BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Miss-et shqiptare, cilat zgjodhën spektaklin dhe cilat familjen

16:00 - 12.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Miss-et shqiptare. Cilat zgjodhën spektaklin dhe cilat familjen

Për një vit kanë shijuar ndjesinë e të qenit më të bukurat e Shqipërisë, më pas shumë prej tyre ditën të shfrytëzojnë këtë mundësi për të qëndruar gjithmonë e më tepër në botën e spektaklit. Por pati dhe nga ato që titulli Miss, i mbeti vetëm për një natë… Shumë prej tyre mbahen mend prej shqiptarëve, sepse fytyra e tyre u bë imazhi i firmave shqiptare që nuk hezituan të bëjnë një Miss dhe përfaqësuesen e tyre, disa u angazhuan në spektakle dhe nëpër aktivitete të ndryshme, disa zgjodhën prezantimin ose këngën për të qenë të pranishme në ekran, e disa të tjera zgjodhën familjen. Në vitin 1998, Shqipëria, një ndër vendet e cila kishte njohur konkurset kombëtare të bukurisë në vitin 1991, do të bëhej me dy evenimente të tilla. Kështu, krahas “Miss Albania” me producente Vera Grabocka, do të merrte jetë dhe “Miss Shqipëria”, me producent Petri Bozo. Po ku janë Miss-et e Shqipërisë sot? Cilat nga ato vijojë në rrugën e suksesit dhe spektaklit dhe cilat zgjodhën si më të shtrenjtë, familjen.


Valbona Selimllari
Do të ishte e para Miss, e cila do të dilte nga një konkurs bukurie në Shqipëri. Shumë prej nesh e kanë admiruar, përfolur dhe dashuruar Miss-in e pare, që do të kthehej në një ikonë për të gjithë. Falë fitimit të kurorës të më të bukurës së Shqipërisë, asaj do t’i hapej rruga për të ndjekur studimet e saj për regjisurë dhe shpejt e do të ishte pikërisht ajo që do të merrte rolin e asistentes në spektaklet e radhës së “Miss Albania”. Por Valbona do të vazhdonte rrugën e saj duke qëndruar gjithmonë pranë publikut shqiptar në role të ndryshme, si prezantuese në spektakle të ndryshme, këngëtare në emisionin “Ce la vie” dhe imazhi zyrtar i firmës “Deka”. Dalja e saj e fundit para publikut ishte zgjedhja e saj si imazhi i sfilatës së këtij viti të “Geraldina Sposa”.


Sidorela Kola
Vajza që vazhdoi traditën e nisur nga Selimllari, do të ishte një gjimnaziste bionde nga shkolla “Ismail Qemali”. Bukuroshja në fillim do të shfaqej në disa programe televizive, si dhe do të merrte pjesë në filmin “Kolonel Bunker”. Një gjyq i përfolur me një revistë, për botimin e fotove të saj intime gjatë realizimit të këtij filmi, dhe pastaj qetësi. Miss-i i dytë i Shqipërisë do të preferonte të zgjidhte një rrugë tjetër, larg ekranit dhe spektaklit. Do të vazhdonte studimet dhe do të diplomohej në Fakultetin Juridik. Krahas karrierës së saj si avokate, një rëndësi të madhe të jetën e saj do të merrte dhe familja, ku djali dhe bashkëshorti i saj, kanë për Sidorelën vend kryesor.


Monika Zguro
Për bukuroshen që do të mbante titullin e Miss Albania 1994, të qenit më e bukura e Shqipërisë, do të ishte një trampolinë e suksesshme për të arritur sa më lart. Fillimisht ajo do të angazhohet nëpër spektakle, sfilata, por dhe spote publicitare, e më pas do të merrte një drejtim tjetër. Do të bëhej punonjëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e më pas do të kalonte në diplomaci, saktësisht në Konsullatën Shqiptare në Greqi, pozicion ku ndodhet dhe sot.


Vilma Papajani
Do të spikaste si një ndër vajzat më të bukura në vitin 1994, kur fituese do të dilte mikesha e saj, Zguro. Por dhe pse Vilma nuk do të arrite të merrte kurorën e Miss-it, ajo do të ishte përfaqësuese e Shqipërisë në kompeticione ndërkombëtare, si “Miss Intercontinental” në vitin 1996. Por rruga e Vilmës do të ishte diplomimi i saj në degën Farmaci, si dhe familja e saj me dy fëmijët që i konsideron më të rëndësishëm se çdo gjë tjetër.


Hygerta Sako
Durrsakja çapkëne do të ishte një nga ato bukuroshe që janë të “prera për ekran”. Miss Albania 1996, do të vazhdonte rrugën e saj televizive, si prezantuese në festivale dhe në “Miss Shqipëria”, gjithashtu dhe në “Netët e Klipit”, por dhe në shumë emisione të ndryshme. Dhe pse nënë dhe një grua e suksesshme biznesi, duke qenë se është sipërmarrëse e një dyqani me fustane nusërie, sot ajo ende nuk e ka braktisur ekranin, duke u shfaqur në si prezantuese në një emision në televizionin ‘Arbëria’.
Aldona Elezi
Bukuroshja nga Burreli do të ishte e para Miss që do të niste rrugën 10-vjeçare të edicionit “Miss Shqipëria”. Vajza shtatlartë, pas disa daljeve televizive u zhduk nga ekranet dhe nga ambienti i spektaklit. Tashmë ajo ndodhet në Itali, ku pasi provoi në fushën e modës si dhe në një film, tashmë është studente në një nga universitet italiane për Mjekësi.


Zajmina Vasjari
Ndër Miss-et më të suksesshme të pas viteve 2000, e cilat nuk u mjaftua vetëm më faktin e të qenit më e bukura e Shqipërisë, por dhe performoi në aspekte të tjera të jetës së spektaklit, është dhe Zajmina Vastjari, “Miss Shqipëria 2002”. Ajo është ndër ato Miss-e që kanë qëndruar thuajse gjithë kohës në ekran, fillimisht duke u zgjedhur si imazhi i vajit “Fiol”, më pas në spektakle të shumta, por dhe si këngëtare e skenës shqiptare.
Eriona Ibro
Vajza me një bukuri natyrale, e cila kishte mbaruar studimet e mesme në kolegjin “Mehmet Akif”, nuk do të zgjidhte të vazhdonte në fushën e spektaklit dhe ekranit, pavarësisht titullit të “Miss Shqipëria 2003”, por do të jetonte jetën e saj larg nga kureshtja e njerëzve. Tashmë bukuroshja është e martuar dhe në pritje të ëmbël të një bebushi.
Enkeleda Bargjo
Për bukuroshen që u shpall “Miss Shqipëria 2004”, fitimi i kurorës së Miss-it do të ishte diçka të cilën ajo vërtet nuk e kishte menduar. Një vajzë e cila dhe pse përparësi kishte shkollën, duke qenë se tani po kryen fakultetin e dytë, nuk do të linte kurrë pas imazhin e saj, i cili do të shfaqej shpesh nëpër ekrane dhe revista.

Ky shkrim u botua më 5 korrik 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.