DOSSIER

Paskal Milo: Lufta italo-greke, fajtorë kuislingët miq të Musolinit e mercenarët shqiptarë

12:00 - 08.02.18 Fatmira Nikolli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në 2 mars Musolini duke pilotuar vetë aeroplanin zbriti në aeroportin e Tiranës për të qenë i pranishëm e për të trimëruar forcat italiane në prag të shpërthimit të ofensivës.




Vizitoi të gjithë frontin e luftimeve, Elbasanin, Gramshin, Beratin, Fierin, Vlorën, Llogoranë e deri në Dhërmi i shoqëruar nga gjeneralët, Çiano e hierarkët e lartë fashistë, Akile Starace e Roberto Farinaçi. Ardhja e Duçes në Shqipëri u mbajt e fshehtë jo vetëm për arsye sigurie, por edhe nga frika e një dështimi tjetër të turpshëm…Por, a ishin shqiptarët në këtë luftë, viktima a bashkëfajtorë?!

Në këtë pjesë të dytë të materialit marrë nga libri “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore” – I, botim i vitit 2014, i prof.dr. Paskal Milo, trajtohet pozicioni i shqiptarëve në Luftën italo-greke dhe ardhja e Musolinit në Shqipëri për tri javë.

Milo, hedh dritë mbi kuislingët, mercenarët, miqtë e fashistëve duke përmendur emra si Terenc Toçi e jo vetëm si zë i fashistëve në Shqipëri. Historiani vëren se “Kriza e besimit që ekzistonte midis italianëve e shqiptarëve u thellua në ekstrem dhe po kështu edhe përbuzja e hierarkëve fashistë ndaj tyre. Filloi një reprezalje e ‘gjueti shtrigash’ ndaj shqiptarëve që dezertuan e ndaj familjarëve të tyre”, pasi ka bërë me dije se 3 mijë shqiptarë të disa batalioneve ikën nga lufta.

VIKTIMA APO BASHKËFAJTORË?
Luftën kundër Greqisë Musolini e përgatiti, e shpalli dhe e bëri me gjithë bashkëpunëtorët e tij, kush më shumë e kush më pak. Ata ishin bashkëfajtorë për këtë agresion e për rrjedhojat që ajo solli. Të tillë njerëz kreu i fashizmit italian pati edhe në Shqipëri. Me ata ai krijoi regjimin e 7 prillit, qeverinë kolaboracioniste, partinë fashiste, Këshillin e Lartë Fashist Korporativ, të gjitha institucionet e një shteti kukull që i shërbeu fashizmit. Këta kishin një pushtet të deleguar nga Roma e të kontrolluar nga Mëkëmbësi i Përgjithshëm në Shqipëri, që zbatonin të gjitha urdhrat, dekretet e vendimet që vinin nga qendra e Imperos.

Kështu ndodhi kur iu shpall luftë Britanisë së Madhe e Francës në qershor e po i njëjti veprim u krye edhe në tetor 1940 kur nga territori shqiptar u sulmua Greqia. Kuislingët e të gjitha kategorive mbështetën luftën, brohoritën nëpër salla e ndër sheshe, nxitën mobilizimin civil e rekrutuan njerëz për t’i armatosur e për t’i dërguar në frontin e luftimeve. Kjo “aristokraci” e fashizmit në Shqipëri nuk ishte e madhe në numër, por ajo përdori të gjithë influencën personale, fisnore e krahinore, mekanizmat e shtetit, paranë e varfërinë për t’i joshur shqiptarët që t’i bashkoheshin luftës kundër Greqisë. Përdori edhe kartën e nacionalizmit, “çlirimin” e Çamërisë me armët e fashizmit italian, për realizimin, siç shkruante kryetari i Këshillit të Lartë Fashist Korporativ, Terenc Toçi – Zenone Beninit, një “Shqipërie të madhe, me Perandorinë që do të bëhej më e gjerë dhe më e fuqishme”.

