MILOSAO

Pse e shkroi Dritëroi “Nënë Shqipëri”

11:00 - 03.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Shpëtim ÇUÇKA*




Poema “Nënë Shqipëri” (1974) është vepra më e gjatë në vargje e D. Agollit. Edhe vetëm kjo e dhënë ka peshën e saj në përcaktimin e vendit që poema zë në krijimtarinë e poetit, por edhe në historinë e letërsisë shqiptare në tërësi.
Dhjetë kapituj, një hyrje dhe një mbyllje – vetë kjo ngrehinë e veprës flet shumë për rëndësinë dhe vëmendjen e veçantë që i ka kushtuar poeti kësaj teme, për mendimet dhe përjetimet që ajo ka zgjuar në mendjen dhe vetëdijen e tij që përpara se të ulej të shkruante vargjet e para dhe deri në çastin, kur ai i mbylli përfundimisht fletët e dorëshkrimit dhe e quajti veten të plotësuar me atë që kishte nxjerrë nga duart.
Ç’dëshira e mendime do ta kenë shtyrë D. Agollin drejt hartimit të një vepre të tillë lirike gjithëpërfshirëse? Një arsye mund të ketë qenë patjetër përvjetori i tridhjetë i Çlirimit të vendit nga pushtimi nazifashist, me të gjithë ngarkesën që mbartte ky përvjetor për jetën e vendit. Një arsye tjetër mund të ketë qenë edhe nevoja e poetit për të bërë përgjithësimet e tij artistike jo vetëm të periudhës tridhjetëvjeçare që kishte kaluar shoqëria shqiptare pas çlirimit, por edhe të historisë së luftës dhe pëpjekjeve shekullore të popullit për një shoqëri të mbështetur mbi barazinë dhe drejtësinë reale të qytetarëve. Pa dyshim një arsye ka qenë edhe nevoja e D. Agollit për të parashtruar rritjen e tij si qytetar pas katër dhjetëvjeçarësh jetë dhe si krijues pas rreth dy dhjetëvjeçarësh krijimtari, pra, për të bërë në njëfarë kuptimi një dhënie llogarie të ndershme e me zemër të hapur përpara lexuesve, përpara vetë popullit, bir të të cilit e ndjeu kurdoherë veten, përpara ndërgjegjes së tij qytetare.
Shkruan poeti:

Po hap në poemë fletën e parë, fletën e dytë,
Si fletët e portës ku kurrë s’kam hyrë;
Mbi supet e mi miliona yj çelin e mbyllin sytë;
Pas shpinës sime treni i kohës gjëmon duke shfryrë;
……………………………………………………….
Treni i kohës me yllin e kuq të Nëntorit
Bën dritë mbi portën e re të poemës.

Dhe le të shikojmë se me ç’sy e me ç’zemër e sheh ai vetë poemën, le të përpiqemi të kuptojmë se sa e shtrenjtë ishte poema në përgjithësi, arti poetik, për poetin D. Agolli:

O mushkë xanxare, të dua xanxare,
S’të dua të butë si dele manare,
Të dua të çiltër, të dua të pastër,
S’të dua të fshehtë, s’të dua të ngathët.
Të dy do kalojmë në shtigje plot derte,
Ti mbetu përherë xanxare e serte!

“Jeta është luftë, punë e parreshtur, mund e përpjekje. Dhe poezia nuk mund të jetë thjesht jastëk me pupla, por këngë dhe tinguj që shoqërojnë këtë luftë e këtë punë, këngë dhe tinguj të vetë shpirtit”, – duket sikur thotë me anë të këtyre vargjeve poeti.
Lexojmë më tej:

Mendimet më mblidhen si bletët rreth nënës.
Nënë Shqipëri, nënë Shqipëri!
Trokasin rrokjet, trokasin vargjet,
Trokasin hapat në Jug e Veri,
Trokasin pikat nën strehët e pragjet:
Nënë Shqipëri, nënë Shqipëri!

