Kulturë

Poezitë dhe përkthimi i panjohur i Dantes nga poeti i persekutuar

10:14 - 10.01.18 Fatmira NIKOLLI

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) lajmëron botimin për së shpejti të dy librave të poetit të ndjerë Hektor Shënepremte, përkatësisht vëllimit me poezi “Udha e Kryqit” (poezi të shkruara në burg e internim) dhe “Ferri” të Dante Alighier-it (të përkthyer ad literam në internim).



KUSH ËSHTË POETI
Neritan Ceka shkruan se me Hektorin kanë qenë shokë fëmijërie, por edhe kushërinj, sepse rridhnin nga ana e nënave të tyre, nga familja e pasur, por edhe intelektuale e Villave, nga Frashëri i Përmetit. Cekën dhe Hektori i bashkonte edhe interesi i hershëm për librat dhe që të dy kishin filluar të shkruanin ndonjë poezi që në bankat e shkollës. “Kur familja e tij u transferua në Berat dhe më pas në fshat, takoheshim më rrallë, por bisedat për letërsinë dhe kohën na afronin edhe më shumë. Ceka kujton se një ditë Shënepremtja do të pushohej nga puna dhe do të transferohej në Qytetin Stalin (Kuçovë), për të punuar si punëtor në fabrikën e tullave dhe më pas si mekanik. Vinte rrallë në Tiranë, së bashku me teze Dritën, mësuese e vjetër, që kishte mbaruar shkollën “Nana Mbretneshë” dhe kishte dalë në pension duke ndërruar së bashku me tre fëmijët e saj shkollat e fshatrave të Beratit e Skraparit, kur i shoqi, juristi i Sorbonës, Xhelal Shënepremte, shlyente vitet e gjata të dy burgimeve. Ceka e kujton Hektorin gjithmonë energjik, me shpirtin e revoltuar të kalorësit të tij që “Vjen të këputë vargonjtë e skllavërisë, të shkundë pluhurin e puthadorit, t’i ikë zgjedhës së gjakatarisë, t’i arratiset kohës më mizore”.

Sipas Neritan Cekës, poezitë e tij ishin sfida që i bënte përpjekjes së regjimit për ta poshtëruar, për ta lënë në injorancë, për të shkatërruar pinjollët premtues të familjeve të mëdha shqiptare. Edhe jeta e tij në Kuçovë ishte e tillë. Shënon se pas punës së rëndë i kthehej leximeve, mësoi në mënyrë autodidakte italishten dhe përktheu edhe “Ferrin” e Dantes në shqip. Shkruante rrallë, por me një fuqi poetike që i ngjan daltës së skulptorit. Diku shkëlqen në krijimtarinë e Hektorit edhe ndonjë poezi lirike, apo etyd i natyrës, që zbulon shpirtin e ndjeshëm të tij: Dhe ti plot hir, e freskët dhe me sytë/
E ndritur, qesh dhe zhytesh lozonjare/ Në lojën e një vere imagjinare…/
Miku e kushëriri i tij, Neritan Ceka thotë se janë momente të rralla në poezinë e tij, ashtu siç ishin të rralla çastet e ndriçuara në jetën e tij të rënduar nga përndjekja, ndrydhja e talentit, mohimi i jetesës e punës normale dhe, më pas, sëmundja e fatkeqësitë familjare, që nuk e lanë të shijonte edhe vitet e lirisë së pritur me aq dëshirë. Pati fatin të shikojë vetëm një botim të kufizuar të poezive të tij të sponsorizuar nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë në vitin 2001. “Botimi i tanishëm shton edhe disa poezi të tjera, që ai m’i kishte lënë në dy fletore të vogla shkollore, me shkrimin e tij të rregullt, më e hershmja e të cilave i takonte vitit 1964, kur shkruante: Bajame e çelur në të ftohtë,/ Mbi ty do kthehet prap acari
Dhe lulet që shpërtheve kot,/ Do vyshken si buqeta varri…”

