Kryesore

Përmbytja në Fushë-Krujë, rreshteri: Ja si u shpëtova jetën 11 personave

11:38 - 12.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ina ALLKANJARI

 

Rreshter Blendi Zaimi do të mbahet mend për një kohë të gjatë nga dy familje në Fushë-Krujë. Efektivit të Forcave Ajrore i është dashur të qëndrojë në ujë për afro një orë për t’u shpëtuar jetën 11 pjesëtarëve të këtyre dy familjeve, banesat e të cilëve rrezikonin të përmbyteshin plotësisht nga vërshimi i ujërave. Mund të thuhet me plot gojë se 40-vjeçari është hero, pasi ka rrezikuar edhe jetën e tij në këto misione. “Ky është profesioni që unë kam zgjedhur, por është e rëndësishme që gjatë këtyre operacioneve të kemi mjete shtesë për të rritur sigurinë. Më herët jam trajnuar në Angli dhe çdo aeroshpëtues kishte mbrojtje për trupin, sidomos për pjesën e shtyllës kurrizore, në mënyrë që të ishe i sigurt në një moment që mund të hasje vështirësi gjatë një misioni dhe të rrëzoheshe. Pra, siguria është maksimale për ata që e vlerësojnë jetën e njeriut. Ne nuk i kemi të gjitha mjetet e duhura, realisht. I kam bërë kërkesën komandës sime dhe institucioneve që janë më lart se komanda”, tha në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, rreshter Blendi Zaimi, me detyrë aeroshpëtues për shërbimin SAR. Rreshteri na tregoi për misionin e fundit të ndërmarrë këtë fundnëntori e fillimdhjetori, për shpëtimin e qytetarëve nga përmbytjet. Për faktin se sa e rrezikuar është jeta e tij gjatë këtyre operacioneve, ai u shpreh se Zoti krijoi zogjtë për të fluturuar, jo njerëzit, por në situata të tilla rreziku nuk shihet aspak përballë ndjesisë që ofron shpëtimi i jetës së një njeriu.

