OPINION

Përballje me të kaluarën – iniciativa që na afron më shumë me Europën

07:35 - 18.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Monika Shoshori STAFA

 

Nisma

Muaj më parë zyra e prezencës së OSBE-së në Tiranë në bashkëpunim me Radio-Televizionin Publik Shqiptar ka ideuar prodhimin e një cikli të gjatë dokumentarësh televizivë, duke jetësuar kështu një prej prioriteteve kryesore të saj sa i përket të kaluarës komuniste në Shqipëri. E investuar prej më shumë se disa vitesh në këtë çështje, OSBE duket se është shfaqur si një organizëm përkujdesës edhe në njohjen veç të tjerash të kësaj pjese të historisë së vendit tonë në auolat ndërkombëtare përmes takimeve dhe konferencave të ndryshme shkencore, ku në fokus janë disa nënçështje. Ky projekt që mban titullin “Përballje me të kaluarën” realizohet gjithashtu nën kujdesin e posaçëm të drejtorit të përgjithshëm të Radio-Televizionit Publik Shqiptar, z. Thoma Gëllçi, cili mes të tjerash është shprehur se, “ndër shumë prioritete mbi strategjinë që kemi hartuar për ringritjen e RTSH-së, projekti ‘Përballje me të kaluarën’ mbetet një sfidë e imja personale”. ‘Përballje më të kaluarën’ është projekti që i jep një ridimensionim të ri historisë së të kaluarës komuniste në Shqipëri, që ende ruan dritëhijet e veta për shkak të mungesës së optikës shkencore, që nuk është realizuar ende edhe 27 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri.

Konteksti historik i nismës

Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit të 20-të, Gadishulli i Ballkanit ka tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e botës, për shkak të personaliteteve dhe vendimeve politike të marra nga njerëz të fuqishëm si N. Çaushesku i Rumanisë, T. Zhivkov i Bullgarisë, E. Hoxha i Shqipërisë, etj. Regjimet e tyre të dhunshme tronditën opinionin publik jo vetëm rajonal, ndaj dhe rënia e tyre nga pushteti u përshëndet si fundi i një epoke të errësirës dhe fillimi i një agimi të ri. Ajo çfarë shpesh shpërfillet nga të gjithë, me përjashtim të vëzhguesve të vëmendshëm të rajonit është se këta individë janë pjesë e një tradite autoritarizmi e diktaturash në Ballkan, që mbizotëroi gjatë gjithë shekullit të 20-të. Duke qenë se ishin individë mjaft kompleks, impakti i tyre ka qenë i thellë dhe afatgjatë dhe në një sërë rastesh vijon të ndihet edhe sot e kësaj dite. Edhe pse të gjithë qeverisën me kushtetuta, kuvende kombëtare dhe zgjedhje, askush nuk e pa veten të kufizuar prej tyre. Ata sunduan përmes mekanizmave të partisë dhe organizatave të masave dhe u larguan nga pushteti vetëm prej vdekjes, puçeve të brendshëm ose revolucionit. Ndonëse një pjesë e mirë qysh nga fillimi u vunë në krye dhe udhëhoqën sisteme të quajtur “demokraci popullore”, e vërteta është se “populli” rrallëherë mori pjesë në zgjedhjen e udhëheqjes dhe hartimin e politikave. Institucionet sovjetike ishin modeli për këto qeveri të reja, ndaj dhe përparësitë ekonomike e sociale duke përfshirë modernizimin, politikat sociale dhe barazinë klasore zbatuan dogmën e socializmit. Përgjatë këtij procesi, E. Hoxha krijoi një gjendje shtetrrethimi të vrazhdë, të cilin shkrimtari M. Glenny e ka quajtur “një kolazh fantazish”. Lidershipi komunist që sapo erdhi në pushtet në vitin 1945, ishte i prirur të hartonte dhe të ndiqte politika të ngjashme, shpeshherë duke përfshirë këtu importimin e ideologjive të huaja krejt të papërshtatshme, pjesërisht për shkak të faktit se përballej me sfida të njëjta. Ndër andrallat e tyre hynin çështje përjetësisht të pazgjidhura kombëtare, shoqëritë me një traditë të dobët politike dhe ekonomike, problemet sociale dhe sfidat e politikës së huaj. E vërteta është se ky lidership ofroi një situatë stabiliteti e sigurie ekonomike dhe ia doli të modernizojë vendin deri në një shkallë të caktuar. Monumentet ogurzeza që diktaturat e pas Luftës së Dytë Botërore i ngritën vetes nuk përfaqësohen vetëm prej ngrehinave si ‘House of Terror’ në Budapest, Buzludzha Monument në Bullgari, Shtëpia e Republikës në Bukuresht, Monumenti i Murit në Berlin, Stasi Museum, Qendra e Kujtesës dhe e Edukimit në Erfurt, Shtëpia e Gjetheve në Tiranë apo dhe qindra, mijëra bunkerë të shpërndarë nëpër Shqipëri, por ç’është më e rëndësishmja, ajo trashëgimi e pamasë jetësh të shpërdoruara. Shqiptarët qenë të shtrënguar të hiqnin në kurriz një makth shtypjeje politike – një botë e përbërë nga policia e fshehtë, ekzekutime, informatorë, arrestime të kryera në mesnatë, kampe pune dhe internime. Shqipëria e sotme ruan gjurmët e paranojës së Hoxhës, qindra-mijëra bunkerë prej betoni të ndërtuar gjatë viteve 1970 për t’iu kundërvënë armiqve, lista e të cilëve sa vinte e rritej. Po ajo që është për t’u theksuar, Shqipëria vijon të mbetet edhe sot e kësaj dite e goditur psikologjikisht nga trashëgimia e tij politike dhe sociale, gjë që e ka bërë tranzicionin shqiptar nga socializmi i komanduar në një demokraci të orientuar nga më të vështirit në të gjitha vendet e Europës Lindore.

