OPINION

“Nilkon”- what a wonderful world!

07:20 - 21.01.18 Monika Stafa
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një shkrimtar duhet të lexojë dhe aq më shumë të kërkojë për të mëshuar faktet e tij. Kjo e plotëson veprën dhe i jep informacion për ta sjellë në të tërën e tij. “Nilkon” është romani më i fundit i Fate Velaj, i cili me ndjeshmërinë e pashembullt të një artisti, sjell gjendjen e trazuar të një individualiteti në kërkim. Sot kjo lloj ambicie sipërore është e munguar.




Ta bësh qytetin roman, të paraqesësh lagjet dhe rrugët si personazhe të pajisur secili me karakter krejt të kundërt nga të tjerët; të evokosh figura njerëzore dhe situata si një bimësi spontane që mbin nga kalldrëmi i këtyre rrugëve, të bësh që në çdo çast të vetëm protagonist i rrëfimit të mbetet qyteti i gjallë, apo më saktë dy botë qytetesh me histori ngulmuese pas; kjo është sipërmarrja për të cilën ndihet i thirrur F. Velaj.

Letërsia, e kuptuar si një eksperiment i madh në zgrip të njerëzores, gjithnjë duhet të jetë e tillë: një detonator, një katastrofë që shkakton ndryshime të pakthyeshme në jetë. Një faktor çekuilibrues. Sa më shumë madhështi të ketë brenda një libër, aq më shumë duhet të jetë në gjendje të pllenojë forma marrëzie që t’i shkojnë për shtat asaj madhështie.

Por e gjithë kjo ndodh rrallë. Sot është e lehtë të ndihesh artist, të shkruash atë çfarë ti mendon se të ka ngacmuar për ta ndarë me tjetrin. Udhëtimi, takimi me njeriun e panjohur në çdo hap tëndin, ndalesat dhe stacionet nga një vend në tjetrin nuk mund t’i rrëfejë çdokush në një libër si Nilkon.

Veçantia e një artisti prej një udhëtari normal i kësaj bote është pikërisht ndjeshmëria e lartë ndaj disa fenomeneve që jo të gjithë mund ta gëzojnë. Gjatë leximit të librit, në dukje e sipër, autori qartazi e gëzon bindjen e patundur se është i vetmi njeri në botë që e ka kuptuar këtë veçori. Normaliteti i amullt dhe trullosës i jetës në atë zonë aq në dukje të ndriçuar dhe plot trafik të Vjenës, nuk shfaqet si vetëm si një dukje e bukur.

Kryeqyteti austriak, sipas autorit, mban një realitet pafund të thellë, me të papritura e plot dritëhije artistësh. Pas një jete në një zonë lokale të Austrisë, si do të ishte jeta për artistin, tashmë në një kryeqytet europian? Sfiduese, por po aq mbushur me ambicie për të gëzuar ato çfarë njeriu brenda vetes fsheh.

S’mund të mohohet se ideja e të qenit një marrës i privilegjuar dhe, në njëfarë mënyre, trashëgimtar dhe kujdestar i një vepre, është një simptomë e qartë marrëzie. Njëherësh s’mund të përjashtohet fakti që një dozë e caktuar marrëzie është përbërës i qenësishëm, kur diçka na duket me tërë mend e rëndësishme, madje vendimtare për ne. Kur lexon “Nilkon”, ka diçka tepër të thjeshtë në rrëfimin e tij, si p.sh. detajet e një bisede të lehtë, të cilat njeriu ka nevojë t’i dëgjojë sikur të gjitha hallet e botës të jenë shëruar dhe ballkanasit të mos ndihen aspak të tillë ballë zotërinjve si Lehmannët.

Apo dhe kur kafshëve u përcakton sjellje si ato të njeriut gjatë një bisede, personazhe të tjerë që vijnë rrugës duke nxjerrë në dukje një shqisë të veçantë të autorit, gjithëpërfshirjen e karaktereve, të cilat ai nuk ka kuriozitet vetëm t’i njohë, por dhe t’i hulumtojë.

Si një individualist i pandreqshëm me rreshtat që duket se u drejtohen të tjerëve, autori ngarkon veten, në fakt, me një peshë të papërballueshme qëllimshmërie. Atje ku bashkësia tregohet hipokrite dhe e pavëmendshme, individi mund ta perceptojë veten si marrësin e vetëm të një mesazhi, të një testamenti, apo të një mandati. E gjithë kjo duhet ta pranojmë, mund ta bëjë një tekst letrar jashtëzakonisht të aftë të krijojë kundërgoditje të brendshme vendimtare.

Dhe, nëse lexon Nilkon, duket se ky mision sapo ka nisur të mbartet tek autori. Jo të gjithë e dinë se e vetmja mundësi për jetëgjatësi të letërsisë nuk u besohet gjykimeve dhe vlerave kolektive, por individëve njerëzorë, aftësisë së tyre për ta pranuar veten si të vetëm dhe të papërsëritshëm, pulsioneve të pathënshme dhe shpresave të parrëfyeshme që përcaktojnë fatin e tyre.

Për F. Velaj nuk vlen pohimi i artistëve burracakë, të cilët pohojnë se vjen gjithmonë një ditë kur arkitekti i fatit tënd, është një iluzion, se gjithçka merr rrokopujën dhe s’ke mundësi as të ndalosh e as të ndryshosh drejtim. Kompozimi i ‘listelave të gjata’, ky veprim i tij i kudogjendur në roman, si pikënisje e një aventure të re, është qortimi i pafjalë me të cilën ai ka zgjedhur të shpotisë dritën e vagët që vjen prej të ngjashmëve të tij, tek presin çdo mbrëmje dështimin.

Janë fort të rralla takimet që, siç thuhet shpesh, lënë vërtet vragë. E kam fjalën për një vragë të pashlyeshme, më shumë një blanë apo edhe një gjymtim sesa një sistem kujtimesh. Keqardhje ta thuash, por pjesa dërrmuese e njerëzve që takojmë nuk shkakton asnjë reaksion të thellë te ne, as edhe ndryshimin më të vogël. Do të jemi kryekëput njëlloj, sikur të mos i kishim njohur fare. Vetëm se ky rregull ndrydhës e bën përjashtimin edhe më të rrezikshëm. Ka me dhjetëra takime F. Velaj në romanin e tij. Sjell shembuj të një botë më shumë të rrumbullakët sesa të mysët, siç duam ne ta shohim ndonjëherë. Të gjitha me një qëllim të mirëmenduar dhe mirëprojektuar drejt së ardhmes.

Sepse F. Velaj është nga ata individë që luajnë në jetën e të tjerëve një rol që me plot gojën do ta quaja interaktiv. Jeta e një emigranti deri te marrja e titullit “Kryqi i artë” i Republikës së Austrisë kanë shënjuar një lëmsh betejash mes gjendjeve të trazuara të autorit, rrjedhë e së cilave janë këto botime që njëra pas tjetrës duket se kanë të bëjnë me arsyen e shëndoshë dhe administrimin e mençur të jetës, të ashtuquajturin përpunim të rrezikut e që sigurisht nuk është një ide shumë romantike e po aq poetike.

Rrëfimi i tij në “Nilkon” nxjerr në pah nevojën për të vazhduar përpara, duke i dhënë kohës efektin e një ilaçi dhembjezbutës. “Stop, Loss”, është titulli i një filmi të Hollivudit shfaqur disa vite më parë edhe në kinematë tona, dhe kush do të rrojë, e mbledh mendjen vetëm duke punuar. Është pikërisht kjo ecje përpara kaq prozaike, por e nevojshme që iu gjet intuitivisht autorit.

Në kërkimet e tij aventureske, F. Velaj me artin e tij, ndjek një lloj teorie se njeriu vetë ka lindur të ushtrojë një lloj trysnie djegëse nëpërmjet potencialit të tij. Secili me idividualitetin e tij, lë një gjurmë të pashlyeshme të kalimit, apo të thirrjes së vet. Kjo gjuhë si e F. Velaj është gjuha më rrëqethëse dhe e drejtpërdrejtë ndër gjithë të tjerat, sepse është gjuha e shqisave, duke kryer kështu në thelb, një veprim qortimi ndaj gjithë ankuesve të kësaj bote për pamundësinë për t’ia dalë ëndrrave të tyre.