Arkivat shqiptare kanë një numër të madh dokumentesh që dëshmojnë fare mirë këto përpjekje të kolaboracionizmit shqiptar të urdhëruar për të mobilizuar sa më shumë shqiptarë në frontin e luftës italo – greke. Një thuajse histeri fashiste e ushqyer edhe nga ndjenja të ndërsjella jo miqësore në kategori të caktuara sociale e zona gjeografike në të dy anët e kufirit, bëri që mijëra shqiptarë të rreshtoheshin në anën e agresorëve. Por ishin pak në krahasim me shumicën e shqiptarëve që, ose qëndruan indiferentë ose e kundërshtuan luftën.
Regjimi shqiptar nuk kishte legjitimitet për të folur e vendosur në emër të shqiptarëve. Asnjë institucion i tij nuk ishte i zgjedhur me votën e tyre e nuk mbështetej në themele demokratike përfaqësimi. Por kjo nuk e shmangu cilësimin e Shqipërisë si një vend armik e në gjendje lufte me Greqinë nga ana e autoriteteve greke kur ato, aktit të Mbretit të Italisë e të Shqipërisë, Viktor Emanuelit, e të ratifikuar nga qeveria e Shefqet Vërlacit, iu përgjigjen me një dekret analog lufte.


Në 10 nëntor 1940 në Greqi u shpall ligji i detyrueshëm Nr.2636 “Mbi veprimet juridike të armiqve dhe konfiskimin konservativ të pasurive armike”. Po atë ditë u shpall edhe dekreti mbretëror “Mbi caktimin si shtete armike sipas kuptimit të ligjit të detyrueshëm Nr.2636/1940 të Italisë dhe Shqipërisë”.
Në dekretin mbretëror shprehimisht thuhej: “Caktojmë si shtete armike, sipas kuptimit të ligjit të detyrueshëm të lartpërmendur, Italinë me dominionet, territoret perandorake dhe kolonitë e saj si dhe Shqipërinë. Vëmë në zbatim në tërësi dispozitat e ligjit në fjalë për sa u përket këtyre shteteve prej datës 28 tetor 1940”. Ligji dhe dekreti mbretëror u botuan në Gazetën Zyrtare, 10 nëntor 1940, fashikulli A, faqe 379.
Kjo ishte ana formale e çështjes dhe që në kohën e shpalljes së tyre askush nuk kishte kohë të mendonte për rrjedhojat e ardhshme politike e juridike të këtyre akteve. Fjalën e kishin marrë armët e në varësi të rezultatit që do të sillte kryqëzimi i tyre do të gjykoheshin edhe ato. Qeveria kuislinge shqiptare i “dhuroi” popullit shqiptar një kokëçarje të pamerituar dhjetëra vjeçare prej të cilës nuk ka shpëtuar ende. Qeveritë greke me ndonjë përjashtim e shfrytëzuan thuajse po kaq vite këtë “gjendje lufte” me Shqipërinë për të ndërtuar bazën ligjore të pretendimeve territoriale ndaj jugut të vendit dhe të politikave zyrtare ndaj saj më shumë gjatë periudhës së “Luftës së Ftohtë” e më pak pas saj.

Kjo situatë konfliktuale që u krijua në marrëdhëniet shqiptaro-greke në 28 tetor 1940 dhe që sigurisht nuk ishte e para, këtë herë u nxit dhe u shkaktua nga Italia fashiste që e mbante Shqipërinë të pushtuar që një vit e gjysmë më parë. Në Athinë e dinin mirë këtë fakt dhe Metaksai nga frika për ta mbajtur larg agresionin italian nga Greqia e kishte përgëzuar Musolinin për dërgimin e legjioneve fashiste në Shqipëri. Mirëpo për një kohë të gjatë mbeti peng dilema dhe përgjigja e plotë për pyetjen se çfarë përfaqësuan Shqipëria dhe shqiptarët në luftën italo – greke: bashkëfajtorin apo viktimën?

Kupola kolaboracioniste shqiptare u tregua edhe më e lehtë se padronët e saj të Romës në gjykimin e rrethanave, faktorëve e forcave që do të përcaktonin fatin e luftës italo-greke. Ajo nuk ishte pjesë e analizës, e vendimmarrjes dhe e përcaktimit të taktikave e të strategjisë italiane të luftës. Anëtarët e kupolës fashiste shqiptare ishin thjeshtë dekori lokal i një “shëtitoreje lufte” që duhej të mbante dafinat që do të viheshin në kokat e gjeneralëve fitimtarë të perandorisë së re. Ata nuk e njihnin e nuk e kuptonin shumicën e shqiptarëve që luftonin për ditë me varfërinë, me sëmundjet e që jetonin nën peshën e rëndë të halleve të tyre. Mjaft shqiptarë shkuan në luftë si mercenarë, u rekrutuan kundrejt një pagese që iu premtua për ta çuar në fund të saj në shtëpitë e tyre.

Italianët bënë çmos që t’i integronin plotësisht shqiptarët në luftën kundër Greqisë. Madje në mënyrë simbolike ishin dy batalione të Milicisë Fashiste Shqiptare që në mëngjesin e 28 tetorit sulmuan të parët kufijtë grekë në Epir. Por u zhgënjyen shumë shpejtë. Pritshmëria nga shqiptarët në frontin e luftimeve rezultoi nën zero. Dezertimi u bë një fenomen masiv dhe i organizuar. Të parët ngritën krye ushtarët e batalionit “Tomori” kur shumica e të cilëve në 4 nëntor u larguan nga fronti e ku mbetën vetëm 120 njerëz. Veprimi i tyre u pasua nga batalioni “Taraboshi” e pak më vonë edhe nga batalionet “Gramozi” e “Dajti”. Vetëm në një natë, duke u gdhirë 23 nëntori, në zonën e Pogradecit dezertuan 206 ushtarakë shqiptarë. Gjithsej në përfundim të luftës italo-greke dezertuan nga fronti e nga shërbimi mbi tre mijë shqiptarë.

Dezertimi i shqiptarëve në front e shtoi panikun që kishte zënë forcat italiane në vijën e parë të luftimeve, por edhe në prapavijë pas tërheqjes e humbjeve që kishin pësuar. Ishte më tepër një goditje morale se sa një prishje fatale në rreshtimin e forcave në front e një “tradhti shqiptare” që e përdorën gjeneralët fashistë italianë për t’u justifikuar për humbjet te Musolini.

Kriza e besimit që ekzistonte midis italianëve e shqiptarëve u thellua në ekstrem dhe po kështu edhe përbuzja e hierarkëve fashistë ndaj tyre. Filloi një reprezalje e “gjueti shtrigash” ndaj shqiptarëve që dezertuan e ndaj familjarëve të tyre. Ushtarët dezertorë që u kapën dhe mbeturinat e batalioneve shqiptare u grumbulluan në fillim në Fier e pastaj në Shijak ku edhe u riorganizuan në një grupim të vetëm të quajtur “Skanderbeg”. Me mijëra urdhra arresti (ordine di cattura) u dhanë për ushtarët dezertorë gjatë gjithë kohës që vazhdoi lufta italo-greke e pas saj nga Gjykata Ushtarake e Luftës. Me qindra familje të ushtarëve të dezertuar ose të arratisur u persekutuan dhe u internuan, përfshirë edhe afro 400 veta në Itali.

Avancimi i forcave greke në Shqipërinë e Jugut ringjalli projektin e vjetër të pretendimeve të Athinës për aneksimin e këtij territori të shtetit shqiptar. Metaksai foli për çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi italian por edhe nënvizoi me theks të veçantë nevojën e zotërimit të disa pikave strategjike në vend për të mbrojtur Greqinë nga ndonjë agresion tjetër.

Deklaratat e Metaksait ishin me mesazhe krejt të qarta: jo Shqipëri të pavarur dhe jo integritet territorial të saj në të ardhmen. Ato i kapën mirë e i shfrytëzuan në Romë e në Tiranë për t’u bërë thirrje të tjera shqiptarëve për t’u bashkuar në luftën kundër Greqisë. Ato u interceptuan e u komentuan edhe në Londër. Në Forin Ofis referuar deklaratës së gjeneralit Metaksa se Greqia ishte duke luftuar për lirinë e Shqipërisë shprehën bindje se asnjë grek nuk i jepte rëndësinë më të vogël asaj dhe askush nuk ishte gati “të derdhte gjakun e tij për lirinë e shqiptarëve”. Edhe sikur ai të ishte gati, shkruante Pirson Dikson (Pierson Dixon), “të na thotë ne se ai shpreson për një Shqipëri të pavarur pas luftës, është e dyshimtë nëse ai do të dëshironte që kjo të shpallej publikisht”. Dhe Metaksai si për të mos i lënë më tej britanikët që të hamendësonin rreth qëndrimeve të tij, ua bëri të qartë se ai nuk do të mbështeste restaurimin e një Shqipërie të pavarur.
Edhe shqiptarët aq sa bënë në luftën italo-greke e bënë në radhë të parë për veten e tyre, për lirinë e vendit të tyre e pastaj edhe për grekët. Çështja për aq sa i bashkoi ishte lufta e përbashkët kundër një armiku të përbashkët.

Qeveria greke nuk e kishte pritur që agresioni fashist italian kundër Greqisë do të krijonte rrethana të favorshme për të ringjallur çështjen e “Vorio Epirit”. Rasti u paraqit dhe ajo vendosi ta shfrytëzojë, një rrugë e dy punë, vazhdimi në thellësi të territoreve shqiptare të luftimeve ndaj forcave të çorganizuara italiane me objektivin madhor për të dalë në Vlorë e në Durrës dhe vendosjen e konsolidimin e administratës së re ushtarake greke, të paktën deri në vijën: liqeni i Ohrit-Vlorë. Siç po zhvilloheshin ngjarjet kjo perspektivë në dimrin e 1940-41 dukej shpresëdhënëse jo vetëm në Athinë, por edhe në Londër.

Në dritën e këtyre zhvillimeve qeveria greke nuk e ndjente shumë të nevojshme një rezistencë antiitaliane nga shqiptarët në Shqipëri, por edhe jashtë saj pa qenë nën kontrollin e brenda objektivave të saj. Është kjo arsyeja që ajo nuk ra dakord as edhe me skemën e organizimit të një kryengritjeje në Shqipërinë e Veriut nën udhëheqjen e Mbretit Zog ose të Gani Kryeziut që u shqyrtua në Forin Ofis për disa muaj resht e në funksion edhe të ndihmës për Greqinë në prapavijat italiane. Metaksai donte ta mbante në një profil sa më të ulët rezistencën shqiptare ndaj edhe e kundërshtoi projektin e kryengritjes e pranoi vetëm përdorimin e bandave të vogla e të mirorganizuara guerile shqiptare në prapavijat italiane.

Lufta italo-greke u zhvillua thuajse në territorin shqiptar për rreth gjashtë muaj. Për një luftë që ishte e huaj për ta, shqiptarët paguan shtrenjtë. Më shumë se sa u vranë e u plagosën njerëz, u dogjën e u shkatërruan fshatra të tëra, shtëpi e prona të mijëra familjeve, rrugë e urra. U shpërngulën me detyrim nga zona e luftimeve e shumë të tjerë për arsye sigurie në zona më në brendësi të vendit, një numër njerëzish që arriti rreth 19 mijë vetë. Atyre u jepej një “ndihmë” ditore që shkonte nga 1-2 franga për një familje me një anëtar deri 7-8 franga për familje me mbi shtatë persona.

Për një vend të varfër si Shqipëria, dëmet që solli lufta ishin një hipotekë e rëndë për dhjetëra mijëra njerëz. Mëkëmbësia e qeveria Vërlaci nxorën vendime për llogaritjen e dëmeve të luftës, të cilat asnjëherë nuk u bënë të njohura plotësisht. Veç u parashikua që për vitin buxhetor 1941-1942 qeverisë t’i jepeshin 30 milion lireta si kontribut i jashtëzakonshëm për të mbuluar shpenzimet e bëra gjatë luftës italo-greke. Në thesin e qeverisë për dëmshpërblimet e luftës “kontribuoi” edhe Mbreti Viktor Emanueli me një milion lireta kur erdhi në maj 1941 për vizitë në Shqipëri.

Masat e pjesshme nuk e përmirësuan imazhin e italianëve e të regjimit kuisling në sytë e shqiptarëve, as edhe vetë pozitën e tyre ushtarake në frontin e luftimeve. Dimri kishte ulur ritmin e veprimeve ushtarake të të dy palëve, të cilat prisnin veç pranverën për të bërë betejën e tyre përfundimtare.

MUSOLINI, TRI JAVË NË SHQIPËRI
Ndërkohë që forcat italiane e greke luftonin midis tyre në kushtet e një dimri të egër në shpatet e maleve të Trebeshinës, të Shëndëllisë e të Golikut për të zotëruar luginat e Vjosës, Drinos e Devollit prej nga do të varej edhe fati i Tepelenës, Vlorës e Beratit, në Romë e në Athinë po hartoheshin planet e betejës finale. Në frontin juglindor italianët po rezistonin në vijën mbrojtëse për të mos lejuar kontrollin e brigjeve jugore e perëndimore të liqenit të Ohrit nga grekët prej nga hapej rruga për të pushtuar Elbasanin.

Musolini ishte i rënë moralisht në dimrin e vitit 1940-41 për dy arsye: e para, se ai nuk e kishte menduar kurrë që divizionet italiane do të mundeshin aq keq në fushën e betejave me forcat greke; e dyta, se “prestigji ushtarak italian” kishte marrë një goditje të rëndë, veçanërisht në sytë e aleatit të tij, Hitlerit. Që në fillim të janarit 1941, Duçe urdhëroi Kavalieron që të përgatiste planin e sulmit, aksion “që duhet të iniciohet e të vazhdohet me një energji ekstreme” dhe që “e bën të panevojshme ndihmën direkte të Gjermanisë në frontin shqiptar”. Jo vetëm në planin moral, por edhe në funksion të synimeve tashmë të njohura italiane në Ballkan, Musolini nxitoi të përgatitej për një ofensivë në pranverë, konkretisht në mars kundër ushtrisë greke në frontin shqiptar. Ai ishte njohur nga vetë Hitleri për operacionin e ardhshëm gjerman për pushtimin e Greqisë dhe dëshironte që para tij të dëshmonte fitoren e armëve italiane ndaj këtij vendi që do të lejonte që të ulej si i barabartë në ndarjen e trofeut të luftës. Në dhjetëditëshin e fundit të shkurtit e njoftoi Fyhrerin për këto përgatitje. Në Berlin e dinin “se Komanda e Lartë Italiane kërkon ta mund ushtrinë greke para se të arrihet një kompromis paqeje”.

Athina ishte në dijeni të synimeve italiane dhe po përgatiste ofensivën e vetë, qëllimi kryesor i të cilës ishte t’i hidhte italianët në det. Në fund të shkurtit, Kavalero po përgatiste “ofensivën e Musolinit, dhe Papagos dëshironte të vazhdonte ofensivën e Papagosit”. Ndërkohë në 29 janar Metaksai kishte vdekur dhe kryeministri i ri grek, A. Koricis nuk e kishte autoritetin e paraardhësit të vet. Ushtria greke pavarësisht nga epërsia e përkohshme në terren e me moral të ngritur, përsëri, me gjithë mbështetjen angleze ishte e dëmtuar dhe vështirë se mund të mbante iniciativën në frontin e luftimeve për një kohë të gjatë. Në Komandën e Lartë të ushtrisë greke pati dilema. Komandantë të forcave greke në frontin e luftimeve kërkuan më tepër kohë në përgatitjen e ofensivës dhe kundërshtuan planin e Papagosit. Ata u shkarkuan nga pozitat drejtuese në ushtrinë greke në Epir, që dha shkas për një riorganizim të zinxhirit komandues ushtarak grek në prag të ofensivës së pranverës.

Beteja e pritshme italo-greke do të ishte vendimtare për fatin e luftës. Në 2 mars Musolini duke pilotuar vetë aeroplanin zbriti në aeroportin e Tiranës për të qenë i pranishëm e për të trimëruar forcat italiane në prag të shpërthimit të ofensivës. Vizitoi të gjithë frontin e luftimeve, Elbasanin, Gramshin, Beratin, Fierin, Vlorën, Llogoranë e deri në Dhërmi i shoqëruar nga gjeneralët, Çiano e hierarkët e lartë fashistë, Akile Starace e Roberto Farinaçi. Ardhja e Duçes në Shqipëri u mbajt e fshehtë jo vetëm për arsye sigurie, por edhe nga frika e një dështimi tjetër të turpshëm. Opinioni publik italian vetëm pas dy muajsh, në maj u informua zyrtarisht për qëndrimin afro tre javor të Musolinit në Shqipëri. Me ditë të tëra ai qëndroi në zonën Rehovë-Dhëmblan.
Më 9 mars, kur filloi ofensiva e forcave italiane në drejtim të Këlcyrës, Musolini ishte në pikën e vëzhgimit në Komarit (në Gllavë), në një lartësi 800 m mbi nivelin e detit, në front së bashku me Kavaleron dhe ushtarakë të tjerë të lartë italianë. Qëndroi aty tre ditë pa lëvizur duke ndjekur nga afër luftimet e duke dhënë urdhra. I ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj ofensive u deklaroi gjeneralëve që e rrethonin se “është absolutisht e nevojshme një fitore ushtarake për prestigjin e ushtrisë italiane deri në fund të muajit”.

Gati një javë ushtritë greke dhe italiane u ndeshën në një luftë të egër, me avancime e tërheqje të vogla, por me humbje shumë të mëdha njerëzore nga të dyja palët. Musolini donte me çdo çmim të mbahej Tepelena dhe me çdo çmim të fitohej Këlcyra. Simboli i kasaphanës u bë lartësia 731 ose vendi i quajtur Manastir. U derdh shumë urrejtje e shumë gjak në këtë vend nga të dy ushtritë. Lartësia kalonte nga njëra dorë në tjetrën në një luftë që ishte e qeverive të tyre por jo domosdoshmërisht e njerëzve të mobilizuar e aq më tepër në vend të huaj.

Musolini mbeti më i zhgënjyer se sa kishte qenë më parë nga gjeneralët e ushtrinë e tij. Jo për herë të parë foli me përbuzje për popullin e tij. Në Shqipëri desh pësoi dramën e dytë familjare. Pas humbjes së djalit në luftën afrikane, gati sa nuk humbi dhe vajzën Edda, gruan e Çianos kur anija spitalore “Po” në të cilën ajo shërbente si infermiere e Kryqit të Kuq, u mbyt në ujërat në afërsi të portit të Vlorës, e bombarduar nga gjuajtës anglezë. Musolini u kthye në Vlorë për të vizituar të bijën në 15 mars dhe pasi inspektoi edhe njëherë tjetër frontin e luftimeve, në 21 mars u largua nga Shqipëria. Vështirë se ky vend mund të ishte më “në zemrën e tij” siç kishte deklaruar me patetizëm kur ai u pushtua në prill 1939. Shqipëria u bë ferri i ushtrisë italiane, por edhe fronti ku Musolini u turpërua së bashku me strategët e tij të luftës. Sapo u ul në Romë me aeroplanin e tij shpërtheu si jo rrallë herë me zemërim e i rënë moralisht: “Jam i pështirosur nga ky ambient. Nuk kemi avancuar asnjë hap. Më kanë gënjyer deri sot. I përçmoj thellësisht të gjithë këta njerëz”.

Dështimi i ofensivës pranverore shënoi edhe fundin e operacioneve ushtarake në stil të gjerë në frontin italo-grek të luftimeve. Forcat italiane u pozicionuan në mbrojtje, ndërkohë që Papagos vazhdonte të mbante iniciativën duke kryer sulme të vazhdueshme me objektiv kryesor pushtimin e Tepelenës. Kjo situatë vazhdoi deri në ditët e para të prillit.

Lufta italo-greke la gjurmë të thella në marrëdhëniet midis vendeve ndërluftuese, por edhe rrjedhoja shumë të rënda për Shqipërinë e jugut që u kthye në një shesh lufte midis ushtrive të tyre. Të dy shtetet patën humbje të mëdha njerëzore e materiale, pavarësisht se shifrat që kanë dhënë në atë kohë palët ndërluftuese mund edhe të mos përputhen. Në përfundim të kësaj lufte Shtabi Madhor i ushtrisë italiane raportoi se ishin vrarë afro 14 mijë njerëz, ishin plagosur rreth 51 mijë të tjerë dhe llogariteshin të humbur mbi 25 mijë vetë. Më vonë këto shifra patën një korrigjim të vogël. Humbjet e ushtrisë greke sipas burimeve greke ishin: 11 mijë e 911 oficerë dhe ushtarë të vrarë e të vdekur dhe 1342 të humbur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.