MILOSAO

“Një zgjues për ty” i Çelës, në fakt, është një zgjues për shqiptarët

14:00 - 18.02.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Romani “Një zgjues për ty” pothuaj iku i pavërejtur nga kritika shqiptare dhe njerëzit që merren me letrat. Të jetë faji i autorit? Shkëlqim Çela, këtë herë, me sa duket ka dashur të testojë koherencën e njerëzve të letrave dhe mënyrën e funksionimit të sistemit shqiptar, që duhet thënë mbetet shumë sporadik.




Të kujtosh faktin, se autori Shpëtim Çela ishte finalist pak vite më parë në Çmimin e madh Kombëtar të Ministrisë së Kulturës dhe dy vjet më vonë fitues i Çmimit “Kadare-2016”, atëherë të bën të mendosh se ai do të ishte në lupën e shumë autorëve që shkruan për të, për të parë vijimësinë dhe risitë e veprës së re. Nuk ndodhi asgjë, kurse ai vetë ka vendosur që të shkruajë thjesht krijimtarinë për publikun e tij, që tashmë është bajagi jo i vogël.

“Një zgjues për ty” është një roman krejt alegorik, ku autori ka shpalosur në formë humoristike të gjithë historinë shoqërore shqiptare të ditëve tona. Gjetja është krejt interesante dhe mund t’i shkojë formatit kulturologjik të autorit. Në një vend ngatërrohet një mjekim dhe ilaçi i ri krejt aksidental krijon lirshmëri të pacienti, që përpos lehtësimit të befasishëm të gjendjes fillon e thur vjersha dhe e kthen në poezi gjithçka që shikon. Ajo që filloi aksidentalisht bëhet biznes dhe Xhemi personazhi që drejton këtë sipërmarrje bën një gjë të jashtëzakonshme, duke e shitur një dështim si ilaç. Mjekimi i tij “Zgjuesi”, mbart një emër i cili rrëfen një “të vërtetë” pasi realisht personazhet zgjohen si shkrimtarë të vërtetë. Nuk mund të thuhet më se ilaçi është ilaç ai kthehet në një eliksir për një publik, që e kërkon metamorfozën me të tillë gjë. I gjithë vendi mbushet me njerëzit e metamorfozës, që kërkojnë me ngulm ilaçin. Ka më shumë shkrimtarë sesa lexues dhe me radhë kritikë etj. Dhe, nuk ndalet këtu. Kjo lloj skizme që kap publikun përcjell një gjë tjetër më të jashtëzakonshme që lidhet me “Zgjuesit” e tjerë sepse publikun e mbërthen një uri që kërkon “Zgjues” nga të gjitha llojet për të gjitha profesionet. Dalldia merr përmasa të jashtëzakonshme. P.sh. na shkruan ai: Blerësi i Zgjuesit të fizikanit nisi të predikonte në Sheshin e Ushtarit të Panjohur mbi shpejtësinë e territ dhje pamundësinë e dy shpejtësive të barabarta të territ dhe dritës. Ndërkohë njerëz i hedhin për lëmoshë diçka dhe ai ua kthen që është shkencëtar dhe se “Katrori i dritës është i pamundur në koncept?”

Shkrimtaria ishte një front i ri në gdhendjen e popullit dhe të njeriut të ri krijues; ishte, në thelb, një copëzim i Zotit në shkallë popullore, me fuqinë e fjalës, për të krijuar mijëra universe ose “multiuniverse” siç thuhej në shkencat kozmogonike dhe filmat fantastiko-shkencorë…Aman, personazhi ynë kur e kupton se e ka të pamundur t’i bëjë të gjithë shkrimtarë fillon e trishtohet pa masë. Ndërkohë që kundërmimi i barmolës i kritikës u përhap bashkë me aromën e dhiozmës në qoftet e lokaliteteve….Dhe, kërkesa për kritikë po rritet në kurriz të asaj për krijues të mirëfilltë.
Romani ka një sistem hiperbolik, i cili qëndron mbas metaforës së idesë, e cila është krejtësisht në funksion të qëllimit të autorit. Narracioni është i zgjidhur në vetën e tretë dhe autori përmes personazhit kryesor shpalos të gjithë subjektin, që duhet thënë se ka shumë elementë gargantuanë sa i përket hiperbolizimit. Dhe, kjo figurë e luajtur në formën më të saktë në këtë roman, mund të realizohej vetëm nga një njeri që ka kulturën e mjaftueshme të shkencave ekzakte për të administruar veten dhe pastaj personazhet për të cilët shkruan. Grotesku që shoqëron të gjithë romanin është një lloj tisi që i mbart të gjitha plagët sociale shqiptare dhe që autori i plas aty pa asnjë problem se mund të prishë idenë e vet. Tekfundit libri në një farë mënyre është një shpalosje e tyre dhe mbi të gjitha përshfaqje e manive sociale të shqiptarëve të ditëve tona. Nga ana tjetër, një sërë episodesh, që mund të shërbenin, si tregime ose etyde e mbushin librin dhe e çlirojnë vëmendjen e lexuesit nga hiperbolizimi. Është e administruar aq mirë dinamika e librit saqë në disa raste hiperbola e autorit është fare afër realitetit ku jetojmë dhe parcelizimit mendor të shoqërisë shqiptare drejt kotësisë.

Vaniteti është një nga elementët e parë dhe duket i shpallur si një nga tiparet kryesore të shumë antropologëve sa i përket individit shqiptar ndërsa është i treguar në këtë libër në një formë tejet humoristike nga autori, që duhet thënë se në këtë libër jo vetëm nuk zhgënjen, por tregon cilësitë e tij të larta teknike dhe mbi të gjithë artin e mirë-pasur të shkrimtarisë.
Romani lexohet me një frymë dhe autori di të shpërndajë kujdesshëm vëmendjen. Narracioni është shumë i këndshëm, por edhe tejet grishës për lexuesin gjithnjë e më shumë dembel të kohëve tona. “Një zgjues për ty” është një moment tjetër, ku performanca artistike e Shkëlqim Çelës jo vetëm nuk zhgënjen, por që e tregon të etur për të krijuar. Dhe, këtë etje urojmë të mos e plotësojë asnjëherë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.