SPORT

Skënderbeu, shumë i fortë për Kamzën

08:50 - 19.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Skënderbeu po zhvillon dy beteja të mëdha në këtë vit kalendarik.




E para, që është edhe më e rëndësishmja është ajo që po luhet në tavolinë, mes zyrës së presidentit Takaj dhe zyrave të UEFA-s në Nion, por është edhe ai Skënderbeu i fushës, që përtej stuhisë që ka përfshirë klubin korçar, vijon të dominojë rivalët.

Kamza është viktima e fundit e ndëshkuar nga golat e një Emiljano Vile, që në Korçë duket se ka rilindur. Më pranë portës, më shumë vertikalizime dhe padyshim edhe më shumë gola sesa kur luante te Partizani.

Madje, në Kamëz ngjan si një sfidë ‘ish’-ësh, pasi i pari që çel rezultatin është Realdo Fili, edhe ky një ish-i kuq, që finalizon në minutën e 12-të një gol alla Del Piero, duke e bërë të kotë fluturimin e Shehit. Por, pas këtij momenti është veç Skënderbeu në fushë. Soue nuk realizon një gol gjysmë të bërë në minutën e 14-të, ndërsa Muzaka në të 31-ën kërkon të finalizojë në mënyrë spektakolare një aksion të gjithin në ajër për korçarët. Edhe Radas provon të befasojë në të 38-ën, por ka veç dridhërima për Gjonikaj, që sheh topin e kroatit të kalojë ngjitur me shtyllën.

Pjesa e parë mbyllet me fitoren e të zotëve të shtëpisë, ndërsa me fillimin e së dytës del në katedër Emiljano Vila. Durrsaku jep shkëndijën e parë në minutën e 51-të, për të kualuduar gjithçka 3 minuta më pas. Dita depërton nga e djathta, harko në qendër dhe aty ish-mesfushori i Partizanit finalizon në sparkatë, duke barazuar shifrat. Por nuk mbyllet me kaq. Skënderbeu do tri pikët, ndërsa edhe njëherë është Vila që shënon, duke u kthyer në heroin e ndeshjes. Muzaka harkon nga këndi në minutën e 69-të, ndërsa në zonë Vila kërcen i pamarkuar dhe thyen për herë të dytë Gjonikën. Pas golit të disavantazhit, Kamza kërkon të reagojë. Plaku nga goditja e lirë në të 74-ën kërcënon kuadratin e Shehit, ndërsa në të 80′-ën Raçiç me kokë mund të kishte bërë më mirë, por e dorëzon topin në duart e gardianit durrsak. Mbyllet 2-1 për Skënderbeun, një transfertë delikate në Kamëz, të cilën të besuarit e Dajës kanë ditur ta menaxhojnë më së miri. Korçarët ngjiten në kuotën e 46 pikëve, duke u konfirmuar forcë e parë në kampionat, ndërsa Kamza qëndron sërish e pesta me 29 pikë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.