MILOSAO

Argument/ Dritëroi, kuptimi i jetës është vetëm puna

12:00 - 10.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Shpëtim ÇUÇKA




Vijon

Dashuria e poetit për mëmëdhenë është dashuria për gratë shqiptare, për ato gra që dikur “vdisnin sikur s’kishin jetuar kurrë”, sikurse është edhe neveria për “hamësit e pangopur të bukës së fëmijëve” dhe për poetët “që bejte u zienin me mall në tiganin e zi poetik dhe zgjasnin duart t’ua jepnin t’i hanin!”
Dashuria e poetit për mëmëdhenë shpërthen me tërë fuqinë e zjarrit në vargjet:

Ku ka më bukur sesa të jesh zot në tokën tënde,
Të marrësh frymë me gjithë mushkëritë,
Të thuash: Janë të miat këto hapësira e vende!
Dhe kokën të ngresh nga jastëku pa ankth e pa frikë!
Ku ka më bukur se kur s’të ndrydhin as mendjen, as shpirtin
Gogolët gri të së ardhmes!
……………………………………
Ku ka më bukur se të rrish para maleve
I barabartë me malet, stoik dhe i ndjeshëm,
Njeri i dalë nga valët e detit të halleve,
Njeri i mençëm, i madh, i plotpushtetshëm,
Njeri që hije të kanë lufta dhe puna dhe prehja
Dhe hapi që hedh dhe kënga dhe brenga dhe malli,
Njeri që hije të kanë dhe veshja dhe krehja
Dhe brazdat që merr fytyra e balli…

Njeri, të gjitha këto i kishe, por flinin
Nën mbretërinë e akujve të vdekur.
Njeri, duhej më parë akujt të shkrinin
Me zjarr, tërmet e hekur,
Pastaj trëndafili yt të shpërthente
Mbi kraterin e vullkanit të gjoksit që ziente!

Dhe pikërisht kjo dashuri për mëmëdhenë, kjo ndjenjë e thellë dhe e gjithanshme, e mbrujtur në shekuj në gjirin e njerëzve të punës, në gjirin e njerëzve të popullit, në gjirin e popullit, kjo dashuri aspak naive dhe aspak foshnjarake qëndron në fillesën e të tilla vargjeve:

Le të jetë kushdo e le të ketë dhjetra diploma me vlerë,
Po tok me diplomat nderin me vete ta marrë,
Që sytë pa u skuqur nga trarët e lashtë t’i ngrerë,
Që fjalën pa drojtje ta thotë: “Njatjeta, o trarë!”
Le të jenë ç’të duan!
Ka njerëz që njohin përmendsh gjeografinë dhe racat e gjindjes
Dhe tekste hartojnë për një ishull të vogël sa pjata,
Po lumin që rrjedh i kaltër në strehët e lindjes
E lënë pa parë me vite të tëra e dekada.
Pastaj, kur ndodh që zbresin nga postet e gradat,
Kthehen ngadalë te strehëz e vogël mbi lumë:
“Gabuam, moj strehëz, gabuam, të ngratët”.
E bien përlotur në gjunjë…

Cilat janë mësimet e mëdha të jetës së poetit, mësimet që ka nxjerrë ai, mësimet që ai, Dritëro Agolli, besoi se ishin të vlefshme edhe për bashkatdhetarët e tij, ndaj edhe i hodhi në vargjet e poemës “Nënë Shqipëri”?

Dhe unë mësoj; tërë jetën mësoj në hapësirat e tua,
Mësoj punën e luftën – dy mjeshtëritë e mia të hershme;
Mësojnë me mua fëmijë e grua
Dhe derdhin djersën e ndershme.

Poeti, pra, ka mësuar punën dhe luftën, ka mësuar ta jetojë jetën me djersën e ndershme. Ç’tingëllim kanë këto mësime të tij në kohën tonë? Sa janë të gatshme mendja dhe zemra e brezit të sotëm ta dëgjojnë këtë tingëllim, ta përvetësojnë këtë mësim?..
Mirëpo mësimet merren e përvetësohen atëherë, kur në shkollën e jetës ka rregull, kur në klasat e jetës jepen gjëra të provuara nga jeta dhe të peshuara me mendjen dhe zemrën e popullit punonjës dhe jo gjithfarë vjeturinash e xhinglash mashtruese. Mësimet e jetës merren e përvetësohen atëherë, kur ato kalojnë nga brezi në brez, kur jo vetëm brezi paraardhës jep atë që ka më të mirë, përvojën, por edhe brezi pasardhës rritet me vetëdijen se ai e ka për detyrë ta marrë dhe ta çojë më përpara këtë përvojë të vyer, ndryshe është i pazoti për luftën e jetës, pra, është i humbur.
Shkruan një mendimtar gjerman i shek. XIX:
“Një qenie e quan veten të pavarur sapo qëndron mbi këmbët e veta dhe qëndron mbi këmbët e veta sapo i detyrohet vetes për jetën e vet. Një njeri, i cili jeton në sajë të një tjetri, e quan veten një qenie të varur. Mirëpo unë jetoj tërësisht në sajë të një tjetri, kur jo vetëm i detyrohem atij për mbajtjen e jetës sime, por edhe kur pikërisht ai e ka krijuar jetën time, kur ai është burimi i jetës sime; dhe jeta ime ka detyrimisht një të tillë mbështetje jashtë vetes, kur ajo nuk është krijuar prej meje. Prandaj edhe është e vështirë të shkulet ideja e krijimit nga vetëdija e popullit. Të ekzistuarit e natyrës dhe të njeriut falë vetes është diçka e pakonceptueshme për të, pasi vjen ndesh me të gjitha provat e jetës praktike.”
Dhe ja si tingëllon dashuria dhe përkushtimi i poetit, si përfaqësues i shqiptarëve të thjeshtë, ndaj mëmëdheut:

Nënë Shqipëri!
Kemi dashur të jesh e bukur, moderne, e pasur;
U bëmë copë, na ranë në gurë e në baltë thonjtë,
U robëtuam në luftra e në punë me buzë të plasur,
Veç ty të të shihnim zonjë!
S’kërkuam në dorën e askujt krunde-tagji,
Në dorë veç pulat për krunde zgjatin sqepin,…
………………………………………………….
Oh, ç’kemi dashur!
Të kishe qytete gjigante e fshatra me dritë,
Të kishe uzina me oxhakë e kupola,
Të kishe fusha pa gjerdhe mbushur me drithë,
Të kishe njerëz të lirë
Me mendje të ndritur e shkolla!

Dashuria për mëmëdhenë poeti D. Agolli e shpreh edhe me vargje të tilla:

Nënë,
S’jam gëzuar veç me paqen e thjeshtë të maleve,
S’jam gëzuar veç me luftën që zboi të huajt e solli lirinë;
Gëzohem për shembjen e botës së halleve,
Gëzohem për shembjen e shtypjes së njeriut mbi njerinë.
……………………………………………………………
Këndoj e lajkës e smirës s’u kam as drojtje, as frikë,
Askush s’më shtyn të mburr këtë a atë,
Të gjitha janë të miat: shkollë, tokë, fabrikë,
Dhe unë këndoj, gëzohem e mburr me gjithë zë.
Dhe dashuria e poetit për mëmëdhenë shprehet, në fund të fundit, në marrëdhënien e poetit me lexuesin. Ne do të duhej të ishim krenarë që në Shqipërinë tonë një poet ka shkruar të tilla vargje:

Vëllai im i dashur, i urtë e i rreptë,
Lexues i menduar me rrudha në ballë,
Që njihemi bashkë me vite në jetë,
Me ty e kam mbajtur poemën të gjallë,
Me ty i kam hapur dhe portat e reja
Në oborret e mi poetikë,
Me ty kam djersirë në punë e beteja,
Të dy kemi pasur një politikë…

Poema “Nënë Shqipëri” është poema e dashurisë për vendin amtar, e dashurisë për popullin punëtor, e dashurisë për lexuesin e mençur, për jetën dhe punën krijuese, për të mirën e përgjithshme, për begatinë me kuptim dhe jo për bollëkun absurd. Poema “Nënë Shqipëri” është poema e njerëzve që nuk detyrohen të largohen nga atdheu, që nuk detyrohen të ndërrojnë mënyrën e jetesës dhe vetë shpirtin.
Sikur njerëzit të mos i kishin përjetuar vetë këto gjëra, do të kishin të drejtën të thoshin: “Përralla!”. Sikur njerëzit të ishin të ngarkuar me gjykime të cekëta dhe me paragjykime, do të kishin të drejtë të pohonin: “Përralla!”.
Po! Nuk është e lehtë ta zbulosh të vërtetën. Nuk është e lehtë ta kuptosh të vërtetën. Nuk është e lehtë ta pranosh të vërtetën. Te poema “Nënë Shqipëri” D. Agolli ka parë, kuptuar dhe pohuar një të vërtetë të thjeshtë në dukje, të thjeshtë si një pjesë e madhe të vërtetash, dhe njëkohësisht të madhe, më të madhen të vërtetë në jetë: Kuptimi i jetës njerëzore është puna. Puna e paskllavëruar në një atdhe të paskllavëruar!
A do të pajtohen brezat e shqiptarëve me këtë të vërtetë të thjeshtë dhe njëkohësisht të madhe? A do ta bëjnë atë të tyren? Kjo është çështje e vetë atyre. Detyra e njeriut me mend e me zemër, detyra e poetit të vërtetë, është ta pohojë të vërtetën që ai ka kuptuar edhe atëherë e nëse ai vetë nuk e ka zbuluar këtë të vërtetë.
Dritëro Agolli të vërtetën e thjeshtë dhe të madhe na e ka dhënë. Na e ka dhënë me art, me ngrohtësi, me zemër.
Detyrën e tij ai e ka kryer. Ne kemi për detyrë ta nderojmë, nëse e kemi kuptuar thellë këtë zbulesë poetike të bërë prej tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.