Intervista

Ekskluzive/ Qosja: Rama? Uroj të mos paguajë çmimin e ‘vetmisë’

11:00 - 05.01.18 Fatmira NIKOLLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

VRASJE E PARLAMENTARIZMIT! Kështu e sheh Profesor Rexhep Qosja situatën e tanishme politike në Shqipëri, duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në parlament e jo vetëm. Në një intervistë ekskluzive për “GAZETA SHQIPTARE”, ai thotë se “për çizmen e hedhur në parlament për të përmbysur me të kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nuk dua të them një fjalë: do të thonë komediografë të ardhshëm! Por dua të them: PD dhe LSI, kryetari i të parës dhe kryetarja e të dytës, po bëjnë çmos që të delegjitimojnë Kuvendin, që të vrasin parlamentarizmin shqiptar, që ta tregojnë Shqipërinë parashtet të çmendur!”




Në rrëfimin e tij të gjatë për “GSH”, ndalemi në ngjarjet më të bujshme të vitit që lamë pas e pritshmëritë për vitin ku sapo hymë. Nga çështja Saimir Tahiri, te ish-Prokurori Përgjithshëm, nga Vettingu, te opozita PD-LSI profesori jep opinionin e tij përmes një gjykimi të përftuar së largu.

Duke vënë në dukje prirjen e kryeministrit Edi Rama për të mbetur i vetëm qoftë edhe në kuptimin i vetmuar, thotë se si na mëson historia, statusi i të vetmuarit dhe i të dalluarit, gati gjithmonë dhe gati gjithkund, në politikë dhe jo vetëm në politikë, është paguar shtrenjtë. “Uroj të mos e paguaj Edi Rama këtë çmim”- thekson profesori.

Ai argumenton pse nuk ka besim te Vettingu, pse nuk duhet paragjykuar deri në fund ish-ministri i Brendshëm dhe ndalet më pas te sjellja e opozitës. Një shuplakë e fortë vjen në drejtim të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla të cilin Akademiku e gjen fajtor për mosdorëzimin para drejtësisë të fajtorëve për Gërdecin e 21 janarin. Më poshtë, pjesa e parë e intervistës.

Profesor, në këtë mandat të dytë të qeverisë Rama, çfarë duhet të ketë përparësi?
Sipas mendimit tim e kjo do të thotë sipas mendimit të një intelektuali, të një qytetari të zakonshëm, që nuk ka lejuar dhe nuk lejon të privohet nga e drejta për të shprehur mendimin ndaj të mirave e të këqijave që bëjnë strukturat politike e shtetërore, qeveria në krye me Edi Ramën ka dy detyra që mund të quhen parësore.

Detyra e parë është krijimi i kushteve politike, ligjore, shtetërore për sundimin e drejtësisë, domethënë për institucionalizimin e plotë, të gjithanshëm të shtetit të së drejtës. Njëra prej përpjekjeve të mëdha, por jo të vetme, për sendërtimin e kësaj detyre është realizimi i Vettingut.
Detyra e dytë është krijimi i kushteve politike, ligjore, shtetërore për zbutjen, zvogëlimin, parandalimin e pabarazisë sociale, që sjell të keqe të madhe në shoqëri, që sjell pasiguri sociale, dëshpërim, zhvendosje sidomos të rinisë në botë të jashtme.

Ka shqiptarë që janë zhgënjyer nga Rama dhe qeveritë e tij, ndërsa thuhet shpesh se pushteti konsumon. Do të doja të më thoshit, profesor, se çfarë po bën Rama në gjykimin tuaj, po qeveris mirë a keq?

Si një intelektual me formim mendor e politik bashkëkohor, modern, që është bërë kryeministër, Edi Rama me të drejtë i është kushtuar reformave gati të përgjithshme politike, ekonomike, shtetërore, shoqërore, në sajë të të cilave Shqipëria dhe, nën ndikimin e saj të shpresojmë edhe Kosova, do të liroheshin prej paragjykimeve, prej prapambetjeve, kurse kulturës, qytetërimit, jetës kombëtare do t’i silleshin përmasa të reja ndërtimore, shoqërore, kulturore, demokratike  e humane.

Kryeministri Edi Rama, me bashkëpunëtorët e tij më të përkushtuar, është turrur shumë, ndërkaq, për arritjen e këtyre qëllimeve dhe në këtë turr qëndrojnë të arritura dhe dobësi të qeverisë që kryeson ai. Fushatën e pandalshme të opozitës kundër tij nuk e nxit vetëm etja pushtetore e partive kryesore opozitare, por edhe ky turr që i sjell shumë ndryshime njëmendësisë që ato parti i shqetësojnë! Kryeministri Edi Rama, ndoshta nuk e ka dëgjuar e ndoshta nuk e ka pranuar një të vërtetë të dëshmuar në shumë shtete, që politikologë e sociologë e kanë formuluar kështu:

“Në çdo kohë janë disa kufizime socio-politike, kulturo-logjike dhe historike që përcaktojnë se çka mund të arrihet për një mandat politik shtetëror”.

Shkak tjetër i disa dobësive të qeverisë së Edi Ramës është prirja e tij për të mos përfillur sa duhet këshilla, kritika qëllimmira e kjo domethënë prirja e tij për të mbetur i vetëm qoftë edhe në kuptimin i vetmuar! E, si na mëson historia, statusi i të vetmuarit dhe i të dalluarit, gati gjithmonë dhe gati gjithkund, në politikë dhe jo vetëm në politikë, është paguar shtrenjtë. Uroj të mos e paguaj Edi Rama këtë çmim.

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Tamam ashtu Profesor dhe i vetem Trim ne Lufte.Ai eshte dhe ska tjeter.Ai, i gjati Ramadani e din ke artist te vleresoje, se si mbillet toka (Droga),Ku ka Nafte dhe si vidhet ajo,Ai e din ku duhet Hidrocentrali dhe kujt tja dhuroje me koncension te parapaguar,Ai e din kur dhe si te flasi media (Kazani guzhinjer i te cilit eshte vete ne kater vakte),kurre zeri i shkencetareve dhe prefesionisteve te mos vleresohet se eshte Ai,Ai don me qene Ligji dhe Maliqi e keshtu me rradhe historite e Belulit.Mire Profesor kete Edin e dashur na e “analizove” dhe na e bekove qe “zoti” mos e lente vetem(fundi i Albanistanit) por andej nga Ju ckemi,A po ta nigjojne ndopak llafen apo hic…….

    Përgjigju ↓
  2. Zoti akademik Qose .Kam shume respekt per figuren tuaj.Por ne rastin e Rames duhet te vini ne laberi tani se kur keni ardhur ju kemi takuar dhe te njiheni me mire me vepren kriminale te kanbizimit te vendit te lejuar nga Rama dhe pastaj lavderojeni sa te doni per te tjerat.

    Përgjigju ↓