Show-Bizz

Tradhti apo mbaroi dashuria? Personazhet rrëfejnë si qëndron e vërteta. Ndarjet më të bujshme të VIP-ve ndër vite që lanë gjurmë

12:00 - 20.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela ALIAJ




 

Tashmë jemi në fundvitit dhe një atmosferë e tillë pragfestash të fton në më tepër ngrohtësi pavarësisht acarit të dimrit, duke i bërë njerëzit të afrohen më tepër me njëri-tjetrin. Dhe natyrisht, nga kjo atmosferë vjen natyrshëm ideja e të bërit një përmbledhje të ngjarjeve më të këndshme të ndodhura gjatë 2017-ës, duke filluar këtu nga dasmat e fejesat e papritura, të cilat kanë shpërthyer nëpër rrjetet sociale dhe kanë pothuajse “mbytur” mediat rozë. Por kësaj radhe, për të mos qenë pikërisht në fundvit që të “prishim” atmosferën, po themi që këtë mes dhjetori, kemi vendosur të bëjmë një rezyme të ndarjeve më të bujshme që kanë ndodhur ndër vite. Duke nisur që ato që bënë bujë këtë vit e deri tek ato që u përfshinë si vorbull për një kohë të gjatë në mediat rozë duke lënë gjurmë për shumë kohë edhe pasi gjetën partnerët përkatës.


Vin Veli dhe Bora Zemani
Do ta nisim me lajmin më të freskët të përfolur kohët e fundit në media. Po flasim pikërisht për çiftin Vin Veli dhe Bora Zemani. Në fillim ata e mohuan krizën në çift, u munduan t’i fshihen medias për të mos dalë zbuluar me ndarjen e tyre, por më në fund e kanë konfirmuar. Vin Veli dhe Bora Zemani nuk janë më bashkë. Ndryshe nga moderatorja, Vini vendosi që t’u japë fund thashethemeve që janë bërë për lidhjen e tyre dhe të pranojë publikisht që jetojnë të ndarë. Për arsyet, ndoshta është shumë të kërkojmë.
Këtë të premte ai ka qenë i ftuar në emisionin ‘Oktapod’ të Turjan Hyskës, në intervistën përballë pasqyrës, ku nuk i ka shpëtuar pyetjeve për Borën, marrëdhënien me djalin pas ndarjes, por është treguar aq i sinqertë, saqë ka pranuar se ka tradhtuar gjatë një lidhjeje.


Hueyda El Saied dhe Michael
Një tjetër çift që u përfol për ndarje këtë vit ishte edhe Hueyda El Saied me ish-bashkëshortin e saj Michael. Ajo mori guximin që të fliste për herë të parë për gjendjen e vërtetë të saj, duke marrë më shumë duartrokitje se keqardhje nga njerëzit, kur ka thënë me zë të lartë, në një emision ku ishte e ftuar se babai i të birit, Michael-i, e kishte tradhtuar dhe ky ishte shkaku i ndarjes.
“Dy javët e para qava. Pastaj thashë: “Unë duhet të mbledh veten, nuk jam as e para, as e fundit!”. Jeta vazhdon, dashuria mbaron. Ai më ka dhënë dhuratën më të bukur, Gabriel-in.”,-u shpreh Hueyda.


Luiz Ejlli dhe Megi Topalli
Një tjetër zhurmë e madhe është bërë edhe për ndarjen e këngëtarit Luiz Ejlli dhe Megit, vajzës së ish-deputetes Jozefina Topalli. Lajmi për ndarjen e tyre bëri më shumë bujë sesa lidhja e tyre. Ndërkohë që i ftuar në një emision të pasdites, i pyetur për lidhjen me Megin, ai tha se nuk kanë qenë të fejuar, por “ishte thjesht një lidhje”, e cila ishte e destinuar të përfundonte: “E di si ishte? Si një flluskë sapuni, e cila vjen e fryhet, ngrihet lart, fillon merr ngjyrat e bukura, bëhet një mrekulli atje dhe pastaj shpohet…” – tha Luizi duke shtuar se gjërat përfundojnë dhe kjo është e kuptueshme si për të gjithë njerëzit. I pyetur për arsyet, këngëtari tha se tashmë ato nuk i interesojnë askujt: “Kam pasur dhe do të kem gjithmonë respekt, si për të, ashtu edhe për familjen e saj e për gjithçka. Nuk janë pak ato vite që kemi kaluar, nga unë do kenë mirënjohje gjithmonë”, – ka thënë këngëtari.


