Kryesore

INTERVISTA/ Rrëfimi i ish-dhjetoristit, Çollaku: Librat e ndaluar që shkëmbenim me Edi Ramën. Si e kopjonim ‘Frojdin’ dhe kasetat e grupit ‘AC/DC’  

12:34 - 08.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina MADANI




Dhjetor ’90. Ishin ditë të rrezikshme, por plot ëndrra… Studentët ishin në kërkim të ndryshimit. E nisën mesnatën e së shtunës së 8 dhjetorit. Errësira mbulonte qytezën e tyre. U vunë në kërkim të dritës derisa e ndezën atë mes shumë rreziqeve. Nisën kështu përballjen me diktaturën komuniste… Kreshnik Çollaku është njëri nga dëshmitarët e shumtë të  revoltës rinore të 8 dhjetorit 1990. Ai sjell ndërmend për “Gazeta Shqiptare” thirrjet e para të studentëve të së shtunës së 8 dhjetorit, dyndjen e policisë drejt qytezës, shkopinjtë e gomave mbi trupat e të rinjve dhe vendosmërinë e tyre për të mos u kthyer më mbrapsht. Çollaku ishte student i Filologjikut, aty ku guxoi të ngrinte për herë të parë bashke më dy shokët e tij dy gishtat lart…

Z.Çollaku, çfarë mbani mend nga 8 dhjetori i ’90-ës? Si ishte situata në Qytetin Studenti?

Në fakt, 8 dhjetori nuk erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Unë mendoj se një sërë ngjarjesh paraprinë klimën që shpërtheu më 8 dhjetor. Sigurisht çdokush mund të ketë opinionin e tij mbi vlerën e këtyre ngjarjeve. Unë po dëshmoj ato që në bindjen time, ose të paktën për mua personalisht kanë qenë në ngjarjet që paraprinë 8 dhjetorin. Sigurisht, vatra e pareshtur e tensionit së regjimit kishte një kundërshti mbase dhe të organizuar ishte ngjarja në Kavajë dhe sidomos në Shkodër, nga ku lajmet vinin se andej kishte përplasje fizike mes njerëzish dhe forcave të regjimit. Një modë barsoletash antiregjim dukej se vinin nga Shkodra dhe mbanin të motivuar edhe në Tiranë idenë se të ishe kundër regjimit ishte jo vetëm e drejtë për ata që e kishin provuar persekutimin direkt. Kishte edhe nga ata që nuk e kishin këtë fat, e bënte të ishte një ndarje e padeklaruar midis atyre që kishin një pavarësi të mendjes, një dimension kulture dhe intelekti dhe midis atyre që i kishin shpërlarë të gjitha këto nën modelin zyrtar. Pra, të ishe antiregjim, ishte një lloj mode e rrezikshme, por interesante dhe gjithmonë e përherë trendi. Lëvizjet, por edhe barsoletat e Shkodrës, diskutimet, librat e ndaluar, kasetat me muzikë të ndaluar (rokut, hevi metal) që qarkullonin dorë më dorë mes djemve të bordurës së bulevardit në Tiranë ishin si të thuash preambul e asaj çfarë shpërtheu më 8 dhjetor. Djemtë e bordurave të Tiranës dhe disa intelektualë guximtarë si Sali Berisha, Ismail Kadare, Ylli Popa dhe ndonjë tjetër, por jo shumë të tjerë, ishin si të thuash vatra e asaj që mund të quhej disidenca në Tiranë.

Çfarë ishin “djemtë e bordurave”?

Ishte një emër që u krijua vetiu. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë hotel “Dajtit” kishte disa bordura, janë edhe sot më duket. Kjo ishte zona dhe vendi ku mblidheshin një kategori të rinjsh nga 20-vjeçarët, siç isha unë e brezi im deri te 30-35 vjeçarët. Bordurat ishin vendi ku frekuentuesit e tyre në mënyrë të çuditshme kishim krijuar një kod lirie mes njëri-tjetrit. Psh., qarkullonin kaseta me muzike rok ose metal, muzikë e ndaluar në atë kohë. Te bordurat ti kishe besimin se mund të kërkoje një kopje të kasetës ‘AC/DC’ dikujt që edhe nuk e njihje. Mund ta kopjoje diku dhe e ktheje të nesërmen. Kjo vetëm të bordurat mund të ndodhte. Kudo tjetër kjo ishte fatale. Por dhe te bordurat ishte po ashtu e rrezikshme, pasi ishte një besim i verbër te të panjohur, por me një besim okult te vetja se të paktën aty askush nuk tradhtonte tjetrin. Kishte një solidaritet i pashprehur antiregjim te bordurat. E njëjta gjë ndodhte me librat. Kishte libra të ndaluar. Të të kapnin me ndonjë prej tyre ishte vepër penale e kohës dhe rrezikoje dënim. Këto libra qarkullonin mes djemve të bordurave. Po të kujtoj sot rrezikun e kësaj aventure dhe çfarë rrezikohej do të ishte papërgjegjshmëri, por në atë kohë forca që të shtynte drejt kësaj lirie të rrezikshme ishte e papërmbajtshme.

