AKTUALITET

I vunë tritol në oborr shefit të Patentave, kunata tregon tmerrin: Patëm frikë, kujtuam se…

09:11 - 07.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Senad NIKSHIQI




 Një shpërthim me tritol ka tronditur banorë të lagjes “Tre Heronjtë” në qytetin e Shkodrës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku bënë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm dhe se eksplozivi ka shpërthyer në oborrin e përbashkët të të tre vëllezërve: Fran, Mark e Zef Paja. Mësohet se si pasojë e shpërthimit të fuqishëm nuk ka pasur persona të lënduar, por janë dëmtuar vetëm makinat që kanë qenë të parkuara në oborrin e banesave të vëllezërve Paja, ku një prej tyre është mjeti tip “Citroen” me targë AA 505 BA. Pas sinjalizimit për sulmin me tritol, policia ka shkuar shpejt në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave si dhe identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një fitil zjarr përcjellës me gjatësi 8 cm. Sipas hetuesve të çështjes, në oborrin e vëllezërve Paja u vendos një sasi prej rreth 200 gr. tritol i llojit C4.

Vendi ku u vendos ekplozivi

Ndërkaq, ekspertët sqaruan se për fatin e mirë të familjes Paja, tritoli nuk ka qenë i puthitur mirë, pasi në rast të kundërt mund të ishin shembur dhe banesat e tyre. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka marrë në pyetje vëllezërit Paja, ku njëri prej tyre, Frani është shef i financës në Drejtorinë e Patentave në Shkodër. Ata kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me askënd.

Fran Paja është shprehur se nuk e di arsyen e vendosjes së tritolit në oborrin e banesës së tij, pasi nuk ka probleme me persona të tjerë. Gjithashtu, ai ka pohuar se nuk ka dyshime se vendosja e tritolit lidhet me punën që bën çdo ditë te patentat si shef i financës. Pavarësisht deklaratave, blutë e qytetit verior po hetojnë në dy pista. Për konflikte të mundshme personale që mund të kenë pasur vëllezërit Paja me persona të tjerë, por edhe me detyrën e Fran Pajës.

File Paja, kunata e Fran Pajës duke folur për ‘Gazeta Shqiptare’

Ndërkaq, kunata e këtij të fundit, File Paja u shpreh dje në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se ngjarja nuk ka lidhje me pozicionin e punës së Franit, pasi ai nuk ka pasur konflikte me ndonjë person. Ajo tregoi me detaje momentet e tmerrshme të shpërthimit me tritol.

Kur ndodhi shpërthimi me eksploziv?

Ne ishim të gjithë në gjumë, kur rreth orës 01:40, nuk e mbaj mend fiks, dëgjuam një shpërthim shumë të fortë. Dëgjuam një përplasje të fortë në xhamat e ndërtesës ku jetojmë. Unë menjëherë u çova me shpejtësi, sepse kam një bombol gazi në banesë dhe fillimisht mendova se mos vallë shpërtheu bombola e gazit. Kur pashë se s’kishte lidhje me bombolën e gazit, i thirra djalit: Ku je, ku je?! Ai u ngrit menjëherë dhe ka dalë me shumë shpejtësi jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Më pas dola dhe unë.

Çfarë konstatuat kur dolët jashtë?

Kur dola jashtë gjeta xhamat e derës të rëna në tokë. Ishin thyer nga shpërthimi. Pastaj dolën edhe të gjithë familjarët e tjerë që jetojnë në banesat ngjitur me ne për të parë se çfarë kishte ndodhur. Kur dolëm jashtë nuk pamë askënd dhe u çuditëm, sepse këtu është një lagje e qetë dhe nuk ka probleme. Pastaj erdhi policia, zjarrfikësit dhe panë çfarë kishin për të parë dhe bënë veprimet e tyre. Kanë marrë edhe kamerat e sigurisë dhe tani duhet parë nëse do gjendet ndokush.

Pati persona të lënduar nga shpërthimi i eksplozivit?

Nga shpërthimi janë dëmtuar 3 makinat që kishim në oborr. Më shumë dëme ka pësuar ajo e Markut dhe më pak makinat e dy vëllezërve të tjerë. Gjithashtu, u dëmtuan dhe xhamat e banesave. Shpërthimi mu duk si bombë. Thashë, o Zot a thua ka rënë shtëpia brenda, aq shpërthim i fortë ishte. U frikësuam të gjithë, por tani kaloi. 

Keni pasur konflikte me persona të tjerë?

Asnjë prej familjarëve nuk kanë konflikte, nuk e dimë se kush e vuri tritolin dhe përse e vuri.

Shef i financës në Drejtorinë e Patentave në Shkodër, Fran Paja

Kunati juaj, Frani punon në Drejtorinë e Patentave në Shkodër, mendoni se shpërthimi mund të ketë marrë shkas për shkak të detyrës së tij?

Jo, jo. Ngjarja nuk ka lidhje me punën që bën Frani. Kushdo që shkon tek patentat e kanë parë se ai është njeri dhe punonjës shumë i rregullt. Ne kemi ardhur të parët në këtë lagje ku jemi sot dhe me asnjë njeri s’kemi pasur asnjëherë asnjë problem. Po ashtu, as Frani, por as dy vëllezërit e tjerë të tij nuk kanë asnjë konflikt apo probleme. Zoti mund ta dijë, mbase ka qenë ndonjë pijanec, ndonjë hajdut apo vagabond. Nuk e di se si mund të ketë ndodhur. Ne të shkretët s’kemi pasur asnjë lloj problem me askënd, as Frani që punon tek patentat, por as Marku, i cili ka një lokal përballë maternitetit në Shkodër. Punon edhe ai çdo ditë aty, shkojnë mjekët, infermierët dhe s’ka asnjë problem asnjëri prej 3 vëllezërve që jetojnë këtu. Ndodhi ky shpërthim, por ne nuk e dimë arsyen dhe nuk dimë as autorët.

Cili është apeli juaj?

Shpresojmë që policia t’i gjejë dhe t’i vendosë përpara drejtësisë autorët, sepse na kanë trazuar pa pasur asnjë arsye.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.