Dafina Zeqiri dhe Ledri Vula
Ata kanë qenë një nga çiftet më të dashur për publikun shqiptar. Historia e tyre e dashurisë dukej se do të zgjaste gjatë, por pas ndarjeve dhe rikthimeve të herëpashershme, këngëve dhe performancave provokuese, Ledri dhe Dafina vendosën të thonë “S’jena mo…”. Edhe pse shoqërimi i të tyre vazhdon, ata nuk i kanë dhënë më një mundësi të dytë lidhjes së tyre. Ndërkohë që do të mbeten gjatë në memorien e fansave të tyre kënga e dyshes si: “Got your Back”.


Luana Vjollca dhe Adrian Gaxha
Ata e mbajtën për një kohë të gjatë të fshehtë lidhjen e tyre, por pikërisht kur u bë edhe më publike, historia e dashurisë ndërmjet Adrian Gaxhës dhe moderatores të “Shiko kush Luan” Luana Vjollca, përfundoi. Edhe pse asnjë prej të dashuruarve nuk foli për shkaqet e ndarjes, ajo që ka mbetur sot si kujtim është, “Ngjyra e kuqe”, këngë që këngëtari ia dedikoi ish-të dashurës së zemrës, Luanës. Ndërkohë që tashmë ajo pritet të martohet me biznesmenin nga Kosova, Krenar Cocaj.


Teuta Krasniqi dhe Blero
Aktorja e njohur kosovare, Teuta Krasniqi dhe këngëtari i njohur Blero i kanë dhënë fund martesës 5-vjeçare të tyre nëntorin e 2014. Ata e bën publik lajmin përmes një deklarate të përbashkët, ndërsa më vonë këngëtari do të rrëfente në një emision se ndarja nuk kishte qenë aspak e lehtë. Në rrëfimin e mëvonshëm dhe në mbishkrimet e tij “Mos u martoni nëse nuk dashuroni!”, “Nëse dashuroni, atëherë martohuni!” etj. Në këtë mënyrë këngëtari ka nxitur një sërë reagimesh dhe pikëpyetjesh mbi marrëdhënien e tij me ish-gruan, e cila vazhdoi të jetojë pa shumë fjalë e reagime me vajzën e saj Tarën. Tashmë, si Blero edhe Teuta, kanë gjetur dashurinë e re. Blero me modelen Afrona Dika, ndërsa Teuta është martuar tashmë me Adonisin, trajner.


Afërdita Dreshaj dhe Shpat Kasapi
Nuk na është besuar as ndarja e modeles dhe këngëtares së njohur Afërdita Dreshaj me këngëtarin Shpat Kasapi. Pas lidhjes 6-vjeçare dyshja e njohur i dha fund lidhjes, atëherë kur të gjithë prisnim një martesë mes tyre. Mediat shkruan se shkaku për ndarje mund të ishte largësia, ndërsa Shpati u shpreh se mes tyre thjesht nuk shkonte dot. Tashmë Afërdita ka gjetur lidhje të re me një çek, ndërsa Shpati nuk ka deklaruar asgjë publikisht edhe pse u përfol kohët e fundit për një lidhje të tij me një modele të njohur. Ende nuk është pohuar asgjë.


Aurela Hoxha me Amir Ismajlukaj
Bukuroshja e mirënjohur Aurela Hoxha u njoh me biznesmenin Amir Ismajlukajn që kur ishte adoleshente. Martesa e tyre zgjati 15 vjet. Por, kohëve të fundit raportet martesore nuk shkonin si duhet dhe martesa e tyre përfundoi me divorc. Tashmë e shohim Aurelën aktive në rrjetet sociale ku së fundmi ka vendosur edhe të shkëputet për një kohë nga Shqipëria. Gjithsesi mbetet e rezervuar për jetën e saj private.


Klaudia Pepa dhe Albi Nako
Një tjetër “shok” ishte edhe divorci i balerinës Klaudia Pepa nga koreografi Albi Nako. Pas disa vitesh martesë çifti i njohur vendosën t’i jepnin fund marrëdhënies së tyre. Zhurma për divorcin e tyre u bë edhe më e madhe kur në një intervistë Klaudia e quajti Albin “vëlla të madh”. Megjithatë koreografi shtoi se Klaudia do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij, ende nuk janë zbuluar arsyet e vërteta të kësaj ndarjeje.


Xheni dhe Benardi
Sërish një tjetër çift i “Big Brother” 9 që ndahet. Xheni dhe Benardi ishin një nga çiftet më të dashur për publikun që i rezistoi kohës pasi mbaroi “Big Brother”. Por duket se kohët e fundit jo gjithçka po shkonte mirë dhe ata i dhanë fund marrëdhënies së tyre duke lënë përgjysmë edhe pjesëmarrjen në “Dance with me”. Në një intervistë të mëparshme ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Xheni rrëfeu se Benardi dhe ajo ishin ndarë dhe s’kishte kthim pas. Tashmë ajo është zhvendosur në Itali, ndërkohë ndodh që herë pas here kthehet në Shqipëri.