Zoti Zaimi, cili është pozicioni juaj pranë Bazës Ajrore Farkë?
Jam në detyrë operator bordi aeroshpëtues për shërbimin SAR (kërkim-shpëtim), pjesë e strukturës së Ministrisë Mbrojtjes. Momentalisht në Bazën Ajrore Farkë kam dy detyra kryesore, që është kërkim-shpëtimi dhe emergjencat-civile. Shërbej prej 13 vitesh në këtë bazë. Jam veshur në vitin 2004. Kam bërë specializime të shumta, në vitin 2006-2007 kam qenë në Itali për specialist helikopterësh, gjithashtu kam qenë pjesë e disa kurseve mbijetese me forcat speciale italiane, mbijetesa në det, në mal etj. Kam marrë pjesë në kursin e shtabit të luftës me Gardën e Nju Xhersi. Më pas në vitin 2014-2015 isha pjesë e një kursi 5mujor në Royal Air Force, RAF ( Forcat Ajrore Mbretërore Angleze). Ishte një kurs që ia vlejti, me vështirësi si nga ana teorike, edhe nga ana praktike.
Gjatë një misioni shpë-timi, si reagoni ndaj personave që janë në rrezik për jetën?
Në këtë profesion në çdo moment je në rrezik për jetën tënde dhe të personit që do shpëtosh. Shikohet në radhë të parë siguria jonë, sepse në qoftë se aeroshpëtuesi dëmtohet, nuk shpëton dot personin që është në rrezik. Gjatë operacionit të shpëtimit në fillim janë të moshuarit, gratë dhe fëmijët, pastaj më të fuqishmit. Përpara se t’i evakuosh, është e këshillueshme që personave t’i flasësh, pasi mund të jenë të rënduar psikologjikisht dhe në trajnim në Angli, na e kanë theksuar gjithmonë që është shumë e rëndësishme dhe mënyra si e kap një person për ta shpëtuar, duhet të tregohemi sa më xhentilë, që të ndihen të sigurt. Kryesore është t’i mbash të qetë, pasi në momentin e shpëtimit, nuk jemi të informuar për fobitë dhe frikërat që mund të ketë ky individ.
Çfarë vështirësish hasni në profesionin që keni zgjedhur?
Faktori kohë është pika kyçe si për mjetin fluturues, për pilotët, për operatorin e vinçit dhe të SAR-it. Moti i pastër, pa shi, pa mjegull dhe pa erë është në favorin tonë. Zakonisht zonat që kanë flukse ajri shumë të mëdha, janë shumë të rrezikshme për profesionin tonë. Për pilotët është shumë e problem drejtimi i erës, sepse mjeti fluturues gjithmonë erën duhet ta ketë përballë dhe piloti i përdorë pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit si faktorë ndihmës, ose si sensor për natyrën përjashta. Në vendet ku do operosh nuk duhet harruar që ka edhe mjete fluturuese. Pra, ne shërbejmë si faktorë ndihmës në punën e pilotit, pa kryer akoma punën tonë. I japim drejtimin e erës duke u bazuar te pemët, te liqenet. Në këtë mënyrë, piloti bën pozicionimin e helikopterit në drejtimin e duhur. Gjithmonë duke pasur parasysh edhe krahun nga ka vinçin për të zbritur operatori i SAR-it. Bën verifikimin e vendit në momentin kur është në një mision shpëtimi, shikon zonën e uljes në rast emergjence. Më pas vazhdon operacioni. Duhet theksuar që profesioni që kam zgjedhur është me risqe, pasi Zoti krijoi zogjtë për të fluturuar, jo njerëzit.
Gjatë përmbytjeve të ndodhura afro dy javë më parë, ku ju caktuan me shërbim?
Ishte ditë e premte, kam qenë pushim shërbimi, por duke qenë se moti ishte i keq, u nisa për në repart, pasi kisha një parandjenjë që gjendja do përkeqësohej. Jepet detyra rreth orës 11:30, më thërret komandanti i grupit “Cougar”, më tha të kontrolloja pajimet, kontroll të cilin e bëj përditë për t’i verifikuar. Gjithashtu, u bë kontrolli i helikopterit në rrymë dhe hipëm në bord. Që në momentin që u nisëm kishte shumë shi dhe mjegull, kur arritëm në Fushë-Krujë, një zonë e rrezikuar nga përmbytjet, era ishte shumë e fortë. Pilotët verifikuan banesat të cilat ishin të izoluara nga reshjet e shiut.
Gjatë operacionit në Fushë-Krujë sa persona shpëtuat?
Në operacionin e shpë-timit në Fushë-Krujë u nxorën nga banesat e përmbytura 11 persona. 8 pjesëtarë te shtëpia e parë dhe 3 tek e dyta (dy çuna të rinj dhe një burrë). Vihej re që të gjithë ishin zbathur, “na i ka marrë uji këpucët dhe ato që kanë ngelur janë të lagura”, thanë banorët. Pas eva-kuimit të 8 personave në banesën e parë, u drejtuam për te shtëpia e dytë, në të cilën në një moment rrezikova. Kati i dytë i banesës ishte i rrethuar me hekura dhe duke u përpjekur të shmangem, dëmtova gjurin dhe u rrëzova sipër tarracës. Pasi bëmë evakuimin e 3 persona që gjendeshin në këtë banesë, verifikuam zonën në qoftë se kishte të tjerë që kishin nevojë për ndihmë dhe më pas u nisëm drejt bazës tonë ajrore. Gjatë evakuimit të 11 personave, m’u desh të qëndroja për afro 1 orë në ujë, duke hipur çdo banor në helikopter. Më pas në kthim u ulëm afër Fushë-Krujës, për shkak të gjendjes së keqe të motit, fluksi ishte shumë i madh dhe për të qenë më të sigurt vendosëm të spostoheshim në aeroportin e Rinasit. Pritëm sa u largua mjegulla dhe u kthyem për në bazën tonë ajrore.
Ku i dërgonin banorët, të cilët i evakuonit nga banesat e përmbytura?
Banorët pasi i merrnim në helikopter, i spostonim në një fushë rreth 500-600 metra larg zonës së rrezikuar. Aty ndodheshin mjetet e FNSH të ushtrisë dhe të policisë.
