OPINION

Gabimi i opozitarit që mungoi në protestën e sotme

20:36 - 27.01.18 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ja si e shoh unë: mund të jesh votues i PS-së, por mund të dalësh në protestë. Në rrugë a në shesh, ti nuk po zgjedh midis Ramës dhe Bashës. Atë do ta bësh ditën e votimit.




Në protestë, ti si qytetar i kujton kryeministrit të rradhës të dëgjojë zërin tënd. I kujton që e ka marrë zyrën me qira. Për të shërbyer, jo sunduar.

Dikush tha: nuk dola në protestë, sepse opozita është e dobët.

Sa qesharake. Po të ishte opozita e fortë, ndoshta s’do kish nevojë për ty. Ndoshta s’do kish nevojë për protestë fare.

Nëse opozita në këtë vend është e dobët, aq më keq për të gjithë. Atëherë kryeministri i rradhës, kushdo qoftë ai, do qeverisë pa dëgjuar askënd dhe pa e çarë kokën për asgjë.

Protesta nuk është hedhje vote ku ti zgjedh mes PS, PD a LSI.

Protesta është mjet demokratik, ku një qytetar pavarësisht se për kë voton, i thotë qeverisë “më llogarit edhe mua” me shpresën se do ta bëjë të mendohet 2 herë dhe ndoshta, të vetëkorrigjohet. Për të mirën e të gjithëve.

E keqja në Shqipëri është se njerëzit janë të polarizuar partiakisht dhe i shohin politikanët si yje futbolli, jo si të punësuar për të përmirësuar jetën tonë.

Ndaj, as mund të mendohet këtu që një socialist të dalë në protestë kundër Ramës, apo një demokrat kundër Bashës. Kjo do të quhej tradhti e madhe, “ndërrim lëkure”. Miqtë e fisi do ta përbuznin këtë njeri. Kjo është një mendësi primitiviste, që i ndan individët në kamikazë të njërit apo tjetrit udhëheqës.

E kundërta është normale: mund të jesh votues i cilësdo forcë politike, nëse ke pakënaqësi del në shesh dhe i kërkon pushtetit të ndryshojë kahjen apo tempin e qeverisjes.

Përsa kohë qytetarët do ta ndajnë veten mekanikisht në “të majtë e të djathtë” njësoj siç ndahen në tifozë Reali apo Barcelone, kërkesa e llogarisë ndaj politikës do jetë shumë larg. Afërmendsh, edhe politikani as do ta mendojë llogaridhënien.

Nëse vazhdon kjo ndarje tifozlliku “o me PS – o me PD”, qeveritarët e këtij vendi nuk do ta shohin popullin si një masë të vetme, së cilës duhet t’i përgjigjen. Por, do ta shohin të ndarë në 2 kampe: ku Rama e Basha kanë secili të verbërit e tij.

Pse duhet t’i interesojë Ramës ca thonë demokratët, ai ka socialistët e tij besnikë? Dhe anasjelltas, Basha është në opozitë, ç’i duhet atij ç’mendojnë socialistët? Ai ka demokratët e betuar pas tij, si në pushtet, si në opozitë.

Siguria që kanë liderët që “populli i tyre” i ndjek edhe në fitore edhe në humbje, edhe në suksese edhe në vjedhje e korrupsion, ja bën atyre jetën më të lehtë.

“Divide et impera” ka thënë latini dhe nuk e ka thënë kot. Kjo ndarje e popullit qorrazi në “demokratë e socialistë” e zhduk llogaridhënien si koncept.

Sjell këtë: ti mund të qeverisësh si bedel, mund të mos kesh asnjë bilanc në 4 vite, por besnikët do t’i kesh pas vetes në çdo rast.

Për sa kohë kjo s’do të ndryshojë, për sa kohë mendja nuk do të emancipohet duke qenë gjithnjë e në çdo rast opozitare, kërkuese dhe kritike ndaj realitetit, Rama dhe Basha (para tyre Nano-Berisha) thjesht do të ndërrojnë vendet çdo 8 vjet.

Dikush tjetër tha: unë s’marr pjesë në protesta të organizuara nga partitë politike. Eshtë e qartë se kjo është një alibi për të justifikuar përgjumjen e letargjinë: thua i ndritën këtu protestat jopartiake intelektualët dhe shoqëria civile?!

