Kryesore

Isuf Kalo i përgjigjet Liliana Hoxhës: Akuzat e saj qesharake! I uroj shëndet të mirë mendor dhe fizik, s’mund t’u përgjigjem pacienteve të mia

07.12.17 gsh.al

Mjeku personal i Enver Hoxhës, profesor Isuf Kalo, tha dje se nuk kërkon t’u përgjigjet akuzave të zonjës Hoxha, të cilën e cilëson paciente të tij. Në një komunikim telefonik, profesor Kalo, i cili ishte pranë Enver Hoxhës, që prej vitit 1973, vetëm sa i uron shëndet të plotë zonjës Hoxha. Në intervistën e saj për gazetën “Panorama”, Liliana Hoxha e akuzonte profesor Kalon se bashkë me Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë kanë punuar për vdekjen e Enver Hoxhës përmes mjekimit dhe nxjerrjes së autopsisë si vdekje natyrale për shkak të patologjive të shumta që ai kishte.

“Zonjës që akuzon gjithë botën, unë i jam përgjigjur prej kohësh dhe nuk e kuptoj pse vazhdon që të përsërisë veten. Zonja në fjalë njërin e bën agjent të UDB-së, tjetrin agjent të KGB-së, thua se këtu ka qenë qendra botërore e agjenturave. A është për t’u besuar?! Kjo është qesharake. Ajo ka qenë një ndër pacientet e mia dhe unë i uroj shëndet të mirë mendor dhe fizik. Por unë nuk mund t’u përgjigjem pacienteve të mia. Unë do t’ju sugjeroja juve që të pyesnit dhe bashkëshortin e saj, Sokolin, djalin e Enver Hoxhës. A mendon edhe ai njëlloj si bashkëshortja e tij për nënën e tij?!”, tha dje për “Panoramën” profesor Kalo.

Sipas tij, punën si mjek e kanë vlerësuar institucionet e vendit. “Unë kam mbajtur një detyrë zyrtare dhe shtetërore, të cilën e kam përmbushur me profesionalizëm e për të cilën unë kam marrë falenderime dhe dekorata shtetërore”, tha profesor Kalo.

Në një intervistë dhënë për “Panoramën” pak kohë më parë, profesor Kalo është shprehur se dosja mjekësore e Enver Hoxhës, e cila ishte tepër sekrete, është mbajtur në shtëpinë e tij deri kur është bërë ndryshimi i sistemit.

“Në kohën që janë bërë ndryshimet e sistemeve, kartela ka qenë në shtëpi. Nuk di të them nëse ajo mbeti në familje apo gjendet në arkiv. Enveri, vonë, pasi dolën problemet me Mehmet Shehun, është interesuar të dijë se ku është dokumentacioni i tij dhe nuk donte që të kishte akses në të as drejtori i Klinikës speciale dhe as ministri i Shëndetësisë”, është shprehur Kalo.

Liljana Hoxha: Kalo u vetëshpall mjeku personal i Enverit

Liliana Hoxha, nusja e Enver Hoxhës, akuzon Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën dhe mjekun Isuf Kalo si pjesë të komplotit, që nën urdhrat e UDBsë jugosllave vranë përmes ilaçeve Enver Hoxhën, përmes një mjekimi që nisi në 1974-n deri në 1985-n. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zonja Hoxha akuzon profesor Kalon se ishte ai që i pashoqëruar udhë- tonte jashtë vendit për të blerë ilaçet e zgjedhura për Enver Hoxhën. “Isuf Kalo u dëbua nga Enver Hoxha kur rrezikoi jetën e Sokolit në ‘76 për arsye krejt banale, siç është apandesiti.

Rreth vitit ‘77 risillet me skemë shumë të çuditshme nga vetë Nexhmije Hoxha për të më ndjekur mua për një lodhje të vazhdueshme, pasojë e një sëmundjeje endokrine, që ata e dinin mirë, pa qenë në dijeni unë, Sokoli e Enveri. Çka u fsheh në depresion kronik për të vajtur vazhdimisht në Paris për kurim të posaçëm. Kështu më nxirrnin jashtë loje praktikisht nëse qe e mundur, por sidomos ishte pistë për të injoruar zërin tim. Gradualisht, Kalo rikthehet tek Enver Hoxha si diabetologu më i specializuar në Paris.

Për preferencë të Nexhmijes dhe vullnet të tij, vetëquhet mjeku personal, pa dijeni të Enverit, i cili shprehej se nuk donte një të tillë dhe me vetë Kalon tallej për vanitet intelektualizmi. Enver Hoxha nuk e ka ditur skemën e mjekimit të tij të organizuar në sekret nga Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, Isuf Kalo e Sulo Gradeci, gjoja në mbrojtje nga rreziku i Perëndimit, e jo t’i besonte shëndetin e tij Kalos”, shprehet Liliana Hoxha në intervistën e saj. Këtë frymë komploti kundër Enver Hoxhës, Liliana Hoxha e ka shprehur edhe në pikturë, duke portretizuar disa personazhe që për të tregojnë realitetin e asaj që ndodhte në kupolën më të lartë të shtetit komunist.

“Nexhmije Hoxha mbetet prova e gjallë e aktivitetit agjenturor, që ka uzurpuar Shqipërinë, qoftë e fundit për nga politikat europiane, që automatikisht minimalizojnë rolin e tyre. Ndaj, e kam projektuar në art jo si person, por si fenomenin më të rrezikshëm që ka punuar nëndheshëm për vetasimilimin e shqiptarizmit… …Ndaj terrorit psikologjik të vrasjes nëpërmjet mjekimit nga Perëndimi, Enver Hoxha sigurisht që ka qenë dakord me idenë që masat e sigurimit t’ia besojë në parim partisë. Por aksioni “i partisë” konsistonte me marrjen dorazi të medikamenteve vetëm nga Isuf Kalo, me vajtje-ardhje në Paris domosdoshmërisht i vetëm, si i besuari absolut i N.Hoxhës.

Sipas Kalos, Gradecit e Nexhmijes një shoqërues i dytë dhe i tretë, siç ishte rregulli absolut diktatorial, përveç specifikave të sigurimit të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, do të komprometonin sekretin e skemës së blerjes së ilaçeve, ndonëse Kalo “shpëtimtari” mburrej se i blinte çdo herë në farmaci të ndryshme. Alibi qesharake për mundësinë e autorit të helmimit. Kjo çështje kaq e madhe, që kalonte përmasat e “raison d’etat”, kryhej në formën më anekdotike për t’u besuar së paku parimisht, si skemë sigurimi antiperëndim”, shprehet Liliana Hoxha.

Burimi: http://www.panorama.com.al/isuf-kalo-i-pergjigjet-liliana-hoxhes-akuzat-e-saj-qesharake-pyesni-sokolin-a-mendon-njesoj-per-nexhmijen/

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *