie e kthim drejt individualitetit, çka kaloi së pari në një gjendje depersonalizimi dhe tjetërsimi në favor të një vetëdijeje të papritur dhe një fryme të re të organizimit kolektiv. Ekspozita tregon procesin nga fillimi i punës derisa merr pamjen e një shiriti të hollë, ndërsa në mure ekspozohen copat e argjilës së papërpunuar në të cilën mund të shihen modelet dekorative të artefakteve.
Nëpërmjet ekspozimit të përcjellësve elektrikë, të vënë në atë mënyrë që të marrin lëndën e parë për përpunimin e filigranit, Endri Dani tregon udhëtimin e bakrit, nga industritë franko-gjermane në punishtet e artizanëve shqiptarë. Zgjedhja për të mos ekspozuar drejtpërdrejt objektet që tregtohen në fund, thekson ndarjen mes zbukurimeve/sipërfaqes, objekteve dhe mallrave: një vijë që dallon/ndan procesin industrial nga urtësia e shpikjes dhe gjestet e paçmueshme të mençurisë.


Endri Dani (1987) është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Praktika e tij përfshin mediume të ndryshme dhe është e lidhur ngushtë me vendin ai ku jeton me historinë, subjektet dhe objektet e tij. Nuk është herë e parë, që ai sheh me një sy tjetër të shkuarën. 182 cm është projekti fotografik që artisti e ka ekspozuar edhe më parë në “Onufri 2014”. Cikli i fotografive është një ‘dokumentar’, i cili fokusohet në marrëdhënien e njeriut me arkitekturën. Ky projekt e çon artistin në 6 qytete të Shqipërisë në Shkodër, Pogradec, Korçë, Lezhë dhe Tiranë në kërkim të blloqeve të banimit të ndërtuara në periudhën e komunizmit. Të larta sa vetë artisti, 182 cm hyrjet e pallateve dokumentojnë standardin e një sistemi politik, që duket se nuk ka qenë kurrë në gjendje të kuptojë ‘lartësinë’ e vërtetë të njerëzve, të cilët ka udhëhequr për 50 vite. Me këtë projekt, ai këtë vit tërhoqi vëmendjen e revistës ndërkombëtare të arkitekturës, “Detail”. Ai ka marrë pjesë po ashtu në edicionin e tretë të Kochi-Muziris Biennale, event i njohur i artit bashkëkohor zhvillohet në një nga metropolet moderne/kozmopolite të Kochi-t, Indi. Dani në fillim të këtij viti, ekspozoi në Mexico City videoinstalacionin “Souvenir of my homeland”.
Veç Indisë, përmendim pjesëmarrjet e Danit në Bienale si Fin del Mundo apa Marrakech Biennal. Punët e tij gjithashtu janë ekspozuar edhe në muze të artit bashkëkohor si qendra Pompidou dhe MuCem ne Francë, Ludvig Museum në Budapest apo Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë si dhe ka marrë pjesë në projekte të ndryshme në Itali, Nju Jork, Toronto, Berlin, Jeruzalem apo Los Angeles.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.