“Nilkon” dhe rrëfimi brenda tij është një shkundje prej përhumbjes ku zhyten njerëzit e zakonshëm, ata që presin që ‘yllin e shkëlqimtë’ t’ua sjellin në dorë. Sepse jeta, si tërë gjendjet e përjashtimit, ka nevojë ta garantojë kohëzgjatjen e saj kalimtare me egoizëm dhe një dozë të caktuar pavetëdijshmërie.

Në varësi të rrethanave, ky libër, mund t’i ngjajë një romani, apo dhe një eseje po të doni, një poeme mitologjike, një libri udhëtimesh, një përmbledhjeje me tregime të lidhur mes tyre, si ‘Një mijë e një netët’ apo ‘Tregimet e Kentërbërisë’. Por asnjë gjini shkrimi, e konsideruar edhe abstrakte, as edhe një ditar, s’do mundte dot ta duronte këtë lloj rrëfimi të Fates për Faten. Thjesht e vetëm se ai nuk e konsideron këtë botë, këtë dekadë, këtë mjedis. Autori qëndron larg tij. E trishtë ta pranosh, më shumë e trishtë ta pohosh.

Por ky është artisti; në një shkëndijë supreme ekstaze të vetëdijes, më në fund bëhet e qartë se, e fshehur në pafundësinë e historive që mund të rrëfehen, gjendet gjithmonë një histori e vetme. Ajo pafundësi është një iluzion, diçka prej së cilës një ditë edhe mund të zgjohesh.

E vërteta është se secili prej nesh me pak rropatje, mund të mësojë t’i përdorë ‘bojërat’ e duhura për t’i bërë mirë detyrat dhe ta quajë veten shkrimtar. Por në kallamarin e vërtetë, në atë që përdorin të mëdhenjtë, ziejnë lëndë krejt të tjera: gjak, spermë, fekale, dhe tërë baltovinat e ndyta ku gëlojnë dëshirat, aspiratat dhe kujtimet më të shumta e më të errëta të çdo fjale, të çdo bashkëbisedimi.

Nuk është e thënë që pena e atyre që guxojnë të shkruajnë të mund të ngjyhet në tërë këtë baltovinë, ama po të lexosh secilin rresht e të shfletosh çdo faqe të “Nilkon” sigurisht që maja e penës së vogël ka peshën e këtyre tipareve. Ndaj dhe stili i urtë i të shkruarit të F. Velaj ka gjithmonë diçka të çmuar për të mësuar, diçka që nuk mund të hiqesh si shpërfillës.

Të gjithë kemi nevojë të mësojmë diçka dhe pikësëpari duhet të mësojmë si të mësojmë. Por shkollat e vetme vërtet të denja për t’u ndjekur janë ato që nuk i zgjedhim vetë dhe në dyert e të cilave, le të themi, hyjmë rastësisht; po ashtu, edhe lëndët ku vërtet ia vlen të thellohemi janë ato që nuk kanë një emër të saktë dhe aq më pak një metodë racionale të nxënies. Gjithçka tjetër tek e fundit, është relative.

“Nilkon” është një libër plot ngjyra si pamja e një telajoje prej bezeje të bardhë, si e përshkruan vetë autori, momentin e parë kur mësoi t’i hapte vetë ato prej mikut të tij, artistit Klaus- Joachim Keller. I ngadaltë në përshkrimin e tij, por i beftë në emocionet njerëzore që shpërndan që prej rrezes së diellit në “stolin tonë” e deri te lajthitë në duart e ketrushëve vjenezë, romani mëton të jetë një libër i këndshëm në duart e lexuesve e plot zbulime që edhe pse të vështira për t’u përkufizuar, mbeten po aq ngacmues.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.