KULTURË

27 vjetori i rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha, ekspozita që tregon  tmerret e regjimit

18:04 - 16.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në prag të 27 vjetorit të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri, vjen në Tiranë ekspozita “Komunizmi në epokën e tij”. Ngritja dhe rënia e komunizmit në shekullin e XX-të, vjen si nevojë për të kuptuar se historia që Shqipëria përjetoi për rreth 45 vite nuk ishte dhe aq e ndryshme nga ato që përjetuan vendet e tjera të bllokut komunist. Ekspozita hapet ditën e hënën, datë 19 shkurt, ora 18:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ajo është përgatitur nga Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore dhe prezantohet për herë të parë në Shqipëri në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC).




Ngritja dhe rënia e komunizmit në shekullin e XX-të përcjell ideologjinë, që përmes kultit të individit dhe represionit të pashembullt u bë shkaktare e mbi 100 milionë viktimave, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Prezantimi i kësaj ekspozite në muajin shkurt nuk është i rastësishëm, pasi ai mund të konsiderohet vërtetë si muaji i kujtesës kolektive shqiptare, sepse përmban mjaft data domethënëse historike.

Më 19 shkurt 1951 në Ambasadën Sovjetike u inskenua “bomba” që justifikoi arrestimin dhe më vonë pushkatimin pa gjyq të 22 personave. Gjithashtu në shkurt 1967, diktatori Hoxha nisi të ashtuquajturën “luftë kundër paragjykimeve dhe zakoneve fetare” si rezultat i së cilës rreth 2200 vende kulti u prishën, u mbyllën apo u tjetërsuan. Me luftën ndaj besimeve fetare, regjimi i Hoxhës e cilësoi “të likuiduar funksionin e klerit”, përndoqi dhe burgosi pjesën më të madhe të tyre. Shqipëria u bë i vetmi vend ateist në botë. Po shkurti do të mbante edhe një datë tejet domethënëse, rrëzimin simbolik të regjimit. Ishte 20 shkurti i vitit 1991 kur studentët dhe qytetarët e Tiranës thyen frikën dhe rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës. Ky gjest popullor shembi përfundimisht heshtjen përballë përndjekjes shtetërore dhe nxiti përshpejtimin e ndryshimit të sistemit.

Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” jep mundësinë për të njohur zhvillimin dhe përhapjen e komunizmit në botë, si dhe synon të nxisë reflektimin dhe përballjen e shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.