Fol me Psikologen

“Pas lindjes u shëndosha, kam frikë se burri do më tradhtojë”

12:52 - 12.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bashkëshorti im dhe unë kemi 10 vite që jemi të martuar. Pas lindjes së fëmijës së dytë u shëndosha shumë dhe nuk arrij dot më të dobësohem edhe pse kam provuar të bëj dieta të ndryshme. Bashkëshorti im ka një punë të mirë dhe është një burrë shumë i pashëm. Ai nuk më thotë gjë, por unë kam frikë se nuk më pëlqen më si më parë. Dëgjoj kaq shumë histori nga mikeshat e mia sa më ka hipur frika, më është fiksuar që do më tradhtojë dhe që nuk i pëlqejë më.




-E dashur si fillim të falënderoj që më ke shkruar. E kuptoj gjendjen në të cilën ndodhesh, por më duhet të them se shqetësimi duket pak i tepruar. Post lindja sigurisht që është një fazë e vështirë për të gjitha gratë. Gjatë kësaj periudhe janë të predispozuara të preken nga depresioni post-partum. Njëra nga pjesët e cila ndikon negativisht është ndryshimi fizik i pësuar nga shtatzënia, përfshirë këtu dhe peshën. Përballesh krejt papritur me trupin tënd, lindja ka lënë gjurmët e veta, nuk ke mundësi ti dedikohesh vetes për shkak se foshnja është prioriteti madhor dhe nuk lë aspak kohë për tu marrë me veten.

Nuk e di nëse ke patur ndihmë ose jo në rritjen e fëmijëve, nuk di se sa të ka ndihmuar bashkëshorti dhe kur ka filluar frika brenda teje. Nga ajo që shkruan i referohesh mospëlqimit të vetes dhe frikërave në kokën tënde, por asnjë fakt konkret që të çon të mendosh se bashkëshorti nuk të do njësoj. Raporti në çift ka edhe raste krizash, kjo për shumë arsye, por në rastin konkret më duket më shumë një problem personal i yti. Vlerësimi që ke për veten është i ulët dhe duhet të merresh me këtë gjë, në mënyrë që ta ndryshosh. Mbipesha të shqetëson dhe të bën të mos ndihesh e bukur, edhe pse kjo është krejt subjektive.

Duhet të mendosh jo atë që mund të thonë të tjerët, por çfarë dëshiron ti vetë. Nëse pesha të shqetëson vërtet dhe është ajo problemi angazhohu, bëj sport, redukto ushqimin dhe përpiqu ta ndryshosh, pavarësisht kësaj unë mendoj se ajo që duhet të ndryshosh është mënyra se si e sheh veten. E ke pyetur ndonjëherë bashkëshortin tënd se si i dukesh? Mos vallë po paragjykon mendimin e tij?

Mos u merr me historitë e të tjerëve, por fokusohu tek jeta jote, tek raporti yt në çift, komuniko me bashkëshortin, kaloni kohë së bashku pa prezencën e fëmijëve, merr mendimin e tij në lidhje me lookun tënd, nëse raporti juaj është kaq i fortë nuk ka asnjë arsye të ndihesh keq apo e frikësuar. Secili ka eksperiencat e veta, askush nuk mund të flasë për jetën tënde e të parashikojë se çfarë mund të ndodhë, vetëm ti e di se çfarë të bën të lumtur.

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.