Ju kujtohet ndonjë rast konkret?

Me kujtohet një aventurë e këtij tipi. Një miku im pedagog në atë kohë në Akademinë e Arteve, Shpend Bengu më thotë se po qarkullonte fshehurazi një libër fantastik “5 leksionet e Frojdit për psikanalizën” në italisht. Këto lloj librash qarkullonin me radhë. Në radhë mund të ishin 10-15 veta. Radha ishte sekret. Secili dinte vetëm kë kishte para në radhë e kujt i duhej dorëzuar libri pas tij. Libri ishte super i ndaluar. Iu luta Shpendit të zija radhën që pas tij ta merrja unë. Librin mund ta mbaje dy ose tri ditë. Prisja me padurim që Shpendi të ma dorëzonte librin dhe unë kisha rregulluar një mënyrë klandestine për ta fotokopjuar. Libri po vonohej. Pas një jave më takon Shpendi, librin e kishte mbështjellë me ca gazeta të vjetra në përpjekje për ta fshehur. Unë isha student e Shpendi pedagog, por ngaqë ishim miq, kisha lirinë “t’i kërkoja hesap” se pse e vonoi kaq shumë. “E vonova – tha Shpendi – se ma vonoi ai që e kishte para meje, një koleg pedagog i Arteve, Edi Rama. E mora librin dhe sikur kisha ndonjë bombë me vete, me një frymë ia çova babait të ma fotokopjonte fshehurazi në Institutin e Historisë ku punonte. Vetëm pasi mora fotokopjen bashkë me qortimet e babait tim se isha i papërgjegjshëm dhe aventurier që nuk llogarisja rrezikun që kjo sillte nëse zbulohej. Përveç kësaj klime mes rinisë, dy ngjarje që në bindjen time shkurtuan fitilin e shpërthimit të 8 dhjetorit, ishte arratisja e Ismail Kadaresë dhe shkrimet e Sali Berishës dhe Ylli Popës. Ikja e Kadaresë grisi përfundimisht maskën publike të regjimit, ndërsa shkrimet e Berishës dhe Popës përbënin në një lloj mënyre një platformë të strukturuar dhe të pjekur të disidencës antiregjim. Mbas atyre shkrimeve, pakënaqësia antiregjim kishte një shenjë se mund të zhvillohej në mënyrë të strukturuar statura intelektuale e këtyre personaliteteve ishte një lloj garancie se kundërshtimi ndaj regjimit nuk ishte një çështje disa të rinjsh të revoltuar, por një vullnet i formësuar i shoqërisë shqiptare të asaj kohe.

Si u përfshitë në lëvizjen studentore të dhjetorit?

