Kryesore

E plotë/ Debatet në ’91, ish-themeluesja e PD-së: Dreka me Berishën dhe shqetësimi i tij një ditë pas rrëzimit të bustit. Pse propozova Dritëroin kryetar Kuvendi

12:48 - 11.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
 
Valentina MADANI
 
Paraardhësit e saj, Natasha Lakos i lanë trashëgimi dijen, kurse ajo mendoi për diçka edhe më të madhe, që fëmijët e saj e bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë Shqipërinë një ditë të mund të jetonin të lirë. Ndaj guxoi 27 vite më parë. Atë çfarë përjetoi gjatë periudhës së vështirë të rrëzimit të diktaturës, ku jeta ishte një hap larg vdekjes, Natasha Lako e rrëfen për herë të parë për “Gazeta Shqiptare” sikurse flet për përfshirjen në krijimin e PD-së, angazhimin dy mandate radhazi në Kuvend, debatet që e shoqëruan PD në momente kyçe të historisë së saj deri në largimin nga politika. Natasha Lako është shkrimtare, skenariste e një sërë filmash shqiptarë, publiciste. Ajo është përfshirë në antologji botërore të poezisë dhe në disa përmbledhje ndërkombëtare poetike. Por Natasha Lako është ndër të parat intelektuale në vend që iu bashkua që në fillim Lëvizjes për demokraci në dhjetor ’90, është bashkëthemeluese e PD-së dhe dy herë deputete e saj në parlamentin e parë pluralist.
 
Zonja Lako a jeni e ftuar sot në pritjen e organizuar nga z.Basha për 27 vjetorin e themelimit të PD-së?
Jo nuk jam e ftuar.
I dini arsyet?
Jo nuk i di dhe nuk dua të bëj asnjë koment lidhur me këtë çështje.
Cila ishte jeta juaj në vitet e komunizmit?
Te ne flitet shumë pak për brezin e lindur pas Luftës së Dytë Botërore, sepse vëmendja gjithnjë shkon tek brezi mbi ne, tek prindërit tanë, tek ata që krijuan një sistem, për të cilin asnjë herë nuk u rrëfyen deri në fund, siç bën çdo njeri kur ikën nga kjo botë. Dhe sot duhet të rrëmosh nëpër arkivat angleze, ose në kujtimet e Esesëve, që të kuptosh vendin tënd. Shumë gjëra nuk u thanë kurrë dhe tani secili nga ne thotë Eureka, sa herë zbulon diçka. Jeta ime nuk mund të ketë zbulime kaq pikante, përveçse ca copëzave të krijimtarisë sime, pa asnjë lidhje me gladiatorët e sotëm. Ajo është si e gjithë shqiptarëve të tjerë, me të njëjtin sistem të gjetur arsimor, të njëjtat tema hartimi, me të njëjtat autokritika të stileve të ngjashme, me të njëjtën kërcënim nga sindroma e Stokholmin që të rrinte prapa dere.
Nga ana tjetër, një vajzë e vetme e një familje korçare, me njërin gjysh të emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili që në vitin 1908 me ato gjysmë letrat e tij, kishte krijuar ndoshta alfabetin e tij me shkronja spontane të anglishtes. Dhe me tjetrin gjyshin beratas, i cili prej vitit 1914 deri në vitin 1917 la të shkruar një ditar shumë personal që sot gjendet në Arkivin e Shtetit. Dhe këtë e them, se baballarët tanë nuk patën mundësi të linin pas ndonjë trashëgimi ekonomike, sa të gjithë sot flasin më tepër për gjyshërit e tyre. Por kjo nuk do të thotë që për kohën të mos kisha një pagë të mirë. Shtoj këtu se jam një nga shqiptarët e pakët që kam parë shumë para rrëzimit, murin e Berlinit, tronditëse edhe kjo.
Mos prisni të komentoj edhe më tej jetën tonë brenda një miniaturë të çuditshme të një pushteti jashtëzakonisht të përqendruar, një bisht pushteti oriental europian që ka pasur karakteristikë mijëra vjeçare zhvillimin e sistemit ujor, që ne e kemi parë me sytë tanë, vetëm në mes të shekullit të XX. Por kjo nuk na pengonte të këndonim: ‘Sa i gjerë dhe sa i gjatë ky kanali i Myzeqesë…”. Dhe kjo sigurisht nuk do të më kujtohej pa përmbytjet e kohëve të fundit dhe pa u menduar gjatë se përse sistemi ynë ujor u shkatërrua.
