Media

Flet Blendi Fevziu: Si e shoh unë Ben Blushin drejtor në Top Channel

12:20 - 27.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka patur lëvizje interesante këto kohë në tregun e moderatorëve më të rëndësishëm të programeve politike, ndërkohë që superlajmi është rikthimi i Blushit në gazetari. Si i sheh këto ndryshime moderatori i “Opinion”, Blendi Fevziu dhe si e sheh veten në raport me këtë konfigurim të ri të konkurrencës.




Lexoni intervistën e realizuar për “Panorama Plus”.

Këto kohë po flitet se Ben Blushi, miku juaj i hershëm, do i rikthehet gazetarisë si Drejtor i Përgjithshëm në Top Channel. Si ju duket kjo zgjedhje e tij për të këmbyer politikën me gazetarinë si prioritet?

Për mua ishte i papritur dhe e përjetova me dy ndjesi kontradiktore. Me keqardhjen që politika humbi edhe një tjetër ndër personazhet e saj cilësorë; me trishtimin që një ide e re si LIBRA nuk rezultoi fituese, por, për mua, rezultoi padyshim e suksesshme. Pak kush ka triumfuar me tentativën e parë, por me gjasë, Blushi vendosi të ndalojë. Jam munduar të flas me të, por ndihej që ai s’donte të vazhdonte më. Keqardhja në këtë rast është edhe përtej Blushit. Veç tij, ky vit, largoi nga vendimmarrja politike edhe emra të tjerë me personalitet e histori në politikë. Për shumë prej tyre, unë besoja se mund të jepnin ende kontribut, por kjo s’ka më rëndësi. Rëndësi ka fakti që prurjet e reja, në të gjitha partitë, ngjajnë më shumë si prodhime skarco dhe pak ose aspak të krahasueshme me emrat dhe personalitet që zëvendë- suan. Që ndryshimi të jetë i suksesshëm, ai duhet të vijë në një përfaqësim më cilësor. Për fat të keq, në prurjet e reja, shumica janë njerëz pa identitet ideologjik; pa personalitet të fortë; pa imponim publik dhe pa asnjë lloj karizme. Janë më shumë burokratë, që e shohin politikën si çështje numrash dhe jo fryme. Kjo ka sjellë trishtimin dhe mungesën e besimit që ekziston sot. Kjo ishte pjesa e trishtuar e lajmit. Ndjesia e mirë që pata, ishte lajmi për kthimin e tij në media.

Ju ka kërkuar ndonjë mendim, nëse po, çfarë këshille i keni dhënë?

Nuk kemi folur konkretisht, sepse, mesa di, nuk është ende një çështje e mbyllur, por në parim unë mendoj që vajtja e tij në krye të Top Channel, është një lajm i mirë për të gjithë. Për Topin në rradhë të parë, për gazetarinë serioze dhe për ne që punojmë në Klan apo televizione të tjera. Unë e njoh Ben Blushin që fëmijë. Ai është ndër njerëzit që merret me thelbin e gjërave, që lexon, ndjek zhvillimet në botë dhe del tej vizionit provincial që dominon shpesh mediat tona. Unë nuk e di se si do të jetë ai si drejtor, por jam i bindur që Blushi do investohet në gazetarinë serioze, në gjërat me thelb dhe nuk do ndjekë trendin fatkeq të 3-4 viteve të fundit që e ka reduktuar gazetarinë në nivele karnavaleske. Kudo në botë, gjërat janë bërë më fun. Mediat on line e kanë detyruar televizionin të lehtë- sojë formatet e tij. Nuk ka emisione shumë të rënda dhe shumë serioze. Por nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës, që çështjet serioze të injorohen, që thelbi të anashkalohet. Këtu po ngatërrohen padashje rrjetet sociale me televizionin. Po bëhen njësh. Edhe pse janë dy gjëra kaq të ndryshme. Për fat të keq, kjo po ndodh vetëm në Shqipëri. As në vendet fqinjë, si Kosova. E dyta, Blushi ka një staturë të fortë dhe nuk do thyhet kollaj nga presionet në media. As nuk besoj që do të reflektojë aty ndjesitë e tij personale ndaj qeverisë. E treta, shpresoj shumë që ai të krijojë një traditë ndryshe nga ajo e gazetarisë së pazareve dhe gazetarëve pazarxhinj, që po gëlojnë në media dhe që po i shohin hapësirat e tyre mediatike si mundësi për gjobvënie dhe shantazh financiar. Së fundmi, ardhja e tij në Top Channel shpresoj se do ndikojë në rritjen e konkurencës me Klan-in dhe si e tillë do të reflektohet edhe te ne. Kjo është padyshim pozitive. Ka vetëm një formulë magjike për ta çuar përpara një media dhe kjo është konkurrenca.

Burimi: Panorama Plus


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.