Unë banoja pranë Qytetit Studenti, në disa pallate që quheshin pallatet e pedagogëve, disa ndërtesa trekatëshe që ishin ndërtuar me punë vullnetare nga vetë pedagogët e universitetit, siç ishte në atë kohe dhe babai im. Në shtëpi tek ne kishte ardhur daja i vogël, Goni. Ishim të përmalluar, pasi Goni si krejt familja e nënës sapo ishin liruar nga internimi dhe kishim vite pa u parë. Në shtëpi ishim unë, Goni dhe motra ime e vogël. Nuk më kujtohet për çfarë arsye prindërit e mi nuk ishin. Dëgjuam disa zëra si të thirrura në grup nga godinat e studentëve. Në fillim mendova se ishte ndonjë ndeshje futbolli dhe se të thirrurat ishin për ndonjë gol, por me pas u dëgjua një shpërthim i fortë. “Diçka po ndodh – më tha Goni – duke u përpjekur të shoh nga dritarja”. Ndërkaq , u dëgjuan sirena zjarrfikësesh dhe nga dritarja vumë re disa makina policie që po futeshin në Qytet Studenti. Më pas thirrjet ishin dhe më të forta. Çuditërisht e vetmja fjalë që dëgjohej qartë ishte “poshtë…”. “Plasi më duket” – më tha daja. Po shiheshim në sy të pavendosur se çfarë do bënim dhe se dënim se çfarë po ndodhte. Ndërkohë nga dritarja u dukën siluetat e një grupi studentësh që po zbrisnin duke bërtitur poshtë Rrugës “Budi”, gati poshtë dritares sime. Dalim – i thashë dajës. – Dalim – më tha – por këta po përplasen me policinë, ndaj vish ndonjë gjë të trashë që po na gjuajtën me shkopinj gome, ta kesh si mbrojtëse për trupin. Vesha sa bluza që kisha dhe dolëm. Vazhduam drejt vendit ku kishte kaluar grupi i studentëve. Ndërkohë, mesa duket kishte filluar përplasja e parë me policinë se shihnim disa që po ktheheshin me vrap e disa vajza që bërtisnin. Duke mos kuptuar ç’po ndodhte, u gjendëm përballë meje një grup policësh që po vinin përballë gati me vrap. Nuk e di si shpëtuam pa ndonjë shkop gome në kurriz. Ajo që më bëri përshtypje ishin të sharat e ndyra të policëve dhe helmetat e zeza mbi kokë.

Si filloi “rebelimi” në fakultetin e Filologjikut ku ju studionit?

Të nesërmen e 8 dhjetorit që në mëngjes vajta të sheshi i Qytetit Studenti, sigurisht prindërve u thashë se po shkoja në leksion. Në Qytet Studenti kishte grupe studentësh. Të gjithë flisnin për ngjarjen e një natë më parë. U mblodhëm të sheshi para mensës. Secili përpiqej të fliste. Asnjëri nuk e mbaronte deri në fund atë që donte të thoshte se dikush tjetër ndërhynte e jepte mendim. Kujtoj se një djalë me një xhup të zi lëkure u ngjit mbi ca shkallë e sikur u imponoi një lloj heshtje të tjerëve, edhe pse zërin e kishte krejt të ngjirur. Shkoni nëpër fakultetet tuaja dhe thirrini të vinë këtu studentët. Asnjë të mos shkojë në mësim. Mos u trembni – tha – nuk ju gjen asgjë asnjërin nga ju pa më gjet mua, ju betohem në kokën e dy fëmijëve të mi. Më ngelën në mendje fjalët, por edhe toni i sigurt që i shqiptoi. Na dha siguri e një kurajë të brishtë, por që edhe për të kishim nevojë në ato çaste. Ishte Azem Hajdari. Sot sa herë i shoh dy fëmijët e rritur të Azemit, Kirin dhe Rudinën më kujtohen ato fjalë e mendoj se unë u futa në politikë prej betimit të Azemit mbi kokën e tyre.

Kush ishin pedagogët e parë që ju mbështetën?

E përmenda më sipër, kishte një klimë që e parapriu datën 8 dhjetor. Po ju tregoj dhe këtu një histori personale. Në atë kohë isha në vitin e tretë në fakultet. Kishim një orë leksioni filozofie, që aso kohe e quanin marksizëm. Ishte rutinë që pedagogët para se të fillonte ora e mësimit bënin apelin dhe ne duhej të ngriheshim në këmbë, kur na thërritej emri të paraqitnim prezencën. Me dy shokë të tjerë ramë dakord që kur të na thërriste emrin pedagogia, të ngriheshim në këmbë e të ngrinim lart dy gishta kur të bënim prezencën. Ashtu ndodhi. Dy shokëve të mi u fillonte emri njërit me A (Armand Mero, gazetar i njohur sot) dhe tjetri me M (Miran Kraja sot një biznesmen i suksesshëm). Në fillim u ngrit Mandi pas apelit u përgjigj “këtu” e ngriti dorën me dy gishta. Mesa duket pedagogia mendoi se qe rastësi e nuk e dha veten. Shokët e tjerë të grupit e vunë re dhe filloi një pëshpëritje e lehtë. Më pas i erdhi radha Mirit. Edhe ai bëri të njëjtën gjë, në këmbë me dy gishta lart dhe tha “këtu”. Pëshpërimat e shokëve u shtuan dhe pedagogia kuptoi se po ndodhte diçka, u skuq pak dhe vrenjti sytë. Në fund erdhi radha ime, u ngrita dhe përsërita të njëjtin veprim me dy gishta lart. U duk qartë se po e bënim me qëllim. E kuptuan shokët e kursit, e kuptoi edhe pedagogia, e cila u vu në pozitë të vështirë. E acaruar tha vetëm kaq: “Armand, Miran e Kreshnik në fund të orës mos u largoni”.

