DOSSIER

Gjeopolitika e kufirit greko-shqiptar sipas Departamentit të Shtetit Amerikan

13:44 - 16.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Albert Hitoaliaj – Problemet e njohjes së kufirit shqiptar prej Greqisë e kanë zanafillën qysh në dekadat e para të shtetit grek, kur edhe pse nuk kishte akoma shtet shqiptar, hapësira historike e banuar prej shqiptarëve nën Perandorinë Osmane, synohej si territor prej Mbretërisë Greke së atëhershme.




Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, nuk i dha fund çështjes së kufijve, pasi saga e copëtimit dhe marrjes së territoreve shqiptare, e pa finalen pas demarkacionit final nga Komisioni Ndërkombëtar, i cili e përfundoi punën në vitet 1922-1925.

Akti Final, i firmosur prej Fuqive të Mëdha dhe Greqisë e Jugosllavisë në 1926, përcakton kufijtë që ka sot Republika e Shqipërisë.

Akoma sot e kësaj dite, kufiri tokësor i firmosur edhe prej Greqisë si demarkacion, nuk njihet prej shtetit grek. Ky është mishërim i një paradoksi:

Greqia kërkon me ngulm ndërrimin e emrit të shtetit të Maqedonisë pasi mbajtja e këtij emri nënkupton synime territoriale ndaj saj; Greqia kërkon që të mos përmendet emri Çamëri as në dokumente shqiptare dhe të mos trajtohet diplomatikisht “çështja çame”, pasi kjo gjë përbën pretendim territorial ndaj Greqisë; Presidenti grek, Pavlopulos, në takimin e fundit me Presidentin turk, Erdogan, pasi ky i fundit i kërkoi “riaktualizimin” e Marrëveshjes së Lozanës, u shpreh se “duhet të kemi respekt për të drejtën ndërkombëtare”(!).

Mosnjohja e kufijve tokësorë shqiptarë prej Greqisë, a nuk është shkelje e së drejtës ndërkombëtare përveçse pretendim territorial? Duke e mbajtur të aktivizuar mosnjohjen e kufirit tokësor, pala greke mban të aktivizuar edhe synimin për realizimin e strategjisë së “megali idesë”, dhe avancimin verior territorial nëpërmjet argumentit (fabrikuar prej shekujsh!) historik, kulturor e fetar. Varrezat e Luftës Italo-Greke mund të shihen si pjesë e saj. Mosnjohja e emrit të Maqedonisë dhe propozimi për emër sllav, lidhet edhe me një skenar ndarjeje të mundshme, të nesërme, të Maqedonisë, ku e drejta për trashëgiminë kulturore, historike, antike do t’i përkiste vetëm Greqisë, e cila, bazuar te kjo, do të kërkonte ta ngrinte vijën kufitare në brendësi të Maqedonisë aktuale. Shqiptarët, në një të nesërme të tillë, nuk do kishin më lidhje me kulturën e Maqedonisë antike, pasi nuk u bënë pjesëtarë të këtij debati mbi emrin, edhe pse, vetëm shqiptarët mund të konsiderohen si pasardhës të vetëm të maqedonasve antikë, degë e ilirëve të lashtë.

Por, nga ana tjetër, kjo mosnjohje aktuale e kufirit shqiptar, do shërbente si precedent dhe argument në tryezën diplomatike, që edhe Turqia të mos njihte traktatet ndërkombëtare ndaj Greqisë; madje shërben edhe si argument që Maqedonia të mos e ndërrojë emrin e saj, përderisa vetë Greqia përdor termin “Vorio-Epir” përkundrejt Shqipërisë Jugore, krahinë e cila përfshinte dikur tërë Epirin. Është në interes të Greqisë që të normalizojë çështjet e diskutimeve kufitare me Shqipërinë e sidomos njohjen përfundimtare të kufirit tokësor. Sidoqoftë, e gjithë loja që zhvillohet është një lojë strategjike ku secili shtet ka objektiva. Sfondi i këtyre strategjive gjendet te historia, e cila është produkt i gjeografisë dhe e thënë në mënyrë me të kthjellët: kjo është gjeopolitikë.
Nevojitet një analizë e gjerë mbi gjeopolitikën e kufijve dhe minoriteteve që ka luajtur shteti grek që prej krijimit, por në mungesë të hapësirës, mund të sjell në vëmendje që gjeopolitika me bazë kulturën, pasqyrohet në një prej shtatë ligjeve themelore të Ratzel-it, mbi zgjerimin e hapësirës së shteteve: Hapësira e shtetit rritet nëpërmjet kulturës së tij. Greqia e “dy kontinenteve dhe e pesë deteve”, ditët e sotme merr ngjyrimin e një projekti gjeopolitik me peshë të veçantë në Euro-Azi. Politika e jashtme shekullore greke duhet analizuar e lidhur me këtë sistem gjeopolitik dhe kësisoj mund të kuptohen më mirë edhe raportet dypalëshe greko-shqiptare.

Një analizë e shkurtër gjeopolitike shfaqet edhe në dokumentin “Studim i kufijve ndërkombëtarë: Kufiri Shqipëri-Greqi, nr. 113, 18 gusht 1971” (International Boundary Study. Albania-Greece Boundary, No. 113 – August 18, 1971), i bërë nga Byroja e Inteligjencës dhe Kërkimit Shkencor, Departamenti i Shtetit SHBA. Ky dokument serioz mban autorësinë e Drejtorisë së Gjeografisë së Departamentit të Shtetit, drejtori e cila zhvillon aktivitetin më të gjerë e kryesor lidhur me hartografinë shtetërore, analizat gjeografike rajonale, botërore etj., dhe siguron informacionin nevralgjik gjeografik për Shërbimin e Jashtëm dhe sektorët e tjerë shtetërorë. Studimi në fjalë, krahas analizës jep edhe pikat e kufirit shqiptaro-grek (toponimet e kufirit janë lënë sipas origjinalit, pra nuk janë shqipëruar). Në vijim studimi në fjalë.
STUDIM I KUFIJVE NDËRKOMBËTARË. KUFIRI SHQIPËRI-GREQI, NR. 113, 18 GUSHT 1971
DREJTORIA E GJEOGRAFISË, BYROJA E INTELIGJENCËS DHE KËRKIMIT SHKENCOR, DEPARTAMENTI I SHTETIT, SHBA

I. PËRMBLEDHJE PËR KUFIRIN
Kufiri shqiptaro-grek, me gjatësi rreth 175 milje, është i demarkuar nga shtyllat/shenjat kufitare. I tërë kufiri përbëhet nga rreth 17 milje ujore dhe 158 milje tokësore. Duke nisur në Liqenin e Prespës në tripikëshin me Jugosllavinë, kufiri drejtohet në jugperëndim, kryesisht përgjatë kreshtës së maleve, derisa arrin Ngushticën e Korfuzit (Stenon Kerkiras), përballë qytetit Kerkira (Korfuz) në Nisos Kerkira (Ishulli Korfuz).

II. SFONDI GJEOPOLITIK
Zona kufitare shqiptaro-greke, ashtu si topografia e ashpër dhe e çrregullt, karakteristike e maleve alpine, reflekton gjeografinë politike shumë të ndërlikuar, e cila është një tipar dallues i Gadishullit të Ballkanit. Fjala tipike “ballkanizim”, ka dalë për të skicuar copëzimin e një rajoni në një pirg entitetesh politike. Në kohët e lashta zona kufitare ishte e banuar nga ilirët, të cilët besohet të jenë paraardhësit e shqiptarëve. Më pas helenët, pushtuan shumicën e Gadishullit të Egjeut, në jug, veçanërisht terrenet detare. Në shekullin e parë të erës së krishterë, zona kufitare ishte pjesë e Perandorisë Romake dhe, lulëzoi falë afrisë me rrugën shumë të zhvilluar tokësore, të njohur si Via Egnatia (përgjatë luginës së lumit Shkumbin), ndërmjet Romës dhe Bizantit. Kjo rrugë historike nga Roma, përgjatë Via Appia-s në Brindizi, përmes ngushticave së Adriatikut (Ngushtica e Otrantos) ishte një kyç strategjik dhe një lidhje tregtare për shumë shekuj. Për rreth një mijë vjet, deri në pushtimin otoman të Ballkanit në shekullin e katërmbëdhjetë, zona kufitare ishte e përfshirë në një betejë për pushtet, mes sllavëve, bullgarëve, shqiptarëve dhe grupeve të tjera etnike lokale, në konkurrencë me autoritetet perandorake bizantine, me qendër në Kostandinopojë. Të strehuar në qëndresat e maleve të tyre, shqiptarët kanë ruajtur në një shkallë të mrekullueshme, identitetin dhe gjuhën e tyre, pavarësisht dyndjeve të njëpasnjëshme të keltëve, romakëve, gotëve, sllavëve, bullgarëve dhe turqve.

II. A. KOHËT OSMANE
Gjatë shekujve pasues, që nga fundi i shekullit të 14-t e deri në 1913, hapësira shqiptare ishte e sunduar në shkallë të ndryshme nga Turqia Otomane. Në kohën e pushtimit turk, lumi Shkumbin, me rrjedhë nga lindja në perëndim, shënjoi një ndarje historike mes veriut dhe jugut, duke ndarë shqiptarët veriorë katolikë, të njohur si “gegë” dhe jugorët ortodoksë, të njohur si “toskë”. E njëjta ndarje reflektohej edhe më herët, në ndarjen e mëparshme ndërmjet zonave të influencës romane (latine) dhe atyre bizantine (greke). Nën sundimin osman hapësira shqiptare nuk ishte e qeverisur drejtpërdrejt; përkundrazi, supermacia turke mbahej nga politika tradicionale “përça e sundo” dhe nga inkurajimi i rivalitetit midis kryetarëve të vegjël ushtarakë. Edhe pse shqiptarët myslimanë ishin të privilegjuar, identiteti i tyre bazohej te besimi; nacionaliteti shqiptar nuk njihej si i tillë. Në vitin 1865, më qëllim që të shuanin rebelimet dhe t’i parandalonin kryetarët feudalë që të mos sfidonin pushtetin e sulltanit, hapësira u nda në vilajetet (ose provincat) e Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës, ku secila prej tyre kishte valiun e saj, apo guvernatorin, dhe garnizonin. Kjo hapësirë e gjerë e katër vilajeteve, e cila përfshinte gjithashtu shumë serbë, bullgarë, grekë dhe grupe të tjera etnike ballkanase, më vonë u bë pjesë e kërkesave territoriale të nacionalistëve shqiptarë. Ajo përfshinte, gjithashtu, tokat për të cilat vendet ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha luftuan në luftërat ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore.

II. B. LINDJA E NACIONALIZMIT

Lëvizjet për çlirim, shpërthyen në Ballkan në fillim të shek. 19-të. Lufta Greke e Pavarësisë, e cila filloi në 1821, përfundoi me njohjen zyrtare nga Sulltani osman, të pavarësisë së Greqisë, përmes Traktatit të Adrianopolit, të vitit 1829. Shqiptarët i dhanë një mbështetje të rëndësishme luftës greke. Ndërhyrja e Fuqive të Mëdha, ishte po ashtu e rëndësishme për arritjen e suksesit grek. Konventa e Londrës, e datës 7 maj 1832, konfirmoi një Mbretëri të Greqisë së pavarur (nën proteksionin e Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë) dhe delimitoi kufijtë e saj, duke përfshirë gjithë Peloponezin dhe kufirin verior që shtrihej nga Gjiri Volos në Detin Egje, në perëndim, deri në Gjirin e Ambrakisë (Amvrakikos). Zona kufitare Shqipëri-Greqi, mori rëndësi si pjesë e pretendimeve greke për Epirin, në Kongresin e Berlinit, në 1878, pas mbylljes së Luftës Ruso-Turke. Interesat e Fuqive të Mëdha, veçanërisht frika e Britanisë së Madhe për rritjen e influencës ruse ne Ballkan, ua shtoi më shumë rëndësinë kërkesave greke, shqiptare, serbe dhe të kombësive të tjera. Greqia mori vetëm një premtim për përmirësim të kufijve të saj; në 1881 Greqia fitoi pjesën më të madhe të Thesalisë dhe një pjesë të Epirit, duke e zgjeruar në këtë mënyrë kufirin e saj në veriperëndim të lumit Araktos.

II. C. LUFTËRAT BALLKANIKE DHE LUFTA E PARË BOTËRORE
Në vitet para Luftës së Parë Botërore, u ringjallën ndryshimet politike dhe territoriale. Brenda Turqisë kishte një kërkesë në rritje për reformat qeveritare, shumica prej të cilave ishin shtypur që nga shpallja e sulltanit, të Kushtetutës së “Midhat Pashës”, së vitit 1876. Në korrik 1908 ndodhi revolta e Turqve të Rinj, udhëheqësi i të cilëve e kishte qendrën në Selanik. Shqiptarët dhe grekët, ashtu si popullsitë e tjera (mileti) të Perandorisë së madhe Osmane, u ngazëllyen fillimisht me premtimin e Lëvizjes së Turqve të Rinj, e cila u mbështet fuqishëm nga shqiptarët. Më pas, joturqit, u zhgënjyen. Në 5 tetor 1908, Bullgaria shpalli pavarësinë. Në 7 tetor, Austria aneksoi Bosnjën dhe Hercegovinën dhe menjëherë u përshkallëzua intensiteti i intrigës ballkanike dhe konkurrenca e Fuqive të Mëdha. Gjatë verës së vitit 1912, marrëveshjet sekrete mes aleatëve ballkanikë e detyruan Turqinë që të dilte prej Ballkanit. Këto marrëveshje u bënë teksa Turqia ishte në luftë (1911-1912) me Italinë (asokohe një anëtare e Aleancës së Trefishtë). E gjithë hapësira shqiptare përfshihej në territorin, të cilin aleatët ballkanikë, prisnin që ta pushtonin prej Turqisë. Në 8 tetor 1912, Mali i Zi sulmoi Vilajetin e Shkodrës. Forcat malazeze u bashkuan më pas me ushtrinë serbe dhe kapën brigjet e Adriatikut, duke pushtuar Lezhën dhe Durrësin në 30 nëntor. Nga jugu, ushtria greke, kapërceu Thesalinë dhe Epirin dhe kapi Janinën. Një flotë greke ishte duke bombarduar Vlorën në 3 dhjetor, dita që u vendos armëpushimi nën diktatin e Fuqive të Mëdha. Menjëherë pas bisedimeve të paqes të zhvilluara në 16 dhjetor, Austria, në vend që të lejonte copëtimin e Shqipërisë ndërmjet shteteve sllave në veri dhe Greqisë në jug, duke i dhënë kësisoj Serbisë një dalje në Adriatik, i detyroi Fuqitë e Mëdha që të njihnin parimin e një Shqipërie të pavarur.

II. D. KUFIRI AKTUAL
Sipas Traktatit të Londrës, 30 maj 1913, i cili i jepte fund Luftës së Parë Ballkanike, ujdia mbi statusin e një Shqipërie të re dhe përcaktimi i kufijve të saj, iu rezervua vendimeve të ardhshme të Fuqive të Mëdha, të cilat po përballeshin me zgjidhjen e pretendimeve të fitimtarëve grekë, serbë dhe malazezë, përkundrejt të drejtave kombëtare të popullit shqiptar. Marrëveshja në parim, mbi kufijtë shqiptarë, u arrit në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, gjatë verës së 1913-s. Komisioni i Kufirit Jugor Shqiptar, e përfundoi punën e tij mbi kufirin shqiptaro-grek në dhjetor 1913. Një zgjidhje përfundimtare dhe një ndreqje finale e kufirit në terren, u vonua nga Lufta e Parë Botërore. Konferenca e Ambasadorëve, e 9 nëntorit 1921, nën juridiksionin e Konferencës së Paqes së Parisit, konfirmoi, me disa modifikime, kufirin siç ishte përcaktuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në 1913. Një komision ndërkombëtar kufijsh, i përbërë nga Franca, Britania e Madhe dhe Italia, filloi demarkacionin në 1922, duke e pambyllur punën e tij në vitin 1925. Dokumenti final (l’Act final) i demarkacionit, u firmos nga Britania e Madhe, Franca, Italia, Greqia dhe Jugosllavia, në Paris, në 30 korrik 1926.

III. ANALIZA E VIJËZIMIT TË KUFIRIT
Pjesa vijuese është një përkthim prej frëngjishtes nga teksti zyrtar i kufirit aktual (bazuar në marrëveshjen e Londrës 1913), ashtu siç përshkruhet nga Komisioni Ndërkombëtar Kufitar në 1925 (Commission internationale de delimitation des frontieres de l’ Albanie) dhe i pranuar nga Greqia dhe Shqipëria [toponimet janë lënë sipas dokumentit amerikan – shënim, A.H.]. Që nga pika e përbashkët e të tre shteteve, Shqipëri, Greqi dhe Jugosllavi, që ndodhet në jugperëndim të ishullit Veliki Grad në Liqenin Prespa, kufiri shkon duke ndjekur meridianin, drejt majës së quajtur Vissaronivie, pika 1214, në bregun jugor të liqenit. Që nga aty, në një drejtim përgjithësisht jugperëndimor, vijon linja e pellgut ujëmbledhës midis Liqenit të Prespës në perëndim dhe luginës Doskohagla në lindje, duke kaluar nga pikat 1344 dhe 1434.

Pastaj, ajo ndërron drejtim drejt juglindjes, duke ndjekur pellgun midis luginës së sipërpërmendur në anën greke dhe basenin ku ndodhet fshati i Tseria-s në anën shqiptare, duke kaluar nga pikat 1152, 1155 dhe 1139. Në pikën 1139 ajo kalon përmes rrugës së Zvesda-s në territorin shqiptar dhe, Reumbi-t, në territor grek. Më pas, ajo ndjek ujëndarësen mes ultësirave ku ndodhen Horovo dhe Grajdani, dy fshatra që mbeten në Greqi dhe ultësirat ku ndodhen Tseria dhe Rakitska, dy fshatra që mbeten në Shqipëri. Vija arrin kreshtën Vroatseria, duke kaluar nga pikat 1409 dhe 1312, mandej nga maja Golina, pika 1403, dhe vazhdon të kalojë dy pikat 1321 në Tepane. Prej aty, kufiri kalon Liqenin e Prespës në një vijë të drejtë dhe shkon drejt majës së Tserova-s (1378), duke lënë kështu fshatin e Trnovo-s në Greqi dhe fshatin e Souets-it dhe Zagradets-it në Shqipëri. Që nga maja e Tserova-s, kufiri vazhdon në një vijë të drejtë në drejtim juglindor drejt majës veriore të Kosik-ës (pika 1549); që andej, duke u drejtuar pjerrtas drejt jugut, arrin, në vijë të drejtë, pikën e majës jugore 1535. Që aty, vija e kufirit, duke kaluar nga pikat 1249 dhe 1212, shkon drejt Pletsovits (pika 1344), duke kaluar rrugën Florina-Bihlichta në pikën 1049 dhe duke i lënë fshatrat Vambeli dhe Smerdeche në Greqi, dhe, fshatrat Vrnik dhe Kapechtitsa, në Shqipëri. Nga Pletsovits-a, kufiri vazhdon në një drejtim përgjithësisht jugor, deri në përroin/kanionin e luginave të Labanitsa-s dhe Kostenets, në Greqi. Nga ky përrua, vija e kufirit zhvendoset në një drejtim përgjithësisht jugperëndimor, duke ndjekur pikën më të ulët të shtratit të përroskës së Kostenets-it deri në bashkimin e saj bashkërrjedhës me Vistritsa-n (pika 781), duke lënë në Greqi fshatin e Krechista-s dhe në Shqipëri, fshatrat Trestenik dhe Korila. Nga bashkimi bashkërrjedhës i lartpërmendur, kufiri ngjitet në të njëjtin drejtim përgjithësisht jugperëndimor, në drejtim të kurrizit malor të Krostava-s, duke ndërprerë pikat 903 dhe 992. Pastaj, ai shkon në vijë të drejtë drejt majës së Tchiouka-s (pika 1108) dhe prej atje, duke ndjekur basenin ujëmbledhës ndërmjet Devoli-t në anën shqiptare dhe Vistritsa-s në anën greke, ai shkon në pikën 1085, pastaj në pikën 1274.

Pastaj vazhdon përsëri në vijë të drejtë, duke arritur Chinkova-n (pika 1422) dhe duke lënë fshatrat Novosselo, Chak, Revani, Kalevichta dhe Yanoveni në Greqi dhe, fshatrat Bratchani, Pontchara dhe Vidova, në Shqipëri. Nga Ghinkova, kufiri shkon pjerrtas drejt perëndimit dhe bashkohet me ujëndarësen mes Belitsa-s në anën greke dhe Devoli-t në anën shqiptare, duke kaluar pikat 1364 (Kodra e’Bidos), 1459 (Proi i Hasanit) dhe 1467 (Vratsa), duke lënë fshatrat Pilkati dhe Slimnitsa në Greqi, dhe fshatin e Kiouteza-s, në Shqipëri. Nga Vratsa, vija kufitare drejtohet në drejtim jugor, pa e lënë pellgun ujëmbledhës Devoli-Belitsa, dhe ajo arrin nëpërmjet Tchafa e’Fouches (pika 1469), majën e Badaroche-s, (pika 2036). Nga Badaroche, kufiri vazhdon të ndjekë vijën e kurrizit të vargut malor të Gramos-it, në një drejtim kryesisht jugor, radhazi në pikat 2217 (Goubbel), 2519 (mali Tchioukapetsit), 1977, 2167 (mali Sarpoun), 2144; nga Tchafa e’Badres (pika 1772); mandej nga pikat 1909 (mali Guiontchit), 1934 (Golo), 2041 (mali Kammenik), 1474 (Vari Lople), 1634 (mali Vaches), 1047; pastaj bie poshtë shpejt, duke kaluar pikat 712 dhe 644, në ultësirën ujërrjedhëse të Sarandaporos, në pikën 430.

Fshatrat Gramosta, Kionat (Koniades), Izvor dhe Kosarska mbeten në Greqi dhe fshatrat Ranova, Guiontchit, Arza, Radati dhe Koukesi, në Shqipëri. Nga pika 430, kufiri ndjek ultësirën ujërrjedhëse të Sarandaporos, deri në bashkimin me ultësirën e Voyoussa-s, duke ndjekur Urën Perati dhe duke lënë në territorin grek fshatrat Derveni, Pirovitska dhe Melissopetra dhe, fshatrat Sarandaporos dhe Perati, në territor shqiptar. Nga bashkimi Sarandaporos-Voyoussa, kufiri vazhdon në një drejtim përgjithësisht perëndimor drejt pikës 1407 (Groppes), duke lënë fshatin Dipalitsa në Greqi dhe fshatin Messarea në Shqipëri. Nga Groppes, kufiri kalon në një drejtim përgjithësisht perëndimor, nga maja e Kourouna-s (pika 1965) dhe Toumba (pika 1956), duke kryqëzuar vargmalin e Nemerchka-s (pika 2196) dhe duke arritur pikën 874 në Megavortop; dukë lënë fshatin Drimades në Greqi dhe fshatin Sopik në Shqipëri. Nga pika 874, ai vazhdon në drejtim jugor drejt Makrikambos (pika 1671), duke ndjekur fillimisht kurrizoren e Damaskinia-s e pastaj kurrizoren e Bosovo-s. Nga Makrikambos, kufiri drejtohet pjerrtas përsëri drejtim jugor, përmes malit Ailias dhe Plaka, pika 1487 në Bourato. Më pas, duke u drejtuar, ai vazhdon në drejtim jugor, duke kaluar nga pikat 1118, 549 dhe 406 dhe duke kaluar Luginën e Drinos në pikën 301.

