EKONOMI

Thirrja, Alban Zusi: Mos blini produkte te shitësit ambulantë. Sistemi kontrollues nuk po funksionon

11:00 - 16.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Voltiza DURO

 

Sipas studimit më të fundit të shoqatës “Albanian Food Industry”, disa prej produkteve bazike që konsumojmë çdo ditë rezultojnë me probleme. Në analizë janë marrë qumështi dhe nënproduktet e tij, ku nga 8 produkte dhe nënprodukte të dy prej tyre (25 %) rezultuan me aflatoksinë, një element i rrezikshëm kancerogjen. Kjo ka shkaktuar një sërë reagimesh nga instancat përkatëse si dhe panik te konsumatorët. Por, në një intervistë të dhënë për “Gazeta Shqiptare”, drejtori ekzekutiv i AFI, Alban Zusi qetëson konsumatorët duke u bërë thirrje që të mos blejnë produkte te shitësit ambulantë. Më tej, Zusi thekson se sistemi kontrollues nga institucionet përgjegjëse nuk funksionon siç duhet dhe si pasojë nuk arrin dot të parandalojë daljen e produkteve me probleme në treg.
Kur është realizuar studimi nga “Albanian Food Industry” dhe çfarë është konstatuar?
Studimi është realizuar për periudhën e fillim vitit të 2017, specifikisht për 6-mujorin e parë, janar-qershor. Ajo çka kemi konstatuar është fakti që mungon sistemi i sigurisë ushqimore në vend dhe sistemi publik i sigurisë ushqimore nuk e ka nën kontroll as prodhimin, as importet. Pra, nëse konsumatori merr produkte të mira, i merr në sajë të ndërgjegjes së prodhuesve apo tregtarëve, por jo në sajë të kontrollit dhe të sistemit inspektues dhe monitorues që i ka në përgjegjësi Ministria e Bujqësisë apo AKU-ja. Në studim pikërisht ne këtë kemi konkluduar, që sistemi është jashtë funksionit dhe nuk arrin dot të parandalojë daljen e produkteve me probleme në treg.
Cilat janë disa prej shkaqeve të mosfunksionimit të këtij sistemi?
Mosfunksionimi i sistemit lidhet me shkaqe që kanë të bëjnë me ligjin, me fragmentarizimin e institucioneve, me mungesën e burimeve njerëzore të kualifikuara si dhe me mospasjen e vizionit për sistemin në tërësi. Si mund të pretendojmë që një trupë punëtorësh me 10 makina gjithsej të kontrollojë 20-40 mijë operatorë ushqimorë në vend. Ky është thelbi i studimit dhe këtë kemi dashur të evidentojmë ne.
Cilat produkte ushqimore janë marrë në analizë nga AFI?
Ne kemi marrë në analizë produkte nga e gjithë shporta ushqimore, më baziket që konsumatori vendos mbi tavolinë. Ka pasur produkte që s’kanë pasur probleme, por ka pasur dhe nga ato që kemi evidentuar problematika dhe sistemi publik nuk arrin dot ta parandalojë. Ne nuk duam që institucionet përkatëse të merren me një apo dy prodhues, por me të gjithë sistemin, të garantojnë që sistemi funksionon. Studimi që ne kemi kryer është ilustrativ, në mënyrë që të faktojmë që sistemi nuk funksionon. Analizat kanë vlerë fakti.
A është e vërtetë që qumështi përmban elementë aflatoksinë?
Aflatoksina është çështje e ushqimit të kafshëve, mbi të cilën nuk janë bërë analiza. Nuk duhet të futeni në kurthin e 2-3 analizave që janë bërë nga AFI, thjesht për të mos pasur askush të drejtë për të thënë që këto janë hamendësime. Evidentimi kryesor nga studimi është fakti që institucionet përkatëse nuk po kontrollojnë siç duhet tregun. Ne po bëjmë presion që të standardizohen produktet.
Sa i sigurt është konsumatori shqiptar?
Konsumatori shqiptar është i sigurt vetëm kur blen produkt në mënyrë formale, produkt me etiketë dhe me kupon tatimor. Po bleu produkt me kupon, do të thotë që për këtë është lëshuar një kupon nga prodhuesi apo importuesi, e kështu që ky subjekt është në hartën e AKU, e si pasojë është i licencuar e i kontrolluar.
Problemi është që rreth 30% e produkteve në treg vijnë nga subjekte që nuk ekzistojnë fare në hartën e AKU, janë bodrume e të pakontrolluara.
Sa i formalizuar është sektori i ushqimit në vendin tonë?
Një burim tjetër kryesor i pasigurisë ushqimore vjen nga informaliteti shumë i lartë dhe asnjë funksionar publik deri më sot, nuk është marrë të ndërtojë politika për formalizimin e sektorit, pasi nuk mund ta lësh sektorin e ushqimit të paformalizuar. Nuk bëhet fjalë për taksa, por për gjurmueshmëri të produktit. Nëse ky i fundit prodhohet në mënyrë ilegale, konsumatori nuk e di se çfarë ka brenda, kush e ka prodhuar, në çfarë kushtesh e ky është edhe problemi më i madh.
A përbëjnë rrezik produktet e prodhuara të tregtuara nga kompanitë e mëdha?
Problemi nuk vjen te kompanitë e mëdha, që kanë bërë miliona euro investime e prodhojnë në mënyrë të sigurt, pasi duan të mbrojnë investimin e tyre. Konsumatori kur blen një produkt të një X kompanie, e nesër ka një shqetësim nga konsumimi i këtij produkti, ai nuk e blen më. Por kur blen një produkt pa emër e të shkakton probleme, të nesërmen shkon sërish e blen, sepse nuk di çfarë ke blerë herën e parë.
Cilat janë rekomandimet tuaja për konsumatorët?
Konsumatorët në mënyrë absolute nuk duhet të blejnë te shitësit ambulantë dhe kudo që blejnë, duhet të kërkojnë kupon tatimor, qoftë edhe për gjysmë kilogramë djathë. Në të kundërt, shitësi i dyqanit do të blejë nga një prodhues i panjohur produkte që mund të jenë të pasigurta.

Niko Peleshi

“Ndërhyrja për qumështindo të jetë radikale”
Ministri aktual i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, ka reaguar në lidhje me sigurinë ushqimore, pas publikimit të raportit të shoqatës AFI. Ai theksoi se u është kërkuar instancave përkatëse që të verifikojnë situatën lidhur më qumështin. “Sistemi i sigurisë ushqimore në vend nuk ka qenë dhe nuk është perfekt. Ndërhyrja duhet të jetë radikale. Ashtu siç u bë me ciklin e mishit, do të ndërhyjmë edhe në ciklin e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit”, – thekson ministri i Bujqësisë.

Edmond Panariti

“Megaskandal apo mashtrim, të nisin hetimet”
Në lidhje me studimin e bërë nga AFI ka reaguar edhe ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili theksoi se ky mund të jetë ose një megaskandal, ose një supermashtrim, që duhet hetuar sa më shpejt të jetë e mundur. “Para disa ditësh në një studim të AFI, gjysma e mostrave të qumështit vendës të analizuara dolën me aflatoksinë. Aflatoksina është substancë kancerogjene e fuqisë shumë të lartë, e pazbërthyeshme dhe rezistente ndaj përpunimit termik. Prania e saj në qumësht dhe nënprodukte është rrezik shumë i madh për shëndetin e konsumatorit”, – citon Panariti.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.