Gjatë emergjencave të fundit, ka pasur raste që banorët nuk pranonin të evakuoheshin?
Po, rezistencë hasëm në Levan. Shkuam në çdo banesë, por banorët nuk pranonin të evakuoheshin. Arsyeja nuk dihet. Ndaj u detyruam të largoheshim.
Cilat janë zonat më me risk që keni operuar këtë vit?
Kushtet klimaterike janë më të vështira në zonën e veriut, duke qenë më në lartësi ka më shumë erë, çka sjellë rritjen e rrezikshmërisë. Terreni dhe fushëpamja është më e kufizuar prej mjegullës.
Sa të sigurt jeni gjatë një misioni, a i dispononi mjetet e duhura?
Ky është profesioni që unë kam zgjedhur, por është e rëndësishme që gjatë këtyre operacioneve të kemi mjete shtesë për të rritur sigurinë. Më herët jam trajnuar në Angli dhe çdo aeroshpëtues kishte mbrojtje për trupin, sidomos për pjesën e shtyllës kurrizore, në mënyrë që të ishe i sigurt në një moment që mund të hasje vështirësi gjatë një misioni dhe të rrëzoheshe. Pra, siguria është maksimale për ata që e vlerësojnë jetën e njeriut. Ne nuk i kemi të gjitha mjetet e duhura, realisht. I kam bërë kërkesën komandës sime dhe institucioneve që janë më lart se komanda.
Mund të na tregoni një operacion që keni rrezikuar edhe jetën tuaj?
Situata që kam rrezikuar më shumë jetën ka qenë shpëtimi i njerëzve në Burrel. Në nëntor të vitit 2016 shpëtuam një familje, një nënë e cila ishte shtatzënë dhe një fëmijë 5 muajsh. Kam zbritur në tarracën e banesës së tyre, e cila ishte përmbytur. Kemi qenë me helikopterin “Cougar” dhe sa jam shkëputur nga kavo, duke qenë se çatia ishte me myshk, rrëshqita, por fatmirësisht nuk rashë brenda në banesë, pasi do ishte shumë e rrezikshme, sepse kati i parë ishte mbushur me ujë dhe kishte bagëti të ngordhura. Eca në çatinë e katit të dytë me shumë kujdes për t’iu afruar banorëve që ndodheshin në banesë. Afrohem te dritarja dhe vë re se në shtëpi ndodhej një grua e moshuar bashkë me bashkëshortin, djali i tyre, nusja dhe një foshnjë Adora, 5 muajshe. Fola me zotërinë në fillim, sepse nuk dëshironin të vinin, arrita t’i mbush mendjen të paktën të merrja nënën, nusen dhe foshnjën. Nëna ishte e moshuar dhe nuk pranonte. Mesa vura re arsyeja e rezistencës ishte sepse nuk dëshironin të braktisnin shtëpinë, por në këtë rast duhet theksuar se largimi nga banesa ishte në favorin e tyre, pasi u rrezikohej jeta.
Çfarë ndodhi më tej?
Mora nusen, e ngjita në helikopter dhe në ato momente lajmërova kolegët që në banesë është edhe një fëmijë i vogël. Në momentin që po ngjisja nënën e fëmijës në bord, u përplasa me një depozitë, në ato momente ishte nëna me kurriz dhe për ta evituar, u përplasa unë. Fati im i mirë ishte që në qoftë se nuk do ishte depozita, do ishim përplasur me shtyllën e korrentit, gjë e cila do ishte fatale. Më pas gjatë shpëtimit të fëmijës, për të shtuar sigurinë e evakuimit mora edhe kolegun tim, i cili ndodhej në helikopter. Pasi evakuuam foshnjën, e ngjitëm në bord, doli me shumë sukses, as vetë s’e besoja, e putha foshnjën dhe u ndjeva shumë i lumtur. Në këtë mision kam qenë i vetmi operator bordi aeroshpëtues.
Ndonjë mision që keni dështuar?
Jo, asnjë. Çdo mision ka dalë me sukses dhe uroj që të vazhdojmë të japim rezultate të tilla. Stërvitja e vazhdueshme të çon në siguri të plotë dhe në përfundim të çdo misioni me sukses.
Çfarë ju shtyu të shkonit drejt këtij profesioni?
Unë kam marrë pjesë në disa emergjenca, kam marrë pjesë edhe në përmbytjet e Shkodrës në vitin 2010-2011, por jo në pozicionin e aeroshpëtuesit. Ishte një pasion i hershëm. Kur u hap kursi i “kërkim shpëtimit” në 2012, i kërkova komandantit të më vendoste emrin në listën për operator SAR-i. Përzgjedhja ishte me testim. Më pas erdhi në përfaqësues nga pala angleze dhe bëri përzgjedhjen. Pasi mbarova kursin, erdha në bazën ajrore në Shqipëri me rezultate shumë të mira dhe kalova operator bordi aeroshpëtues.
Në momentin që bëheni pjesë e këtyre misioneve, si ndihen familjarët tuaj, çfarë mendojnë për punën që keni zgjedhur?
Këtë profesion e kam zgjedhur vetë, pasi që të bësh këtë punë, duhet të kesh kurajë dhe guxim, pasi është tej mase e vështirë. Është e rëndësishme që familjarët t’i parapërgatisim psikologjikisht. Nuk ke kohë që këto biseda t’i kryesh me familjarët ditën që të caktohet misioni, pasi shpeshherë janë misione papërcaktuara më përpara, për këtë arsye është e rëndësishme që vazhdimisht t’ua shpjegosh të afërmve që mund të jesh pjesë e misioneve të ndryshme. Në qoftë se je i shqetësuar në familje, detyrimisht do ndikojë edhe në punën tënde, ndaj është e rëndësishme mbështetja e tyre në misione të tilla.
Merrni shpërblime për operacionet ajrore?
Deri tani na kanë shpërblyer për misionet në të cilat shpëtohen njerëz. Shpërblimi është një stimul dhe për misionin e Burrelit na kanë dhënë gjysmë page. Për këtë mision është thënë që kush ka qenë pjesë e emergjencave, ka vendosur qeveria një shpërblim të veçantë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.