Por meqenëse detajet janë ndonjëherë më të rëndësishëm nga vetë dëshmitarët, mund të më përfytyroni, para ca ngjarjeve të tjera të mëdha, sapo të kthyer nga Greqia, me një kovë plastike pastrimi nëpër një tren çalë-çalë për ta çuar si model në fabrikën e plastikës në Durrës, në mbrojtje jo të të drejtave, të përgjithshme të grave, por vetëm të duarve të tyre. Besoj se ndonjë grua e asaj fabrike plastike e mban mend dhe e ka kuptuar se aleanca ime me jetën e çdo gruaje shqiptare ka qenë gjithnjë e para. Dhe kuptohet gëzimi im, kur pas rrëzimit të murit të Berlinit dhe pas vizitës së Perez De Kuelarit, të rrëzohej i pari në Shqipëri dënimi me vdekje për gratë.
Si ju gjeti viti ’90 dhe sa e vështirë ishte kundërvënia ndaj një regjimi diktatorial që kishte qeverisur shqiptarët për 50 vite me radhë?
Me një mike të mirë si Eglantina Mandija, shkrimtare, nga e cila sapo kisha dëgjuar çfarë është kufiri i çuditshëm në jetën e një gruaje kur kapërcen moshën 40 vjeçare. Ndoshta se rriten fëmijët. Me shfaqjen në maj të ’90-ës të filmit “Fletë të bardha” që flet për krizën e jetës krijuese dhe familjare të një shkrimtari të stanjacionit shqiptar dhe që na dha me tepër se sadisfaksion shqetësime të mëdha; na bëri të kuptojmë nga njerëzit që na merrnin në telefon se Shqipëria po ndahej hapur në dy krahë. Me një letër dërguar Ramiz Alisë pas kërcënimeve të botuara publikisht, si atakues të sistemit dhe statuskuosë së vendosur dhe menjëherë si shpëtimtare për ne, ngjarjet e dy korrikut, ndarjen tjetër të madhe të shpallur mes njerëzve që mbanin në këmbë ende pushtetin dhe njerëzve që kërkonin të largoheshin si në një formë braktisjeje dhe shpëtimi prej tij. Me ca shqiptarë mendjehollë, të cilëve u kishte rënë ndërmend të shisnin në treg hapur që të mos i zinte policia me shkelma, krahas tufave të majdanozit dhe të koprës, portretin e Enver Hoxhës, Ajnshtajnit dhe Jezu Krishtit.
Në këtë vorbull të ngatërruar më bie ndër mend shpesh se një ditë pas deklaratës së Kadaresë që kishte lënë Shqipërinë, shkova në shtypshkronjën që quhej “8 Nëntori” të marr pesë kopjet e vëllimit tim poetik ‘Natyrë e qetë’ të cilin e dua shumë. Portieri nuk po me linte të hyja, ndoshta nga një urdhër i drejtorit që po dilte rastësisht, dhe unë pata rastin të dëgjoj mallkime për të gjithë shkrimtarët.
Për çfarë ‘mallkimesh’ bëhet fjalë…?
Po, po, dëgjova atë frazën e shkruajtur po prej Kadaresë; ”A këta shkrimtarët!!” Sepse nuk po flasim për stereotipin e krijuar tashmë të intelektualit që i afrohet vetëm atij që fiton, por për ditë të turbullta, kur nuk dihej se si do të shkonin punët. Atë ditë në oborrin e shtëpisë botuese është bërë një miniprotestë e vërtetë e grave që ndoqën debatin mes meje dhe zyrtarit. Por kjo nuk kishte fare rendësi përpara përzemërsisë së çuditshme që treguan punëtoret e shtypshkronjës. Këto gra të vitit ’90, më hapën portën a deriçkën, më dhanë pesë kopjet e librit me një vështrim gati të lumtur ngaqë kisha kundërshtuar fort udhëheqësin e tyre të vogël dhe të gjitha më ofruan nga buka që kishin marrë me vete. Po fillonte një kohë e re e historisë moderne, në kushtet e buzëve të thara. Dhe mendoj se këto hapa, të parat për ndryshim në Shqipëri i kanë bërë gratë.
