Kryesore

Heronjtë e ajrit, Hasani: Si i shpëtuam të përmbyturit. Rasti më i vështirë, nxjerrja me vinç e qytetarëve

11:00 - 09.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Ina ALLKANJARI

 

Prej 30 vitesh ai jeton mes ajrit e tokës, në shërbim të qytetarëve që gjenden në vështirësi të mëdha. Sot është komandant i bazës ajrore të Farkës, por fluturimi për të është adrenalinë. Në mes të rrezikut apo rehatllëkut, ai zgjedh gjithnjë të parën, sepse të shpëtosh jetë njerëzish për të ka vlerë të pakrahasueshme. Në 50-vjetorin e krijimit të kësaj baze ajrore, e vetmja në Shqipëri, kolonel Kuto Hasani na rrëfen misionin më të fundit të djemve të tij për shpëtimin e qytetarëve nga përmbytjet e fundnëntorit e fillimdhjetorit 2017, vështirësitë, pamundësinë ndonjë rast për shkak të kushteve atmosferike, por edhe lajmin e mirë që puna e heronjve të ajrit shpërblehet…
Zoti Hasani, pak ditë më parë ishte 50-vjetori i krijimit të bazës ajrore, që përkoi me 105-vjetorin e formimit të ushtrisë shqiptare. Si ishte ceremonia e organizuar me këtë rast?
Fatmirësisht 105-vjetori i formimit të ushtrisë shqiptare rezultoi të ishte në të njëjtën ditë me 50-vjetorin e krijimit të bazës ajrore të farkës. Në këtë kuadër, organizimi ishte i përbashkët. Filloi në datën 5 dhjetor me ceremoninë e organizuar në sheshin “Nënë Tereza”, nga autoritetet më të larta të shtetit shqiptar, duke filluar nga presidenti, ministri i Mbrojtjes dhe personalitete të tjera. Ishte një organizim shtetëror dhe në këtë kuadër u fut dhe 50- vjetori i bazës. Në këtë aktivitet Baza Ajrore Farkë u nderua me medaljen “Repart i Shquar”, akorduar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Forcat Ajrore u angazhuan javën që shkoi për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura. A ishit të përgatitur për të përballuar situatën e rëndë që u shkaktua nga reshjet?
Situata të tilla nuk janë të panjohura për procedurën normale të punës sonë. Veçoria në situata të tilla ka të bëjë me vështirësinë e misionit, vështirësinë e detyrë që do të kryesh, sepse je në një situatë që kërkon të veprohet shumë shpejt dhe shumë saktë. Situata e fundit nuk na gjeti të papërgatitur, sepse ne kemi një eksperiencë disavjeçare. Fatkeqësisht, situata të tilla jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon po përsëriten shpesh, por ne jemi plotësisht të përgatitur si për përmbytjet për situatat e bllokimit nga bora, edhe për emergjenca të tjera. Uroj që mos të kemi tërmete, sepse ato janë shumë fatale dhe ne nuk kemi shumë përvojë. Por në të gjitha llojet e emergjencave të tjera, aksidentet ajrore, tokësore, detare ne kemi një eksperiencë të admirueshme dhe stafet janë të trajnuara.
A janë trajnuar efektivët e Forcave Ajrore për të përballuar fatkeqësitë natyrore?
Ne kemi një privilegj që trajnimi, certifikimi bëhet gjithmonë jashtë shtetit. Unë si komandant jam më komod se homologët e mi për të përcaktuar efektivin, mjetet dhe për t’i dalë për zot situatës, sepse i kanë kushtet në një nivel më të lart se të tjerët. Është marrë eksperienca më e mirë botërore, është shpenzuar lekë nga shteti shqiptar për t’i falënderuar këta njerëz në këto lloj emergjencash, në mënyrën më të mirë të mundshme.
Çfarë masash morët në lidhje me përmbytjen?
