POLITIKË

Guvernatori pakt me Majkon, ja çfarë iu kërkua bankave për emigrantët

09:22 - 12.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u kërkoi dje bankave të nivelit të dytë të ulin kostot e transferimit të parave nga emigrantët. Sejko tha se ulja e kostove do të ndikojë edhe në uljen e dërgesave në cash.




“Duke vlerësuar përfitimet që rrjedhin nga depërtimi formal i remitancave në ekonomi dhe kontributin e deritanishëm të sektorit bankar dhe financiar, Banka e Shqipërisë sugjeron një vëmendje më të shtuar në drejtim të reduktimit të kostove të transfertave dhe përmirësimit ose dizenjimit nga e para të produkteve dhe shërbimeve të dedikuara për këtë segment të popullatës. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë angazhohet në modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturave të sistemeve të pagesave apo përshtatjen e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Europian, në funksion të një tregu të hapur, pa barriera dhe konkurrues”, tha Sejko.

Guvernatori Sejko, duke iu referuar një vrojtimi të Bankës Botërore, tha se kostoja e dërgimit të parave në rrugë formale është 9,4 për qind, kur mesatarja e rajonit është 7,2 për qind.

“Studimet më të fundit tregojnë se dominuese janë kanalet formale të dërgimit, kryesisht përmes institucioneve financiare që mundësojnë transferta parash e më pak përmes atyre bankare. Ndërkohë, në nivele ende mjaft të larta është dërgimi i tyre në formën e parasë cash, e cila meriton një analizë të thellë. Sipas vrojtimit të Bankës Botërore të kryer në vitin 2016, është arritur në konkluzionin se arsyet për përdorimin e ulët të kanaleve bankare janë kostot e larta të transferimit të parave, dhe se procedurat e transferimit vlerësohen të koklavitura. Për ta konkretizuar, sipas këtij studimi, kostot e dërgimit të remitancave në Shqipëri vlerësohen në 9.4% të shumës së dërguar, krahasuar me një mesatare të rajonit, në nivelin 7.2%. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që sa më shumë të rritet përdorimi i kanaleve financiare, aq më shumë rritet depërtimi i financave në ekonomi. Për më tepër, rritja e përdorimit të kanaleve financiare ndihmon në rritjen e përfshirjes financiare të popullatës duke rritur mundësitë për kursime dhe investime sa më produktive”, tha Sejko.

MARRËVESHJA

Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Diasporës nënshkruan edhe një Memorandum Mirëkuptimi, me synim rritjen e ndërgjegjë- simit, lehtësimin e dialogut dhe nxitjen e bashkëpunimit për çështje që kanë të bëjnë me kontributin e dërgesave në para nga emigrantët shqiptarë për zhvillimin e ekonomisë.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, u shpreh se nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit midis Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë është pjesë e krijimit të një instrumenti të dobishëm, që do t’i vijë në ndihmë publikut dhe aktorëve të tjerë për të përmirësuar politikat në drejtim të marrëdhënies me diasporën.

Ministri i Shtetit për Diasporën shtoi se pavarësisht nivelit të lartë të remitancave, Shqipëria nuk i ka përdorur ato për të siguruar rritje të strukturuar ekonomike, për këtë arsye memorandumi i sotëm është një hap, i cili do të koordinojë institucionet shtetërore me tregun bankar që investimet e diasporës të drejtohen në objektiva që kanë rezultate të qëndrueshme në ekonomi.

Burimi: http://www.panorama.com.al/guvernatori-pakt-me-majkon-ja-cfare-iu-kerkua-bankave-per-emigrantet/

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.