Kam qenë e pranishme në një mbledhje, kur filluan të ankoheshin për herë të parë me zë të lartë se nuk kishte në dyqane as tenxhere. Madje edhe kam shkruar se si bërtisnin se nuk gjenin më tiganë, sa dukej se po paralajmërohej edhe fundi i skuqjes së patateve.
Në çfarë viti bëhet fjalë për këtë protestë që përmendi ju?
Bëhet fjalë në vitin 1988. Ka qenë një mbledhje e bashkimit të grave në Tiranë.
Sa ndikoi takimi i 12 gushtit ’90 i intelektualeve të kryeqytetit me ish- presidentin komunist Ramiz Alia në ndezjen e shkëndijave të para të demokracisë shqiptare? Sipas jush ndryshimin e sollën intelektualët apo studentët?
Nuk mendoj se kjo mbledhje me intelektualë ka ndonjë peshë të madhe, sepse i ngjante thjeshtë një mbledhjeje të hapur partie. Madje nuk mund t’i tejkalonte dot ngjarjet e 2 korrikut me vrulle të shumta që nuk përmenden asnjëherë me hollësi dhe nuk mund të shërbente si shkëndijë për lëvizjen e dhjetorit. Ka gjithnjë njëfarë kakofonie me shumë lloj ndikimesh nga lart, sepse ne i vështrojmë ngjarjet të derdhura nga lart, gjë që sigurisht vazhdon të shkaktojë shumicën e problemeve shqiptare. Lëvizja e studentëve, ishte shumë më përpara se ajo e qëndrimit të intelektualëve shqiptarë. Të rinjtë sigurisht kishin nevojë për të pasur rreth e rrotull disa njerëz me prestigj publik, por edhe kjo aleancë do të ishte tepër e shkurtër, sepse përvoja gjithmonë të mposht.
Bashkë me bashkëshortin tuaj, regjisorin e njohur Mevlan Shanaj iu bashkuat lëvizjes studentore dhe themelimit të PD-së, por çfarë ju shtyu familjarisht që të ishit pjesë e partisë së parë pluraliste në vend dhe çfarë rreziku ju kanosej ju në atë kohë?
Drejt lëvizjes studentore sigurisht që në radhë të parë më çoi krijimtaria ime që pas trysnive të rënda të mesit të viteve ’70 po çlirohej pak nga pak. Vetë skenari ‘Fletë të bardha’ me qendër një shkrimtar, ndryshe nga kërkesat për veprim që të imponon gjuha e filmit, kur e shkruaja, kufizonte çdo lloj hapësire të veprimit pasi në realitet nuk të linin të përdorje buzë liqeni një kamerdare dhe jo më një barkë. Pjekuria artistike kërkonte shumë, por sigurisht ndikuan dhe lidhjet me studentët që i kisha parë të rebeluar si anëtarët e rrethit letrar, me të cilët u lidha më fort kur punoja në Lidhjen e Shkrimtarëve për talentet e reja. Ishim, gjithashtu, në familje dy, në një gjendje ’të demokratizuar’ të ngjashëm me pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv; kishim krijimtari të përbashkët dhe kjo sa na ndihmonte aq dhe do të na çonte edhe drejt provokimeve dyfish. Pastaj, rrahjet e studentëve ditën e dytë të protestës. Pavarësisht nga të gjitha këto, unë as mund të mendoja të bëja ndonjë jetë partie. Por kur bashkëshorti im u bë një nga nismëtarët e krijimit të PD-së, dhe hodhi firmën pa u konsultuar me mua, siç kishin bërë të tjerë me bashkëshortet e tyre, kuptova edhe një herë se sa i papëlqyer ishte për ne centralizimi i fortë familjar; thënë ndryshe patriarkalizmi si një puro e fortë. Dy njerëz që kërkojnë edhe në familje këtë ndarje të pushteteve burrë e grua, sigurisht do të vrapojnë të parët drejt të drejtave të tyre të tjera.