Rasti i fundit i përmbytjeve fatmirësisht zgjati për një periudhë të shkurtër kohore. Ne morëm masat dhe vendosëm në dispozicion 4 helikopterë. Një helikopter ishte i mirëfilltë për emergjenca mjekësore, i cili u angazhua jo më pak se dy raste gjatë kësaj situate. Vendosëm në gatishmëri dy helikopterë ‘Cougar’, në variantin transport civilësh dhe mjetesh për ndihmë nga ajri dhe një helikopter ‘Ec145’ në varianti “kërkim dhe shpëtim”. Pjesën tjetër i vendosëm në gatishmëri në repart, në qoftë se do kishim emergjencë më madhore.
Ku konsistoi ndërhyrja e Forcave Ajrore?
Angazhimi konsistoi kryesisht në inspektime nga ajri dhe në kontrolle të situatave që kërkonin ndërhyrje emergjente. Kulmi i të gjithë operacionit pjesëmarrës ishte me ndërhyrjen që bëmë me helikopterin ‘EC145’ për të nxjerrë njerëzit nga shtëpitë e përmbytura me vinç.
Cilat ishin vështirësitë që hasët gjatë evakuimit të banorëve?
Hasëm dy raste të vështira dhe në një mision dështuam. Ditën e parë patëm një emergjencë civile të një ushtaraku të Forcave të Ndërlidhjes, i cili duhet të shkonte në Gllavë. Gjatë situatës së përmbytjes u rrëzua një pemë sipër një makine. U bë e pamundura, fillimisht u nis njëri prej helikopterëve, por për arsye të mjegullës dhe erës së jashtëzakonshme nuk u ul dot tek zona e antenave në Dajt. Pas një ore, duke qenë se po vonohej nxjerrja e personit, ndërhymë prapë me helikopterë të ushtrisë ‘EC145’. Në këtë mision kam qenë vetë pilotë së bashku me zëvendëskomandën e grupit të ‘EC145’. Tentuam dy herë të uleshim në rrugën kryesore të Dajtit, por ishte e pamundur për shkak të erës, e cila kaloi mbi 40 km në orë. Ndërkohë që Rinasi i bllokoi fluturimet ne ishim në ajër dhe eprorët tanë kaluan në alert. Ne bëmë detyrën tonë, por nuk mundëm të ndërhynim. Në këtë mënyrë, personi i bllokuar u transportua në linjë tokësore me ambulancat e ushtrisë dhe u dërgua në spital.
Po gjatë misionit tuaj, patët raste të kundërshtimit të banorëve të prekur nga përmbytja për të mos u evakuuar nga banesat e tyre?
Në rastin e dytë ndërhymë në zonën e Fushë-Krujës dhe u nxorën nga shtëpitë 11 persona. Ditën tjetër që përmbytja kaloi në zonën e Vlorës, përsëri i angazhuam të dy helikopterët ‘Cougar’ dhe ‘EC145’, por nuk patëm detyra konkrete, ishte inspektim, vlerësim. Ndërhymë në një situatë, por u hasëm me një problem, sepse civilët që ishin në zonën e rrezikuar nuk pranuan të hipnin në helikopter për shumë arsye. Dikush dëshiron të ruajë banesën, dikush tjetër mund të ndjejë frikën e shpëtimit nga ajri. Në këtë pikë kërkesa ime si komandant është mirëkuptimi që duhet të kemi me civilët. Ne ndërhyjmë atje ku rreziku është i madh dhe është e paimagjinueshme që disa civilë nuk e pranojnë këtë lloj ndërhyrjeje. Duhet të respektojnë të gjithë sakrificën tonë për t’i shpëtuar dhe duhet të kuptojnë që në momentin që ne ndërhyjmë, është me të vërtetë një situatë rreziku.
Kur zë fill lidhja juaj me aviacionin?
Unë i takoj brezit të ushtarakëve që relativisht quhemi të vjetër. Jemi një brez që kemi jetuar dhe punuar gati 30 vjet në Forcat Ajrore si pilotë. Përvoja ime dhe lidhja me aviacionin ka filluar që prej vitit 1985, me përfundimin e shkollës së aviacionit, që në atë kohë ishte në Vlorë. Me përfundimin e shkollës, një pjesë e jona, përfshirë edhe mua, qëndruam instruktorë për pilot pranë kësaj akademie, duke përgatitur breza pilotësh. Detyrë të cilën e kreva për jo më pak se 12 vjet deri në vitet 2002. Më vonë u morën vendimet politike për ndërprerjen e fluturimeve me avion reaktiv në Republikën e Shqipërisë dhe detyrimisht u vendos sistemi i ri i fluturimit, helikopterët. Më vonë kalova shef operacional në bazë, më pas shef shtabi në bazë, shef i sigurisë së fluturimit në Forcën Ajrore, shef i shtabit të Forcave Ajrore, detyrë të cilën e kisha deri në vitin 2014. Tani mbaj pozicionin e komandantit të Bazës Ajrore të Farkës.
