KULTURË

Dalin letrat pas dasme Dritëroi, Sadijes: Dimri, i vështirë për dashnorët

10:45 - 11.01.18 Fatmira NIKOLLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Data 6 janar 1965 shënon ditën e celebrimit të Dritëro Agollit me të shoqen, Sadijen. Kanë qenë ditë të ftohta janari, por plot pasion, aq bukur të përshkruara në letërkëmbimin mes tyre shkruan e bija, Elona, teksa publikon disa nga letrat që shkrimtari i ka shkruar të shoqes në vitin 1965. Letrat do të jenë pjesë e një botimi me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit në shkurt.




 

LETRA E PARË

“E dashur Sadije,
U ktheve në shtëpi e lodhur, po me fitore. U bëre zyrtarisht gruaja ime. S’ka tani tërc mërc. Emrin tim e ke edhe në pasaportë. Bëjmë shaka, se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur të mos e kishim atë vulë, prapë bashkë do të ishim.
Dje, pas celebrimit tonë të famshëm, unë kam qirasur gjithë ata njerëz. Të trashëgohesh, thosh njeri; të trashëgohesh, thosh tjetri. Sikur ne u fejuam dje! Siç duket, ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë.
Lutjen a e bëre? Mos e lër pas dore dhe mos i nënvleftëso formalitetet, si unë, se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjendjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bë më natyrshëm e më njerëzishëm. Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë.
Eja papritur ndonjëherë.
Të puth shumë
Dritëro
7.1.1965

LETRA E DYTË

“Ngrive ti sot tek autobusi, moj e dashur; dimri është stinë e vështirë për dashnorët! Sa marr udhën për në shtëpi, mendoj për të ardhur prapë tek ti. Mua gjithnjë kur nisem më vjen keq që ndahem dhe pa marrë biletën them me vehte: sikur mos ketë bileta e të ik pasdite! (Megjithëse duhet ikur në mëngjes).
Sonte binte dëborë. Dolla në rrugë me republikën e plakut, megjithëse është e vjetër, po ç’t’i bënja se më ngrinte koka. Ti ke të ftohtë? Atëherë po të puth fort që mos kesh të ftohtë.

Yti Dritëro
8 janar ’65

 

LETRA E TRETË

“E dashur Sadije, si je, moj gruaja ime e shtrenjtë? Je bërë fare dembele, as shkruan letra, as na vjen nga Tirana. Unë rri këtu vetëm e mërzitem për ty. Kur vij ndonjëherë vonë, në dhomë s’ka dritë, në dhomë është ftohtë. Atëherë them me vehte se po të ishte Sadija ime e dashur nuk do të mbretëronte kjo gjendje!
Prushi në mangall po më shuhet. Në dhomë po bën ftohtë. Më duket sikur jam brenda në ujë, si peshqit e mij në akuarium. Dua të mbulohem me jorgan, pra, që t’i shpëtoj këtij të ftohti. Prandaj natën e mirë.
Të puth shumë
Dritëro
10.1.1965


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.