Intervista

Bujar Osmani: Ligjin e dygjuhësisë do ta miratojmë prapë në parlament

12:00 - 18.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Darina Tanushi – Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane të Republikës së Maqedonisë, Bujar Osmani deklaroi dje, nga Shqipëria se, nëse presidenti Ivanov e nuk e dekreton ligjin e dygjuhësisë, do ta miratojnë sërish në parlament.




“Presim verifikimin nga Presidenti, edhe nëse ai e refuzon nënshkrimin e këtij ligji do ta rikthejmë përsëri në parlament dhe me këtë do të bëhet i plotfuqishëm”,-tha Osmani, në një intervistë për “Report tv”, para refuzimit të Ivanov. Osmani u prit dje, nga Presidenti Ilir Meta, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi si edhe nga kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Në njoftimin zyrtar të Presidencës thuhet se Presidenti Meta përshëndeti miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga ana e parlamentit të Maqedonisë, si një hap përpara për demokratizimin dhe forcimin e rrugës integruese të Maqedonisë. Presidenti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit, për respektimin e të drejtave të shqiptareve në Maqedoni dhe përmirësimin e klimës se besimit të ndërsjellë në mes të shqiptareve dhe maqedonasve, në interes të integrimit euro-atlantik të vendit.

Presidenti Meta, shprehu angazhimin e tij për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, në interes të dy vendeve dhe perspektivës evropiane të rajonit. Në takimin me kreun e Kuvendit, të dy personalitetet vlerësuan rëndësinë e vizitave të niveleve më të larta për krijimin e kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. Në takim u ritheksua vullneti për intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta për të konkretizuar piketat e bashkëpunimit të hedhura në mbledhjen e parë të përbashkët të dy qeverive në Pogradec, me qëllim fuqizimin e ndërlidhjes, përfundimin e korridoreve infrastrukturore, të energjisë, rrëzimin e barrierave të çfarëdollojshme, si dhe për mundësimin e një sinergjie efektive për perspektivën e përbashkët evropiane.

Kryetari i Kuvendit theksoi faktin se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fort integrimin euroatlantik të Maqedonisë dhe rikonfirmoi se “ne ndajmë vizionin e një rajoni integruar në strukturat euroatlantike, pasi Ballkani është një pjesë integrale e sigurisë europiane”.

Duke çmuar rolin e Shqipërisë dhe të gjithë faktorit shqiptar për paqen dhe stabilitetin në rajon, Kryetari i Kuvendit u shpreh se, për adresimin e çështjeve që i takojnë rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet treguar maturi dhe pjekuri, nëpërmjet mekanizmave diplomatikë e politikë, nisur dhe nga mësimet që na ka dhënë historia, për të krijuar dhe forcuar klimën e mirëbesimit mes palëve, për të mos penguar dhe për të çuar përpara procesin e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar, theksi u vu në mobilizimin e përpjekjeve të përbashkëta për avancimin e projekteve të ndërlidhjes infrastrukturore, energjetike, rrëzimit të barrierave dhe bashkëpunimit ekonomiko-tregtar. Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut u konsiderua si një mundësi për evidentimin e trashëgimisë kombëtare, jo vetëm si vektor identiteti, por vlerë e përbashkët evropiane mes dy vendeve tona.

Bushati veçoi, në këtë kontekst, përfundimin me sukses të procesit legjislativ për ligjin e përdorimit të gjuhëve, që siguron një shtrirje më të gjerë të përdorimit të shqipes, një akses më të mirë të qytetarëve në shërbime, një përfshirje më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni në mirëqeverisje, politikat zhvillimore, si dhe ndërtimin e shoqërie të hapur dhe një shteti bazuar në vlerat evropiane.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.