Cili është historiku i Bazës Ajrore të Farkës?
Në dhjetor të vitit 1967, Baza Ajrore e Farkës ka marrë emërtimin dhe flamurin luftarak, pasi u pajis plotësisht me rreth 38 helikopterë. Ka qenë e vetmja bazë me helikopterë në Republikën e Shqipërisë nga viti ’67 e në vazhdim dhe sot është e vetmja bazë aktive e Forcës Ajrore. Historiku i kësaj baze, me gjithë ndryshimet që ndodhën në Shqipëri, është i pandërprerë.
Cila është veçoria e pozicionit tuaj si komandant?
Nuk mund ta fsheh dëshirën time për fluturim, pasi është adrenalinë. Përpos përgatitjes teorike, shkollimit dhe sjelljes, në fluturim jam i detyruar ta ndjek vartësin që të kuptoj nivelin e tij si pilot. Veçoria e pozicionit si komandat ka qenë është dhe do të jetë që komandanti është edhe pilot i thjesht. Kur fluturoj, unë jam pilot. Fluturimi ka rregulla strikte, nuk ka grada. Që të bëj një vlerësim sa më real të vartësve, duhet t’i njoh ata dhe në ajër.
Çfarë vështirësish hasni gjatë punës suaj?
Vështirësitë e komandantit dhe të pilotit janë të ndara. Në përvojën time dhe konceptim tim, detyra e komandantit është më e thjeshtë se ajo e liderit. Profesioni ynë të vë në pozitë, sepse duhet të bësh rolin e liderit. Çka nënkupton që duhet të futesh në botën e pilotit përpara se ta urdhërosh atë, duhet të njohësh gjendjen e tij shpirtërore, financiare, problemet që ka në familje, problemet shoqërore. Te efektivi fluturues duhet të shkrihesh me të, ndryshe do rrezikosh, pasi në një moment që nuk njeh situatën, nuk njeh pilotin dhe jep një urdhër që nuk mund ta përballojë si person, atëherë i vendos jetën në rrezik. Është me të vërtet një profesion shumë i vështirë, që kërkon gjithë kohës që këta njerëz të jenë sa më në formë për ta kryer detyrën. Ky element të vendos në vështirësi si drejtues, sepse duhet ta vlerësosh në të gjithë aspektin një person. Duhet të marrim vendime sa më të sakta me personat e duhur, kjo është vështirësia e punës si komandant. Duhet të jesh i bindur që në momentin që jep një urdhër, nuk do preken elementët e sigurisë së fluturimit.
Cili është momenti më i veçantë gjatë karrierës suaj si pilot?
Si operacione të veçanta më vjen në kujtesë shpëtimi i një vajze në zonën e Tepelenës, ishte shtatzënë me rrezik dështimi dhe me shumë probleme, koha ishte tepër e keqe. Kjo situatë ka ndodhur rreth vitit 2007. Arritëm që vajzën ta shpëtonim, por foshnja nuk mundi të mbijetonte. Lindja filloi në ajër dhe vajza arriti të shpëtonte.
Momenti më i vështirë…
Nga viti ’67 deri në vitet ’90, në këtë bazë ka pasur vetëm një incident të rëndë. Më 22 nëntor 1989 humbën jetën 23 njerëz. Efektivë të Forcave Ajrore u dërguan me helikopter në të dalë të Himarës për të shpëtuar 14 studentët dhe 3 pedagogët e Institutit Bujqësor, pasi autobusi që ata udhëtonin ishte rrëzuar afërsi të Himarës. Pavarësisht vullnetit dhe dëshirës të ushtarëve të Bazës Ajrore të Farkës për të shpëtuar njerëzit, për shkak të kohës jo të përshtatshme për të kryer misionin humanitar, ata iu bashkuan të njëjtit fat, asnjë nuk mbijetoi.