U ‘ndëshkuat’ nga pedagogia për veprimin që bëtë?

Mësimi ishte thuajse i shthurur. Sapo ra zilja e mbarimit, ne të tre ndenjëm në klasë sipas kërkesës së pedagoges. Çfarë nuk mendonim. E sigurt ishte ndonjë dënim ose ndonjë masë. Pedagogia doli dhe pas pak u fut në klasë duke mbyllur derën. Na u afrua dhe na tha “çfarë ishte ajo që bëtë? Mua gjetët të ma bëni këtë? Po të jeni burra, shkoni e bëni diku tjetër, jo mua këtu. Ikni tani e kini mendjen”. Kur dolëm nuk po e besonim ç’ndodhi. Toni i pedagoges edhe pse qortues, ishte qartësisht një nxitje dhe solidaritet për më tej. Në datën 9 dhjetor pas takimit në shesh, vajta të shoh se çfarë bëhej në fakultet, pashë se ishte ngjitur një tabelë letre e madhe me kërkesat e studenteve dhe kishte grupe studentësh që nxisnin shokët të mos futeshin në mësim, por të mblidheshin në Qytet Studenti, nëpër shkallë rastësisht përballem me pedagogen e filozofisë. Sa e pashë i thashë: “E mbajtëm fjalën profesore, i ngritëm gishtat dhe aty ku duhet”. Ajo e buzëqeshur me tha hajde të të përqafoj, (nuk ishte gjë e zakontë të të përqafonte pedagogia). Më përqafoi dhe duke m’u afrua e me zë të ulët më tha: “Shumë mirë e betë, tani mos u tërhiqni”. Ashtu bashkë vajtëm në një sallë ku kishin hyrë brenda tre- katër studentë. Ajo hyri në klasë e më ton përçmues u tha. “S’keni turp, pse me katër studentë do të bëj mësim unë? Dilni jashtë edhe ju” dhe iku nga klasa. Unë u kënaqa. Më shtrëngoi dhe një herë fort dorën pasi u ndamë. Nuk e kam parë më prej asaj kohe, por e ruaj me shumë respekt në kujtesë dhe nuk e harroj kurrë mbështetjen që na dha në mënyrën e vet në ato ditë të vështira e plot rrezik. Si pedagogia e Filozofisë pati edhe shumë të tjerë, që në një formë a në një tjetër heshtur ose me fjalë nxitën e mbështetën atë çfarë po bënim ne. Sigurisht kishte dhe pedagogë të tjerë që ulërinin e kërcënonin korridoreve, por tashmë ai ishte shndërruar në një lum që nuk ndalej dot më nga asnjë kërcënim.

Si e mbani mend Sali Berishën në atë periudhë?

Sali Berisha ishte një ndër intelektualët e njohur të kohës. Shquhej si kirurg ndër më të mirët. Madje, thuhej se ishte i pari që kishte arritur të realizonte një ndër operacionet e zemrës më të ndërlikuarat e në mënyrë moderne sa edhe nëpër Evropë ishin të pakët ata që e bënin. Unë kisha lexuar shkrimet e tij të botuara në ato kohë. Siç e thashë më parë, ishte një ndër garancitë se revolta nuk ishte vetëm çështje e disa të rinjve të pakënaqur, por një vullnet i pjekur i intelektualëve mendjehapur të kohës. Babi im në atë kohë kalonte shumë kohë në Bibliotekën Kombëtare, ku përgjithësisht mblidheshin intelektualë e studiues të shkencës. E njihte doktor Berishën në kafet e përbashkëta dhe natyrisht bisedonin mbi e për ngjarjet. Babai ma përshkruante si një njeri me karakter të fortë, me ide e mendime moderne dhe i emancipuar, me shumë kulturë dhe mbi të gjitha kurajoz. Më tregonte se kjo kurajë për të thënë të vërtetat ishte bërë një lloj nxitje dhe mbështetje dhe për intelektualë të tjerë, të cilët mendonin ngjashëm, por druanin të flisnin. Kafet e Pallatit të Kulturës ishin kthyer me doktor Berishën në një lloj qendre ku intelektualë e studiues të kohës po fillonin të artikulonin hapur ide e qëndrime kritike ndaj regjimit. Kështu e njihja unë atë kohë doktor Berishën, nga fjalët e babait tim, por pa e njohur e takuar kurrë deri në ditën kur Berisha erdhi në Qytet Studenti.

