Fol me Psikologen

Pasi më vdiq burri u lidha me dikë tjetër. Si t’ja bëj me fëmijët?

12:34 - 16.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më ka vdekur burri dhe prej 2 vitesh dal me dikë. Fëmijët e mi adoleshente nuk e duan këtë lidhje që kam. Vajza ka filluar të rrijë me shumë nga gjyshja, ndërsa djali më ka kërcënuar nëse merr vesh që vazhdoj përsëri. Jam ulur , kemi biseduar, por më keq është acaruar gjendja.




-Përshëndetje! E kuptoj situatën dhe shqetësimin tuaj. Ndodh në fakt që fëmijët pasi humbasin njërin prind është e vështirë të pranojnë një tjetër person në krahun e prindit tjetër. Ajo që fëmijët përjetojnë në raste të tilla buron nga mendimi i gabuar se partneri i ri do të zërë vendin e babait të tyre. Humbja e babait është padiskutim një ngjarje traumatike me të cilën ata janë përballur ne moshë shumë të re dhe kjo e bën akoma më të vështirë. Një situatë e tillë kërkon kujdes dhe ty si nënë të lind detyra të flasësh si fillim me fëmijët e tu. Ti thua se e ke bërë këtë gjë. Tento sërish dhe përpiqu si fillim t’ju tregosh se babai i tyre është i pazëvendësueshëm, se e ke dashur shumë dhe për ty ka qënë po aq i rëndësishëm sa edhe për ta. Por jeta vazhdon, ti ke nevojë të jetosh, të kesh një njeri përkrahë i cili do të të mbështesë dhe do të jap siguri. Megjithatë dashuria mes jush, pra e jotja dhe e dy fëmijëve të tu nuk do të cënohet kurrë. Jepu kohë derisa ta kuptojnë këtë gjë, tregohu e kujdesshme në komunikim me ta, thuaju që ke shumë nevojë për mbështetjen dhe aprovimin e tyre. Megjithatë vendimet për jetën tënde i merr vetëm ti dhe ashtu sikurse ata kanë nevojë për aprovimin tënd edhe ti ke nevojë për aprovimin e tyre që të jesh e lumtur. Fol hapur me ta dhe tregohu e vendosur. Do të ishte më e thjeshtë nëse do të gjeje një moment të përshtatshëm për këtë bisedë, duke kryer një aktivitet së bashku ndoshta apo duke parë një film që ka si subjekt një histori të ngjashme me atë që ju po kaloni. Nëse ka një person i cili ju ka qëndruar afër fëmijëve tuaj dhe ata kanë një raport shumë të afërt kërkoji ndihmë. Ndikimi i personave për të cilët ne kemi respekt dhe besim është i madh ndaj do të ishte një ndihmë e madhe për ju që të kishit një mbështetje të tillë. Do të ishte mirë që edhe partneri juaj t’ju mbështeste dhe sjellja e tij të ishte tepër e kujdesshme në raport me ta dhe me ju në syrin e tyre.

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.