Një jetë me punë që ka shumë risk, keni sigurim jete?
Për sa u përket ndryshimeve në paketën ligjore është realizuar siguracioni i mjeteve ajrore, është një element që nuk e kemi pasur më parë. Është i kushtueshëm, por edhe i domosdoshëm, i cili realizohet nga Ministria e Mbrojtjes çdo vit. Gjithashtu, është siguracioni i jetës së efektivit fluturues, një siguracion i veçantë jete për rrezikshmërinë e lartë që kemi në punë. Në rast incidenti, familjet janë totalisht të siguruara.
Çfarë shpërblimi merr një efektiv kur humb jetën në detyrë?
Në incidentin e fundit të Bazës Ajrore që u vranë dy pilotë, humbja ishte shumë e madhe, e parikuperueshme, por familjet të paktën nga ana financiare nuk e ndjejnë falë sigurimit të jetës, që është rreth 180 mijë dollarë.
Merrni shpërblime për operacionet ajrore?
Po marrim, kjo është vendosur nga Këshilli i Ministrave, pra pagesa për vështirësi pune për efektivin fluturues, që kap afërsisht vlerën e pagës. Nëse rroga është 40 mijë lekë të reja, atëherë dhe shpërblimi për vështirësi pune është 40 mijë lekë të reja.
Cili është vizioni juaj si komandant për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj baze?
Kemi tre elementë kryesorë, të cilët ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj baze. Si fillim e rëndësishme është vazhdimi i përgatitjes së gjeneratave të reja, me specialistë të Forcave Ajrore. Më pas duhet të ushtrojmë fokus te vazhdimi i programit të blerjes së helikopterëve të rinj. Rritja e numrit të helikopterëve të rinj dhe reduktimi i helikopterëve të vjetër. Gjithashtu, kemi nevojë në vijim për rregullimin e pjesës së legjislacionit përsa i përket menaxhimit të mjeteve ajrore apo dhe të shpërblimit të efektivëve fluturues.

Major Valentina Korbi: Ditët e fluturimit i ndjekim me përkushtim dhe shqetësim

Major Valentina Korbi është bërë pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare që në shtatorin e vitit 2004. Majorja thotë për “Gazeta Shqiptare” se sapo është emëruar në detyrë, ka punuar në administratën e Bazës Ajrore Farkë. “Prej 13 vitesh unë punoj në këtë bazë dhe shprehem entuziaste dhe me krenari që jam pjesë e saj. Kjo për vetë faktin e misionit dhe detyrave që kjo bazë përmbush. Momentalisht mbuloj detyrën e shefes së Sekretarisë së Bazës. Është një detyrë e bukur, por që gjatë gjithë kohës je në kontakt me informacionin, por edhe me personelin”, u shpreh Valentia Korbi. Gjithashtu, ajo tregon se gjatë gjithë karrierës së saj ka pasur bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me kolegët. Korbi thekson se personeli i Bazës Ajrore Farkë karakterizohet nga marrëdhënie shumë të mira me njëri- tjetrin, kjo për vetë natyrën e misionit dhe detyrave që realizohen. “Ditët e fluturimit i ndjekim të gjithë me të njëjtin përkushtim dhe shqetësim. Të mos flasim pastaj për fluturimet që zhvillohen në kushte të vështira meteorologjike. Së pari, është shqetësimi i realizimit të misionit, por edhe duke u kthyer shëndoshë e mirë të gjithë ekuipazhet fluturuese. Nisur nga gjithë ato misione në operacione humanitare apo Emergjenca Civile, edhe unë si pjesë e tyre ndjehem krenare që punoj me ta. Gjithashtu, nuk kam hasur asnjëherë probleme me kolegët, kjo për faktin se unë jam natyrë bashkëpunuese dhe mirëkuptuese. Xhentilesa e ekuipazheve fluturuese ka mbizotëruar në çdo moment”, tha për “GSH” major Valentina Korbi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.