Çfarë kujtoni nga takimi i parë i z.Berisha me studentët…?

Ishte hera e parë që unë bëja lidhjen midis figurës së Sali Berishës dhe atyre që kisha dëgjuar për të. Në atë kohë në Qytet Studenti vinin shumë intelektualë, pedagogë, studentë, njerëz të thjeshtë që flisnin përmes brohorimave të studentëve në shesh. Të gjithë artikulonin fraza kundër regjimit, dikush më ashpër e dikush më me kujdes. Pak prej tyre arrinin të impononin qetësi në shesh, aq sa gjysma e fjalëve që thoshin nuk dëgjohej fare. Në një moment fjalën e merr Sali Berisha dhe vura re se vetiu në shesh pasoi një lloj qetësie, që ishte vëmendje për ta dëgjuar. Dy elemente më bënë përshtypje të fortë në fjalën e tij. Berisha ishte i pari nga gjithë folësit në shesh, që iu drejtua protestuesve duke iu drejtuar “Zonja dhe zotërinj”. Ishte e pazakontë në atë kohë ky term. Ishte thuajse tabu. Ndaj kur Sali Berisha iu drejtua njerëzve me “Zonja e zotërinj” pati një reagim të menjëhershëm nga të gjithë. Nuk e di si u ndjenë të tjerët, por mua personalisht mu duk sikur ajo mënyrë u dha një lloj dinjiteti protestuesve dhe ishte shenjë e thellë se kontrasti mes protestës dhe regjimit fillonte e do të shkonte në një përmbysje radikale vlerash e rikthim në Shqipërinë e fisnikërisë dhe respektit për dinjitetin njerëzor. Elementi i dytë që më bëri përshtypje në fjalën e Berishës ishte se ai iu referua “Kosovës Martirë” dhe çështjes kombëtare. Tema e Kosovës dhe Bashkimit Kombëtar ishte gjithashtu një tabu e kohës. Për Kosovën nuk mund të flitej më shumë seç lejonte korniza zyrtare e kohës. Të dilje jashtë asaj kornizë mund të përbente probleme më tej. Berisha insistoi fort në fjalën e tij te Kosova. E ndjeva mirë, pasi unë isha i biri i një historiani që më kishte folur gjatë e me dhimbje për Kosovën e fatet e saj edhe jashtë kornizës zyrtare, por sidoqoftë në atë moment, me pjekurinë e një 20-vjeçari e pata të vështirë të bej lidhjen pse Berisha në atë moment duhej të përmendte Kosovën. Përgjigjen në fakt e kam realizuar në vitet më pas, ku Kosova dhe çështja kombëtare kanë qenë herë në mënyrë të bindur, herë të pabindur motivuesit kryesor të vullnetit politik të Sali Berishës. Besoj se z.Berisha dhe intelektualë të tjerë që iu bashkuan protestës, por sidomos Berisha, ka përbërë faktorin përcaktues që ajo lëvizje nga një protestë revoltë e disa të rinjve të pakënaqur e kundërshtarë të regjimit të kthehej në një vullnet e projekt politik si PD-ja, që do të realizonte përmbysjen e madhe dhe hapjen e një kapitulli të tij politik e historik për Shqipërinë. Besoj ky është kontributi thelbësor që intelektualët e kohës e mes tyre në mënyrë të spikatur Sali Berisha orientuan lëvizjen, formatuan aksionin e shndërrimit nga një lëvizje rebelësh, në një fenomen politik në Shqipërinë e viteve ’90.

Si rrodhën ngjarjet pas 8 dhjetorit dhe a kishte dilema mes studentëve, nëse duhej vazhduar më tej apo jo?