Big Mama
Ajo nuk ndryshoi drastikisht në pamje, por pranoi hapur edhe lidhjen e saj të dashurisë, por pa e bërë asnjëherë publik partnerin. Për Big Mamën madje u hapën fjalë se do të martohej. Por papritur dasma u anulua dhe këngëtarja deklaroi se ishte ndarë nga i dashuri dhe nuk kishte më vend për rikthim. Shkaqet nuk ka dashur t’i bëjë të ditura, por gjithsesi vazhdojmë ta shohim më seksi se kurrë dhe në topformë Bigitosin.


Olsi dhe Fjorentina
Zakonisht çiftet që njihen dhe lidhen në “Big Brother” nuk janë jetëgjatë. Këtë nuk e themi ne por statistikat që shohim nga gjithë ata që u lidhën, u dashuruan dhe u ndanë më pas. Ndër ta mund të përmendim edhe Olsin me Fjorentinën, çiftin e sezonit të fundit të “Big Brother”. Megjithëse të gjithë ishin skeptikë për lidhjen e tyre pas përfundimit të show, Olsi dhe Fjori rezistuan edhe për pak kohë. Më pas erdhi ndarja, madje Olsi deklaroi se e kishte tradhtuar Fjorentinën. Gjëra që ndodhin apo jo? Gjithsesi secili vazhdoi jetën e tij pas kësaj, edhe pse kanë shpesh “fërkime” në postimet e bëra në “Instastory”.


Pirro Çako dhe Sisi
E shumë komentuar ka qenë edhe ndarja e kantautorit Pirro Çako nga partnerja e tij disa vite më e re, Sisi. Pas një marrëdhënie 5-vjeçare ata u ndanë dhe nuk u prononcuan për arsyen që i çoi deri aty. Ndërkohë që në një foto-paparaci të kapur para ca kohësh në teatër, kantautori ishte duke folur me një vajzë brune simpatike në “FaceTime”. Të ketë rinisur një lidhje të re Pirro?


Mc Kresha dhe Rozana Radi
Kënga “Jaba Daba Du” bashkoi Rozana Radin dhe Mc Kreshën jo vetëm në muzikë, por edhe në jetën personale. Kjo këngë, e cila ishte pjesë e “Kënga Magjike 2011” u pëlqye shumë, dhe me këtë rast u bë edhe videoklip, ku shihej se Rozi dhe Kresha kishin rënë në dashuri. Por disa muaj më vonë, ajo dashuri u shua, duke bërë që reperi dhe këngëtarja të ndahen duke bërë shumë zhurmë. Ndërkohë që në “Kënga Magjike 2012”, ka qenë vetë Rozana, e cila i shprehu mllefin Kreshës duke kënduar “Ti s’ke zemër”. Si të ketë përfunduar kështu një dashuri e tillë?


Cozman dhe Tuna
Lidhja e tyre ishte e papritur ashtu siç ishte edhe ndarja më vonë. Reperi Cozman dhe këngëtarja Altuna Sejdi, e njohur si Tuna janë bashkuar, janë ndarë, janë ribashkuar dhe duket se sërish janë ndarë. Ende nuk dihen arsyet, por mendohet se herën e pare që janë ndarë, e kanë bërë vetëm për publicitet. Këngët që i bashkuan ishin “Fenix” dhe më vonë “Holla”, ku pas të dytës nuk u panë më bashkë. Tanimë Tuna është martuar me Patrisin, bateristin në filarmoninë e Kosovës me të cilin ka një vogëlush të quajtur Tian.


Flori Mumajesi dhe Soni Malaj
Një ndër çiftet më të bukur dhe më të dashur për ekranin ishin ata të dy. Në vitin 2007, ‘Fluturimi 3470’ kënga që u bë hit, bashkoi Soni Malajn dhe me Flori Mumajesin. Ata dy dukeshin shumë të dashuruar në “Kënga Magjike”, por, për fat të keq, dashuria e tyre mbaroi pa asnjë shpjegim. Shumë thashetheme qarkulluan, por e vërteta mbeti mes të dyve dhe nuk u bë asnjëherë publike. Ndërkohë që ata vazhduan me jetën e tyre ku Soni pasi u martua me balerinin italian Mirko, me të cilin ka dhe një vajzë, u nda. Nga ana tjetër, asgjë nuk është bërë publike për jetën e Florit. Ta ketë gjetur dashurinë e vërtetë?

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.