OPINION

A do të bjerë qeveria “Rama”?

18:48 - 12.01.18 Eduard Zaloshnja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë deklaruar se protestat e fundit të janarit, do të sjellin edhe fundin e qeverisë Rama. Nëse realizohet ky objektiv, do të ishte hera e parë që një qeveri shqiptare e tre dekadave të fundit, do të binte prej shkundjes nga poshtë …




Është e vërtetë se, në vitin 1991, pas grevës së përgjithshme të punëtorëve dhe grevës së urisë së minatorëve të Valiasit, ra qeveria Nano. Por ajo nuk ra prej tyre. Shkaku i vërtetë ishte rënia e komunizmit në të gjithë Europën Lindore, si dhe izolimi ekonomik i shtetit komunist shqiptar. Në qoftë se komunistët shqiptarë nuk do t’i kishin ndërprerë marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Kinën komuniste, protestat në Tiranë do të kishin patur fatin e atyre të sheshit Tienanmen, ku mijëra studentë kinezë, u vranë e u shtypën nga tanket e gardës komuniste …

Është e vërtetë se, në vitin 1997, pasi revoltat e shkaktuara nga rënia e skemave piramidale iu afruan Tiranës, Berisha e pranoi shkarkimin e qeverisë demokrate dhe krijimin e një qeverie provizore, me një socialist në krye. Por shkaku i vërtetë i rënies së qeverisë demokrate, duhet kërkuar në vitin 1996.

Pas zgjedhjeve të majit të atij viti, qeveria amerikane i kërkoi zyrtarisht Berishës, t’i përsëriste zgjedhjet në 40 zona, pasi raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë kishin identifikuar shkelje të rënda në to. Përsëritja e zgjedhjeve në ato zona, kishte gjasa ta rrezikonte kuotën e 2/3 të mandateve parlamentare demokrate, që i duheshin Berishës për t’u rizgjedhur si president i republikës. Dhe ai nuk e pranoi kërkesën zyrtare të SHBA-së.

Vetëm pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, do të zhvilloheshin zgjedhjet lokale, dhe Berisha i vuri objektiv vetes të arrinte një fitore me mbi 2/3, në mënyrë që të legjitimonte rezultatin e zgjedhjeve të majit. Dhe kur FMN-ja e Banka Botërore (në të cilat SHBA-ja ka paketën kontrolluese të aksioneve), paralajmëruan publikisht për katastrofën financiare që i priste ata që investonin kursimet e tyre në kompanitë piramidale, Berisha deklaroi se paratë e shqiptarëve ishin më se të sigurta në kompanitë vendase. Ai donte që votuesit shqiptarë të ishin të kënaqur deri në zgjedhjet e tetorit, në mënyrë që t’i jepnin PD-së më shumë se 2/3 e votave. (Motoja e PD-së në ato zgjedhje ishte, “Me ne fitojnë të gjithë”, dhe presidentët e kompanive piramidale shfaqeshin vazhdimisht në tribunat e saj elektorale.)

Dhe në fakt, shumica e shqiptarëve, për fat të keq, dëgjuan më shumë Berishën se sa FMN-në e Bankën Botërore. Në vend që t’i tërhiqnin investimet e tyre nga skemat piramidale, ata shitën shtëpi e katandi, për të futur më shumë pará në to – të joshur edhe nga interesat që rriteshin çdo ditë. Dhe, siç kishin paralajmëruar FMN-ja e Banka Botërore, fill pas zgjedhjeve lokale (të cilat PD-ja i fitoi me mbi 80%), filluan edhe falimentimet e para të skemave piramidale, të cilat përfunduan me ikjen e Berishës nga presidenca. Në qoftë se Berisha do ta kishte pranuar kërkesën amerikane për përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona, skemat piramidale do të mbylleshin prej tij, para se t’u bënin gjëmën shqiptarëve dhe qeveria demokrate do ta kishte mbyllur normalisht mandatin e saj …

Në vitin 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit, Berisha u përpoq ta rimerrte pushtetin me një protestë popullore. Dhe në fakt, protestuesit arritën të pushtonin pothuaj të gjitha godinat qeveritare. Madje, një lejtnant i Berishës deklaroi në televizionin shtetëror se, qeveria kishte rënë dhe se opozita do të krijonte qeverinë e re. Por u deshën vetëm disa telefonata nga kanceleritë perëndimore, që Berisha t’i tërhiqte protestuesit nga të gjitha godinat qeveritare. Dhe atij iu desh të priste edhe 7 vjet të tjera, për të riardhur në pushtet – me zgjedhje…

Aktualisht, protestat që planifikon të fillojë në fund të janarit opozita, mund ta rrëzojnë qeverinë Rama, vetëm nëse kancelaritë perëndimore japin sinjale të forta se e dëshirojnë një gjë të tillë. Sado citime të Tomas Xhefersonit të bëjë Basha, e sado përbetime për rrëzimin e Ramës të bëjë Kryemadhi, qeveria nuk bie në një vend si Shqipëria, për sa kohë që kancelaritë perëndimore nuk duan trazira.

Të mos harrojmë se jemi një shtet i vogël, që nuk do ta kishte fituar dot pavarësinë reale vetëm me kryengritje popullore. Pavarësisë tonë iu vu vula zyrtare, vetëm kur u njoh nga kancelaritë perëndimore në Londër…(AFP.al)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.