Ai kalon rrugën Santi Quaranta – Han Kalpaki në pikën 339, duke lënë fshatrat Ksirovalto, Bosanico, Gaidohori, Krisodali, Mavropoulo dhe Zavroho në territor grek dhe, ato Glina, Episkopi, Radati dhe Kakavia, në territor shqiptar. Duke përvijuar akoma në një drejtim përgjithësisht jugor, kufiri kalon nga pikat 544, 306, 801, 718, 500 dhe 619 dhe mandej ngjitet në majën Mourgana (pika 1806 dhe 1804), duke i lënë fshatrat Arinista, Valtista dhe Kastaniani në Greqi dhe, fshatrat Ai Nicolas, Katouna dhe Kochovitsa in Shqipëri. Nga Mourgana, kufiri merr një drejtim veriperëndimor, duke ndjekur kurrizoren e vargut malor Mourgana-Stougara, duke arritur në pikën 1756. Pastaj, ai merr një drejtim përgjithësisht jugperëndimor, duke kaluar nga pikat 1659, 1512 (Vertop), 588, duke kaluar luginën Pavla dhe duke arritur në pikat 470, 708 (Gelil), 650, 174, 614 dhe 960 në malin Poulia. Në këtë segment të fundit, kufiri lë fshatrat Tchamandas, Ledizda, Povla, Achouria dhe Palamba në Greqi dhe fshatrat Leskovetch, Zimnetsi, Perdikari, and Yaniari, në Shqipëri.
Nga pika 960, në malin Poulia, vija e kufirit vazhdon në një drejtim përgjithësisht veriperëndimor, drejt pikës 1050 në malin Chenndeli; pas kësaj, ajo drejtohet pjerrtas drejtim jugor, duke kapur pikën 831 dhe 837 në malin Tourli. Më pas, në një drejtim përgjithësisht veriperëndimor, ajo arrin Gjirin e Phtelia-s, duke ndjekur pikat 666, 854 (mali Ligoyani), 135, 171 (Brigues), 161, 387 (Orla), 257 (Tchenqueli), 184 (Thier), 86 (Kallihora) dhe pikën 8. Ajo lë në këtë mënyrë fshatrat Kotska, Liopesi dhe Sayada në Greqi dhe fshatrat Verva, Konispoli, Mourssi, Zara dhe Vrina, në Shqipëri. Në segmentin detar në Gjirin e Phtelia-s, kufiri ndjek vijën perpendikulare sipas drejtimit të përgjithshëm të brigjeve deri në limitet e ujërave territoriale, duke lënë ishullin e vogël Tongo në Shqipëri.
Firence, 27 janar 1925,
(firmosur) Medhi Frasheri, i deleguar i qeverisë së Shqipërisë;
(firmosur) nënkolonel Cr. Avramides, i deleguar i qeverisë së Greqisë.

IV. PËRMBLEDHJE
Kufiri shqiptaro-grek, me gjatësi rreth 175 milje, përbëhet nga 158 milje tokësore dhe 17 milje ujore. I tërë kufiri është i demarkuar nga 178 shtylla kufitare me numra dhe të dallueshme dhe nga shumë shënjues të tjerë pa numra. Megjithëse zona kufitare ka qenë një çështje diskutimi për shumë vite, çështjet nuk kanë lidhje me vijëzimin specifik të vetë kufirit. Kufiri duhet të jepet në hartat zyrtare, si një kufi i përcaktuar ndërkombëtar. Kufiri është një rezultat i Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, në të cilat diplomacia e Fuqive të Mëdha, u përfshi thellësisht. Ekziston një mundësi fërkimi, në atë zonë të Shqipërisë Jugore, të cilën Greqia e quan Epiri Verior. Kompleksiteti etnografik, acarohet nga ekzistenca e një minoriteti grek që jeton në anën shqiptare si dhe disa shqiptarëve që jetojnë në Greqi. Sidoqoftë, pritshmëria e një mundësie mosmarrëveshjeje mbi kufirin, do të qëndrojë e fjetur. Vendndodhja e shtyllave kufitare, paraqitet në fletët 11-17, në shkallë 1: 50,000, sipas Komisionit Ndërkombëtar Kufitar, 1923-1924. Një prezantim i arsyeshëm dhe korrekt i kufirit, në shkallë të mesme, gjendet në Shërbimin e Hartave Ushtarake 1: 250 000, Seria 1501, Fletët NK 34-11 dhe NJ 34-2. Megjithatë, kufiri i hequr në kanalin e Korfuzit nuk ka vlefshmëri. Një përshkrim në shkallë të vogël të kufirit, gjendet në Shërbimin e Hartave Ushtarake 1: 1 000 000, Seria 1301, Fletët NK-34 dhe NJ-34.
(RGE-INR/Geographer; Drejtori: RDHodgson; Analisti: ESBarsoum)


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Gazetari, është njohës i thellë i marrëdhënieve ndërkombëtare, e ndër të paktët, që e ka tagrin të flasë me kompetencë.
    Ajo që më problematizon, është një pyetje:-A ekziston ndonjë studiues e njohës i këtyre dokumenteve(por edhe të tjerave), në Ministrinë e Jashtme?!?

    Përgjigju ↓