Përmbajtja e këtij prodhimi

Të gjitha ngjarjet që lidhen me ardhjen në pushtet të lidershipit komunist që nga koha e luftës; lufta dhe përpjekjet e tij për të ruajtur pozitat sunduese; presioni i brendshëm dhe i jashtëm, pasojat që vinin prej paranojës se armiqtë gjendeshin kudo; skalitja e mendësisë së rrethimit, e cila erdhi dhe u bë një tipar i qenësishëm i ideologjisë së Hoxhës dhe karakterizoi regjimin e tij deri ditën e vdekjes më 1985; ngjarjet që shoqëruan ndërtimin shpejt e shpejt të një sistemi adekuat politik, gjë që Hoxha e bëri me inteligjencë dhe vrazhdësi; gjithçka mbi zhdukjet fizike të atyre forcave që sipas tij, paraqisnin rrezik për ndërtimin e shtetit të ri stalinist; gjykatat e posaçme të popullit që u krijuan e që vranë me mijëra njerëz nën akuzën “kriminel lufte”; si lindën shërbimet e Sigurimit dhe si ato u rritën me shpejtësi ndër vite; si degradoi ky pushtet dhe si u përball ai deri në çastin e fundit të frymës së tij. Në fokus të punës së këtij projekti janë ngjarje, vende, histori njerëzore, fate viktimash, dëshmi të reja, analiza dhe përpunime të vërtetash, të cilat presin të ndriçojnë më shumë këtë pjesë të errët të historisë së totalitarizmit shqiptar me misionin e fisëm të zbardhjes së krimeve të regjimit komunist.

 Misioni i kësaj iniciative

Për të mos harruar dhe për të parë pas në kohë, për të kuptuar dhe mësuar nga e kaluara e për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Por, natyrisht përmes kësaj pune ne duhet të sjellim në vëmendje humbjen tragjike, vuajtjen e tmerrshme dhe dëmin e pallogaritshëm që ky regjim totalitar komunisto-sovjetik i shkaktoi popullit shqiptar në gjithë këto vite. Ky mision mbetet jetik sepse, siç tha dhe zv.presidenti i Komisionit Evropian dhe komisioneri përgjegjës për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, Franko Fratini në një nga fjalimet e tij: “Ne mund të kuptojmë se si do të jetë e ardhmja e përbashkët e Evropës, vetëm nëse njohim të kaluarën e përbashkët të saj”. Por gjithsesi, me gjithë problemet që ajo ka, duhet të pranojmë se kontinenti sot, padyshim, është një vend më i mirë. Çmimi Nobel i Paqes, dhënë Bashkimit Europian në vitin 2012 e konfirmoi këtë fakt. Po ashtu, edhe përpjekjet që qeveritë dhe qytetarët, të dyja bashkë, pra, bënë për t’u ngritur prej hirit të luftës, konfliktit dhe tiranisë. Ndaj për këtë arsye nuk duhet të harrojmë se shumë organizata ndërkombëtare anembanë Evropës po punojnë vazhdimisht për të mbrojtur kujtimin e regjimeve totalitare dhe viktimave të tyre. Por, e rëndësishme është që atyre u del gjithashtu si detyrë të sigurojnë një urë për të ardhmen, duke lozur gjithashtu një rol vendimtar në zhvillimin e programeve arsimore për t’u dhënë mundësi të rinjve të reflektojnë mbi çështjet bashkëkohore të të drejtave të njeriut, të tilla si barazia dhe dinjiteti, të para përmes prizmit të së kaluarës. Ato janë po aq të nevojshme, sepse mbi të gjitha, ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes për të drejtat që u takojnë individëve si qytetarë të denjë të një bote të lirë e me një të kaluar të përbashkët. Duke nënvizuar rëndësinë e arsyes së këtij projekti të jashtëzakonshëm, po shkëpus disa fragmente prej një bashkëbisedimi me njeriun kryeshenjë të lirisë dhe vlerave europiane, me shkrimtarin, disidentin dhe presidentin çek, Vaslav Havel, i cili më dëshmoi nën drithërimën emocionuese të një shpirti që dhimbte ende, tronditjen dhe tmerrin e mizorive të kryera nga këto regjime, të cilat ai i kish mësuar prej leximeve të shumta: “Pse është e rëndësishme kujtesa historike e një vendi? Sepse ditët e përkujtimit dhe vizitat në vendet përkujtimore mund të të sigurojnë një kuptim më të gjerë të asaj se çfarë janë në të vërtetë të drejtat e njeriut. Ato ju ndihmojnë të kuptoni se sa e rëndësishme është të krijoni një botë me një dhomë për të gjithë”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.