Poezitë që botohen janë vetëm maja e ajsbergut të prodhimit të një talenti të madh. “Hektori më pati thënë në takimin e fundit që pata me të në Kuçovë, se kishte edhe krijime të tjera, që po i përgatiste për botim. Largimi për disa vite në Itali më shkëputi nga kontaktet e rregullta që kisha me të dhe telefonatat që i bëja herë pas here më përcillnin një zë gjithmonë e më të dobët, të një miku që ishte nisur për udhëtimin e tij të fundit”,-kujton Ceka. Shton se kur u kthye nuk e gjeti më në jetë dhe e bija i solli si amanet një fjalor frëngjisht-shqip të përpiluar nga babai i Hektorit, Xhelal Shënepremte, që pret edhe ai kohën e botimit. Poezitë e këtij vëllimi janë të mjaftueshme për të kuptuar dimensionet e një poeti jo të zakonshëm, që zë një vend nderi në poezinë klandestine të periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri. “Në të njëjtën kohë ato janë një dëshmi për të treguar se diktatura nuk shkatërroi vetëm thjeshtë kualitetin e jetës njerëzore, duke i mohuar një populli të tërë kushtet minimale të jetesës, por edhe talentet e tij, duke i mohuar kombit vlerat mbi të cilat ngrihet. Prandaj, në fund të librit lexuesi ka të drejtë të pyesë: kush mund të ishte bërë Hektor Shënepremte në një Shqipëri të lirë?”- thotë Ceka.

PËRKTHIMI SI GJEST I REZISTENCËS KULTURORE
Në parafjalën për “Ferrin” e Dantes së Shënepremtes, Agron Tufa shënon se nuk është e rastësishme që ky përkthim i “Ferrit” të Dantes vjen në përkthimin e një ish-të përndjekuri politik të diktaturës komuniste, tashmë të ndjerit, Hektor Shënepremte (1921-1997). Në fakt, të gjitha përkthimet e “Komedisë hyjnore” që kemi në shqip janë përkthyer/shqipëruar nga ish-të dënuar dhe të internuar politikë të regjimit komunist.
Tufa vëren se përkthimi i dytë në shqipen standarde dhe i vetmi në llojin e vet i pjesës së parë të “Komedisë”, pra, “Ferri-t”, është ky përkthim i Hektor Shënepremtes, gjithashtu, edhe ky, pa e prishur traditën e të dënuarve dhe të dëbuarve të mëparshëm nga regjimi. Është i vetmi në llojin e vet ky variant, sepse është sjellë në llojin e përkthimit ad literam (përkthim i fjalëpërfjalshëm), domethënë i parimuar, jopoetik. Në fakt, në traditën tonë përkthimore tipi i përkthimit të fjalëpërfjalshëm ndeshet rrallë, por në kulturat e huaja letrare është shpesh herë një lloj përkthimi me rëndësi të madhe, për të kuptuar sa më saktë e besnikërisht idetë, mendimin dhe imazhet strikte të origjinalit.
Tufa shton se nuk duhet të harrojmë as kushtet, as gjendjen shpirtërore e mendore të përkthyesit në internim dhe punë të rëndë, as mundësitë e pakta dhe as njohjen autodidakte të gjuhës. Më së pari, ky përkthim është një gjest rezistence i një njeriu të papërkulshëm të kulturës, i cili tok me poezitë dhe poemat e tij origjinale, e ka parë përkthimin e “Ferrit” si një “ngjërim përvoje” vetjake, të asaj përvoje që e vuante në lëkurë. “Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) ka qenë i ndjeshëm ndaj kësaj rezistence intelektuale dhe dorëshkrimet e veprave origjinale apo përkthimet e përmbushura në mungesën totale të lirisë (në burgje apo internim-dëbime), i ka botuar, duke ua kthyer lexuesve shqiptarë këtë akt e gjest qëndrese. Dhe qëndresa më e lartë është ajo që bëhet në sferën e kulturës”,-thotë ai duke pyetur në fund: kush më mirë se një i burgosur dhe një i internuar mund ta ndjente lëndën danteske si barrë shtypëse në shpirt e në ndërgjegje? Prandaj përftohet, jo rastësisht, që të gjithë përkthyesit e Dantes, përkatësisht “Ferrit” në shqip, janë ata përkthyes, fati i të cilëve u vërtit nëpër rrathët e “ferrit komunist”, si të dënuar apo si të internuar, brenda apo jashtë atdheut (Prenushi, Koliqi, Gjeçi, Dakaj, Ndoja, Kurti, Shënepremte).

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *