MILOSAO

Gjergj Bubani, që foli duke qeshur e duke qarë

08:51 - 12.02.18 Kristaq Nanushi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është një emër që në letërsinë dhe publicistikën e periudhës së Pavarësisë dhe të Luftës II Botërore doli herë hapur,Gjergj Bubani,herë me pseudonimet Brumbulli, Guri Malësori, Malësori, Bub., G.D.B, etj.




Me këto është nënshkruar një ngrehinë e madhe letrare,origjinale dhe cilësore, e cila, gjatë diktaturës (me pëshpëritje) dhe gjatë demokracisë (me zërin plot) ka marrë vlerësime të larta.

Një pjesë e këtyre,shkruar nga studiues të ndryshëm, mund t’i lexojmë në fund të vëll.III: është një ndër publicistët më brilantë të shekullit të kaluar (K.Nesturi), aristokrat i satirës (E.Ymeri), vepra e tij është enciklopedi (N.Dako), një nga publicistët më të njohur, më të përgatiturit e më të plotët (H.Maloku) , çdo problem e shtronte me buzë në gaz (M.Greblleshi) etj.

Duke parë fotot,që shpërfaqim nëpër vëllime, bashkohemi me O.Grillon që e cilëson fisnik, me sy xixëllimtarë, çuditërisht i ngjan Krishtit. Po kush është Gjergj Bubani sipas “Veprave të zgjedhura”?.

Në vitet ’20-’30 të shekullit të kaluar, kur ai krijoi, Shqipëria bënte përpjektet e Sizifit për të krijuar shtetin e parë në historinë e saj. Në atë nisje nga hiçi vetëkuptohet sa e nevojshme ishte ndihma dhe kontributi i intelektualëve të kohës. Regjimi shekullor feudalo-ushtarak otoman la trashëgim tek ne injorancën, mendësinë e mykur për jetën. Duhej krijuar një shoqëri e re, me të tjera marrëdhënie ekonomiko-shoqërore, me prirje e kulturë perëndimore. Në këtë terren Gj.Bubani u bë ndër zërat më të shquar të kohës, ndër më aktivët dhe më të flaktët patriotë. Mendimi i parë i tij ishte Shqipëria dhe shqiptarët. Ai la Rumaninë, ku kishte stabilizuar jetën, dhe u kthye në vendlindjen e tij.

Kjo ndodh kështu vetëm kur atdheu të përthërret përbrenda. Ai kishte kryer në Athinë studimet e larta për kimi industriale, por shtysat ideore dhe talenti i spikatur e futën në fushën e gazetarisë dhe të letërsisë. Ndodhi ajo që thotë L.Tolstoi: “Njeriu shkruan vetëm kur ndien në veten e tij një përmbajtje të re, të rëndësishme dhe kur nevoja për ta shprehur këtë përmbajtje nuk të lë të qetë.”
Gj.Bubani u shpërfaq me nivel të lartë profesional dhe zuri vend qëndror në vëmendjen shoqërore. Në Rumani bashkëpunoi në gazetën “Shqiperi e Re”, drejtoi gazetat “Dodona” dhe “Zëri shqipëtar”, më pas është botues dhe drejtues i gazetave “Kosova” dhe “Kuvendi Kombëtar”. Pas kthimit në Shqipëri, më 1936, është drejtor i gazetës “Drita” dhe, pasi ngriti e drejtoi Radio Tiranën,botoi dhe revistat “Radio-Rivista-Tirana” dhe “Vatra Shqiptare”. Korrespondoi dhe më shumë organe të tjera.

Pas çlirimit u arrestua e u dënua me 6 vjet burg, sepse kishte mbrojtur me zjarr çëshjen e Kosovës (ishte koha e dashurisë së madhe me Jugosllavinë titiste). Por edhe pse më 1938 kishe ngritur dhe drejtuar Radio Tiranën. Këtë akt madhor për Shqipërinë e quajtën si një vlerë dhe mjet që u përdor nga kundërshtarët politikë. Nga kjo Gj.Bubani u dënua dhe mbeti “i harruari i përkohshëm”, siç e quan K.Nesturi në një monografi dinjitoze kushtuar këtij autori.
Tani gjithë lëndën e përzgjodhi dhe e përgatiti për botim biri i tij, redaktori i mirënjohur letrar Loredan Bubani dhe e botoi në tri vëllime cilësore Shtëpia botuese “Omsca-1”.

2.
Në shkrimet publicistike, të përfshira në vëll.I dhe II, Gj.Bubani është një fotoreporter i kohës, që blicin e shkrep në plagë të rënda të shoqërisë. Ai pati për zemër dhe levroi mjeshtërisht sidomos pamfletin, duke e çuar atë në majat më të larta të përsosjes. M.Kuteli që e vlerësonte lart, në parathënien e vëll. III shprehet: “Asnjë nga pamfletarët shqiptarë nuk ka arritur kulmin eksuberant të Brumbullit”.
Po përimtojmë pak nga tematika e trajtuar.
Në “Organizimi ekonomik i dhepunëtorëve” (i bujqve) pasqyron gjendjen e mjerë të bujqësisë, që bëhej me mënyra e mjete primitive mesjetare. Fshatarët ndaheshin në një palë, që ishin hyzmeqarë nëpër çifligje dhe punonin për një copë bukë, dhe në një palë tjetër që ishin pronarë të vegjël tokash, por që vuanin dhe këta, se ripeshin nga sarafët dhe hambarxhinjtë, të cilët ua merrnin prodhimin me gjysmë çmimi. Autori orientoi (viti 1921) që bujqit të organizoheshin në kooperativa agrikole, si në Europë, të bashkonin pronat në shoqëri anonime me aksione, t’i kapitalizonin ato në banka, prodhimet t’i shisnin dhe fitimet t’i ndanin sipas aksioneve që kishin. Janë pikërisht format e përparuara që këshillohen për fermerët edhe sot, pas afro një shekulli.
Lufta politike midis partive Popullore, Përparimtare, Konservatore tejshkohet në vëllime herë si temë e drejtpërdrejtë e herë si sfond i jetës. Personazhet e politikës jepen me emrat realë. Lufta midis tyre bëhej e rreptë, me kriza ministrore, me ndërrime kabinetesh, me debate deputetësh në parlament. Autori u bënte thirrje që të drejtat e popullit të respektoheshin nga të gjithë dhe për këtë “ish nevojë medomosdo të vinin në marrëveshje… Një qeveri lipset të ketë besimin e tërë parlamentarëve që të mund të punojë” (f.31). Nëpër shkrime kritikohen buxhetet fiktive, shpërdorimet e fondeve, qeveritarët me dijeni të kufizuara, shpenzimet e tepëruara të tyre për udhëtime luksoze etj. Pra, është “ e domosdoshme për të shoshitur vlerat e njerëzve që pretendojnë ta qeverisin këtë vend.” (f.104).

Është e habitshme se sa vetvetiu dalin paralelet me aktualitetin tonë!
Publicistika ka tej e tej jehonën kumbuese të patriotizmit. Në një varg shkrimesh të thukëta për 28 Nëntorin autori bën histori të Shqipërisë në pikat kulmore të saj, himnizon flamurin, nxit bashkëkombasit ta kenë atë në shtëpi e në festa ta vendosim atë nëpër dritare e ballkone. Autori u ngre himn figurave patriotike që për çështjen kombëtare shkuan gjer në therorizëm. Eksklamacion të fortë u drejton shqiptarëve:”…le të naltësojmë zemrat në qiell, le të gjunjëzojmë përpara Shenjës se Shenjtë dhe le të kujtojmë të gjithë sa ranë n’altarin e patriotizmës,therorë për liri,për Shqipëri.”(f.52). Dhe, kur thotë Shqipëri,gjithmonë përfshin Kosovën dhe trojet e tjera të mbetura jashtë kufijve. Kosovën,sidomos, e ka dashuri e dhembje. Jo më kot, më 1932-1933 botoi një gazetë të posaçme me titull “Kosova”, ku lëvroi probleme të shumta të saj. Përpjekjet për çështjen kombëtare, sidomos për trojet dhe gjuhën shqipe, i kërkon nga të gjithë shqiptarët, të kudondodhur. Shqetësim të veçantë ka edhe për të rinjtë e të rejat qe me familjet në mërgim rriten e shkollohen jashtë. Këta i fton të vijnë e të punojnë në Shqipëri.

Tema të nxehta të kohës ishin debatet me grekomanët për trojet e jugut dhe për kishën kombëtare autoqefale shqip. Kuintesencën e tyre dhe të propagandës antishqiptare e shpreh në artikullin “Grekët dhe ne”, botuar më 1930. Kishën shqip propaganda greke e kundërshtonte me force, me një fushatë të ashpër. Autori thotë se atë e krijoi populli shqiptar dhe “ne kemi vendosur ta mbrojmë me gjakun tonë.”(f.42).
Me hollësi e largpamësi Gj.Bubani shtroi çështjen e kulturës si nevojë urgjente për të dalë nga prapambetja. Armiku më i madh i popullit, evokoi ai, është mungesa e kulturës. Ne, shqiptarët, ishim “një ishull injorance dhe prapanikërie, një kakofoni në korin e madh e të bukur të Europës së qytetëruar.”(f.163). Prandaj kërkoi të zgjeroheshin shkollat kudo, të hapeshin kurse kundër analfabetizmit për gratë, të botoheshin më shumë libra, të zhvilloheshin artet tona. Ai gëzohej që kishin filluar të jepeshin koncerte, të luanin trupa teatrore, të ekspozoheshin pikturat dhe skulpturat. Këto duheshin nxituar e përhapur shumë. Vetë Gj.Bubani u bë një kontributor i jashtëzakonshëm. Sepse në Radio-Tirana, që ngriti dhe drejtoi, krijoi grupe artistike me artistët e famshëm të kohës, si Tefta Tashko Koço, Jorgjia Filçe Truja, Marie Paluca Kraja, Lola Gjoka, Kristaq Antoniu etj. dhe interpretonin live nga mikrofoni muzikë, po dhe pjesë teatrore, humor etj., gjë e paparë dhe e mirëpritur me entuziazëm nga populli. Këto ngjarje sollën një erë të re në kulturën dhe artin shqiptar edhe pas çlirimit. Përkundër qëndrimit zyrtar ato emisione në radio u kujtuan gjithmonë me adhurim.

Temë përherë e preferuar dhe e trajtuar nga autori është përditshmëria. Nën okelion “Bisedimet e Ditës” në gazetën “Drita” ai kapi një varg çështjesh thelbësore, që, ndonëse i quante të ditës, mbetën me vlerë të përhershme aktuale. Përshembull, trajtohet kontrabanda në dogana(si sot), grabitja e pronave të shtetit (si sot), shpërngulja e fshatarëve nëpër qytete edhe pse në to nuk ka punë(si sot),vrasjet për zakon e gjakmarrje(si sot), kanalizimet që duhen për të shmangur përmbytjet(si sot), aspekte ironike nga jeta dhe puna e deputetëve (si sot), çelja e rrugëve për në zonat e izoluara(si sot), shfrytëzimi i punëtorëve të naftës nga shoqëritë e huaja(si sot), problemet e imta të ditës në pazar, me çmimet, konkurencën e pandershme etj.(si sot), vështirësitë e shtypit në Shqipëri(si sot), dëmet që pësojmë kur grinden partitë(si sot), shteti nuk ndjek fatin e shqiptarëve të mërguar(si sot), peripecitë e të sëmurëve që vijnë nga gjithë Shqipëria në spitalet e Tiranës(si sot) etj, etj.
E çuditshme, prej kaq shumë vitesh këto situata e këto tema rrinë këmbëkryq në jetën tonë!

3.
Shumë nga temat e publicistikës trajtohen edhe në letërsinë që la ky autor, kryesisht në poezi e prozë. Autori ka patur shtysa të brendshme që shqetësimet e tij t’i shprehte edhe artistikisht në llojet e parapëlqyera të humorit: ironi, satirë, sarkazëm. Te “Kënga e Korçës”, përshembull, pas refrenit “ U bubu,moj nëno….” me satirë therëse tregon arsyet pse s’mund të vinte në Korçën e tij: sepse zyrat ishin mbushur me hajdutë të maleve, sepse komisarët mbyllin sytë para shkelësve të ligjit, sepse beu kish zaptuar pyjet e vendit, sepse vjedhjet bëheshin gjer te buka e gojës, sepse fajdexhinjtë ripnin me kamatat, sepse njeriu i artit nuk kishte asnjë vlerë! Kjo tablo ishte tipike për të gjithë Shqipërinë. “Brumbulli” u ngrit si misionar me buzëqeshje në gojë, fshikull në dorë e thumb në bisht. Ai fshikulloi e thumboi monopolizimin e gjithçkaje të jetës: të bukës, të drurit, të ujit, të diellit, madje edhe të ajrit. Gjithë shtetasit, përqesh ai, duhet të mbajnë një tapë në gojë dhe, kur të duan të marrin ajër, të shkojnë të paguajnë nga një çerek leku që të ecin tri ditë pa tapë në gojë.(f.245) Për këtë duhet duartrokitur kabineti qeveritar i cili, për t’u dukur perëndimor, shpalli lirinë e shtypit, por nuk lidhet fare me hallet e mëdha që ka populli, me urinë, me fukarallëkun. Ministrat injorantë rrinë kot në kabinetin e tyre. Burokracia është sëmundje e përhapur ndër zyrtarët, që mbyllin dyert për kafe e llafe dhe qytetarët rrinë pas dere me orë të tëra. Këta bëhen theror si cjapi i legjendës së Abrahamit, që paguan për tjetrin. E në këtë gjendje natyrshëm lulëzojnë veset. Kumari dhe veset e tjera i shohim edhe në qendër të kryeqytetit. “Ndonëse s’kemi bukë edhe mish, nuk jemi për të qarë, kemi plot hashish!” (f.242).

Me panelata të lehta e të shkathta, me strofa katërshe, autori përcjell me kartpostale urime për vit të ri, plot thumba për veset e njerëzve të të gjitha shtresave. Këto “urime” duken si trompeta të fuqishme për bashkim larg përçarjes nëpër parti, fe, ide. “Për shumë vjet, përshumë vjet / O i shkreti arnaut milet!… Milet pa mend që s’di se c’don/ Që s’di ku ndodhesh e ç’kërkon/ Ndarë e përçarë, li e lesh/ Që as vetë dreqi s’të merr vesh!” (f.284). Prapa qeshjes së autorit shihet loti i Arlekinit. Ai qesh e qan. E thotë bukur M.Kuteli: “Brumbulli thote duke qeshur gjëra të cilat lipset t’i lëçitim duke qarë…”.

Në vitet ’30 pati një ngarendje për të folur pastër e bukur shqip. Këtë dukuri pozitive e iniciuan shumë nga intelektualet e kohës, madje edhe vetë qeveria. Por kishte edhe plot pseudointelektualë ose”glosologë të një fature tjetër” që me fjalëpjellat e tyre edhe sot të mbushin me gaz. Tabelat i institucioneve, të reklamave, të dyqaneve shkruhen me gabime të rënda gjuhësore. Madje dhe në emërtime rrugësh. Përshembull, në një rrugë Para Kristo Negovanit mbiemri i ishte vënë Balkameni. Është sikur ty, i thotë Asdrenit, me të cilin po shëtiste, të ta shkruanin Aleksandër Stavre Boboshtica.

Nën hostenin shponjës të Gj.Bubanit nuk mund të mos ishin edhe problemet e letërsisë. Kishte shumë shkrimtarë, vërente ai, që veprat i shkruanin lehtë e shpejtë, edhe kur temat ishin të gjera e të vështira për t’u trajtuar. Ata, madje, merrnin edhe çmime nëpër konkurse letrare. Krijimtaria humoristike e këtij autori nuk la pas dore as temat “e vogla” të përditshmërisë, si kriza e zejtarëve (berberët ankohen se të gjithë që vijnë nga fshati në qytet marrin krëhër e gërshërë dhe bëhen berberë), shoferët sorollatin pasagjerët gjersa u mbushen makinat për t’u nisur, rrugët fshihen jo natën, po ditën dhe në të thatë, veshjet e njerëzve jane ca allafrënga e ca “çorbë e trazuar”. Ka edhe lokale të këndshme, si “Te Dhori Xibraku”, ku personalitete reale shkojnë e pijnë verë e raki, se ashtu ndjehen më të rinj, u ndërrohet gjaku, mbytin vrerin, heqin brengat.

Në trashëgiminë e pasur të humorit e satirës, që Gj.Bubani la, spikat edhe fryma polemizuese me të gjithë ata që iu kundërvunë akuzave të Brumbullit. Se pati dhe të tillë. Autori përmend me emra personalitet e kohës, duke ngritur “stuhi” në arenën kulturore të kohës. Prej kësaj “stuhie” nuk u tërhoq edhe kur sakrifikohej. Sepse ishte i ndërgjegjshëm dhe vizionar për misionin e publicistit e shkrimtarit të angazhuar, që kerkon e lufton për përparimin ekonomik e shoqëror të vendit të tij. Kjo e nderon.
4.
Herë-herë Gj.Bubani ka dalë nga fusha e tij e dashur e humorit. Në momente të tilla ka shkruar poezi, një pjesë prej të cilave paraqitet në vëllimin III. Ndonëse jo të shumta, ato japin një dimenson tjetër të personalitetit krijues të tij. Poezitë deshmojnë për seriozitet në kapjen e temave të jetës, ato që proukupojnë shoqërine. Pas Luftës I Botërore ishte ende e nxehtë çështja kombëtare, kur boton poezi të tilla, si “Erdhi ora!”, “Shqiptari”, “Përpara!”, etj. në të cilat bëhet zëdhënës i shoqërisë me thirrjet që me pushkë e flamur të mbrojmë Shqipërinë. “Luftoni/Lironi/Dhe mbroni/ Shqipërinë!” (f.290). Për autorin, vdes i lumtur ai që bie për kombin dhe vendin e tij.
Gj.Bubani çliron intensitet të madh ndjenjash. Ndjeshmëri dhe humanizëm ka, sidomos, për të vuajturit nga fatkeqësitë. Në poezitë “Lart ballët!” dhe “Kur vdes nëna” autori vuan shumë për jetimët, mbetur pa nënë. Veçanërisht për këta bën thirrje për vëmendje e ndihmë. Ka gjithashtu, edhe disa poezi me temen e dashurisë, të mbushura me frymë melankolike, dukuri kjo e përhapur shumë në letërsinë e viteve ’30.
5.
Shqipërimet në këtë vëllim janë vepra të dy autorëve të mëdhenj rumunë, V.Eftimiu dhe J.Karaxhale. Bashkë me ato të autorëve të tjerë, si L.Tolstoi, L.Holberg, H.Ibsen, M.Meterlink, D.Nikodemi, botuar në dy vëllimet e mëparshme dhe në një vëllim të posaçëm me titull “Vepra të shqura të dramaturgjisë”, pasurojnë letërsinë tonë që aso kohe kishte aq nevoje për vepra cilësore të autorëve të mirënjohur në arenën ndërkombëtare. Por, njëherazi, i dhanë hov jetës së trupave teatrore që po ngriheshin njera pas tjetrës dhe kishin nevojë të ngutshme për vepra skenike. Misioni i shqipërimeve shkonte dhe më tej, realizohej sentenca se një popull njeh më mirë vetveten kur njeh dhe popujt e tjerë.

Shqipërimet e Gj.Bubanit meritojnë një studim e trajtim më vete, por prekazi, po përmend dy tipare karakteristike që shquhen, sipas meje. Së pari, përzgjedhja e veprave me tema që ngjitin me aktualitetin shqiptar. Kështu, forca e ndikimit në edukimin ideoestetik të shoqërisë sonë rritej shumë. Mund të përmend debatin Ana-Fedor për t’u bashkuar në luftën kundër regjimit të keq te drama “Nusja e kuqe”, jetën me kriza e ngjarje tragjike te novela “Risto Dardha”, stigmatizimin e gazetarisë që po marros botën me lajme të rreme, të hamendësuara, të sajuara te novela “Ora e fundit”, apo korrespondencën zyrtare që gjuhën e gjymton aq shumë sa të merr të qeshurit, te novela “Telegrama”. Gj.Bubani nuk shqipëron vepra me subjekte argëtuese, por me substancë domethënëse për aktualitetin dhe të ardhmen. Sepse këto lloj veprash i japin atij oshëtimë të brendshme. Së dyti, mjeshtëria e përkthimit. Për Gj.Bubanin nuk është thjesht gjuha që përkthehet. Është dhe mendësia, psikologjia. Por është dhe zotërimi i thellë, me detaje të imta, i pasurive të gjuhës shqipe. Lasgush Poradeci thotë: “Nuk mund të japësh bukurinë e gjuhës së huaj në gjuhën tënde, kur nuk zotëron mirë gjuhën tënde”. Vini re se ç’bën, përshembull, në novelën “Risto Dardha”, ku gjuha është aq e pasur në leksik e figura stilistike, aq e grimcuar në nuancime shprehëse, aq fine në përcjellje të ndjenjës! Aty përkthim bëhet jo shqip, po”shqiptarisht”, siç do të thoshte Lasgushi.

Në përfundim, Gjergj Bubani është publicisti më gjithëpërfshirës i aktualitetit shqiptar të periudhës se Pavarësisë. Ai u zhyt në problematikën e përditshme dhe kapi dukuri shoqërore e karaktere njerëzore të tilla që mbeten përgjithmonë në bashkudhëtim me brezat njerëzore. Edhe në letërsi, me poezitë e përkthimet e dramaturgjisë, është personalitet autentik origjinal, me shërbime të shquara ndaj artit, sidomos atij skenik.
Me veprën që la trashëgim Gj.Bubani është jo vetëm shkrimtar e publicist, por edhe ekonomist, filozof, sociolog, kulturolog. Thënë ndryshe, është një konstruktor i mendimit të ri në shoqërinë shqiptare të kohës së tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.