Intervista

Intervista me profesor Emin Musliu / Pse dëmet janë gati katastrofike, sa herë Shqipëria njeh reshje të mëdha shiu

09:50 - 04.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Monika Shoshori Stafa

 

Prof. dr. Emin Musliu është inxhinier i njohur në fushën e ndërtimit të veprave të mëdha energjetike në Shqipëri gjatë viteve ’70-’80. Musliu ka pasur një aktivitet shumë të gjerë si drejtor teknik në kantieret e HEC-it të Selitës, drejtor i kantierit të ndërtimit të digës së HEC-it në Ulzë, kryeinxhinier gjatë viteve 1958-1960, drejtor i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve të Hidrocentraleve dhe linjave të tensionit të lartë, të stacioneve dhe portave detare. Ai është projektues i HEC-it të Shkopetit, Bistricës 1, Bistricës 2. Ka mbajtur detyrën e zëvendësministrit të Ndërtimit, njëkohësisht duke e ruajtur këtë detyrë, i emëruar dhe drejtor i përgjithshëm i ndërtimit të HEC-it të Vaut të Dejës; drejtor i përgjithshëm i punimeve të HEC-it të Fierzës, deputet dhe ministër i Ndërtimit. Në një intervistë me të në shkurt të vitit 2010, prof. Musliu më shpjegoi se pse dëmet sa herë Shqipëria njeh reshje të mëdha shiu janë kaq të rënda dhe gati katastrofike. Cilat janë ato arsye që qindra shtëpi, me të gjitha ato që posedojnë përfshi edhe bagëtitë, mijëra toka bujqësore dhe dhjetëra shkolla përmbyten çdo herë kur reshjet vijnë furishëm në qiellin shqiptar dhe jetë të pafund njerëzish vihen në rrezik? Kush e përballon këtë kosto dhe si mund të shpëtohet prej kësaj gjendjeje, që përsëritet në mënyrë të vazhdueshme për shqiptarët? A do të ketë ndonjëherë fund ky makth?
Përse janë egërsuar lumenjtë?
Lumenjtë nuk janë egërsuar. Kështu kanë qenë gjithmonë. Në vitin ’56 kam qenë për herë të parë në Drin. Aty erdhi një prurje e madhe rreth 3000 m kub në sekondë. Në dhjetor ’62 dhe janar ’63 erdhi një prurje e jashtëzakonshme, me rreth 4500 m kub ujë në sekondë. Ne në atë kohë sapo filluam skemën për ndërtimin e Drinit. Na bëri përshtypje se u mbyt e gjithë fusha. Në vitin ’70 kur ndërtuam hidrocentralin, në dhjetor përsëri na erdhi një prurje tjetër e madhe. Në ’76, një tjetër prurje po e njëjtë, e madhe. Këto janë prurjet e zakonshme të lumit Drin dhe të Bunës. Po këtu nuk është problemi i këtyre prurjeve, problemi është se çfarë është bërë në këto zona gjatë këtyre 20 viteve? Shkodra në këto 20 vjet ka pësuar shumë ndryshime në pjesën fushore, janë prishur argjinaturat. Gjatë kësaj periudhe janë hedhur shumë mbeturina brenda, duke filluar nga rrënjët e pemëve, në të gjithë basenin e Drinit nga mbeturinat e letrave, janë blloku stacionet e pompimit, kanalet e derdhjes në det. Të gjitha këto kanë sjellë pengesa të mëdha në rrjedhën e Bunës. Tani me gjithë këto ndërhyrje që janë bërë, është bllokuar tërësisht, prandaj ndodhin gjëra të tilla. Duhet kuptuar një gjë, me ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Drin, erdhi dhe pakësimi i prurjeve të mëdha të Drinit. Nëse përpara kalonin deri në 4000 m/kub ujë në sek., me ndërtimin e hidrocentraleve në basenet e tyre kalon gjysma e sasisë së ujit. Kur kam dalë me motoskaf nga ana e palës jugosllave, kam parë disa gjëra të çuditshme. Kishin hedhur në anën e tyre pemë të rrëzuara, blloqe betoni, varka të kthyera përmbys, të gjitha për të kthyer rrjedhën e Drinit në anën tonë. Se ka një rregull ndërkombëtar; mesi i rrjedhës kryesore është kufiri. Kështu që ata kanë shtyrë gjithmonë rrjedhën nga ne, duke na gërryer neve tokën. Është e domosdoshme që të merren masa të shpejta gjatë paneleve të lumit Buna për të mbrojtur tokën.
Sa i njohin autoritetet tona këto probleme?
Themelore për të shpëtuar nga përmbytjet është hartimi i një projekti të detajuar për të zgjidhur të gjitha problemet. Duhet të hartohet preventivi përkatës, duhet bërë grafiku i punimeve për fazat më kryesore me mjetet dhe makineritë e nevojshme dhe moderne, si dhe kapacitetet njerëzore që duhen përdorur. Pa këto të katërta, fjala studim është e pa vlerë.
Ka një ishull pa emër në zonën e Shkodrës? Ç’është?
Ky ishull pa emër ndodhet në fund fare të Bunës është ishulli i Franc Jozefit, njëkohësisht është krijuar edhe një ishull tjetër, që mbeti pa emër se as jugosllavët s’i vunë emër dhe as ne. Po kjo është e vitit 1981. Është krijuar nga prurjet e ndryshme që vinin në Bunë. Aty krijohen depozitime dhe këto depozitime vit pas viti krijojnë atë ishullin që është pa emër atje.
Si hartuat ju një strategji kaq të guximshme, që rezultoi në ndërtimin e suksesshëm të disa hidrocentraleve kryesore në vend?
Në skemën e Drinit që kemi bërë në vitet ’61-’63, ku u miratua ky variant që është në zbatim, janë marrë kritere të jashtëzakonshme për ndërtimin e këtij hidrocentrali. E para, është marrë një prurje me probabilitet një herë në 10 000 vjet, e dyta është marrë tërmeti deri në 9 ballë dmth., që të shkatërrohet e gjithë Shqipëria apo Europa, atëherë mund të ndodhin ato. Pra, po të ndodhë një gjë në kaskadën e Drinit, Shkodra dhe Lezha zhduken komplet. Brenda 4 orëve nuk mbetet gjë. Kemi të bëjmë me aftësitë e njerëzve për të gjykuar drejt mbi studimin dhe projektimin e këtyre veprave, të cilat duhet të kenë siguri maksimale. Ashtu si janë bërë nga projektuesit, ashtu mund të prishen vetëm nga njerëzit. Njeriu e ka dëmtuar shumë mjedisin, ka prerë të gjitha pyjet tona. Prerja e tyre është katastrofë e madhe, sepse krijon terren për erozion, pastaj nuk i mban dot njeri. Ne kemi një fat të madh që jemi 28 mijë km katrorë si shtet, por baseni ujëmbledhës është shumë i madh, është 41.000 km katrorë. Uji është pasuria më e madhe që ka njerëzimi. Nëse nuk i trajton si duhet ujërat, të kthehen në fatkeqësi. Në studime kanë marrë pjesë qindra njerëz, inxhinierë të talentuar hidroteknikë, arkitektë, mekanikë, të cilët u ingranuan në një punë, e cila dha frytet e veta që do të vazhdonte edhe më tej. Këto tri vepra të Drinit janë ndërtuar për 19 vite, ’67 -’86. Në 24 vjet s’ke bërë asgjë, pse? Po ndodh një gjë tjetër shumë e keqe dhe e dëmshme për vendin tonë. Ne kishim në vitin ’61 deri ’70 infrastrukturën më të fuqishme në Europë. Për studimin, projektimin, modelimin hidraulik ishin përcaktuar njerëzit më të shkëlqyer në atë periudhë, të cilët kishin studiuar brenda dhe jashtë vendit. Të gjitha u prishën në vitin ’92. Instituti i Hidrocentraleve u prish, Ndërmarrja Gjeologji-Gjeodezi që kishte specialistë të shkëlqyer u prish. Laboratori i hidraulikës u prish, Instituti Hidrometeorologjik u prish, sikur nuk do kishim më punë me to. Dhe mbeti kjo me hamendjet e njëri dhe tjetrit.
Ju lëndon kjo situatë profesor?
Shumë. I kemi kushtuar jetën kësaj pune dhe kishim atë dëshirën e madhe që të ecte para vendi dhe të përmirësoheshin kushtet e punës në atë sistem që ishte. Është e dhimbshme kjo punë shumë, por kjo korrigjohet. Nuk janë gjëra që nuk korrigjohen kur ke dëshirën e mirë për të ecur para. Ne guxuam në atë kohë, në ’62 të hartonim dy hidrocentrale. Ishte një guxim i jashtëzakonshëm, por jo aventurë. Në ’49-’51 ndërtuam hidrocentralin e Selitës. Unë isha përgjegjës teknik te Mali me Gropa. Ishim në tunel, nuk dija kujt i thoshin tunel, nuk dija asgjë, por në punë e sipër mësohet çdo gjë.
shkurt, 2010
Bashkëbisedoi Monika Stafa


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Per ta vazhduar: kishim nje “insitut te studimeve e projektimit te veprave te kullimit e ujitjes” me ing.te shquar ne kete fushe.Punimet e bonifikimit kane filluar fill mbas clirimit me Keneten e Maliqit per te vazhduar deri ne “kohen moderne” te demokradhise.Vetem inventari i digave te ujembledhsave shkon rreth 670.Qindra Km Kanale kullues e vadites, qindra km argjinatura e kanale te ujrave te larta. dhjetra Hidrovore me kapacitete nga 5 deri 40 Meter kub ne sek.26 rrethe me afersisht 20 Nd.Bonifikimi e 20 Drejtori Ujrash.Ku jane? Shkaterruar e Harruar.Per te mos e zgjatur “ka ardhur koha” qe kombin shqiptar ta Drejtojne TEKNICIENET ne cdo fudhe dhe jo te Paditurit e karagjozet.

    Përgjigju ↓