Përsëri të pranëvendosura dhe të gërshetuara tema e rrugëtimit të jetës dhe tema e këngës së jetës, përsëri dhe përsëri, si një mënyrë e të jetuarit dhe e të përjetuarit të jetës. Dhe gjithçka, edhe rrugëtimi edhe vargëzimi, në ritmikën e zhvillimit të tyre kanë një kumbim: mendimin e mëmëdheut. Të gjitha këto përjetime hyjnë te poema “Nënë Shqipëri” dhe njëkohësisht shërbejnë si hyrje në të, si hyrje e saj.
Të ndalemi te vargjet, ku poeti na e hap zemrën, na rrëfehet:

Nga gjithë qeniet e gjalla poeti
E do ledhatimin më shumë,
Se vuan i varfri, se digjet i shkreti
Për njerëzit natën pa gjumë.

Vargje që na kujtojnë të pavdekshmen poezi të Naimit “Fjalët e qiririt”:

Në mest tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t’u ap pakëzë dritë,
Natënë t’ua bënj dritë.

Vargje që i bëjnë nder D. Agollit dhe i bëjnë nder letërsisë sonë, kulturës sonë.
Duke lexuar “Hyrjen” e duke shkelur në plloçat-vargje të kreut të parë, duke u ndeshur menjëherë me çështjen themelore të kësaj poeme të madhe, me dashurinë për mëmëdheun, lexuesi i vëmendshëm e kupton: pas tridhjetë vjetësh çlirim D. Agolli e ndjeu moralisht të nevojshme ta shprehte në një formë të re dhe në përmasa të reja kuptimin e madh të jetës: dashurinë për mëmëdheun. Se vetëm kjo dashuri e bën njeriun të përpiqet e të luftojë çdo ditë. Të vetëflijohet, në rast nevoje!

Qëndroj para teje,
Ja tek më ke,
Për ty falem,
Për ty bëj be!
…………….
Jeton dashuria për ty,
Se birin tënd s’e thau civilizimi,
S’e thau shekulli i atomit
Dhe i zbritjes në Hënë;
Në buzët e plasura s’iu vyshk belbëzimi,
Belbëzimi i foshnjës që përgjërohet për nënë.
……………………………………………….
Çdo gjë që më dhe trashëgim e kam mbajtur
Kudo që kam shkuar,
Kudo që kam vajtur.

Dashuria e poetit për mëmëdhenë, për nënën Shqipëri, është dashuria për gjithë natyrën e vendit, është dashuria deri në entuziazëm për bukurinë e tokës amtare. Por kjo bukuri nuk është thjesht një kënaqje e syrit. Vendlindja, Shqipëria i duken të bukura jo kujtdo. Ato janë të bukura për syrin e njeriut që e do vendlindjen, që e do Shqipërinë. Dhe shpesh te kjo dashuri ndihen edhe nota të hidhura: kur vendlindja shpërfillet e shpërdoret, kur Shqipëria keqtrajtohet nga vetë bijtë e saj, kur vendi s’ka zot.
Dashuria e poetit për mëmëdhenë, për nënën Shqipëri, është dashuria për këngën popullore, për krijimtarinë e popullit, për krijimtarinë që ecën në gjurmët e krijimtarisë popullore:

Mes dy malesh me dëborë
Ra një trim vetullahollë.
…………………………
O ju, korba, që po nxini,
Sytë e zez, të zez m’i lini,
Të shoh nënë, motër, grua,
Të shoh pragun mos m’u shua!

Po kjo dashuri për krijimtarinë popullore dhe ky vlerësim e kjo nxitje për krijimtarinë që ecën në gjurmët e krijimtarisë popullore e shtyjnë poetin t’i përjetojë pa tolerancë tingujt dhe ritmet që vijnë a sillen nga jashtë, modelet e një produkti, që vetëm art e krijimtari e shëndetshme nuk mund të quhen dhe që ndotin kulturën e një populli ashtu si e ndotin natyrën e këtij populli sjelljet e plehrave të prodhuara në vende të tjera.
Dashuria e poetit për mëmëdhenë përmban dëshirën e shenjtë të poezisë “Mëmëdheu” të Çajupit: ku rroj me gas e me shpresë,/ ku kam dëshirë të vdes. Ja si këndon D. Agolli:

O malet e mi,
………………
Kam marrë shumë nga ju e do marr!
Një copë gur do më jepni kur sytë të mbyll,
Një copë gur do më vini mbi varr
…………………………………..
Dhe unë at’herë do jem me ju i pandarë
Biri juaj në gjirin tuaj do flerë,
Dhe pylli këngës së tij do t’ia marrë
Dhe fyelli i përjetshëm do bjerë:
Vëlla poet, këngëtar i gëzimeve dhe halleve,
Çlodhu pakëz në hijen e maleve!
Te koka në shekuj do rrjedhë burimi,
Mbi gjoks do hedhë fletë të kuqe agimi.
Vëlla poet, këngëtar i tokës e grurit,
Çlodhu pakëz në hijen e gurit.

Dashuria e poetit për mëmëdhenë është dashuria për historinë e vendit, për historinë e popullit, dashuria për agimet dhe perëndimet, për mitet e legjendat. Por në këtë dashuri nuk ka vend për poshtërimet dhe ndotjet që i bëhen historisë së vendit dhe të popullit, ashtu si nuk ka vend për mite dhe legjenda, ku njerëzit dhe popujt poshtërohen.
Dashuria për mëmëdhenë buron edhe nga kohërat e hidhura të mërgimit. Këndojmë vargjet:

Dhe zogjtë e tu të mjerë, të shkretë
Braktisnin të heshtur foletë;
Kabaja qante në gryka e zalle
Për botën e ndrydhur në halle;
Kabaja mbartte hidhërimin e maleve,
Si zemra e vajzës së valëve,
Që priste mbi gurin e zi anës detit
Mbetur si qyqja në mes të rrëmetit.

Dhe ja ç’thotë poeti me gojën e mërgimtarëve:

Rruga jonë, dreq o rrugë,
Zgjatet për një copë bukë,
Shkon në fundin e dynjasë,
Akujve të Kanadasë…

Dashuria e poetit për mëmëdhenë është dashuria për Gjergj Kastriotin dhe Naimin, për Rrapo Hekalin, për Plaku e Vlorës dhe Selam Salarinë, për Avniun nga Libohova dhe Bajramin. Është për këta dhe të tjerë njerëz si këta..
Dashuria e poetit për mëmëdhenë është dashuria syhapët e njeriut që nuk lejon copëtimin e vendit nga të huajt, është dashuria e birit që gërshetohet me urrejtjen e neverinë për ata, emrat e të cilëve janë dëgjuar në historinë e vendit, sidomos në periudha pushtimesh dhe në bashkëpunim me pushtuesit, ndërkohë që populli jetonte i kredhur në mjerim:

Xhambazët që e nxirrnin nënën në pazarin e zi të Ballkanit,
Bënin duva dhe kërcenin rreth kurorës së mbretit,
Trullosur nga tingulli i lirës së arit,
Dehur nga era e temjanit në oborrin e madh të dovletit…
Po tutje Myzeqesë kalbej kallami në baltë,
Kalbej njeriu tok me kallamin e madh si zabel.
Bujkut i vinte dimri mes vapës,
Bujkut i shpinte dimrin mushkonja anofel…
-*-*—*
Dashuria e poetit për mëmëdhenë është ndjenja e thellë e neverisë për jetën e shthurur dhe boshe të disave në mes të mjerimit të gjithë të tjerëve:

O jetë me myk nën qylaf, qostek, borsalinë,
Në dhëmbë të krimbur e tru të mpitë.
Më mirë të ngordhja për bukë diku në bujtinë,
Sesa të kisha të bëja me ty qoftë e një ditë!
……………………………………………..
Fshatarit që dinte të bënte çudira me tokën e ngratë,
Që mund të krijonte nga balta vetë Adamin
Me sy, me veshë, me dhëmbë,
Një hiç-bejlurçinë që kishte në vendin e truve bathë,
I bëhej perëndi, i rrinte mbi kokë, e vinte nën këmbë!…

Dashuria e poetit për mëmëdhenë e njeh edhe ndjenjën e hakmarrjes:

Fshatari të gjitha i di pa letër e libër,
Fshatari librin e tokës mësoi me durim:
“Do vijë patjetër një ditë
Të kërkojmë shpagim,
Të kërkojmë shpagim!..”

Vijon


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.