Krijimi në gjirin e lëvizjes studentore të PD-së zgjidhi çdo dilemë nëse lëvizja e protesta duhej apo jo të vazhdonte. Krijimi i PD-së i dha një fuqi lëvizjes dhe garantoi më tej që forca e saj e projektuar në një parti politike të realizonte përmbysjen e madhe dhe triumfin vetë lëvizjes studentore në 22 mars ’92.

Ish-dhjetoristët 27 vite më parë ishin të gjithë të bashkuar me një mision të përbashkët, rrëzimin e diktaturës, por prej vitesh festojnë të ndarë 8 dhjetorit. Pse ndodh një gjë e tillë? Çfarë i përçau ndër vite ish-dhjetoristët?

Lëvizja studentore ishte e natyrshme, spontane. Çfarë na bëri bashkë në atë shesh ishte pakënaqësi, revolta, refuzimi ndaj regjimit dhe nevoja për ndryshim. Pasi ndryshimi erdhi në mënyrë po aq të natyrshme çdokush do të ndiqte e realizonte ambiciet e qëllimet e tij në jetë. Në atë kohë, ne ishim bashkë, por nuk ishim njësoj. Kishim prejardhje e histori të ndryshme, ambicie të ndryshme, formime të ndryshme. Dikush zgjodhi të ndjekë jetën e vet pa u përzier me politikën. Dikush zgjodhi të ndjekë angazhimin politik. Pluralizmi lejonte mundësinë që çdokush të zhvillonte bindjet dhe ambiciet e tij. Dikush me sukses e dikush, pa sukses. Por kjo është jeta dhe është krejt logjike të ndodhte kështu. Sot rastis që pjesëtarë të asaj lëvizjeje të ndodhemi në kampe të ndryshme politike e shpeshherë edhe rivale. Por as kjo nuk është një dramë, pasi secili kudo zgjedh të jetë apo të zhvillojë politike sado në rivalitet me njëri-tjetrin mban dhe ndan me këdo pjesëtarë të asaj lëvizjeje nderin kontributin për produktin e asaj lëvizje, produktin e një Shqipërie më të mirë e më të zhvilluar. Po sot dhjetoristët mund të jenë të shpërndarë në formacione të ndryshme politike, shumë prej tyre mbase nuk merren më me politikë, por një gjë e them me bindje, në asnjë bashkësi njerëzish si në atë bashkësi, njerëzish (dhjetoristët) nuk ekziston kultura se “mund të mos biem dakord, por është e pamundur të mos merremi vesh”. Unë besoj kjo frymë mirëkuptimi dhe kulture të pranimit dhe të atij që ke kundër në bindje apo qëndrime është një ndër kontributet që ajo lëvizje ia ka lënë trashëgimi shoqërisë shqiptare, qoftë asaj politike qoftë asaj apolitike.

Pse nuk protestoi këtë herë PD-ja me 8 dhjetor?

PD ka një axhendë të plotë përkujtimi të ngjarjeve të dhjetorit. Në datë 8 dhjetor ka një aktivitet shumë interesant të FRPD në Qytetin Studenti dhe në datë 11 PD-ja ka një tjetër aktivitet përkujtimor në Tiranë. Përsa u përket protestave, kam bindjen personale se protestat nuk janë qëllim në vetvete. Protestat nuk mund të shërbejnë as si sfidë për axhenda të ditës politike apo partiake. Nuk jam shumë simpatizant i protestave sensibilizuese apo figurative. Besoj se kur të zbresë opozita e vendit në protestë, nuk ka kthim më mbrapa dhe se nëse opozita zbret në proteste, qeveria nuk mund të kthehet më nëpër zyra, pasi po në atë çast duhet të rrezohet. Mendoj se jemi afër këtij momenti. Kur opozita të zbresë në sheshe, qeveria duhet rrëzohet, ketë lloj proteste preferoj dhe besoj koha e një proteste të tillë është shumë afër.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. ne ditet qe pershkruan zoteria kam qene gozha ne moshe ,e martuar dhe me femije ,i ndiqja ngjarjet si pjesa me e madhe e popullit edhe per faktin qe jam intelektuala,lezoja me nje fryme gazetat dhe te them te drejten smbaj mend ndonje shkrim te sali berishes,po hebitem si te me kene shpetuar shkrime te sali berishes.te me fal zoteria po e kam gabim,i kerkoj ndjes

    Përgjigju ↓