S’ka asgjë të keqe të ngresh zërin, të mos rreshtohesh, të mos konformohesh. “Po s’qau fëmija, s’i jep nëna të pijë”, thonë të vjetrit. Ditën e zgjedhjeve bë ç’të duash, por kur ke mundësi të flasësh, fol, mos u bëj filozof mbi mjerimin tënd.

Por, për sofistët e Tiranës ka gjithnjë një arsye për të qenë anti-opozitar.

Nëse protesta do shënonte incidente do thonin se ishte e dhunshme, por meqë doli paqësore thanë ishte e zbehtë. Po të kishte pak njerëz do thonin opozita nuk frymëzon, por meqë pati shumë thanë s’kishte entuziasëm. Po të ngulej çadra do shfrynin protestë demode, por meqë gjithçka u mbyll në 2 orë thanë s’pati surpriza.

Si parim, opozita – qoftë ajo më e keqja – nuk mund ta dëmtojë kurrë një vend më shumë se qeveria, andaj është mirë dhe në çdo rast, qofsh demokrat, socialist apo jopartiak, ti thuash qeverisë dhe kryeministrit të rradhës: dëgjoje zërin tim!

Ndryshe, shqiptarit të ngratë, atij që nuk e klasifikon veten partiakisht, i mbetet të ikë nga sytë këmbët në vende ku njerëzia nuk është e lyer me bojë blu dhe të kuqe. Në ato vende ku dinë ta ndajnë të mirën nga e keqja, ku protesta nuk është tabu dhe ku “heroi” është i drejti e jo i forti.


Shfaq Komentet (3)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Shumë i saktë z. Murati.
    Mesazhi i sotëm në bulevard ishte shumë i fortë. Prezenca e opozitarit të mungiar, do ta kthente në tronditje mjaft të madhe për qeverinë.
    Një qeveri që don popullin e vet, do të reflektonte menjëherë duke ndryshuar bindshëm mënyrën e qeverisjes, në mos marrjen e vendimit më të drejtë….zgjedhje të reja.
    Respekt!

    Përgjigju ↓
  2. Para se te flitet per pjesemarrje qytetare / jopartiake ne proteste, duhet te thuhet ku dhe kur valle jane zhvilluar dhe kane qene te suksesshme protestat e organizuara nga shoqeria civile apo organizata a shoqata jopolitike? Ai qe ka thene s’dal ne proteste se opozita eshte e dobet, ka qene demokrat, nga ata qe del ne proteste e madje ben cmos te dallohet, kur e di qe kjo do t’i llogaritet neser kur partia sot ne opozite te vije ne pushtet. (Paraprakisht, kuptohet qe partia sot ne pushtet s’e ka perfillur me ndonje post…). Pse keshtu? Sepse keshtu ndodh kur ketu protesta organizojne vetem partite dhe jo organizmat qytetare apo sindikatat. Dhe partite qe porositen autobuset e furgonat,patjeter kane bere edhe listat e pjesemarresve! Pastaj me nje cope leter ua kane deshmuar pjesemarrjen, si ato fletet gjate Luftes ku shkruhej se do te paguheshin pac clirimit…

    Përgjigju ↓
  3. Shume e drejte, do te kisha dale ne proteste per ato arsye te drejta qe i shkruani me siper por sikur sheshi te tejmbushej me protestues paqesor sic ne fakt ishin dhe cdo qytetar te thoshte “kyeminister me llogarit dhe mua”, a do ta shfrytezonte Luli, Saliu dhe Monika kete pjesmarje per ineresat e tyre politike ? Shqipetaret e kane provuar qeverisjen e tyre ” Me duar te pasterta” dhe per me shume nuk duken te kenaqur nga qeverisja aktuale bile Kane shume mllef dhe e ndjejne se jane te perdorur, te mashtruar dhe te tradhetuar . Mendoj dhe besoj se do te ishte nje proteste shume e fuqishme pa keta qe permenda me siper. Nje here ndodhi, fatkeqesisht, kur shqiptaret I thane kryeministrit te tyre ” jemi dhe ne ” kur ishte rasti I plehrave kimike dhe ne ate proteste nuk e thirri Luli, Saliu apo Monika dhe ate here fituan vertet. Te pershendes z. Murati.

    Përgjigju ↓