Edhe për çështje më logjike, pra për të rezistuar karshi trysnive të mundshme të ardhshme, ishin të rrallë ata që hidheshin dyfish këmbë dhe kokë në peripeci të paparashikueshme dhe nga më të vështirat, aq sa për brezat e rinj sot duken si të pabesueshme. Ka njerëz që i kanë pasion arkivat dhe mund të zbulojnë edhe prapaskenat politike, madje edhe trysnitë dhe intrigat që konfiguruan jetën e ardhshme shqiptare. Por nuk prisja presionet dhe kërcënimet e vazhdueshme me telefon, me një intensitet që arriti kulmin pasi botova një shkrim ku dënoja vendimin e Gorbaçovit për hyrjen e tanksëve rusë ne vendet e Baltikut aso kohe ende pjesë të BRSS.
Vetëkuptohet se çdo të thotë kjo. Dëgjoj sot komente dhe analiza të shumta për këtë periudhë. Flitet shumë për njerëzit e ‘pardesyve të bardha’, madje ka edhe një titull libri. Harrojnë madje edhe xhupin e Azemit. Pardesyja e bardhë, është shenjë e modës të viteve 60-të, që arrinte tek intelektualët shqiptarë në fund të viteve 80-të nga dyqanet me çmimet më të lira të Europës. Edhe unë e kam sjellë nga Parisi për Mevlanin dhe me qeshet kur mendoj konotacionet që i japin sot. Në qoftë se flasim për shkaqet që çuan disa intelektualë drejt lëvizjes demokratike, janë sidomos traumat dhe përbetimet që kanë bërë ata, kur janë endur qoftë edhe përkohësisht në hapësira të lirisë. Këtë sigurisht e kuptojnë të gjithë ata që vazhdojnë edhe sot të dalin jashtë kufijve shqiptarë.
Si erdhi propozimi i emrit tuaj për deputete në vitin 1991? Kush ua bëri propozimin dhe a kishte dilema për ju në atë moment?
Mendoni një tryezë ku rreth e rrotull janë ulur vetëm burra, siç ndodh sot në qendrat e lojërave të fatit. Kështu do të ishte parlamenti i parë dhe opozita e parë e pas 90-tës, po të mos kishte fare fytyra femrash; këto Kasandra kaq të ndjeshme, që rrethanat dhe tradita më pas në mënyrë të pa parashikueshme do t’i tërhiqte prapa, veçanërisht në elektoratin e PD-së.
Ndoshta korçarët nuk do të më kishin propozuar për deputete të tyre, sikur të mos kisha marrë pjesë në mitingun e parë, të 30 dhjetorit të vitit ’90. Ishte një tentativë pushteti, si të thuash, paralel vajtja ime në Korçë, sepse nuk shkova me njerëzit kryesorë të Partisë, madje as më shkoi mëndja të qëndroja pranë tyre, pasi kisha lidhjen time të pacënueshme me vendlindjen time. Gjë që mesa dukej më bëri edhe përfaqësuese të tyre në Kuvend dy herë me radhë. Nuk mund të them se ç’ndodhi atë natë në familjet korçare që e kishin ruajtur lirinë brenda vetes. Nuk fjeta në hotel por në një shtëpi, ku më dhanë për darkë një pjatë me lakër turshi, që edhe tani e quaj të mrekullueshme, sepse kisha kohë që u blija fëmijëve për mëngjes petulla se nuk kishim kohë të blinim bukë atje ku shtyheshin të gjithë. U ktheva vetë në Tiranë me autobus dhe më lanë vendin e fatorinos, që ishte gjithnjë më i privilegjuari. Mbaj mend se dikush u sul të fshinte me shaminë e tij sediljen ku do të ulesha.
Kur ndodhte një gjë e tillë?
Kjo ndodhte në 31 dhjetor kur 100% e grave shqiptare, ose pa mua 100% – 1, shtronin tryezën e Vitit të Ri, festën më të bukur që kanë shqiptarët.
Si e keni njohur Azem Hajdarin?
Vetëm disa ditë më pas u gjenda me Azemin, që nga afër nuk e kisha parë, në një repart te tezgjahut të kombinatit të atëhershëm të tekstilit me emrin Stalin. Ishte ftohtë, se mbaj mend pallton time që e ruaja plot kujdes. -”Ja e shihni ketë zonjë”, tha atëherë duke treguar nga unë Azem Hajdari, ”ju siguroj se keni për të jetuar si kjo, më mirë se kjo!”, dhe shpresoj që vërtet të jetë realizuar profecia e Azemit dhe ndonjëra prej tyre të jetë sot nëna e ndonjë biznesmeni plot suksese.
Po me z.Berisha? Cila ka qënë biseda e parë me të?
Mund të ketë rëndësi dita kur e kam parë së fundi. E kam parë edhe të transformuar nga pushteti i madh që mbante në duart e tij. Por nuk dinte ta fshihte këtë përqendrim pushteti siç bën Edi Rama. E kam njohur Berishën nga pranë gjatë mbledhjeve të grupit parlamentar pas zgjedhjeve të para të pluralizmit. Për mua kanë mbetur të paharruara, pavarësisht se sot punohet me dashje apo pa dashje, nga teveqelëllëku apo nga qëllimet, që të rrëzohet plotësisht për ditë çdo dinjitet i parlamentarizmit shqiptar. Madje parlamentarizmi i viteve ’20-’30 pothuaj nuk përmendet fare. Për mua Berisha fitoi një autoritet të mistershëm pasi u bë president.
Por e kam parë edhe jashtëzakonisht të shqetësuar kur erdhi një kohë dreke në shtëpinë tonë një ditë pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, pa e ditur ende nëse do të vendosej apo jo gjendja e jashtëzakonshme.
Përse kishte ardhur z.Berisha në shtëpinë tuaj?
Donte të merrnim vesh diçka më tepër privatisht, për çfarë ishte diskutuar në Komitet Qendror nga dy të njohurit tanë të afërt shkrimtarë, anëtarë më të moderuar të asaj instance që po ndillte kob. Askush nuk dinte se çfarë do të ndodhte. Diskutohej për jetët e të gjithëve ne. Kurrë nuk do të harroj se si filluan t’i dridhej tabakaja me filxhanët e kafesë në duar nënës sime. Dhe mendoni se sa histori të tjera ka, që nuk kanë arritur të hyjnë në një të vetme. Vetëm të rrish dhe të vështrosh kush hyn dhe kush del për njëzet e shtatë vjet me radhë, me faj e pa faj, me sukses apo pa sukses, në raste festash në pritjet presidenciale. Sot shumë njerëz, i komentojnë këto ngjarje, njësoj si të kishin parë një teatër, kush u pëlqen, çfarë nuk u pëlqen, si duhet të ishte si nuk duhet të ishte. Mos harrojmë se Tirana sot është bërë 1 milionëshe! Dhe ndjehet tendenca për të lënë si në një libër të bibliotekës ketë ngjarje, jashtë trupit të jetës shqiptare dhe jashtë frymës së institucioneve. Madje edhe të zbaviten.
Me 17 prill 91, Kuvendi duhej të zgjidhte kreun e ri të Kuvendit dhe diskutohej kandidatura e Islamit, ku Shane Korbeci, ish-ministër në qeverinë e fundit komuniste dhe ish-kryeministri i kësaj qeverie, Adil Çarçani, e mbronin Islamin, ju si deputete PD-së propozuat një tjetër emër nga Partia e Punës së Shqipërisë si kandidat më konsensual për kryetar i Kuvendit. Ishte shkrimtari Dritëro Agolli. Pse pikërisht ai gëzonte respektin e deputetëve të PD-së edhe pse ishte në partinë kundërshtare?
Po, mirë, le t’i kthehemi përsëri pak intelektualëve, në një vend ku dihet që po ndodh proçesi i zakonshëm i shkatërrimit të intelektualizmit shqiptar, njësoj si shkatërrimi i kanaleve kulluese. Dritëro Agolli, ishte një navigator i madh mespërmes forcave të pushtetit, në sajë të mprehtësisë prakticitetit dhe talentit të përgjithshëm. Më qetësonte prania e tij, ajo koka e tij në formë dardhe me ato flokë të bardhë sa herë e shihja nga prapa, mes fanatikëve të cilët më vonë do t’i mësonin edhe deputetët e PD-së që sa të merrnin mandatin të rrëmbenin edhe një kobure. Kur e propozova, thjesht mu duk një rrugëzgjidhje e arsyeshme, mes gjithë atyre debateve të stërzgjatura dhe të pakuptimta për të vendosur apo për të mos vendosur si kryetar parlamenti një njeri që studentët nuk e donin. Mbaj mend se si u kthye të më shihte Sali Berisha. Kjo është dita ndoshta që po më shihte për herë të parë vërtet.
Megjithatë ju e bëtë propozimin…?
Po, por propozimi im ç’tensionoi të gjithë Tiranën. Mbaj mend se më ndalnin dhe më përqafonin në rrugë shumë njerëz. Atëherë kuptova se në politikë askujt nuk i nevojiten fjalët e acarta që deri sot gabimisht përdoren çdo ditë, duke ndjellë humbjen e shqiptarëve në përgjithësi. Por kjo kërkon një eksperiencë të madhe.
Është folur atëherë se z.Agolli ka votuar Berishën president. Si është e vërteta?
Nuk besoj se Dritëro Agolli ka votuar për Sali Berishën president, herën e parë, megjithëse ky lajm çorientoi gjithë grupin parlamentar dhe shkaktoi gati edhe survejime.
Ishte, madje deri sot është e vështirë të mësojnë politikën njerëz që për një kohë të gjatë kanë kënduar të njëjtën këngë me fjalët “Enver Hoxha mprehu shpatën edhe njëherë për situatën”, dhe që mësojnë për herë të parë fjalën ’konsensus’, e cila në fillim ishte e pabesueshme. Dhe është vështirë të mësosh gjuhën e politikës që di të bëjë kur duhet kompromise dhe di kur duhet të jetë e prerë. Historia e kësaj periudhe tranzicioni është një përvojë që mëson se plaga shërohet nga brenda dhe nga kjo përvojë mund të përfitohet gjithnjë. Sepse nesër, pasnesër edhe Koreja e Veriut me siguri do të pësojë transformin e vet, ose do të ketë kohën e saj të tranzicionit, domethënë të shkrumit të saj, por me një ndryshim të madh: në qoftë se Koreja e veriut prodhon armë atomike, shqiptarët ishin mbretër të kallashnikovëve që sot janë shpërndarë në të gjithë botën.
Pse u larguat nga politika…?
Nga politika nuk mund të largohet njeri. Kjo është e pamundur edhe kur gënjejmë veten. Unë thjesht dhashë dorëheqjen. Vetë dorëheqja ime për atë periudhë ishte akt politik, që u mjegullua nga të katër anët.





Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Eshte nder zerat me te thelle, me te sinqerte, me te vertete,
    mes atyre qe marrin persiper te jene te besueshem ne kete Dhjetor…
    Nuk nxitohet te nxjerre perfundime, rezultatntja del vetiu, prej rrefimit te ndjeshem femeror, prej nje dhimbje te thelle per mos-ndodhjen e me se mires, por edhe per cmimin e larte, qe edhe mund ta zbusnim disi, ne, te gjithe bashke…
    Po, Tasha Lako ishte dhe mbeti nje violine e brishte, disi menjane orekstres se madhe me dirigjent autokrat-sic na ka ka ndodhur e vazhdon te kemi- e serish Tasha Shanaj na fton te veshtrojme prej SOT, por edhe pa shmangur temperaturen DJE, dijen dhe hapesiren Sot, pa akuzuar pa-dijen Dje, por pa menuar sidosi t’i adresojme faktoret qe na detyrojne edhe sot trishtim…
    Mes te shumteve fjalimeve te thate, pa nerv, qe edhe mund te mos shfaqeshin ne shtypin e ekranet tona, ky i Natasha Lakos na kujton se jetet tona jane thjesht pervoja qe duhen respektuar dhe nderuar, edhe kur perpara pasqyres se kujteses do donim te ishim shfaqur disi me ndryshe…!

    Përgjigju ↓
  2. Shume Bukur.Sinqeritet dhe Peshe.Nje gje nuk arrij ta “kuptoj” Pse per te treguar Vertet vlerat e nje personaliteti ne Shqiperi komuniteti te “Detyron” te marresh persiper rolin e famshem me “Doni me per Belulin”? Jemi pak me shume se duhet te dashuruar me “fabulen” ne vete te pare.

    Përgjigju ↓